TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Tamara, një nga pikat turistike më të frekuentuara të qarkut të Shkodrës, po fokusohet gjithnjë e më tepër në agroturizëm.
Sipas ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati “mikpritja, tradita dhe bujaria, në Tamarë ndërtojnë më së miri një zonë ekonomike që po zhvillohet me ritme të shpejta”.
Tamara në Malësinë e Kelmendit është një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare. Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.
Sot, Tamara ka një shëtitore të re 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fshatit, janë mbjelljë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit.
Programi i investimit të qeverisë me një fond prej 56 milionë lekë, ka arritur të ndërthurë peizazhin natyror me karakteristikat alpine të zonës, duke e kthyer Tamarën në një burimin të fuqishëm ekonomik për mbi dy mijë banorët e saj dhe një aset të çmuar të turizmit kombëtar.
Por nuk mbaron këtu, qeveria ka projektuar tashmë një projekt të qartë për zhvillimin e turizmit në trevat alpine, ku bën pjesë edhe Tamara. Ndërtimi i rrugës së re të Vermoshit dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë, pritet të shtojnë impaktin e shumëfishtë të fluksit të vizitorëve. /m.m/