Posted on 09:05 - 2 Janar 2018
TIRANË, 2 Janar / ATSH-N.Lena / -“ Shqipëria është plot me male, male ka edhe Tirana. Edhe në Dajt bie bore, por asnjë mal në Shqipëri, nuk është më atraktiv dhe më i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit dimëror sesa Mali i Shoshit”, më fliste me pasion këtë fillim viti një miku im malësor i këtyre anëve.
Për të kapur këto maja, mund të ndjekësh rrugët nëpër mal, të hapura dikur nga ndërmarrjet e sharrave.
Ato kanë krijuar labirinte të shumta, mjaft të përshtatshme për shëtitje në dëborë, jo vetëm për kategorinë e turistëve të ecjeve malore por për të gjitha moshat. Rrëpira jo të rrezikshme, të përshtatshme për pista të vogla skijimi. Ish-sektori i sharrave, por edhe livadhe të tjera për kampingje verore e dimërore e njësi të tjera akomoduese e shërbyese.
Prani të shumta të kafshëve dhe shpendëve të egër, shtojnë kuriozitetin e vizitorit.
Bora e pranishme deri në 6 muaj dhe rruga asnjëherë e bllokuar për kohë të gjatë, mundësojnë aktivitetin turistik në këtë zonë.
Por, është një rrugë më e shkurtër për në këto lartësi të bukura, ajo që kalon për Luginën e bukur të Kirit, rruga që çon në dy fiset legjendare Shosh e Shalë, me atraksione turistike të shumta e të mrekullueshme dhe rruga tjetër që të nxjerr në Theth,por që shpesh bëhet e vështirë nga bora e Qafë T’Thores. Është 12 km. rrugë që nuk është trajtuar akoma.
Rapsodi dhe vet historia i ka kënduar këtij vendi të bukur e me tradita që tashmë po tërheq vëmendjen e vizitorëve aventurierë të lartësive.
Për këto male mblue me borë
Shala në shekuj ka kenë Orë
N’daç për vepra e n’daç me fjalë
Dukagjini nis prej n’Shalë…
Shala në shekuj ka kenë Orë
N’daç për vepra e n’daç me fjalë
Dukagjini nis prej n’Shalë…
Investimet private dhe futja e kësaj zone në axhendën turistike të vendit, po sjellin zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në Shalë e Shosh. Kullat e moçme si kala prej guri, në themel të tyre ngul fort tradita, mikpritja, besa e burrnia, monumentet e shumta kulturore, historike e natyrore, flora dhe fauna tepër e pasur, bëjnë që Dukagjini të jetë thesar i atraksioneve turistike aq shumë të kërkuara nga dashamirësit e turizmit malorë vendas e të huaj.
Me iniciativë individuale, atje sot, ka një bujtinë, e cila përbën një shpresë që në pranverën e ardhshme do të pasohet edhe nga të tjera, dhe njëkohësisht, është një thirrje e fuqishme për mbështetje nga organizmat shtetërore dhe shoqatat vendase e të huaja.
Janë disa kulla tradicionale malësore që tashmë janë kthyer në bujtina pritëse për vizitorët e çdo stine.
Janë disa kulla tradicionale malësore që tashmë janë kthyer në bujtina pritëse për vizitorët e çdo stine.
Investimet e disa prej banorëve vendas si Pal Binoshaj, për ta zhvilluar ekonominë e tyre në fushën e turizmit duke kthyer kullat në mikpritëset e para të turistëve, prej në Qafë të Ndërmanjës, Nderlysa, në Qafë të Agrit e deri në Mal të Shoshit.
Edhe pistat e skive në këto shpate pothuajse janë gati, ato veç duhen sistemuar dhe trajtuar si të tilla.
/a.g/
https://www.ata.gov.al/mali-i-shoshit-kartolina-e-turizmit-dimeror/