16 agosto 2012

Plazhet, dështon vendimi i qeverisë për baywatch 2012

më 15 Gusht 2012

TIRANE- Dështon Vendimi i Këshillit të Ministrave në lidhje me ngritjen e kullave të vrojtimit në të gjitha hapësirat e shpallura si plazhe publike. Edhe pse jemi pothuajse në fund të sezonit veror, mesa duket ky vendim nuk do të gjejë zbatim. Sipas tij, i cili u miratua në datën 1 qershor, urdhërohej marrja e një sërë masash me qëllim përmirësimin e kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit.

Kështu, parashikohej që çdo zonë e deklaruar për plazh dhe aktivitete të tjera çlodhëse duhet të ketë kulla vrojtimi, të cilat duhet të vendosen çdo 200- 250 metra plazh, me lartësi 3 metra. Kjo kullë duhet të kishte vrojtues, të veshur në mënyrë të përshtatshme dhe të trajnuar me kompetencat për të shpëtuar jetën dhe për ndihmën e parë, ndërsa duhet të ishte e pajisur me një sërë elementesh të nevojshme. Dylbi, megafona, bilbil metalik, barelë, barelë-kosh dhe kollare qafe, kuti të ndihmës së parë të pajisur për t’iu përgjigjur qëllimit, kamerdare dhe mjete komunikimi ishin disa prej elementëve, me të cilët duhet të pajiseshin kullat, por, në një kohë ku ka mbetur shumë pak kohë nga mbyllja e sezonit turistik, këto kulla jo vetëm që nuk u ngritën në një distancë çdo 250 metra, por ato nuk janë ngritur në asnjë prej plazheve të vendit tonë. Vendimi parashikonte edhe marrjen e një sërë masash për garantimin e higjienës në këto plazhe.

Sipas tij, “çdo zonë e deklaruar si plazh publik duhet të ofrojë tualete (portative, kimike apo të ngjashme me to) me shërbim pastrimi ditor. Gjithashtu, duhet të ofrojë kosha apo kazanë me kapak dhe të organizohet një sistem për pastrimin e tyre ditor, ndërsa kur është e nevojshme, çdo ditë. Plazhi publik duhet të ofrojë shërbim për pastrimin e plazhit në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit, si dhe të instalojë dushe me ujë të ëmbël”. Por mesa duket edhe kjo ka qenë disi e vështirë për t’u realizuar.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate