30 maggio 2019

SURVEY OF TOURIST DESTINATION IN ALBANIA

This questionnaire was designed in order to study the experience of foreigners in tourist destinations in Albania. We invite you take a few minutes to complete this short survey and provide your feedback. The survey should take less than 8 minutes.

Your feedback will help us to enhance and improve the tourism strategy in the coming years.

Your answers will only be used for study purposes.

Thank you for your cooperation!


22 maggio 2019

Turistë italianë, polakë dhe vietnamezë në muzetë e Krujës

TIRANË, 20 maj/ATSH/ – Mbi 3 mijë vizitorë kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm gjatë fundjavës që lamë pas.
Shumica e vizitorëve ishin turistë nga Italia , Polonia, Zvicra, por nuk mungonin dhe turistë nga vendet e kontinenti aziatik, si Vietnami etj.
Përgjegjës i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha për ATSH-në se “muzetë u frekuentuan gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk munguan edhe nxënësit e shkollave që vizituan Muzeun këtë fundjavë në kuadër edhe të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”.
Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.
“Gjatë dy ditëve të fundjavës në dy muzetë kishte një fluks të madh vizitorësh edhe jashtë orarit zyrtar”, – shprehet Masha.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.
Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e Shtetit të Arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shekullin XV.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princërve, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./k.s/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. 
http://ata.gov.al/2019/05/20/fotogaleri-turiste-italiane-polake-dhe-vietnameze-ne-muzete-e-krujes/

19 maggio 2019

Media franceze: Shqipëria e thesareve arkeologjike, biodiversitetit dhe gastronomisë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ – Thesaret arkeologjike, biodiversiteti i ruajtur dhe gastronomia janë disa nga arsyet pse Shqipëria është një destinacion i favorshëm turistik, shkruan 20minutes.fr.
”Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse. Një kthesë e vogël për këtë vend interesant, të cilin bota nuk e ka njohur për një kohë të gjatë.
Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe limane të qeta.
Për një kohë të gjatë, Shqipëria mbeti nën petkun e një diktature që përzihet me marksizmin dhe kultin e personalitetit. Sunduesi i saj i vetëm, Enver Hoxha, e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në mesin e viteve 1980.
Si një paranojak që ishte,ky tiran shpërndau gjatë bregdetit bunkerë duke menduar se pushtimi ishte afër. Edhe pse tashmë shumë prej tyre janë shkatërruar, një numër i konsiderueshëm i këtyre ndërtesave të këqija mbeten ende të dukshme. Një film i vitit 1996 “Kolonel Bunker”, i drejtuar nga Kujtim Çashku, të ringjall këtë valë delirante.
A dëshironte Hoxha të mbronte regjimin e tij, apo të ruante në mënyre strikte thesaret e vendit të tij? Kjo pyetje lind që nga hapja e kufijve dhe zbulimi i gjurmëve të pabesueshme të lashta. Shqipëria ka tërhequr me të vërtetë lakminë e qytetërimeve të mëdha: greke, romake, bizantine, osmane dhe ilire, ku me këta të fundit, shqiptarët e konsiderojnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë, kanë lënë shenjën e tyre aty.
Në udhëkryq të kulturave
Si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, anulon rrjedhën e kohës. Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor.
Virgjili dhe Racine aty kanë imagjinuar takimin e Andromakës, Helenusit dhe Eneas. I banuar që nga kohët parahistorike, vendi reflekton tërheqjen e shumë kulturave për këtë vend strategjik me një atmosferë magjike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Qyteti i Apolonisë, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm. Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve.
Qyteti i ri, dekor i ri. Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është shtëpia e një prej amfiteatrove më të shquar – më i madhi në Ballkan – që daton në shekullin II. Kripta e tij, ndërtuar nga të krishterët e hershëm, tregon një mozaik kompleksiteti të rrallë. I njohur dikur si Epidamnus, qyteti ishte një port imponues në rrugën tregtare Egnatia ndërmjet Romës dhe Bizantit. Ky qytet është sot një vendpushim bregdetar shumë popullor për turistët.
 Flora dhe fauna në harmoni
Përveç bregdetit të saj jugor dhe mrekullive të lashta, Shqipëria është në dy të tretën e saj e përbërë nga pyje, livadhe dhe relieve të ndryshëm. Natyra që ende gëzon të gjitha të drejtat e saj, ku mund të gjejmë ujqër, arinj, dhia e egër dhe rrëqebulli që jetojnë në harmoni në rezervate natyrore të mëdha.
Mali i Tomorit është simboli i kësaj bote të egër që ende ruhet. Është shtëpia e qytetit muze, Beratit 2400-vjeçar. Kalaja, kishat bizantine dhe xhamitë madhështore dëshmojnë për të kaluarën e pasur. Më tej në veri, Gjirokastra, një nga qytetet më të rëndësishme në jug të vendit, është shpallur gjithashtu një qytet muze për shkak të shtëpive të vogla mesjetare që kufizojnë rrugët e saj të ngushta.
Një kryeqytet i këndshëm
Natyrisht, Tiranën gjithashtu ia vlen ta vizitosh, veçanërisht për ndikimet e saj ruse dhe sheshin e saj mahnitës “Skënderbej”, emri i heroit të rezistencës ndaj turqve, të cilit shqiptarët i detyrohen flamurin e të tyre të kuq me një shqiponjë me dy koka. Aty gjejmë dhe xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si dhe Kullën e Sahatit, Pallatin e Kulturës me opera, teatër, bibliotekë dhe shumë muze që do të na mësojnë më shumë për vendin.
Një ndalesë në kryeqytet gjithashtu fton turistët të zbulojnë kuzhinën shqiptare, që vërtet ia vlen të ndalosh. Pjata kombëtare është tava e kosit, mish qengji i gatuar në kos. Një mrekulli, sidomos nëse shoqërohet me verërat më të mira të vendit. Llokume dhe kafetë e stilit turk do ta mbyllin këtë largim në vendin e shqiponjave.
Çfarë të hamë?
Kuzhina shqiptare është e ndikuar nga gastronomia turke dhe greke. Aty gjejmë dollmatë, perimet e mbushura dhe mbizotërimin e mishit të deles.
Qëndrimi
Meqenëse turizmi është relativisht i ri në Shqipëri, infrastruktura hoteliere është kryesisht e vendosur në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike. Akomodimi është mjaft i lirë, edhe pse në Tiranë çmimet janë më të larta. Ka edhe disa hostele dhe fushata të rinjsh me tarifa shumë të volitshme. Sidoqoftë, mikpritja dhe ndjenja e të qenit i mirëpritur janë vlera kryesore në të gjithë vendin. Një proverb afirmon gjithashtu se “shtëpia e shqiptarëve është e zotit dhe e mikut”. Qëndrimi tek banorët vendas është një aventurë për t’u provuar”, shkruan 20minutes.fr./ /ash/ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Kalaja e Bashtovës, një perlë e fshehur në afërsi të Shkumbinit vetem 4 km larg detit adriatik

TIRANË, 15 maj/ATSH/ – E pozicionuar në afërsi të lumit Shkumbin vetëm 4 km larg nga deti Adriatik, Kalaja e Bashtovës është një perlë e fshehur në Shqipërinë qendrore, që pak njerëz, për momentin, kanë fatin për ta parë.
Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në blogun e saj “Letters from Balcan” duke i kushtuar një tjetër shkrim potencialeve turistike e kulturore të Shqipërisë si ftesë për turistët e huaj.
Fortesa, në fakt, nuk gjendet afër qytetit-muze të vendit, as përgjatë bregdetit të famshëm dhe për pasojë, ende është pothuajse e panjohur për turistët të cilët, të tërhequr nga destinacionet më të famshme, nuk dinë për ekzistencën e saj.
Shtojeni kësaj faktin se informacioni për Kështjellën është shumë i vogël: Bashtova është një nga thesaret më të mira të fshehura të Shqipërisë.
A keni qenë ndonjëherë vizitorët e vetëm në një vend arkeologjik dhe kulturor në Europë?
Mua, për momentin, më ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe gjithashtu në Bashtovë kam pasur këtë fat të madh. Por le të shkojmë në historinë e kësaj kalaje.
Sipas shkrimtarit dhe udhëtarit turk Evliya Çelebi, Kalaja u ndërtua nga Venediku në shekullin e 15-të dhe më pas, në vitin 1478, u pushtua nga osmanët. Roli i saj strategjik për kontrollin mbi Detin Adriatik dhe vendndodhja ideale pranë rrugës historike Via Egnatia, ka bërë të mundur që prej dy vjetësh Kalaja është përfshirë në listën paraprake të Unesco, lista e pritjes për t’u regjistruar në trashëgiminë botërore të njerëzimit.
Sot vetëm këto mure (nëntë metra të larta) dhe dy kulla (dymbëdhjetë metra të larta) mbeten nga kjo kala e shkëlqyer drejtkëndore, por sipas disa studimeve arkeologjike, në të kaluarën fortesa duhej të ishte në dy kate.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.
Vendndodhja, në të vërtetë, në mes të fushave të kultivuara është thjesht spektakolare. Këshilla ime? Nxitoni ta vizitoni tani, para se të gjithë ta dinë./k.s/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Rehabilitohet qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, ambasadori Sattler: Ndryshim i mrekullueshëm












TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometra larg qytetit të Vlorës, tashmë ka një pamje të rehabilituar dhe një panoramë të mrekullueshme si për banorët por dhe për turistët që vizitojnë këtë fshat mikpritës dhe me tradita.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inaugurimit të qendrës së rehabilituar të fshatit Dukat u shpreh se, “inaugurimi i sotëm do jetë fillimi i stadeve të tjera të rehabilitimit dhe të zonave të tjera në qendër të fshatit Dukat duke patur si objektiv kryesor kullën e Dervish Aliut. Ky investim është absolutisht treguesi i madh i bashkëpunimit që kurorëzohet me restaurimin e qendrës së fshatit Dukat dhe të simbolit të banorëve të kësaj zone të shkollës së kuqe”.
“Fillesa e këtij investimi është hapi i parë i investimeve të mëtejshme që do dëshiroja të kenë drejtimin e duhur në rikonstruksionin e kullës së Dervish Aliut, është nga ato objekte kulturore që ka trashëguar zona e Dukatit dhe bënë krenar çdo qytetar që viziton këtë kullë. Me këtë investim ne qendër të Dukatit promovojmë dhe turizmin malor që është pjesë integrale e natyrës së mrekullueshme të qytetit të Vlorës. Me këtë investim po japim shembullin e ri që të gjithë ata që janë larguar nga kjo zonë dhe kanë shtëpitë e braktisura të rikthehen në Dukat  për ti shndërruar ato në bujtina”, u shpreh kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.
Gjithashtu i pranishëm në këtë inaugurim ishte dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler i cili u shpreh se, “e bukura e Dukatit nuk janë vetëm malet pasi ju keni rivierën  dhe kulturën. Jam i lumtur që jam këtu në Dukat për të dytën herë dhe jam i impresionuar për ndryshimet që kanë ndodhur dhe restaurimi i qendrës së fshatit Dukat është i mrekullueshëm”.
“Është e rëndësishme që investimet mos të kryhen vetëm në qytetet  e mëdha por dhe në zona të tjera siç është kjo zonë këtu. Investimet në këto zona i kthejnë në vende atraktive këto zona si për banorët por dhe për të rinjtë duke i ofruar një cilësi të mirë jetese, dhe ata që janë larguar të kthehen pasi këto vende si Dukati kanë shpresë”, përfundoi Sattler.
Fshati Dukat ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasën, e në perëndim laget nga deti Adriatik e ai Jon. Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë. Ai ngelet në shekuj kështjellë e pathyeshme natyrore.
Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit. Më vitin 48 pas Krishtit, pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.
Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës, ose siç quhet sot mali i Rimit. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Ambasadori austriak: Drejtuesit politikë, të gjejnë kompromis para sezonit turistik 2019

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler tha sot gjatë një vizite në Dukat të Vlorës se drejtuesit politikë duhet të gjejnë kompromis përpara sezonit turistik. Duke iu përgjigjur interesimi të medies në lidhje me situatën politike në vend, Sattler e vuri theksin të ndikimi që mund të ketë ajo në potencialin turistik të vendit.
“Ekziston e drejta e çdo qytetari për të protestuar. Ka ardhur koha ku përfaqësues të politikës të ulen në tavolinë e të gjejnë zgjidhje dhe jo të krijojnë probleme. Uroj që protestat të mos ndikojnë në potencialin turistik që ka Shqipëria. Uroj që drejtuesit politikë të gjejnë gatishmërinë dhe vullnetin e duhur dhe të gjejnë një kompromis para sezonit turistik. Duhen mbyllur gropat e krijuara dhe jo të hapin të tjera, ky është momenti i duhur”, – u shpreh Sattler. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Search

Translate