18 agosto 2012

Si po degradojnë kishat Monumente të Kulturës



 16 Gusht 2012 - 16:17
Shqipëria është një vend i pasur me monumentet të kultit të krishterë. Ato datojnë që nga periudha më të hershme që quhen periudha paleokristiane, bizantine në Mesjetë dhe deri në periudhën osmane. “Këto kisha në Shqipëri përbëjnë një pasuri të madhe ta pakrahasueshme me monumentet e tjera”, thotë arkeologu i njohur Skënder Muça. Edhe pse profesioni i tij si arkeolog nuk ka të bëjë me monumentet që janë në këmbë, por me gërmimet, ai i njeh këto kisha të vjetra në majë të gishtave. Gjatë ekspeditave të shumta me gërmimet arkeologjike, ai shpesh i viziton duke iu hedhur një sy të gjitha kishave të shpallura Monumente Kulture. Pas kthimit prej këtyre ekspeditave rrëfen me keqardhje gjendjen e tyre. Gjatë ftesës për një intervistë në “Shqiptarja.com” na rrëfen për veçoritë që kanë këto kisha monumente, për gjendjen aktuale të tyre dhe vështirësitë e mëdha për t’u mirëmbajtur dhe ruajtur vlerat e tyre. Duke ndjerë dhimbje për degradimin gradual të tyre, arkeologu Skënder Muçaj shton se “Vështirësitë për ruajtjen e këtyre monumenteve nuk janë vetëm ekonomike, por vinë edhe nga mungesa e interesit të drejtorive rajonale, Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe vetë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.


Cilat janë disa nga kishat monumente kulturë më të rëndësishme në Shqipëri?
-Janë disa nga kishat kryesore që janë më të mëdhatë e Shqipërisë, të cilat janë pasuri më vete. Kisha e Shën Mërisë në Manastirin e Apolonisë, kisha e Mesopotamit e Shën Kollit, e Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, kisha e Labovës e kryesisht në Gjirokastër, kisha e Kosinës në rrethin e Përmetit, kisha e Bualit në rrethin e Përmetit, Kisha e Perondisë në rrethin e Beratit e shumë kisha të tjera, pa harruar edhe kishën Zvërrnecit në rrethin e Vlorës. Pra këto janë kisha në përdorim, janë monument kulture të cilat i janë dhënë në përdorim klerit ortodoks në jug dhe në Shqipërinë e veriut klerit katolik. Çfarë po ndodh me këto. Një pjesë e tyre janë restauruar dhe paraqiten në gjendje të mirë. P.sh, kisha e Shën Mërisë e Apolonisë së bashku me trapezarin janë në gjendje të mirë, të restauruara, por ka probleme sidomos në ruajtjen e pikturës. Ndërsa duke shkuar në kishën e Kryqit të Labovës, sot për sot vë re se është në gjendje jo të mirë. Në këtë kishë ka probleme që lidhen me pemët që janë rreth e përqark. Rrallimi i tyre dhe shkulja një ditë do të sjellë edhe pasoja për të. Po një problem i natyrës tjetër është se vërtetë është e restauruar kisha në Kosinë, por për fat të keq shërbimi i saj nga klerikët nuk është i mirë. Atje prej tyre ka pasur gjithmonë ndërhyrje.

Për çfarë ndërhyrjesh bëhet fjalë?
-Ndërhyrjet janë bërë nga vetë kisha dhe kanë prishur rregullin e mirëmbajtjes së monumentit. Ata kanë mbyllur disa dyer, disa dritare duke e cenuar monumentin dhe origjinalitetin e tij. Sipas ligjeve monumenti nuk preket nga ai që e përdor. Të drejtën për ta prekur e ka vetëm institucioni shtetëror Instituti i Monumenteve që është i specializuar për këtë punë me drejtoritë përkatëse të Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në qoftë se ndërhyhet pa leje, duhet të veprojë ligji si në të gjitha monumentet e tjera dhe të gjobitet kushdo që ndërhyn. Edhe kisha e Perondisë është e restauruar, po mirëmbajtja e saj nuk është e rregullt. Drejtoria e Monumenteve Beratit duhet të interesohet për mirëmbajtjet të përditshme të saj, pastrimin, dyer, çatia, dritaret, se ka dhe turistë që venë atje. Por në gjendje më të keqe është kisha e Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, e cila është lënë në mëshirë të fatit. Ajo është një ndër kishat më të rralla.


Pse kisha e Peshkëpisë është konsideruar ndër një më të rrallat?
-Arsyet janë të ndryshme; për arkitekturën, vjetërsinë e të gjitha me radhë. Ajo hyn te kishat e rralla në territorin e Shqipërisë si përfaqësuese e periudhës bizantine. Megjithatë ajo po shkon drejt degradimit të plot të saj. Deri më sot nuk ka ndërhyrë askush për ruajtjen e saj. As klerikët nuk interesohen për të, por edhe drejtoria e monumenteve e Gjirokastrës nuk interesohet për të. Të dyja palët e kanë lënë mënjanë. Kjo kishë ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Në Kishën e Bualit që është e vjetër dhe e riparuar në Përmet, edhe pse janë bërë restaurime, nuk mirëmbahet nga klerikët. Interesi nuk është i mirë dhe atje sheh se të mbytin ferrat. Atje ka afreske me rëndësi të periudhave të Mesjetës. Kjo gjendje është kudo në kishat monumente. Situata më e rëndë është e kishave pas-bizantine, aty ku komuniteti i krishterë është më i madh, më i fuqishëm disa nga ato janë vlerësuar, por shumica kërkojnë një ndërhyrje të specializuar. Kisha e Bulit në Përmet, e periudhës bizantine, meqenëse nuk ka një komunitet të krishterë, nuk po ruhet në gjendje të mirë.

Ju keni vizituar edhe kisha të tjera, siç thatë në bisedën e mëparshme?
Po. Më keq kam parë kishat e rrethit të Lushnjës që dallohen për pikturat e tyre dhe vlerat e pikturave. Aty ka punuar një grup piktorësh të shekullit të 17-18-të dhe ato kanë vlera të ralla. Por nga viti në vit ato degradojnë sepse e kanë lënë çatinë që të pikojë. Ka dhe nga ato kisha që kanë pasur shembje të murit sërish i kanë lënë në atë gjendje. Kisha e Perondisë dhe Kozares në rrethine Kuçovës kanë probleme të tilla. Kisha e Kozares një monument kulture që vjen nga fundi i shekullit të 18-të, ka një pikturë shumë të bukur, por gjendja e saj është për ta ardhur keq, Muri ka lëvizur nga vendi që 2004-n. Është bërë një ndërhyrje me financimet e Këshillit të Europës dhe aty ngelën. Kjo kishë e rrallë ka dhe një pikturë të ruajtur shumë mirë.

Megjithëse keni parë kaq shumë gjëra gjatë ekspeditave e keni ngritur zërin diku?
-Unë nuk merrem me monumente që janë në këmbë, jam i arkeologjisë, i fushës së gërmimeve, por duke e ditur se çfarë pasurie janë këto kisha, ato që vërejta po ua them. Unë do të doja të kujtoja institucionet e specializuara se në ç’gjendje i kam parë. Kishës së Kozares në Lushnje po i rrënohet çatia. Aty është piktura e David Selenicës, e të tjerëve. Po ashtu po shkatërrohen kishat edhe në rrethin e Sarandës, ku disa po shkojnë drejt degradimit. Po ashtu kisha e Zvërnecit në Vlorë po gërryhet nga kripërat.

Më sa kuptuan problemi qëndron, jo vetëm te Ministria e Kulturës, por te klerikët që i kanë pronësuar?
-Po nga njëra anë mban përgjegjësi edhe kisha që i ka në përdorim, por ajo nuk ka vënë dorë në to. Atëherë si do të veprohet….kur vetë klerikët e kanë më të lehtë të bëjnë një kishë të re, modeste, me përmasa të vogla, sesa të mirëmbajnë një të vjetër. Atëherë të bëhet një zgjidhje, ose t’i mirëmbajë, ose t’i lëshojë fare. Çfarë ka ndodhur me këto kisha. Janë hequr ikonostaset prej druri dhe kanë mbetur muret bosh. Atëherë nëse klerikët e përdorin një kishë siç ndodh në Kozare pa ikona, kjo nuk është më kishë. Është turp të thuash që është një kishë ortodokse monument kulture pa ikona. Jo vetëm që nuk i ka ikonat origjinale, por as imitimet. Problemi me kishat është urgjent, ai duhet zgjidhur tani. Sepse nëse nuk zgjidhet tani, ato do të degradojnë në mënyrë të pakthyeshme. Klerikët kanë pjesën e tyre të fajit, por përgjegjëse është MTKRS-ja dhe institucionet vartëse të saj. Po ashtu drejtoritë rajonale të trashëgimisë të emërojnë specialistët dhe të thithin të ardhurat për ruajtjen e tyre. Shteti duhet të kërkojë mënyra për ta bërë vajtjen e specialistëve në ato kisha e ato vende sa më produktive. Shteti të interesohet, kisha është një pjesë e këtij shteti dhe pushteti lokal.
 Nga Dhurata Hamzai

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate