22 maggio 2018

5-së gjëra që duhet të bëni në Tiranë gjatë 48 orëve

84
TIRANË, 20 maj / ATSH / – Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit ku nuk do të gjeni shumë infrastrukturë turistike, një zonë rurale tërësisht jashtë rrugëve të rrahura. Pikërisht kjo e bën Shqipërinë kaq interesante pasi mund të jeni në gjendje të shijoni një vend pa ju duhet të kuptoni se cilat janë fasada turistike dhe cilat jo. Ndonëse është pak e vështirë për të udhëtuar do të keni një eksperiencë fantastike dhe është shumë miqësore me buxhetin, shkruan Steve Haenisch në blogun e tij “back-packer.org”.
1) Çfarë të bëni në Tiranë
Sheshi Skënderbej
Ky është qendra e qytetit dhe vendit, të gjitha godinat e rëndësishme mund të gjenden këtu afër. Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit, monument i Skënderbeut, Muzeu Kombëtar dhe Pallati i Kulturës (që pret bibliotekë dhe operan).
Dukshëm ky shesh është pikënisja për të zbuluar qytetin megjithatë duhet të gjeni një hotel këtu pranë që çdo gjë të keni arritshëm me këmbë.
Mali i Dajtit
Një nga gjërat më të preferuara për të bërë në Tiranë është një udhëtim në malin aty pranë, një parajsë e vërtetë e gjelbërt! Mali i Dajtit (1 600 m) ndodhet në Parkun Kombëtar të Mali i Dajtit dhe është lehtësisht i arritshëm. Në vitin 2005 u hap më e gjatë në Ballkan për të lidhur qytetin me malin.
Pamja nga sipër është e jashtëzakonshme, madje mund të dalloni detin Mesdhe. Nëse keni më shumë kohë duhet të merrni në konsideratë të bëni ecje pasi çdo gjë aty rreth të nxit të kalosh një kohë të aktivizuar!
Jeta e natës
Nuk e dija por Tirana është një zonë shumë aktive sa i përket jetës së natës. Qyteti është shumë dinamik pasi shumë Shqiptarë të rinj vijnë të studiojnë në Tiranë.
Lagjja e Bllokut është vendi ku duhet të shkoni, atje do të gjeni bare dhe klube moderne. Si çdo pikë tjetër edhe kjo është vetëm 10-15 minuta larg ecje në këmbë nga Sheshi Skënderbej. Në këtë javë kjo zonë është pak më e populluar.
2) Restorantet dhe Baret
Përveç Bllokut ku mund të gjeni restorantet dhe baret më të mirë në Tiranë ju rekomandojmë më poshtë dy vende të tjera.
Oda
Një xhevahir ku mund të shijoni një kuzhinë të vërtetë shqiptare me çmime shumë të mira. Ndodhet pak larg nga rruga, por ia vlen ecja deri atje për të shijuar ushqimin në një atmosferë tradicionale!
Sky Tower Bar
Pamjen më të bukur të qytetit nga qendra e qytetit mund të shijohet vetëm këtu. “Sky Tower Bar” është një bar që rrotullohet në krye të një hoteli në Bllok, ju rekomandoj të kaloni një ose dy perëndime të dielit para se të filloni mbrëmjen!
3) Akomodimi
Ju rekomandoj “Freddys Hotel / B & B” që ndodhet vetëm pesë minuta në këmbë larg nga Sheshi Skënderbej. Mëngjesi është bazik por i mirë, dhomat janë të pastra dhe shumica me banjo në dhomë si dhe keni “WiFi” pa pagesë.
4) Linjat e transportit & Ku të shkoni tjetër
Për në Maqedoni, ekziston një linjë direkte autobusësh nga Tirana për në Ohër dhe Shkup, që zgjat rreth 7-8 orë.
Për në Kosovë, ekziston një tjetër linjë direkte autobusi drejt Prishtinës dhe ky udhëtim zgjat rreth gjashtë orë.
Vetëm linjat e transportit me Malin e Zi janë pak më të vështira, ku mund të merrni një nga shumë autobusat që shkojnë nga Tirana në Shkodër dhe prej aty mund të merrni një autobus të Linjës Ulqin- Mal i Zi.
Një tjetër mundësi është të marrësh një shofer privat në Shkodër, i cili do të të çojë shumë shpejt në destinacione të tilla si, Bar apo Budva. /G.S/ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/05/20/pese-gjera-qe-duhet-te-beni-ne-tirane-gjate-48-oreve/

Bregdeti i Dhërmiut, pret për herë të parë “Kala Festival”

286
TIRANË, 20 maj/ATSH/ – Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri i quajtur “Kala”, nga 20-27 qershor.
Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.
Përgjatë tetë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë.
Organizatorët e këtij festivali të muzikës elektronike kanë paralajmëruar shumë surpriza dhe e kanë përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.
“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.
Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.
Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.
Në këtë festival pritet të marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. /k.s//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/05/20/bregdeti-i-dhermiut-pret-per-here-te-pare-kala-festival/

Ulje e TVSH në 6% për ngritjen e bujtinave

55
TIRANË, 21 maj/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Agroturizmi me programin e 13 fshatrave është një mundësi reale punësimi. Kryeministri Edi Rama, gjatë turit të llogaridhënies në Gjirokastër bëri të ditur se ky qark ka potenciale të mëdha zhvillimi në sektorin e agroturizmit. Ai tha se përmes lehtësirave fiskale po nxitet zhvillimi i agroturizmit, si një rrugë e mirë zhvillimi dhe punësimi, me rroga shumë më të larta se në shtet.
“Sot numri i hoteleve dhe bujtinave është mbi 15, ndërsa para pak viteve ishte 2-3. Panorama ka ndryshuar. Gjirokastra është një zonë kufitare që ka jetuar me emigracion, do të vijojë të jetojë si një zonë kufitare, ne duhet t’i japim mundësi të ngrihet mbi potencialet e veta. Nëse kthen kokën pas, nga sot dhe dje ka ndryshim, por ka ende shumë për të bërë.”
“Në dy muajt e fundit janë 320 të punësuar në Gjirokastër, por ka një shkallë të lartë të refuzimit të punës në privat, tendenca është për të marrë një punë në shtet. Nëse kthehemi pas shumë vite, sot jemi në pozicion tjetër. Deri pak vite më parë numëroheshin me gjysmat e gishtërinjve të njërës dorë bujtinat apo hotelet, sot janë mbi 15 të tilla dhe të tjera po hapen. Ka rritje të konsiderueshme të turistëve”, – tha Rama.
“Po të shikojmë vlerën e shtëpive, ajo është rritur. Në një ekonomi që bie, nuk rritet vlera e shtëpisë, nuk bën sens. Gjirokastra dhe zonat përreth ka, në tërësi pasurinë e vet e kanë te turizmi. Krijimi i kushteve për të pasur më shumë turizëm është detyrë e qeverisë në bashkëpunim me pushtetin lokal. Në këtë drejtim, ka përfunduar faza e parë e restaurimit të Pazarit, ku janë restauruar vetratat, dritaret. Shumë shpejt do të fillojë faza e dytë. Të cilën për shkak të sezonit e kemi bërë gati të nisi në shtator. Në Libohovë ku isha, është nata me ditën ndryshimi falë investimeve tona. Tepelena s’bëhet fjalë ta krahasosh me atë të viteve më parë. Edhe shokët e Tërmetit (Peçit, kryetarit të Bashkisë) mezi shkonin. Tani ka turistë”, – shtoi Rama.
“Duam të investojmë te agroturizmi. Të gjitha zonat, e Këlcyrës, Libohovës, të gjitha zonat që kanë një atraksion turistik kanë një mundësi të mirë tashmë për të pasur zhvillim. Pasi të gjithë ata që do të investojnë për t’i kthyer në bujtina shtëpitë e tyre, apo që kanë disa dhoma, apo dhe për të ndërtuar hotele pak më të mëdha. Por po flasim për shtëpitë ekzistuese që kthehen në bujtina kryesisht, do t’ju japim një paketë mbështetje, ku TVSH do të jetë 6% ashtu si hotelet me katër apo pesë yje. Duhet vetëm pak imagjinatë, kurajo dhe vullnet për punë dhe atë që duket se janë të dënuar të jetojnë në varfëri të mund të bëjnë biznes e të fitojnë më shumë se sa një rrogë shteti. Në Gjirokastër, kemi 320 punësime nga zyra e punës, po ashtu kemi refuzimet më të mëdha për punë. Pjesa tjetër të ardhura nga emigracioni…”, – vijoi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/05/21/ulje-e-tvsh-ne-6-per-ngritjen-e-bujtinave/

21 maggio 2018

Festohet 10 vjetori i Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”

38
TIRANË, 21 Maj / ATSH / – Fundjava ka qenë e mbushur me aktivitete turistike e mjedisore.
Ditën e djeshme më 20 maj u festua në Fushë Stude, 10 vjetori i themelimit të Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” me manifestimin e shumë aktiviteteve sportive, kulturore e argëtuese.
U organizuan guida me biçikleta të dhuruara nga projekti #NaturAL, panair me produkte tradicionale të përgatitura nga banorët që  jetojnë në fshatrat brenda parkut, pjesëmarrja e e prodhuesve të mjaltit e të bulmetit, të veshjeve dhe gatimeve tradicionale, lojëra gazmore etj.
Specialistët e menaxhimit të parkut organizuan takime me banorët e zonës,  diskutuan për përmirësimin e organizimeve e ngjarjeve festive të zonës në tërheqjen e vizitorëve vendas e të huaj që do të sjellin përmirësimin ekonomik të komunitetit.
Po këtë ditë, u inaugurua dhe një pjesë shtojcë e  qendrës së pritjes  së vizitorëve në Fushë–Stude, e realizuar me mbështetjen e projektit NaturAl.
“Ne po investojmë në qendrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura për të ekspozuar të gjithë vlerat dhe biodiversitetin e pasur të natyrës së jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe jetës së egër. Po mbështesim gjithashtu komunitetin shkencor, duke u mundësuar pikat dhe stacionet e trajnimit dhe kërkimeve, duke synuar të rrisim njohuritë rreth biodiversitetit”, tha Caterina Carugati, drejtuesja e projektit NaturAl gjatë ceremonisë.
Gjatë 2 ditëve festimesh në park, komuniteti vendas dhe pjesëmarrësit u bënë pjesë e guidave të drejtuara nga Rangers-at dhe Junior Rangers-at në shtegun Llangë, inauguruan zonat e piknikut krijuar për turistët dhe vizitorët dhe shijuan ushqimet vendase, muzikën dhe vallet tradicionale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/05/21/festohet-10-vjetori-i-parkut-kombetar-shebenik-jabllanice/

18 maggio 2018

FOTO/ Gërmenj-Shelegur, një udhëtim turistik që nuk duhet shmangur

106
TIRANË, 14 maj / ATSH-N.Lena / – Një nga vendet më piktoreske në jugun e Shqipërisë është të udhëtosh në rrugën Ersekë-Leskovik.
Rruga është e vjetër që në kohë të Italisë, por peizazhi është mahnitës. Gjelbërimi i harlisur të shoqëron gjatë gjithë kohës dhe syri të çlodhet nga panoramat e njëpasnjëshme që të shfaqen gjatë udhëtimit. Shumë të apasionuar pas natyrës e bëjnë këtë rrugë me biçikleta dhe mjete të tjera motorike.
Janë disa fshatra që të shfaqen njëri pas tjetrit që nga Borova, Barmashi, Ferma Sotira e ajo që ia vlen të vizitohet është Germenji dhe Sheleguri, një vend i vogël e shumë i bukur, plot gjelbërim.
Zona quhet rezervati natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit. Është një zonë ndërkufitare me Greqinë në jugperëndim të Ersekës, ku harmonizohen malet me luginat e thella, ligatinat, përrenjtë e rrëmbyer e sidomos pyje të dendur të përzier bredhi e lisi, ku dominon pisha e zezë.
Vende ideale për të zbuluar natyrën me shëtitje të gjata, piknikë e ngjitje në mal e sidomos për aventurierët e natyrës.
Siç na bëjnë të ditur specialistët e AdZM Korçë, vizitorët dhe turistët janë të pranishëm çdo fundjavë dhe tani me ngrohjen e motit, vazhdojnë dhe disa ditë me kampera e kampingje.
Kjo administratë ka filluar të çeli shtigje për këmbësorët visitor dhe të ofrojë shërbime në guidat turistike. Zona ofron shumë mundësi për udhëtime në këmbë ose mjete të motorizuara me një rrugë të përshtatshme që të çon në fshatin e Gërmenjit dhe një rrugë tjetër e vjetër që përdorej dikur si rrugë e karvanëve midis Janinës në Greqi dhe Korçës.
Itinerari për të kapur këtë vend është i thjeshtë. Mund të ndiqni rrugën nacionale Korçë-Ersekë-Leskovik. Tabelat  ju orientojnë për destinacionin, ndodhet midis fshatit Radanjë dhe fshatit Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.
I gjithë udhëtimi është një zinxhir fshatrash të bukur që fillojnë sapo lë pas Korçën. Aty fillon dhe natyra e bukur nëpër Boboshticë, do të shihni në sfond Drenovën, do të kaloni nëpër Selenicë, përmes Ersekës, Borovës, Barmashit, derisa të keni mbërritur në destinacion. Kjo bukuri vazhdon edhe nëse e shtyni itinerarin tuaj drejt Leskovikut, duke kaluar më andej, nëpër Çarshovë e drejt Përmetit.
Një nga bukuritë natyrore më tërheqëse është dhe liqeni i Shelegurit. Ndodhet pak kilometra pasi keni kaluar Sotirën. Është një panoramë e mrekullueshme, ku përtej ujit në sfond dallohen edhe kreshtat e vargmaleve të Nemërçkës.
Rrënojat e kështjellës së Radanjit, në jug të pyllit të Gërmenjit, rreth 1 km udhëtim më këmbë nga rruga kryesore, ofrojnë pamje të rrënojave të vjetra ilire, të cilat kanë një rëndësi të madhe historike.
Pyje pa fund dhe liqene të kaltër, si ai i Gramozit që ndodhet në majë të malit, një rrugë e vështirë, por sfiduese për adhuruesit e sporteve ekstreme dhe të aventurës.
Është dhe një ujëvarë që quhet Ujëvara e Leskovikut dhe ndodhet buzë rrugës nacionale Ersekë-Leskovik, e fshehur mes kanioneve të thella që të shoqëron përgjatë kësaj rruge.
Ky udhëtim bëhet kryesisht në stinën e gjatë të verës dhe vërtet është një udhëtim i bukur. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. https://ata.gov.al/2018/05/14/foto-germenj-shelegur-nje-udhetim-turistik-qe-nuk-duhet-shmangur/

BE mbështetje të fuqishme promovimit të potencialeve turistike në Shqipëri

TIRANË, 14 maj/ATSH/ – “Ruajtja e trashëgimisë sonë ka të bëjë me ekonominë, ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët, por mbi të gjitha, me detyrën tonë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm”.
Kështu u shpreh kryetarja e Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Romana Vlahutin të shtunën në Korçë, ku delegacioni i BE-së përfundoi Javën e tij të Europës “Udhëtim përmes mrekullive kulturore dhe natyrore të Shqipërisë”.
Gjatë shtatë ditëve dhe përmes më shumë se 25 evenimenteve ne eksploruam se si Shqipëria është një pjesë thelbësore e kulturës dhe historisë së pasur të Europës.
Promovimi i trashëgimisë kulturore është një shans i madh për komunitetet vendore. Në Pazarin e Korçës, ekspertët diskutuan për këto mundësi dhe moderatorja Lejla Hadzic nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufi”, theksoi se për çdo 800,000 euro të investuara në rehabilitimin e ndërtesave krijohen 31.3 vende pune, ndërsa e njëjta shumë e investuar në industrinë përpunuese krijon vetëm 21.3 vende pune.
Në këtë kontekst, Ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe ministrja Kumbaro ndanë çmimet e një konkursi të Delegacionit të BE-së për arkitektët e rinj që punojnë në objekte turistike që respektojnë arkitekturën tradicionale.
Ambasadorja deklaron se “tani BE-ja do ta përshpejtojë fuqishëm mbështetjen e saj për një industri turizmi bazuar në asete natyrore dhe kulturore, me zbatimin e një programi të ri pilot në katër rajone (Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë)”.
Ambasadorja Vlahutin deklaroi se “kjo është një finale e madhe për Javën e Europës në një Vit Europian të Trashëgimisë Kulturore. Ruajtja e trashëgimisë sonë ka të bëjë me ekonominë, ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët, por mbi të gjitha, me detyrën tonë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm”.
/gj.mima/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. https://ata.gov.al/2018/05/14/be-mbeshtetje-te-fuqishme-promovimit-te-potencialeve-turistike-ne-shqiperi/

Monumenti më i vjetër i kryeqytetit tërheq vëmendjen e turistëve gjermanë

85
TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.
Një grup vizitorësh gjermanë, të cilët pas një turi disa ditor nëpër Shqipëri, destinacion të radhës kishin edhe vizitën pranë Mozaikut të Tiranës.
Turistët u njohën me Trashëgiminë Kulturore të Qytetit të Tiranës dhe në veçanti morën informacion në lidhje me mozaikun dhe objektet që ndodhen pranë tij.
Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”
Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).
Salla qëndrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absiden gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.
Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.
Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.
Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976./a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.  https://ata.gov.al/2018/05/16/monumenti-me-i-vjeter-i-kryeqytetit-terheq-vemendjen-e-turisteve-gjermane/

ATSH partnere kryesore për promovimin e turizmit

181
TIRANË, 17 maj/ATSH/- Turizmi është një nga sektorët strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit në rritjen e punësimit dhe mirëqenies.
Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Albin Gega, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës, ATSH angazhohet për të mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm duke promovuar investimet, por edhe aktivitetet që zhvillohen në fushën e turizmit.
Përpjekjeve për promovimin e Shqipërisë turistike, apo për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion të preferuar turistik, iu është bashkuar edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.
ATSH do të pasqyrojë në faqen e saj zyrtare aktivitetet e ndryshme në kuadër të promovimit turistik të vendit.
Po ashtu, si ATSH edhe AKT angazhohen të organizojnë, të hapin ose shkëmbejnë ekspozita, që kanë si bazë promovimin e turizmit, investimet dhe pasuritë kulturore.
Duke nisur nga ky vit, paketës promovuese do t’i bashkëngjiten edhe një sërë produktesh si “Festat Lokale” apo produkti më i ri i turizmit, ai dentari “Sorridere e Viagiare”
Ky produkt i ri turistik do të jetë gjithashtu pjesë e paketës promocionale të Agjencisë Kombëtare të Turizmit në bashkëpunim me shoqatën e Dentistëve shqiptarë dhe shoqatat e Operatorëve të fushës së Turizmit.
Një projekt i ri për promovimin e vendit është “Smile Albania”, i cili synon të bëjë natyrën shqiptare të “buzëqeshë” në mbarë botën, ku ATSH do të pasqyrojë gjerësisht eventet e shumta promovuese.
Ky projekt mundëson punësimin e rreth 1 mijë të rinjve në sezonin veror dhe do të jenë të pranishëm në të gjithë territorin e vendit, në bregdet, zonat e mbrojtura dhe mjedise natyrore e kulturore, në ndihmë të menaxhimit dhe prezantimit të aseteve turistike të vendit për turistët e huaj.
Në vitin 2017, Shqipërinë e vizituan 5.1 milionë turistë të huaj me një rritje prej 8.1% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Turizmi pranë detit është i përqendruar në perëndim të vendit dhe veçanërisht në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Vlorë, Rivierë dhe Sarandë, Ksamili është mëse i frekuentuar. Këto qytete ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotele dhe restorante.
Përveç turistëve nga Kosova, që përbëjnë një numër të konsiderueshëm, Shqipëria ka qenë “një zbulim i bukur” për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia dhe Çekia.
Këtë vit agjencitë turistike lajmërojnë se do të ketë një numër të lartë turistësh nga vendet skandinave, por edhe nga përtej kontinentit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shoqëria ajrore daneze “Jet Time” kreu fluturimin e saj të parë javën e kaluar me një grup prej 130 turistësh në bord nga Skandinavia, shenjë kjo se vendi ynë do të mirëpresë shumë turistë nga këto vende.
Më shumë se 10 destinacione të reja janë shtuar përgjatë këtij viti, pikërisht në shërbim të lëvizjes së turistëve.
Jo pak medie të huaja prestigjoze kanë ngritur lart vlerat e turizmit shqiptar për sitet historike, plazhet e bukura, natyrën e mrekullueshme, apo jetën e natës në kryeqytet.
/a.gjonaj/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. https://ata.gov.al/2018/05/17/atsh-partnere-kryesore-per-promovimin-e-turizmit/

Gjirokastër/ Masat për sezonin turistik 2018, mblidhet Komiteti Rajonal i Turizmit

40
TIRANË, 17 maj/ATSH/ – Në institucionin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër është zhvilluar sot mbledhja e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit me temë diskutimi hapjen e sezonit të ri turistik 2018 dhe planin e masave përgatitore të marra nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore dhe institucionet rajonale për mbarëvajtjen e këtij sezoni të ri turistik. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku.
Në kuadër të promovimit dhe rritjes së turizmit në Qarkun e Gjirokastrës, institucioni i Prefektit ka realizuar Projektin “Krijimi i rrjetit dhe promovimi i kështjellave” (Net Castle), i cili është zbatuar në bashkëpunim me Qendrën UET nga pala shqiptare dhe Rajonin e Ishujve Jonianë nga pala greke.
Ky projekt ka bërë të mundur që për herë të parë 12 kështjella të Qarkut Gjirokastër të dixhitalizohen dhe të projektohen në sistemin 3D, për t’u vizituar tashmë virtualisht në websitën e projektit nga çdo i interesuar.
Ky projekt ka si objekt përforcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërkufitare sikundër edhe rritjen e turizmit në zonë, diferencimin e kalave nga monumentet klasike antike si dhe fuqizimin dhe azhornimin e metodave informuese për të gjithë banorët dhe vizitorët, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja, çka është dhe një kontribut në trajnimin kulturor të të rinjve.
Në fjalën e tij Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj ka dhënë sugjerimet për këtë sezon të ri turistik duke u nisur edhe nga problematikat e hasura gjatë vitit 2017.
Nëpërmjet strukturave përkatëse të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore të Qarkut duhet të punohet për licencimin e të gjitha bizneseve të vogla të hotelerisë, ndriçimin e objekteve muzeale, kulturore e historike, përpilimin e të dhënave të sakta për numrin e turistëve vendas e të huaj që vizitojnë Qarkun si dhe të krijohen zyra turistike pranë të gjitha bashkive, ku vizitorët të marrin të gjithë informacionin e duhur. /m.z//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/05/17/gjirokaster-masat-per-sezonin-turistik-2018-mblidhet-komiteti-rajonal-i-turizmit/

10 maggio 2018

Paketa ekoturistike nis testimin nga Shkodra 2018

82
TIRANË, 8 maj /ATSH/ – Paketa ekoturistike e nisi testimin nga qyteti i Shkodrës për prezantimin e Zonave të Mbrojtura si objekte turistike.
Ishte një grup prej shtatë personash në rolin e testuesve të kësaj pakete me rëndësi të lartë për biodiversitetin dhe potencialin për zhvillimin e ekoturizmit.
Ekipi e filloi testimin nga Kalaja Rozafa, shëtitje në Lumin Buna, Liqenin e Shkodrës, në familjen e një peshkatari të zonës, ku dhe drekuan dhe më pas, vizitë në Qendrën e Pritjes së Vizitorëve në Velipojë.
Ndërsa Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha thotë se “ky është projekt i bashkëfinancuar nga Fondi Europian i Zhvillimit Rajonal, i cili ka qëllim prezantimin e ekoturizmit si koncept dhe si mënyrë më e qëndrueshme për shfrytëzimin e burimeve në të mirë të rritjes së të ardhurave ekonomike”.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë dhe prezantohet me Zonat e Mbrojtura të Qarqeve Shkodër dhe Vlorë dhe konceptimi i paketave turistike është bërë nga stafet e AdZM-ve në bashkëpunim me Albanian Trip.
Paketat do t’i nënshtrohen analizës së Gjurmës Ekologjike për të certifikuar qëndrueshmërinë e tyre.
“Aktualisht, Shkodra është në fazën e testimit të paketës dhe me një grup prej 7 personash testues të saj, nga Italia, Franca, Gjermania, Kosta-Rika dhe Kroacia do të bëjnë testimin e më pas do të lënë sugjerimet e tyre. Paketa do të ketë edhe një fazë të dytë testimi në Shtator 2018”, – thotë për ATSH-në Agim Dardha.
Grupi i testimit ditën e djeshme u ngjit në lartësitë e Thethit dhe shprehu impresione të veçanta për bukuritë e kësaj zone. /n.lena//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
 https://ata.gov.al/2018/05/08/foto-paketa-ekoturistike-nis-testimin-nga-shkodra/

Search

Translate