TIRANË, 19 korrik /ATSH A.ALLA /- Turizmi kulturor por edhe ai i aventurës kanë rritur vitet e fundit numrin e turistëve të huaj që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi ditën e sotme në Tiranë një takim informues me operator turistik mbi projektin e mbështetur nga Bashkimi Europian për projekte investuese dhe promovuese në turizëm.
Konkretisht, Bashkimi Europian financon këtë projekt për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, një projekt i cili do të ketë një kohëzgjatje tre vjeçare duke dhuruar grante për turizmin, pra duke e shndërruar në një shtyllë të fortë në ekonominë e vendit por dhe të promovimit të Shqipërisë si një aset me vlerë në sytë e turistëve.
Projekti konsiston në dy shtylla kryesore, në turizmin kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga polet më të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit dhe si një nga risitë e viteve të fundit dhe që po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku u shpreh se ” në takimin e sotëm u prezantua një skemë e granteve nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) i cili ka të bëj me projekte të bashkëpunimit rajonal në turizëm kryesisht në atë kulturor dhe në turizmin e aventurës si dy nga shtyllat kryesore të cilat kanë një rritje këto vitet e fundit në rajon”.
”Qëllimi është ti nxisë operatorët dhe organizatat të cilat merren me turizmin të bashkohemi për të promovuar rajonin si një destinacion të përbashkët turistik përmes kulturës dhe aventurës”, u shpreh Çeku.
Ai shtoi se ”ky takim i sotëm kishte një interes të madh nga njerëzit të cilët merren me turizëm në Shqipëri dhe ku vitet e fundit po shohim një bashkëpunim të madh të operatorëve turistik në Shqipëri me vendet e rajonit”.
”Turizmi rajonal do të jetë plotësues me përpjekjet tona për ta zhvilluar në Shqipëri i cili do të sjellë impakt në shtrirjen gjithë vjetore të turizmit, shtim të numri të turistëve si dhe një zhvillim ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë turizmi na shërben si një kontribues i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit”, përfundoi zv/ministri Hajrulla Çeku.
Bukurosh Reçi një operator turistik në vend u shpreh se ”kjo nisëm ishte fantastike sepse turizmi kulturor ka një boom të gjerë në gjithë botën dhe veçanërisht në Europë pasi Europa është e pasur shumë me histori dhe trashëgimi kulturore. Nisma e marr nga Bashkimi Europian i shërben Shqipërisë për të krijuar tregun ballanik për turistët e huaj që vizitojnë vende të vogla si Shqipëria për t’i njohur ata me trashëgiminë”. /a.g/