06 agosto 2012

Turizmi dhe TVSH-ja e shkallëzuar


LEONARD BODURI
Pas një kacafytjeje pasionante dhe afatgjatë në diskutime me karakter më shumë historik sesa politik, më shumë të përqendruar mbi çështje personale dhe lidhjet me ish-diktaturën sesa me gjendjen dhe problematikat reale të vendit, duket se klasa politike është futur më në fund në disa diskutime të dobishme për qytetarët. Politikanët shqiptarë kanë filluar të përfshihen në diskutime me karakter ekonomik dhe të vënë theksin mbi politikat fiskale, të cilat zënë në botën e qytetëruar vendin kryesor të debateve politike midis grupimeve kryesore politike. Pjesën më të madhe të kohës që u është kushtuar problemeve fiskale e ka marrë debati mbi taksën e sheshtë, por edhe ky diskutim është kufizuar deri në nivelin e konstatimit. Ka pasur gjithashtu një përpjekje për të diskutuar mbi një përshkallëzim të TVSH-së në disa sektorë, por kjo përpjekje ka përfunduar vetëm me rivendosjen triumfale të TVSH-së në sektorin shëndetësor me 10 për qind.
Në një kohë kur janë përcaktuar qartë prioritetet kryesore të ekonomisë shqiptare, ka pasur një mbështetje konkrete me formën e subvencioneve në bujqësi, por është bërë shumë pak për ti ardhur në ndihmë industrisë së turizmit. Kryesisht ka mbizotëruar mendimi se me ndërtimin e korridoreve të reja rrugore do të mbështetet fuqimisht edhe turizmi. Në të vërtetë hapja e arterieve të reja të qarkullimit rrugor ka mundësuar ardhjen e një numri të madh të turistëve në vend, pavarësisht se gjatë kalimit në këto rrugë të reja duhet ti lutesh qiellit që të mos kesh fatin të të zërë nata, që së bashku me sinjalistikën e standardeve më të larta mund të ofrojë surpriza të pakëndshme. Gjithsesi, duke iu referuar statistikave, numri i turistëve është në rritje nga viti në vit. Kjo ka ardhur edhe për shkak të përmirësimit të cilësisë së shërbimit, si dhe çmimeve të favorshme të ofruara në krahasim me vendet e rajonit.
Ndërkohë që investimet në infrastrukturë po bëhen përherë dhe më të shtrenjta, pa i hyrë analizës se përse, mund të themi se ka mundësi të tjera me kosto të ulët apo afër zeros që mund të ofrojë një ndihmë të madhe për turizmin shqiptar. Më konkretisht, nëse do ti hyjmë një analize krahasuese me vendet fqinje, do të vëmë re një mungesë të madhe vëmendjeje ndaj konkurrencës. Në vendin tonë, duke përjashtuar sektorin shëndetësor, mund të themi që aplikohet një TVSH e sheshtë. Ndërkohë në Greqinë fqinje aplikohet një normë TVSH-je prej 6.5 për qind për sektorin e hotelerisë, ndërsa në Maqedoni aplikohet norma 5 për qind për operatorët turistikë. Kjo praktikë e shkallëzimit të TVSH-së aplikohet prej shumë vitesh në vende të zhvilluara si Franca, Italia, Gjermania, si dhe vende të tjera, sidomos për të stimuluar sektorë prioritarë të ekonomisë. Vendosja e këtyre lehtësive fiskale inkurajon konsumin dhe për shkak të rritjes së volumit të përgjithshëm nuk cenon të ardhurat në buxhet.
Për hir të së vërtetës, problemi nuk qëndron vetëm te vendimmarrësit, por edhe tek operatorët turistikë. Këta të fundit nuk mund të ndahen nga praktika e përhapur e evazionit fiskal në ekonominë shqiptare. Me anë të tkurrjes artificiale të të ardhurave reale të turizmit, në të njëjtën kohë kanë arritur të ulin peshën reale që zë kjo industri në ekonominë shqiptare. Problemi qëndron se operatorët turistikë të vendit, për shkak të fshehjes së të ardhurave dhe të mungesës së një analize të kujdesshme, janë vendosur në kushte të pabarabarta me konkurrentët e tyre në rajon dhe sidomos me vendet fqinje të Greqisë dhe Maqedonisë, të cilët janë konkurrentët direktë dhe me specifika të ngjashme për tërheqjen e turistëve. Mirëpo deri më sot nuk është gjendur një urë komunikimi në mënyrë që të arrihet një rezultat optimal si për rezultatin e përgjithshëm të të ardhurave ashtu edhe në planin fiskal.
Mbështetja e një filozofie fiskale apo e një tjetre është pjesë e një procesi të vazhdueshëm diskutimesh mes shkollave të ndryshme të mendimit financiar. Ndërkohë politikat fiskale nuk janë qëllim në vetvete, por vetëm një mjet që kërkon të arrijë të plotësojë nevojat financiare për buxhetin e shtetit, në mënyrë të tillë që të mos rëndojë mbi operatorët ekonomikë dhe ti lënë biznesit frymëmarrjen e nevojshme për zhvillim. Është krejt e natyrshme të mendohet dhe analizohet një reformë fiskale, me qëllim lehtësimin e barrës fiskale që rëndon drejtpërdrejt mbi konsumatorët dhe që ndikon edhe në tkurrjen e performancës së industrisë së turizmit. Në këtë kuadër është e nevojshme një analizë e thellë dhe aplikimi i manovrave fiskale të nevojshme, me qëllim që vendi të tregojë potencialin e vërtetë turistik që disponon. Nuk mund të arrihet një rezultat optimal në turizëm për sa kohë vendi gjendet në kushte konkurrence të pabarabarta, por kjo kërkon shumë analizë teknike dhe aspak grindje politike boshe.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate