TIRANE, 30 Maj/ATSH/- Startup Weekend Tirana, një maratonë e gjatë intensive prej 54 orësh që promovon sipërmarrjen dhe nxit idetë kreative, priti sipërmarrësit e ardhshëm shqiptarë.
Kjo është hera e katërt që Startup Weekend Tirana zhvillohet në vendin tonë, por hera e parë që fokusohet te inovacioni në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Këtë vit Startup Weekend Tirana organizohet me mbështetjen e CHwB Albania, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
“Synimi ynë është që t’i inkurajojmë sipërmarrësit dhe entuziastët e biznesit që të rivlerësojnë dhe rishikojnë qasjen e tyre në lidhje me këtë sektor,” tha Aneida Bajraktari, një nga organizatoret e eventit gjatë fjalës së saj, “Është koha që të shohim trashëgiminë tonë natyrore dhe kulturore si një mjet të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.”
Pjesë e ceremonisë hapëse, që u zhvillua sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ishte edhe një forum diskutimesh me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban, Ambasada suedeze, dhe organizata joqeveritare CHwB Albania: Lisa Fredriksson—Ambasada Suedeze, Drejtore e seksionit të Bashkëpunimit për Zhvillim, Zhuljeta Harasani— Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor, Sonia Popa–Drejtoria e Përgjithshme ne Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Lejla Hadzic—Drejtore e zyrës Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Albania).
Pjesëmarrësit në këtë panel diskutuan mbi turizmin dhe trashëgimin kulturore nga perspektivat respektive, kryesisht: znj. Papa dhe znj. Harasani nga këndvështrimi i qeverisë; znj. Fredriksson nga këndvështrimi i donatorit dhe znj. Hadzic si përfaqësuese e shoqërisë civile që punon në këto fusha.
Për Lisa Fredriksson, drejtore e seksiont të Bashkëpunimit për Zhvillim pranë Ambasadës Suedeze, “Trashëgimia Kulturore aq e rëndësishme sa është për një komb, mund të shërbejë si urë për zhvillimin ekonomik nëpërmjet turizmit. Turizmi, duke qenë një nga prioritetet e qeverisë shqiptare mund të zhvillohet edhe më shumë nëpërmjet restaurimit, ruajtjes dhe rigjallërimit të trashëgimisë kulturore.“
Gjatë fjalës së saj, Lejla Hadzic, drejtore e zyrës CHwB Albania, theksoi se: “Ne duhet të kujdesemi për mjedisin tonë historik për llogari të atyre që vijnë pas nesh. Ne duhet t’i ruajmë këto shembuj të zhvillimit historik, për të mësuar prej tyre, për të identifikuar zhvillimin tonë. Prandaj mos ju dorëzoni një zhvillimi që ju udhëheq drejt zhbërjes së gjurmëve të së kaluarës, sepse ato na mësojnë për dështimet dhe sukseset—çka përbëjnë jetën njerëzore.”
Rreth Startup Weekend Tirana
Startup Weekend Tirana është pjesë e rrjetit ndërkombëtar Startup Weekend, dhe organizohet në disa vende të botës duke respektuar të njëjtin format: 54 orë për të rrahur ide, formuar ekipe, për të vërtetuar hipoteza, për të krijuar modele biznesi dhe për të hedhur hapat e parë në botën e sipërmarrjes. Deri në fund të aktivitetit, shumë do të kuptojnë që idetë e tyre ja vlejnë dhe të tjerë që aftësitë e tyre janë shumë të nevojshëm për zhvillimin e një ideje./a.g/http://www.ata.gov.al/start-up-weekend-tirana-fton-te-rinjte-per-ide-ne-ngritjen-e-nje-biznesi-ne-turizem-270555.html