16 agosto 2018

Tamara, zonë ekonomike që po zhvillohet me ritme të shpejta

93
TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Tamara, një nga pikat turistike më të frekuentuara të qarkut të Shkodrës, po fokusohet gjithnjë e më tepër në agroturizëm.
Sipas ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati “mikpritja, tradita dhe bujaria, në Tamarë ndërtojnë më së miri një zonë ekonomike që po zhvillohet me ritme të shpejta”.
Tamara në Malësinë e Kelmendit është një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare. Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.
Sot, Tamara ka një shëtitore të re 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fshatit, janë mbjelljë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit.
Programi i investimit të qeverisë me një fond prej 56 milionë lekë, ka arritur të ndërthurë peizazhin natyror me karakteristikat alpine të zonës, duke e kthyer Tamarën në një burimin të fuqishëm ekonomik për mbi dy mijë banorët e saj dhe një aset të çmuar të turizmit kombëtar.
Por nuk mbaron këtu, qeveria ka projektuar tashmë një projekt të qartë për zhvillimin e turizmit në trevat alpine, ku bën pjesë edhe Tamara. Ndërtimi i rrugës së re të Vermoshit dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë, pritet të shtojnë impaktin e shumëfishtë të fluksit të vizitorëve. /m.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
http://ata.gov.al/2018/08/14/tamara-zone-ekonomike-qe-po-zhvillohet-me-ritme-te-shpejta/

Kalaja e Trajanit, një nga pasuritë e trashëgimisë historike dhe kulturore

71
TIRANË,14 gusht /ATSH/ – Kalaja e Trajanit, jo larg fshatit Tren në rrethin e Devollit, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare që, për fat të keq, pak njihet nga publiku i gjerë.
Ajo mban emrin e një perandori me origjinë ilire të Romës së lashtë, edhe pse rrënjët i shkojnë që në periudhën e hekurit.
Kjo kala ishte një ndër më të mëdhatë në territorin e Ilirisë, duke u shtrirë në plot 22 hektarë, ndërsa muret e saj kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3 kilometrash, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Gjerak Karaiskaj në veprën e tij “5 mijë vjet fortifikime”.
Trajan Decius identifikohet si një ndër perandorët e rëndësishëm të Romës së lashtë, edhe pse koha e shkurtër e qëndrimit në pushtet nuk ia lejoi të plotësonte historinë e tij. Perandori Trajan njihet për përballjet me Gotët, ballë të cilëve edhe u vra i tradhtuar. Megjithatë, historia e konsideron si një prijës të vetësakrifikuar për të shpëtuar Romën e lashtë. Drejtimi i tij është i lidhur jo thjesht me sukseset si ushtarak, por edhe si një drejtues i aftë e investues i mjaft objekteve të Romës së atëhershme.
Kalaja e Trajanit ndodhet në kodrën që gjendet në verilindje të fshatit Tren në zonën e Devollit. Kjo është kalaja me e madhe e periudhës së parë të hekurit në vendin tonë. Ajo shtrihet në një territor prej 23 ha duke filluar që nga maja e duke zënë një territor që përfshinte treçerekun e kodrës. Kodra ndodhet 1200 m mbi nivelin e detit.
Pjesa jugperëndimore e saj vjen e butë derisa ngjitet në zonën më të lartë që ka formën e një platforme të sheshtë të përshtatshme për banim, ndërsa pjesa verilindore është krejtësisht shkëmbore dhe bie mbi liqenin e Prespës së Vogël.
Nga materialet e gjetura në kala dhe në afërsi të saj, rezulton se ajo ka qenë e banuar në pjesën e parë të epokës së hekurit. Në periudhën e dytë të hekurit, vendbanimi u braktis për t’u spostuar 1 km më në perëndim në kodrat e Goricës.
Në kohën e vonë antike, kalaja e Trajanit u rifortifikua, por tani është reduktuar vetëm në pjesën e sipërme të saj. Kalaja e Trajanit ruhet në gjendjen në të cilën është gjetur në fillim dhe nuk është konstatuar deri më tani asnjë dëmtim i saj. Kalaja është shpallur monument kulture në vitin 1963./a.a/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
http://ata.gov.al/2018/08/14/kalaja-e-trajanit-nje-nga-pasurite-e-trashegimise-historike-dhe-kulturore/

21 luglio 2018

BE mbështetje turizmit kulturor si një nga shtyllat e promovimit të vendit

136
TIRANË, 19 korrik /ATSH A.ALLA /- Turizmi kulturor por edhe ai i aventurës kanë rritur vitet e fundit numrin e turistëve të huaj që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi ditën e sotme në Tiranë një takim informues me operator turistik mbi projektin e mbështetur nga Bashkimi Europian për projekte investuese dhe promovuese në turizëm.
Konkretisht, Bashkimi Europian financon këtë projekt për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, një projekt i cili do të ketë një kohëzgjatje tre vjeçare duke dhuruar grante për turizmin, pra duke e shndërruar në një shtyllë të fortë në ekonominë e vendit por dhe të promovimit të Shqipërisë si një aset me vlerë në sytë e turistëve.
Projekti konsiston në dy shtylla kryesore, në turizmin kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga polet më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit dhe si një nga risitë e viteve të fundit dhe që po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku u shpreh se ” në takimin e sotëm u prezantua një skemë e granteve nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) i cili ka të bëj me projekte të bashkëpunimit rajonal në turizëm kryesisht në atë kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga shtyllat kryesore të cilat kanë një rritje këto vitet e fundit në rajon”.
”Qëllimi është ti nxisë operatorët dhe organizatat të cilat merren me turizmin të bashkohemi për të promovuar rajonin si një destinacion të përbashkët turistik përmes kulturës dhe aventurës”, u shpreh Çeku.
Ai shtoi se ”ky takim i sotëm kishte një interes të madh nga njerëzit të cilët merren me turizëm në Shqipëri dhe ku vitet e fundit po shohim një bashkëpunim të madh të operatorëve turistik në Shqipëri me vendet e rajonit”.
”Turizmi rajonal do të jetë plotësues me përpjekjet tona për ta zhvilluar në Shqipëri i cili do të sjellë impakt në shtrirjen gjithë vjetore të turizmit, shtim të numri të turistëve si dhe një zhvillim ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë turizmi na shërben si një kontribues i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit”, përfundoi zv/ministri Hajrulla Çeku.
Bukurosh Reçi një operator turistik në vend u shpreh se ”kjo nisëm ishte fantastike sepse turizmi kulturor ka një boom të gjerë në gjithë botën dhe veçanërisht në Europë pasi Europa është e pasur shumë me histori dhe trashëgimi kulturore. Nisma e marr nga Bashkimi Europian i shërben Shqipërisë për të krijuar tregun ballanik për turistët e huaj që vizitojnë vende të vogla si Shqipëria për t’i njohur ata me trashëgiminë”. /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/19/be-mbeshtetje-turizmit-kulturor-si-nje-nga-shtyllat-e-promovimit-te-vendit/

Turistë spanjollë vizitojnë pikën turistike të Byshekut

72
TIRANË, 19 korrik/ATSH/ – Një grup turistësh spanjollë vizituan pikën turistike të Byshekut, pranë qytetit të Elbasanit.
Pasi vizituan qytetin dhe vendet e tij historike me në qendër kalanë, objektet kulturore dhe ato të kultit, udhëtuan për në Byshek të shoqëruar nga të rinjtë e “Smile Albania”.
Elbasani dhe zonat rreth tij përbëjnë një zonë të rëndësishme jo vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për atë kulturore, historike dhe turistike.
Pika më e afërt turistike me qytetin e Elbasanit, Bysheku aktualisht duket se po rimerr shkëlqimin e dikurshëm të një destinacioni turistik.
Rruga automobilistike që të çon për atje është e riparuar dhe e ka lehtësuar lëvizjen e vizitorëve drejt këtij vendi piktoresk.
Banorët e fshatrave të komunës Shushicë, ku bën pjesë Bysheku, po shfrytëzojnë ardhjet turistike për të tregtuar prodhimet e tyre.
Elbasani ka dhe mjaft monumente të natyrës në periferinë e tij si Llixhat Termale, Gjinari turistik dhe historik, pylli aluvial i Shushicës, liqenet e Dumresë dhe plot vende të tjera interesante.
Një veçori kulturore e tradicionale është dhe mikpritja vendase dhe gatimet e shijshme tradicionale të Elbasanit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/19/foto-turiste-spanjolle-vizitojne-piken-turistike-te-byshekut/

Persona referent në bashki për të identifikuar potencialet e fshatrave

37
TIRANË, 20 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ Çdo bashki duhet të ketë një ose disa persona referentë, të cilët duhet të identifikojë nëse është e mundur për të çuar përpara të gjithë potencialet që ka nevojë të zhvillohen në çdo fshat.
Koordinatorja Kombëtare e Programit ‘100 Fshatra’, Elva Margariti u shpreh sot gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të bashkive se, ‘në takimet që kemi pasur identifikimi i këtyre potencialeve ka sjellë dhe identifikimin e disa projekteve të reja që mund të zhvillohen dhe ka nxjerrë në pah dhe nevojën e një ekipi mbështetës nga ana juaj, i cili kërkohet të ketë një qasje më të afërt me programin që do të thotë që ky është një program që ka në përfshirjen e tij jo vetëm infrastrukturë dhe turizëm por edhe trashëgimi kulturore, mjedis, ruajtje e tij’.
Pra, shtoi ajo, “kërkohet që brenda bashkive të kemi mundësi që të kemi persona të cilët të jenë pikë fokale, pikë komunikimi. Do të doja që në çdo bashki të kishim një person referent, i cili të identifikonte nëse është e mundur që të çojë përpara të gjitha sektorët ose të gjitha potencialet që ka nevojë të zhvillohen në atë fshat. Dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur të zhvillohet prej një personi të vetëm të keni të paktën 3-4 persona. Pra të filloni dhe ju të punoni me multi aktorë brenda bashkive tuaja”.
Margariti u shpreh se Akademia do të ndihmojë bashkitë për identifikimin e potencialeve nëpër fshatra.
“Nuk pretendojmë që në çdo bashki te jenë 3-4 aktorë që të jenë të aftë për të çuar përpara plotësisht programin. Rasti konkret i Akademisë do të jetë me siguri një urë e mirë lidhëse për zhvillimin e këtyre dijeve të mëtejshme. Akademia do të vijë në fshatra me një informacion të marrë. Puna që ju keni bërë deri tani që është puna e mbledhjes së informacioneve, të nevojave, të problematikave dhe të projekteve të mundshme është i gjithë informacion që i kalohet Akademisë. Pra ata nuk do të vijnë të hulumtojnë në fshatrat tuaja për të na sjellë të njëjtin rezultat që ne e kemi tashmë. Akademia do të vijë të ndërveprojë me ju. T’ju tregojë sesi ata mendojnë që mund të zhvillohet akoma më tepër ky potencial. Dhe do të vijë mbi të gjitha jo vetëm për të marrë prej fshatit dhe për t’i dhënë një shembull, por mbi të gjitha vjen për t’’iu dhënë një dije që deri diku në disa fshatra mungon”, tha Margariti. /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/20/persona-referent-ne-bashki-per-te-identifikuar-potencialet-e-fshatrave/

18 luglio 2018

Divjaka, atraksion turistik për të mos u humbur kete vere 2018

79
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Parku kombëtar i Divjakës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj por edhe ata shqiptarë.
Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/15/divjaka-atraksion-turistik-per-te-mos-u-humbur/

Plazhet, tashmë të pajisura me kullat e vrojtimit... PO Roje Bregdetare ka kaq shume te trajnuar????

63
TIRANË, 17 Korrik / ATSH / – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se për herë të parë ka një infrastrukturë kullash vrojtimi në funksion të sigurisë së pushuesve nga Velipoja në Sarandë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se rrjeti ka ende boshllëqe, por ka ndryshim të madh nga vitet e shkuara dhe është në përmirësim ditë pas dite.
Ministria kujton dobësitë e mëdha të pushtetit vendor në këtë drejtim, pasi ky aspekt është detyrë ligjore e funksion i bashkive.
“Sidoqoftë, nuk ka asnjë justifikim dhe bashkëpunimi me bashkitë për të garantuar një sezon të pastër e të sigurtë po forcohet dita-ditës në terren”, thuhet në postimin e zv.ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/17/plazhet-tashme-te-pajisura-me-kullat-e-rojes-bregdetare/

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës tërheq vëmendjen e Ambasadës Austriake kete sezon veror 2018

78
TIRANË,17  Korrik / ATSH / – Personeli i Ambasadës Austriake e kaloi fundjavën në natyrën e bukur të Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës. Ata u pritën në hyrje të parkut nga të rinj të “Smile Albania”dhe specialistë të natyrës në Bashkinë e Krujës që prezantuan te vizitorët historikun e këtij parku,vlerat e tij natyrore dhe  kulturore, ato kurative dhe kulinarinë e veçantë të zonës. Ekipi i Ambasadës, shoqëruar nga udhërrëfyes vendas shëtitën në pyjet me pisha të parkut, në shpatet malore, u argëtuan në barin e lëndinave  dhe vlerësuan ujin e  veçantë të kroit të “Nënës Mretneshë”. Në përfundim të piknikut, ata lanë përshtypjet më të mira pranë udhërrëfyesve të Bashkisë Krujë që i shoqëruan.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/17/foto-parku-kombetar-i-qafe-shtames-terheq-vemendjen-e-ambasades-austriake/

Fluksi i shumëfishuar i jahteve turistike në Portin e Vlorës, risia e këtij sezoni turistik 2018

79
Vlorë, 17 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- Dy jahte turistike, “Sevanna” dhe “Moonshadow Noa”, u ankoruan të martën në mëngjes në portin e Vlorës, ku qëndruan për disa orë.
Dy mjetet lundruese, njëra prej të cilave me flamur italian, pasojnë dhjetra  “simotra” të tyre që kanë zgjedhur gjatë këtyre javëve Vlorën, si pjesë të itinerareve turistike në Mesdhe.
Gjatë këtij sezoni, numri i jahteve turistike që janë ankoruar në portin e qytetit jugor bregdetar ka shënuar një rritje të dukshme dhe ritmi pritet të jetë edhe më i lartë në javët në vazhdim.
Drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, tha për ATSH-në se, përmirësimi i infrastrukturës portuale, asaj të qytetit dhe standardet e duhura të shërbimeve dhe të sigurisë, janë disa nga faktorët që kanë nxitur dhe rritur interesin e turistëve të kësaj kategorie të vijnë në Vlorë, për të kaluar orë pushimi në qytet.
Sipas tij, në axhendën e qëndrimit të turistëve që mbërrijnë në Vlorë me jahte, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike, si edhe frekuentimi i bareve dhe restoranteve, kryesisht përgjatë “Lungomares”, që është tashmë hapësira e preferuar e vizitorëve të huaj.
“Turistëve të huaj që vijnë me jahte në Vlorë, u pëlqen shumë qyteti, veçanërisht pjesa përgjatë bregdetit, Lungomares, u pëlqejnë baret dhe restorantet, por, krahas kësaj i tërheq edhe cilësia e shërbimeve portuale, ku bëjnë pjesë edhe furnizimi me karburant, standardet e sigurisë etj., të cilat përbëjnë kolonën e elementëve që favorizojnë fluksin në rritje të jahteve në Vlorë, duke e shndërruar atë në një risi, ose në një fenomen të sezonit turistik veror 2018”, – tha drejtori Malaj.
Ai veçon ankorimin pak ditë më parë për 5-6 orë në portin e Vlorës, të një jahti superluksoz të përmasave të mëdha, që lundronte me flamur anglez, në bordin e të cilit ndodheshin pjesëtarët e një familjeje sheikësh nga Arabia Saudite, që kishin në rekuizitën e tyre të shoqërimit edhe një helikopter dhe një autoveturë luksoze “Ferrari”.
Duke u ndalur tek ky rast, Malaj nënvizon se tashmë Porti i Vlorës është bërë pjesë e axhendës turistike të Mesdheut, gjë që argumentohet edhe me kërkesat në rritje turistëve të kësaj kategorie që pritet të mbërrijnë në javët në vazhdim.
“Kemi mjaft kërkesa për ankorime të jahteve të tjera nga vende të ndryshme dhe po marrim masa për të ofruar të gjithë shërbimin e nevojshëm, me tarifa të arsyeshme, duke përfshirë edhe standardet e sigurisë, me mjetet zjarrfikëse”, – shtoi ai.
Vetëm gjatë muajit korrik, në kalatat e portit të Vlorës janë ankoruar 30 jahte turistike, ndërkohë që për javët në vijim, nisur edhe nga kërkesat, numri i tyre pritet të 4-5 fishohet.
Aktualisht, Porti i Vlorës vlerësohet konkurrues në rajonin e Mesdheut, për shkak të tarifave të arsyeshmen dhe cilësisë së shërbimeve.
Kjo pritet të reflektohet edhe në të ardhurat e këtij porti, krahasuar me periudha dhe vite paraardhëse.
Një vit më parë, numri i jahteve turistike që prekën kalatat e portit të Vlorës, ishte shumë herë më i ulët. /e.malaj//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/17/fluksi-i-shumefishuar-i-jahteve-turistike-ne-portin-e-vlores-risia-e-ketij-sezoni-turistik/

Projekti “Nivica”, shihen frutet e parë të turizmit në malësinë e Jugut

35
TIRANE,18 Korrik / ATSH / – Vizitorë kuriozë, aventurierë të lartësive, biologë ,arkeologë e gazetarë ngjiten drejt Nivicës, për kuriozitet apo punë shkencore dhe ndeshen me një panoramë krejt tjetër, me rrugë, me njerëz të shumtë që e vizitojnë, me një natyrë të padëmtuar e të mirëkujdesur, pra me një atraksion të vërtetë turistik.
Projekti Nivica, “Nga mali drejt detit”, lindi si një  dëshirë apo ëndërr, e njërit prej djemve të kësaj zone Auron Tare, tashmë i kthyer në një realitet të prekshëm.  Nivica zgjohet me një qendër të rikonceptuar totalisht, si modeli referent, për programin e “100 fshtrave”, nga qeveria Shqiptare, në mandatin e saj të dytë.
Çdo gjë duket se po shkon sipas parashikimeve, dhe niviciotët  janë optimistë se një ditë jeta e tyre mund të ndryshojë, duke ruajtur edhe traditat e tyre mijëravjeçare.
Turistë nga çdo anë kanë filluar të shkelin dhe eksplorojnë zonën, e njohur falë teknologjisë dhe komunikimeve në media, për vlerat dhe natyrën piktoreske, të egër, e cila ofron qetësi dhe kënaqësi të veçantë, e vlefshme për qëndrime 2 – 3 ditore.
Ekipi i fundit që e vizitoi Nivicën ishte ai i arkeologëve  nga Universiteti i Bristolit, universitet, tashmë i njohur për vëmendjen dhe studimet e shpeshta në këtë zonë, si pjesë e një marrëveshjeje me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit (AKB-në). Më pas grupi i shkencëtarëve u prit nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.
Ai i falënderoi në emër të gjithë tepelenasve dhe veçanërisht atyre të Kurveleshit, për kontributin e çmuar që po ofrojnë në fushën e arkeologjisë dhe turizmit, duke iu thënë se ajo është vetëm maja e ajsbergut. Tepelena rezervon mjaft pasuri të tjera në formë vendbanimesh dhe qytetërime antike që ndoshta në të ardhmen e afërt do të jenë synimi për kërkimet e dhe zbulimet e radhës, u shpjegoi Peçi arkeologëve.
Në takim me Peçin ishte dhe një grup gazetarësh  të një prej rrjeteve me të njohura globale informative si National Geographic, të cilët u shprehën  se në përfundim do të ketë një dokumentar  në njohjen e vlerave turistike dhe aseteve kulturore të zonës.
“Tashmë miqtë e çmuar të historisë, arkeologjisë dhe kulturës tonë, po vijojnë hulumtimin e hartës antike në zonë, në kërkim të shtigjeve dhe rrugëve të vjetra, duke u bërë të parët e shekullit të ri pas studiuesit të famshëm britanik, Nicholas Hammond”,  thotë për ATSH-në Auron Tare, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Nivica, gjithnjë e më shumë po tërheq interes nga vizitorët vendas dhe të huaj. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/18/projekti-nivica-shihen-frutet-e-pare-te-turizmit-ne-malesine-e-jugut/

Search

Translate