DISCOVER and LOVE ALBANIA. KRIJUAR për t'ju lehtesuar kerkimet e informacioneve rreth Shqipërinë Turistike .... MENDONI sikur i njihni bukurit qe ofron Shqiperia, KENI DèGJUAR për te dhe vendet e saja përrallore. Shqipëria nuk kujtohet vetëm në zemër, NE ju japim mundësin qe te njihni arteriet HISTORIKE & KULTURORE qe shtrihen ne token Shqiptare .
31 gennaio 2015
Konferencë rajonale në Prizren për promovimin e vlerave turistike shqiptare
TIRANE, 31 Janar/ATSH/- Në Prizren është mbajtur Konferenca Rajonale për Zhvillimin e Turizmit me temë: “Promovimi i destinacionit të përbashkët turistik të Rajonit të Prizrenit dhe të Shqipërisë”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Turizmit të qytetit të Prizrenit.
Në këtë konferencë, krahas personaliteteve të pushtetit qëndror e vendor të Shqipërisë dhe Kosovës, morën pjesë edhe përfaqësues të agjensive turistike, hoteliere, sipërmarrës të tjerë turistik, përfaqësues të institucioneve akademike, të shoqërisë civile e më gjërë.
Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i Komunës së Prizrenit, prof. Dr. Ramadan Muja, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ambasadori Minxhozi, tha se “jo rastësisht është zgjedhur Prizreni për organizimin e kësaj konference për vendosjen e urave të bashkëpunimit në zhvillimin e turizmit, sepse për një gjë të tillë ekziston potencial i jashtëzakonshëm nga të dyja anët e kufirit”.
Drejtoresha e Drejtorisë Qëndrore të Zyrës së Shërbimit Turistik, në Ministrinë e Zhvillimit Urban dheTurizmit (MZhUT), Majlinda Hafizi, prezantoi mundësitë potenciale të bashkëpunimit institucional dhe real midis dy vendeve tona, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e turizmit,të nënshkruar nga ministrat e turizmit të dy vendeve më 6 shkurt 2014.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizëm në Prizren, Mensur Bytyçi, tha se ‘kjo ngjarje do të na mundësojë të gjithëve që të kemi një qasje sa më të duhur për të shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshëm që posedojmë për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në përgjithësi”.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Velipojës, Pashko Ujka, tha se komuna që ai e drejton, është e gatshme që të thellojë bashkëpunimin për të joshur turistë nga Kosova, por inkurajoi edhe bizneset kosovare të afrohen sa më tepër në zhvillimin e sektorit të turizmit, sepse për një gjë të tillë, tha ai, tashmë ekziston edhe infrastruktura ligjore por edhe ajo rrugore, urbane etj.
Më pas pjesëmarrësit u organizuan në 3 sesione të ndryshme me përfaqsues të operatorëve turistik, institucioneve përkatëse dhe akademike.
Në pjesën e parë të Konferencës Rajonale, përfaqësues të NJQV në Kosovë dhe Shqipëri të qyteteve Prizren, Shkodër, Lezhë, Velipojë, Shëngjin dhe përfaqësues të MZHUT-së dhe Ministrise së Industrisë e Tregtisë së Kosovës, prezantuan masat e marra për zhvillimin e një turizmi të qendrueshëm dhe gjithëvjetor, me qëllim promovimin e Turizmit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar si dhe masat e parashikuar për të ardhmen.
Në pjesën e dytë u organizuan 3 sesione të ndara të bashkëpunimit me përfaqësues nga NJAT-et, Agjensitë Turistike dhe institucionet publike e private të Arsimit dhe Edukimit.
Në këto sesione u evidentuan problematikat, vështirësitë me të cilat përballen tur operatorët, si dhe udhanë shumë ide e propozime për marrjen e masave konkrete ligjore e fiskale, që duhet të ndërmerren nga qeveritë e dy vendeve, për nxitjen e zhvillimit të biznesit privat në fushën e turizmit, në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve turistike konform standarteve bashkëkohore.
Në fund të Konferencës u përpiluan disa Konkluzione dhe Rekomandime, të cilat do të përcillen zyrtarisht tek strukturat përkatëse vendimmarrëse dhe politikbërëse, me qëllim perfshirjen e tyre në reformën ligjore e institucionale të ndërmarrë nga qeveritë e të dy vendeve tona për një turizëm të qendrueshëm dhe gjithë vjetor./a.gegvataj/http://www.ata.gov.al/konference-rajonale-ne-prizren-per-promovimin-e-vlerave-turistike-shqiptare-217303.html
Projekti “Arkeologu i vogël” sjell fëmijët e “Kongresit të Lushnjës” në MHK
Tiranë, 31 Janar / ATSH – Si pjesë e projektit “Arkeologu i vogël” organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Muzeun e Liverpulit, sot gjatë paradites ishte rradha e nxënësve të shkollës “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, që të provonin të ishin arkeologë për një ditë në Muzeun Historik Kombëtar.
Fëmijët e “Kongresit të Lushnjës” pasi bënë një vizitë në pavijonin e arkeologjisë dhe u prezantuan me objektet më të vëçanta dhe origjinale që ndodhen në muze, vijuan me “gërmimet” e tyre për të gjetur objektet e fshehura.
Pasi i zbuluan disa prej fëmijëve pikturuan objektet që kishin gjetur ndërsa të tjerë shprehën përjetimet e tyre rreth këtij aktiviteti.
Ky projekt ka si qëllim të bëjë pjesë të gërmimeve arkeologjike fëmijët nga mosha 7-11 vjeç.
dhe përdorimi i mjeteve arkeologjike dhe teknikave të gërmimit u jep mundësinë nxënësve të jenë arkeologë për një ditë dhe të bëjnë zbulimet e tyre për epokat kryesore historike në Shqipëri.
Projekti i që ka filluar të aplikohet që vitin e kaluar nga MHK, synon që të afrojë në ambjentet e muzeut fëmijët e të ghithë vëndit.
Kullat e Thethit, objekt pelegrinazhi turistik
Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati për ngujimin nga gjaksi.
Ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbylleshin aty (gjithë meshkujt mbi moshën 14 vjeç).
Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës.
Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të medha turistike. Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës. Për shkak të rrugëve të këqia e të pa depërtueshme në dimër, ajo kyhehet në objekt vizitash e kurioziteti vetëm në stinën e verës.
Marrë nga//ATSH
Redaksia Online
(shqiptarja.com) - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/kullat-e-thethit-objekt-pelegrinazhi-turistik-268926.html#sthash.hL9Kkeao.dpuf
Vlerat etnokulturore, resurse për turizmin e perfolur edhe në veprat e studiuesve të huaj.
Profili turistik i Vlorës dhe gjirit të saj, shfaqet edhe nëpërmjet vlerave etnokulturore që ndodhen në këtë rajon. Studiuesi dhe historiani vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, thotë se në kushtet e sotme të zhvillimit të turizmit, një vend të veçantë zënë edhe dukuritë e ndryshme social-shoqërore e ekonomike, por edhe lidhjet dhe ndërvarjet midis mjedisit, turizmit dhe pasurive kulturore e monumentale.
-Vlerat etnokultuore, në veprat e studiuesve të huaj-
”Kur flasim për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Vlorës, duhet të kemi parasysh se tashmë ky zhvillim bazohet jo vetëm në marrëdhëniet e peisazhit turistik të mrekullueshëm të këtyre brigjeve, por edhe në botën njerëzore, si dhe veprimtarinë që kryhet mbi këtë mjedis”, nënvizon studiuesi vlonjat. Sipas tij, për peizazhin turistik dhe vatrat kulturore të këtij rajoni, kanë shkruar mjaft autorë antikë, ata të mesjetës, si dhe udhëpërshkrues të shek.XIX-XX. Në veprën e vet “Bella Civila”, Jul Çezari, në udhëtimin e tij në grykat e Palasës e të Dukatit për t’u ndeshur me ushtrinë e Pompeit në vitin ’48 para Krishtit, thotë se, “Këto male më shfaqen si hone poetike homerike…”. Gaçe nënvizon se, autorë të tillë si, Halil Inalçik, Pier Reiz, Ami Bue, Henri Holland, Pukëvil, Bajroni, piktori i madh anglez Eduard lir, Martin Liku, francezi Leon Rey, studiuesit italian Baldaçi, Ugolini, Pirro Mancone, apo gjermani Karl Paç, e përshkruajnë rajonin e Vlorës “si një perlë të brigjeve Mesdhetare”, me pasuri të mëdha natyrore zakonore dhe minerale.
-Monumentet e natyrës, në guidat e Qendrës Mesdhetare të Turizmit-
Në element mjaft pozitiv e i vecantë është fakti se, disa nga peizazhet turistike të Vlorës si, Parku Kombëtar i Llogorasë, Laguna e Nartës, Laguna e Orikumit, Kompleksi Natyror Nartë-Zvërnec-Treport, Pylli i Pishë Poros, si dhe Qendrat Arkeologjike Kombëtare të Orikut e Amantias, janë përfshirë edhe në mjaft projekte e guida të Qendrës Mesdhetare të Turizmit.
Brenda këtij konteksti, roli i monumenteve të natyrës, kulturës dhe historisë është i pranishëm në zhvillimet turistike. Mjaft prej tyre me vlera arkeologjike e etnokulturore, kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si Monumente Natyrore apo Monumente Kulture. Në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 prej tyre. Në inventarizimin e tyre përmblidhen vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike.
Në rajonin e Vlorës ka mjaft qendra arkeologjike, historike e monumentale. Këto monumente janë jo vetëm dokumenta të gjalla që flasin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të epokës që i krijoi, por edhe për periudhat e mëvonshme. Mes tyre, kisha e Marmiroit në Orikum, ajo e Armenit, qendra e peshkopatës në Himarë, Kaninë e gjetkë, kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Kalaja e Himarës, ajo e Kaninës, e Porto Palermos, e Katafiqit në Kuç, Mozaiku i Mesaplikut, Mozaiku i Sherishtës dhe Gorrishtit, shkrimet e Gramatës, Shpella e Haxhi Alisë, Shpella e Velçës dhe ajo e shkruar e Lepenicës, si dhe stadiumi antik i Amantes, përbëjnë muze të hapura të kulturës së lashtë të kësaj treve.
Studiuesi Bardhosh Gaçe, thotë se, këto vlera të kulturës, historisë dhe artit, duhet të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj. Kjo, sepse, përmes këtyre monumenteve si dhe historisë që ato mbartin, shihet edhe mundësia e njohjes së kulturës mes popujve të Mesdheut. Një vlerë e veçantë e kulturës popullore në rajonin e Vlorës, janë edhe monumentet e kultit dhe ato historike. Ato dëshmojnë madhështinë e arkitekturës, afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit etj.
Në secilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar. Gaçe vecon këtu, dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selecnicasin, që, siç shkruan në afreskat e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Sipas tij, piktori i madh shqiptar Onufri, në shek. XVI ndërtoi dy kisha në Jonufër, në njërën prej të cilave ai grumbulloi 9 piktorë të vegjël, të cilët, si nxënës të tij prodhonin ikona dhe mësonin në fushën e pikturës murale. Studjuesi vlonjat, shton se, Pirro Marcone, që ka bërë gërmime në Velçë në vitin 1929, si dhe në disa qendra të tjera të Vlorës, ka shkruar mes të tjerash se, “Veprat e artit që ruhen në Shqipëri kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për vendin tuaj, por ato kanë një vlerë të madhe edhe për historinë botërore të arteve, ato do të plotësojnë boshllëqet në zinxhirin e zhvillimit të artit mesjetar në Shqipëri”.
-Periudha 1908-1932, e rëndësishme për pasurimin e vlerave qytetare-
Duke ju referuar periudhës së viteve 1908-1932, Gaçe thotë se, në qytetin e Vlorës u krijua një lidhje mjaft e ngushtë midis tregtarëve dhe njerëzve të kulturës dhe të artit, përmes së cilës u ndërtuan një sërë objektesh me vlera të rralla, mes të cilave, rruga Vlorë-Skelë, shtiza e Flamurit dhe varri i Ismail Qemalit, Merkatua dhe Sahati, lulishtja “Ismail Qemali”, porti i Vlorës, ura e Drashovicës, Ura e Izvorit, Kisha e Shën Todhrit etj. Për ndërtimin e Markatos dhe Sahatit të qytetit, bashkia u bëri thirrje tregtarëve dhe intelektualëve, të cilët financuan për ndërtimin e saj me një arkitekturë të kohës. Po kështu, për ndërtimin e kishës së Shën Thodhrit, financuan jo vetëm të krishterët, por edhe muhamedanët, bektashianët dhe hebrejtë.
Në vitin 1921, shoqëria “Vlora e Lirë”, krahas ndërtimit të portit të ri, financoi edhe për ndërtimin e shkollave, Muzeun Arkeologjik Ballkanik të Skelës etj. Në një arsyetim të tillë, studiuesi vlonjat sugjeron që, do të përbënte një risi fakti që, në fasadat e godinave shumëkatëshe të banimit, të gdhendeshin basorelieve të objekteve të trashëguara nga historia, mes të cilave, basorelievi dhe emblemat e kalasë së Skelës, e të anijeve lundruese të mesjetës së hershme, të cilat u zbuluan disa vite më parë, në afërsi të stacionit të trenit, në periferi të qytetit të Vlorës. Gaçe evidenton se, Muzeu Etnografik i qytetit, është me një objekt me mjaft vlera artistike, estetike e kulturore, i cili duhet dhe po pasurohet në vazhdimësi.
-Tradita, një vlerë për turizmin-
Sot në fshatra të ndryshme të Vlorës, prodhohen në mënyrë artizanale veshje tradicionale; fustanella, veshje burrah e grash, sherqe, velënxa, flokate e sixhade, të cilat shiten për turistët, por edhe tregtohen në disa vende europiane; Greqi, Turqi, Gjermani, Itali, Francë e Spanjë. Në këtë drejtim mjaft mjeshtra të Labërisë dhe të Dukatit, punojnë drurin e gurin, duke prodhuar objekte artistike e zbukurime, fyej, cula, tavane e orendi shtëpiake.
Përbën një vlerë madhore, kënga polifonike e cila disa vjet më parë, u shpall nga UNESCO, si pasuri e trashëgimisë botërore. Rajoni i Vlorës ka një trashëgimi të pasur folklorike, grupe e ansamble me emër. “Këngët “Qazimademçe”, “Smokthinjoçe”, “Dukatase”, “Matohasançe”, “Himariotçe”, vallet e Vranishtit, fyejt e instrumentat e Labërisë, tashmë janë regjistruar edhe në albumet e katalogët e Francës, Anglisë, Gjermanisë, Norvegjisë, Greqisë, Turqisë, Italisë e gjetkë. Në këtë kontekst, Vlora, ka kapacitete të mëdha artistike e kulturore për të zhvilluar e pasuruar këtë lloj arti.
Në qytetin e Vlorës gjenden edhe disa qendra muzeale si, Muzeu Etnografik, më i pasuri në të gjithë qytetet e jugut të vendit, Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu Historik dhe Arkeologjik, Rruga Muze “Justin Godard”. Këto përbëjnë një pasuri të madhe të kulturës sonë historike, së bashku edhe me objekte të tjera kulti e historie, si Teqeja bektashiane në Kuzumbaba, xhamia në qendër të qytetit, kisha katolike, kisha e Shën Todhrit, shkolla e parë shqipe e Muradies, etj.
Marrë nga//ATSH
Redaksia Online
(shqiptarja.com) - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/vlerat-etnokulturore-resurse-per-turizmin-269699.html#sthash.ZQ2waXQP.dpuf
Butrinti, një ndër destinacionet më të mira kulturore të Evropës
Butrinti në Shqipëri, është përzgjedhur të jetë njëri nga 12 destinacionet historike për t’u vizituar në Evropë e që shumë kush mund të mos dijë për ekzistimin e disa prej tyre të renditura nga theculturetrip.com.
Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura). Në saje të rëndësisë së tij për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike, Butrinti u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Një zonë prej 2900 ha, përfshirë peisazhe me rëndësi kulturore dhe vendosjet arkeologjike, u përfshi në në UNESCO.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjetë nga tempujt helenikë të shek. 4 para Kr. deri në kalatë osmane të fillimit të shek. 19. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali.
Në vitin 228 para Kr., ai ra nën sundimin Romak, dhe në shek. e parë para Kr. u bë pjesë e provincës së Maqedonisë. Jul Cezari ngriti një koloni dhe vendosi veteranët e tij rreth vitit 45 para Kr., ndërsa Augusti dyfishoi madhësinë e qytetit dhe kolonizatorëve Romak. Ndërtesa të reja u ndërtuan përfshirë edhe një akuadukt, banjë romake, disa shtëpi, forumi dhe nimfeu.
Madhësia e qytetit u dyfishua dhe trefishuar deri sa u ndërpre gjatë periudhës së më vonshme të Perandorisë. Sot vendi është i hapur për vizitorët si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Parku natyror i Butrintit
Parku është i një rëndësie të madhe për konservimin global të biodiversitetit, pasi është siti i 16 specieve të rrezikuara të florës dhe i 14 specieve të rrezikuara të faunës. Zona ligatinore është formuar nga një lagunë tektonike prej 1600 ha, e njohur si Liqeni i Butrintit, e rrethuar nga brigje të pyllëzuara, male, ujë dhe këneta të njelmëta dhe lidhet me ngushticën e Korfuzit nga Kanali i Vivarit. “Liqeni” ka një thellësi mesatare prej 14 m (pika më e thellë 22 m), ndërsa Kanali i Vivarit është deri më 100 m i gjerë.
Mbetjet arkeologjike janë pjesë e pyllit natyror me një ekosistem kompleks, i cili varet nga ujërat afër Liqenit të Butrintit dhe Kanalit të Vivarit që e derdhin liqenin në Detin Jon. Është kombinimi i monumenteve historike dhe i mjedisit natyror ai që e bën Butrintin një vend kaq unik, një peizazh me monumente më të cilin u dashuruan Vizitorët e Mëdhenj të shekujve 18 dhe 19. Zona e Butrintit mban 16 specie në zhdukje të florës përfshirë këtu Agrimonia eupatoria, Capparis spinosa dhe Laurus nobilis.
Zona gjithashtu mban 12 specie të rralla si Alkan corcyrensis SE , Limonium anfracium dhe 4 lloje speciesh të jo mjat të njohura si Scobiosa epirota. Parku strehon specie globaisht të rrezikuara (dy në rrezik kritik, dy në rrezik dhe dhjetë të cënuara) te tilla si Rhinolophus dhe Myotis.
Butrinti strehon 17% të specieve të Shqipërisë, parku është veçanërisht mbreslënës për amibët, zvarranikët, zogjtë dhe gjitarët e tij (përfshirë ujkun) dhe është vendi i vetëm në Shqipëri që strehon bretkosën Epirote, breshkën e familjes Testudinidae, boan e rërës dhe zhapikun Ballkanik të mureve.
Gjiri i Butrintit dhe Këneta e Vrinës janë vende të rëndësishëm të ushqimit dhe folenizimit të shpendëve. Gjatë dimrit tufa lejlekësh përdorin ujërat e cekëta, duke përfshirë European curleë, qyrylikun këmbëqirizë, gjelezën pikaloshe, zogun e rërës etj. Në vitin 2003 u regjistrua si zonë Ligatinore Ramsari me rëndësi ndërkombëtare.
Krishterimi i Hershëm në Butrint
Nga shekulli 5 pas er. së re, krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e tij. Baptisteri u ndërtua në çerekun e dytë të shek. 6 pas er. së re dhe mund të ketë qenë punë e artizanëve lokale, të cilët janë bazuar te Nikopoli aty pranë. Ai u zbulua më 1928 nga Misioni Arkeologjik Italian. Është baptisteri i dytë më i madh në Perandorinë Romake, kurse më i madhi ndodhet në Aja Sofia, Stamboll. Të gjitha aspektet e arkitekturës dhe të dekorimit (si dyshemeja me mozaik) e baptisterit është simbolikë e ritit të pagëzimit, me burimin në anën e tij të largët që përfaqëson burimin e jetës së përjetshme.
Mozaiku i jashtëzakonshëm shumëngjyrësh i dyshemesë së Baptisterit të Butrintit, është një nga mozaikët më të kompletuar dhe më kompleks të të gjithë baptisterëve të asaj periudhe. Dizajni i përgjithshëm i dyshemesë konsiston në shtatë unaza, të cilat rrethojnë vendin e pagëzimit që ndodhet në qendër, duke e rritur numrin në tetë – numri kristian për shpëtim dhe përjetësi. Vëmendja e vizitorëve që kalojnë pragun e hyrjes kryesore, tërhiqet nga dy pallonj në një hardhi që rritet në një vazo të madhe. Pallonjtë simbolizojnë parajsën dhe pavdekshmërinë; vazoja dhe rrushi, Eukarsinë dhe gjakun e Krishtit. Në periudhën mesjetare ndërtesa u modifikua me diga guri dhe një apsidë gjysmë-rrethore; një dysheme me pllaka guri u vendos mbi mozaik. Në vende të tjera në qytet deri më tani janë gjetur tetë kisha, më domethënësja është e vendosur në fushë përballë kanalit të Vivarit.
Butrinti i Hershëm Modern – Kalaja Venedikase
Kalaja u ndërtua në shekullin 14 nga Venedikasit në majën e kodrës, në anën perëndimore të pllajës së gjerë të akropolit antik. Ndërtesa e mëparshme mesjetare e Butrintit – Kalaja e Akropolit – është gjerësisht një rikonstruksion i viteve 1930: një kullë e rëndësishme brenda një rrethimi pentagonal, me mure mbrojtëse me frëngji. Gjithsesi, fragmentet e fortesës së mëparshme janë të dukshme në një skicë të bërë nga Eduart Lear më 1857 po ashtu edhe nga fotografitë e marra nga arkeologu Italian Luigi Maria Ugolini në vitet 1920 dhe 1930: të dyja kombinohen për të transmetuar formën e vërtetë të fuqishme të kalasë, me kullat e larta dhe oborret fqinje.
Kalaja të ofron një pamje të qartë të ngushticës së Korfuzit dhe kanalit të Vivarit. Ndërtesat më të hershme u pastruan për t’i lënë vendin kalasë së re, e cila nisi me një fortifikim rrethues me kulla vrojtimi dhe me vetëm një kullë të brendshme me dy kate. Një kullë e dytë (e njohur vetëm nga të dhënat e Ugolinit) u shtua më vonë brenda rrethimit mbrojtës: ndoshta ishte banesa e rojtarit. Në vitet 1930, italianët e ktheun atë në banesë për arkeologët që punonin në sit, si dhe në një muze të vogël. Muzeu i Butrintit, i vendosur brenda kështjellës së rikonstruktuar të kodrës së akropolit, me rrethimet moderne dhe elegante u rinovua dhe u rihap më 2005 për të shfaqur historinë e pasur dhe komplekse të kësaj treve. Muzeu e përshkruan historinë e Butrintit si një mikrokozmos të historisë mesdhetare, të lidhur ngushtë me pozicionimin e tij, një mikrorajon lagunor, me ilustrime me vlerë që paraqesin banesa të rikonstruktuara me urdhra të posaçëm, si dhe me materiale të rëndësishme të arkivës. /ATSH/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com) - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/butrinti-nj--nd-r-destinacionet-m--t--mira-kulturore-t--evrop-s-269762.html#sthash.ZGHF7xC8.dpuf
30 gennaio 2015
AKB-ja diskuton me specialistë italianë për menaxhimin e bregdetit tonë
TIRANË, 30 Janar / ATSH/ N.Lena.- Agjencia Kombëtare e Bregdeti dhe Drejtori i kësaj agjencie, Auron Tare, duke menduar per sezonin e ri turistik, po zhvillojne takime me homologët italiane për menaxhimin sa efektiv të vijës sonë bregdetare. Nje takim të frytshem kjo Agjenci zhvilloi me planifikuesit kryesore te Regione Emilia Romagna të fqinjit tonë italian. Planifikimi hapesinor i plazheve tona si dhe manaxhimi i sukseshem i tyre, ishte tema e bisedimeve dhe diskutimeve, bëjnë të ditur nga AKB-ja. /a.ke/
Shtëpia e Toptanasve, banesë unike në trevat e Ballkanit
Tiranë, 30 Janar / ATSH – Pas një inspektimi që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka kryer në ambjentet e Muzeut Etnografik të Krujës, ka publikuar së fundmi edhe fotot e gjëndjes aktuale që gëzon ky objekt.
Gjithashtu kjo drejtori ka publikuar edhe historikun e tij, për të nxitur vizitorët e shumtë të huaj dhe jo vetëm, që ta vizitojnë një prej objekteve unike që është edhe krenaria kulturore që gëzon qarku i Krujës.
Shtëpia e ndërtuar nga Toptanët që në atë kohë kur ishin sundimtarë të Krujës, është një shtëpi e stilit persian, pasi Kapllan Pashë Toptani, sapo ishte kthyer nga fushata e Teheranit, ku turqit dolën ngadhënjyes.
Pra, inxhinierët ishin persë, ndërsa ustallarët që e ndërtuan dibranë.
Edhe piktori që e ka hijeshuar këtë shtëpi ka qenë Bajram Muca, nga Ostreni i madh, I cili është shprehur se “Eshtë i njëjti stil me Xhaminë e Et`hem beut në Tiranë, dmth stil rokoko”.
Më pas, nga fillimi i viteve `800, kur Toptanasit u shpërngulen në Tiranë dhe u bënë zotërit e Shqipërise së mesme, shtëpia kaloi në pronësi të një famijeje të dëgjuar nga Kruja me mbiemër Kalaja (Zejnel Efendi Kalaja), pronësi e cila u ruajt deri në vitet e fundit, kur shteti shqiptar bëri shpronësimin e saj.
Muzeu, i cili në origjinë ka qenë haremllëku (banesa private) e Kapllan pashës, është shpallur si i tillë për herë të parë në vitin 1959 dhe është restauruar me themel nga Prof.Emin Riza.
Objektet e ekspozuara aty, kanë vlerë pakrahasimisht të vogël historike dhe etnografike në krahasim me vete Muzeun, i cili është unik në trevat Ballkanike.
Ky Muze është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanasve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.
Banesa është monument kulture i kategorisë së I-rë, dhe kjo vlerë e Trashëgimisë sonë Kulturore, i fton të gjithë ta vizitojnë dhe ta njohin nga afër.
Investime në Pogradec, turizëm, siguri dhe shërbime për qytetarët
POGRADEC, 30 Janar/ATSH/-Një shëtitore 17.3 kilometra bregut të liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj dhe një korsi për lëvizjen me biçikletë dhe një rrugë e standardeve europiane do të jetë së shpejti, pamja e re e hyrjes në qytetin e Pogradecit. Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe kryetari i Bashkisë Pogradec Artan Shkëmbi, inspektoi sot, punimet tërësore që po kryhen në këtë segment.
Drejtues të Autoritetit Rrugor informuan se po punohet për përfundimin e rikonstruksionit të rrugës, për ta bërë të shfrytëzueshme për sezonin turistik, ndërkohë që ka nisur edhe projekti për shëtitoren. Ky projekt parashikon gjithashtu, pastrimin nga inertet dhe rehabilitimin e zonave të ndërtimeve të prishura, sistemimin e terrenit dhe gjelbërimin e tyre.
Kryeministri veçoi të rëndësishme, respektimin e objektivit që rruga të jetë gati para nisjes së sezonit turistik. Ndërsa theksoi se të gjitha këto ndërhyrje do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga aset e çmuara turistike të vendit.
“Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet. Të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes. Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash.” – u shpreh Kryeministri Rama. Ndërhyrjet urbane në Pogradec janë pjesë e projektit të qeverisë për rilindjen e qyteteve.
Në Pogradec janë mbyllur galeritë e rrezikshme të minierave të vjetra, cila ndër vite kanë marrë jetë njerëzish. Kryeministri Edi Rama ishte sot në një prej këtyre galerive të braktisura, e cila pas ndërhyrjeve teknike është bërë e paaksesueshme për njerëzit.
Drejtori i Repartit të Inspektimit dhe të Shpëtimit të Minierave Rrapush Tola informoi se gjatë këtij viti me fonde të qeverisë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë mbyllur 119 gryka galerish që paraqisnin rrezikshmëri të lartë për banorët e zonave të tyre. “Nisur nga situatat që kanë ndodhur në minierat e vjetra të braktisura në vite, ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën në këto punime, me fondet të qeverisë u bë e mundur që gjatë këtij vit u mbyllen 119 gryka galerish në të gjithë territorin e Shqipërisë. Janë mbyllur 53 galerinë rrethin e Korçës, 40 në Pogradec, 13 në Librazhd, 9 në Tiranë dhe 4 në Tepelenë. Një galeri nga më të rrezikshmet ku mund të ndodhnin aksidente është dhe kjo galeri që kemi përballë, mbylljet janë bërë me mur betoni, janë mbushur me dhe ose janë bërë shembje me mina”, – shpjegoi ai.
Gjithashtu, Drejtori Tola bëri të ditur se në buxhet janë parashikuar, edhe 40 milion lekë të reja, për të vijuar me fazën tjetër të mbylljes së galerive, të cilat paraqesin rrezikshmëri më të ulët. “Janë dhe 500 gryka galerish që janë më të vogla, më të cekëta, por që e mira është që dhe këto të mbyllen hap pas hapi pasi paraqesin rrezik. Situatë është nën kontroll sepse janë mbyllur pikat më të rrezikshme që ka pasur në territorin shqiptar. Për vitin që vjen, në buxhet janë parashikuar gjithashtu edhe 40 milion lekë të reja të tjera për mbylljen e fazës tjetër të galerive”. – përfundoj drejtori Tola./a.gegvataj/http://www.ata.gov.al/investime-ne-pogradec-turizem-siguri-dhe-sherbime-per-qytetaret-217167.html
27 gennaio 2015
Ura e Bunës dhe pak histori rreth saj
TIRANË, 27 Janar / ATSH / N.Lena – Ura e vjetër e Bunës është ndërtuar me fondet e qeverisë turke në vitin 1889.
Ndërtimi i kësaj ure u bë i mundur në sajë të iniciativës së Guvernatorit të Shkodrës, Qazim Pasha, si dhe bashkëpunimit të tij me kryetarin e Bashkisë së asaj kohe, Bejtashagë Kazazi.
Ajo ishte projektuar nga inxhinieri turk Ali Beu. Për ndërtimin e saj u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj.
Ura e vjetër e Bunës ka qenë një urë që është hapur me anë të një mekanizmi në formë manuale, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojtje nga rreziku malazez e më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga lumi Buna në liqenin e Shkodrës dhe anasjellas.
Sot ajo konsiderohet si një vepër arti, nyje hyrëse për në Shkodër dhe simbol për shkodranët. /n.l/. /a.g/http://www.ata.gov.al/ura-e-bunes-dhe-pak-histori-rreth-saj-215829.html
Qyteza e lashtë e Armenit – Tërheqëse edhe në dimër
Tiranë, 27 Janar / ATSH – Fshati i Armenit në Vlorë është një fshat i dëgjuar e i shkruar që në lashtësi për vlerat e tij kulturore të trashëgimisë materiale e jo-materiale, dhe jo vetëm.
Në Armen, ende sot ka gjurmë që vërtetojnë historinë e pasur kulturore që ka pasur ky fshat në të kaluarën.
Jo vetëm pamja nga larg, por edhe nëse futesh brënda në fshat, fare qartë mund të dalloshë disa karakteristikat unike që ka ky vend.
Çezma e fshtatit , banesat tipike karakteristike, fragmente muresh nga e kaluara, punime qeramike, portat karakteristike apo dhe Kisha e Shën Kollit, janë disa prej objekteve që ende sot ngjallin mjaft interes për turistët jo të pakët që vizitojnë zonën.
Edhe nga larg pamja nuk është zgjënjyese pasi Fusha e Armenit ose “Hambari i Vlorës”(siç e quajnë Vlonjatët), Qafa e Armenit që lidh dy krahinat nga Hekali i lashtë deri tek Kanina, apo edhe Maja e Qyezës Ilire të Armenit paraqesin një pamje mjaft soditëse.
Pamja e Armenit me një këndvështrim të gjerë drejt perëndimit, jugut e veriut me disa kodra nga lindja, i jep atij një pamje me përceptim estetik natyror, të gërshetuar me lagjet e sistemuara me banesa të ndërtuara në sup të njera tjetrës ,të cilat krijojnë pamjen e një qyteti.
Ndërkohë që mbi këto lagje me vlera arkitekturore qëndron qyteza e lashtë e Armenit.
Në majën e kodrës që quhet “Maja e Qytezës” ka me shumicë fragmente qeramike, mbi të cilat shpesh janë gjetur dhe monedha me mbishkrimin Amantion, Apolloniat apo edhe Bylion.
Ato pak fragmente muri janë të punuara me gurë kuadratik të lidhur në të thatë.
Qeramika e gjetur në këtë zonë i takon shek. IV p.e.s dhe të periudhave të më vonëshme,
Kisha e Shën Kollit datohet në Shek.IX, është nje kishë e tipit sallë me kupolë.
Në plan është drejtkëndësh me një absidë të vogël në anën lindore.
Hyet në një portë perëndimore që duhet të ketë qenë me arkitra guri të rrafshët.
Bën pjesë në grupin e kishave njënefëshe
Iscriviti a:
Post (Atom)