Potencialet turistike natyrore
Ndër potencialet më të rëndësishme natyrore për zhvillimin e turizmit në Shqipëri duhen veçuar:
1. Pozita e përshtatshme gjeografike me daljen e gjerë në detet Adriatik dhe Jon.
Shqipëria ka dalje të gjërë në detet Adriatik dhe Jon. Kështu Shqipëria ka një vijë bregdetare prej rreth 450 km e ku ndërthuren forma të ndryshme plazhesh ranore dhe shkëmbore, me mundësi shfytëzimi turistik. Gjithashtu dalja e gjërë në detet Adriatik e Jon luan rol shumë të rëndësishëm si porta lidhëse midis pjesëve të ndryshme të Evropës Jugore me atë Juglindore. Prandaj ndërtimi i artereve të rëndësishme rrugore që janë realizuar apo planifikuar për lidhjen e këtyre pjesëve mund të shërbejnë mjaft mirë për rritjen e fluksit turistik dhe ngritjen e një infrastrukture të zhvilluar turistike.
2. Format e shumllojëshme të relievit dhe peisazhet e bukura që ato krijojnë.
Në Shqipëri dominojnë forma të shumëllojëshme të relievit me kombinime të bukura brenda sipërfaqesh të vogla të relieveve malore me ato kodrinore, të relieveve luginore me ato fushore etj., të cilat krijojnë peisazhe shumë të bukura për syrin e turistit. Ekzistenca e formave të tilla të relievit bën të mundur dhe krijon premisat për zhvillimin e llojeve të ndryshme të lëvizjes turistike, nga ajo për banjo diellore deri në atë të sportit dimëror në malet e larta me dëborë. Format e larmishme të relievit krijojnë gjithashtu edhe dukuri shumë interesante natyrore me interes të veçantë për tu vizituar nga turistët, siç janë: cirqet akullnajore, grykat e thella lumore, shpellat karstike, ujëvara etj.
3. Klima mjaft e përshtatshme.
Klima me të gjthë elementët e saj përbën një faktor shumë rë rëndësishëm natyror për zhvillimin turistik të një vendi apo rajoni. Shqipëria e plotëson më së miri edhe këtë kusht natyror për zhvillimin e turizmit. Dominimi i klimës tipike mesdhetare në brigjet detare dhe me ndikim kontinental drejt lindjes dhe veriut mundëson zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit pothuaj në të gjitha sesionet e vitit. Kështu klima mesdhetare me të gjithë parametrat e saj plotëson kushte shumë të përshtatëshme për zhvillimin e turizmit balnear (banjove diellore). Ndërsa klima e ftohtë e maleve mundëson si zhvillimin e turizmit të bardhë (sportit dimëror të skive) në dimër, ashtu edhe llojeve turistike me motive klimaterike, shëndetsore, aventurieske etj, në stinën e verës.
4. Pasuritë e shumta ujore (detet, liqenet, lumenjtë etj.)
Pasuritë e shumta ujore të Shqipërisë përbëjnë një nga potencialet natyrore më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Këto pasuri ujore shprehen si në ekzistencën e dy deteve ku Shqipëria ka dalje të gjërë, ashtu edhe nga ekzistenca e shumë liqeneve, lumenjëve, burimeve natyrore etj. Të gjitha këto së bashku, kombinuar edhe me klimën tepër të favorëshme, krijojnë peisazhe shumë të bukura dhe kushte tepër të përshtatëshme për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit ujor. Në këtë kuadër paraqesin rëndësi të veçantë objektet ujore, si: liqeni i Shkodrës, Ohrit, Prespës, lumi i Drinit të Bardhë dhe të Zi etj. Në këto objekte ujore mund të realizohen zhvillime të rëndësishme në fushën e turizmit.
5. Bota e pasur bimore dhe shtazore
Bukurisë së formave të relievit, klimës së përshtatëshme, pasurive të shumta ujore të Shqipërisë u shtohen edhe bota e pasur bimore dhe shtatzore. Kjo pasuri bimore shprehet në disa kate bimore, duke filluar me atë të bimëve tipike mesdhetare, e duke shkuar deri tek llojet e bimëve të viseve të larta dhe kullotat alpine. E gjithë kjo pasuri bimore krijon peisazhe shumë të bukura dhe tërheq pasionantë të shumtë të natyrës. Ekzistojnë një sërë parqesh kombëtare, të cilët përbëjnë potenciale të rëndësishme ekologjike që mund të shfrytëzohen mjaft mirë edhe në fushën e turizmit. Bazuar në këtë pasuri natyrore me të drejtë Shqipëria cilësohet si vend që mund të bëhet model në zhvillimin e ekoturizmit. Në brendësi të kësaj pasurie bimore, klimaterike dhe ujore rritet edhe një botë e pasur shtatzore e shprehur në lloje të ndryshme kafshësh e shpendësh, të cilët përbëjnë gjithashtu një potencial të rëndësishëm natyror edhe për zhvillimin e llojeve të veçanta të lëvizjes turistike siç është turizmi për gjueti etj.
Nessun commento:
Posta un commento