Treni një mundësi udhëtimi e harruar për 22 vite, tanimë në një shpresë të vakët rikthimi në lavdinë e dikurshme. Para viteve '90 për të lëvizur nga një qytet në tjetrin, treni ishte mjeti më komod dhe me i preferuar për të udhëtuar, kjo për shkak të rrugëve të këqia, të mungesës së veturave private e të numrit të paktë të urbanëve ndërqytetës. Tani, 22 vjet pas ndërrimit të sistemit, mund të gjesh plot të rinj që nuk e kanë provuar asnjëherë trenin, dhe kanë një interes minimal për të udhëtuar me të. A1Report dhe gazeta Shqiptarja.com kanë udhëtuar me linjën Tiranë-Durrës, udhëtim që nisi në 7:30 nga Tirana për të mbërritur në Durrës me një udhëtim që zgjati 1 orë e 10 min, në shoqërinë e stafit të hekurudhës, udhëtarëve dhe një realiteti i cili lë jo pak për të dëshiruar! Për vite me rradhë treni ka qënë ajo "hekurishte" e cila nuk shijoj kurrë prekien e investimeve qeveritare por është parë si një mundësi përfitmi në shitjen për skrap. Mungesa e tepruar e investimeve kanë çuar edhe në atë menefregizmin e qytetarëve për trenin, duke mos e listuar shpesh herë fare si një opsion i mundshëm për udhëtimin e tyre. Vetëm 3 vagona e banjo pa ujë Është e tepërt të përshkruajmë në detaje gjendjen e trenit ku ne udhëtuam. Fakti që me të levizin tashmë vetëm pensionistët dhe të varfërit që duan të arrijnë plazhin e Durrësit, flet më shumë se do gjë. Treni I linjës Tiranë-Durrës kishte vetëm 3 vagona dhe të dy tualetet ishin pa ujë dhe kushtet minimale të higjenës. Personeli i bordit përbehej nga 4 fatorino dhe një polic. Bashkë me ne udhëtonte dhe Lee Deëitte, Kryeredaktore e një programi të ri televiziv për median Belge. Ajo na shpjegoi se në programin e saj është duke filmuar vënde të ndryshme të botës për t'ja prezantuar publikut Belg. Mendoni pak reportazhin dhe filmimet që kjo gazetare e huaj do të paraqesë në shtetin e saj në zemër të Evropës. "Ideja është, të filmojmë në linjat e hekurudhëve për të takuar personat që punojnë dhe bëjnë punën e tyre. Për të takuar pasagjerë në udhëtim, për të patur mundësinë e njohjes së kulturës dhe të mësojmë më tepër për shqipërine duke ardhur në këtë mënyrë"-shton Lee në bisedë me Shqiptarja.com
UDHËTARËT
"Ka shumë probleme treni dhe këto probleme janë tepër shqetësuese. Duke filluar nga njerëzit të cilët hipin në tren , ato ajnë të papërgjegjshëm pasi thyejnë xhamat , shkatërrojnë sediljet dhe hapin derën hyrëse dhe dalëse ndërmjet vagonave kur treni është në lëvizje të madhe. Mëpas Treni ka probleme të tjera pasi nuk vihet dorë për të rregulluar këto xhama të krisur ose edhe të thyer në disa vënde , polici në tren është falso sa për figurë , nuk ke një vënd ku të ankohesh për problemet pasi nuk të dëgjon njëri dhe së fundmi shinat dhe shum trena janë të prishur. Arsyeja që unë përdor trenin është pasi kushton shum më pak dhe si pensionistë është mundësia e vetme për të bërë pak plazh."
QEVERIA KËRKON "RINGJALLJEN" E TRENAVE
Pasi 20 viteve abandonim, me udhëzimin e fundit datë 9.7.2012 MBI RREGULLAT NË TRANSPORTIN HEKURUDHOR, qeveria shqiptare kthen vëmëndjen për të rehabilituar këtë sektor. Udhëzimi i Ministrit të Transportit, duke adaptuar rregulloren e Parlamentit Europian "mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtarëve që lëvizin me hekurudhë", pritet të risjell "lavdinë e dikurshme" të lokomotivës shqiptare. Vëmëndja e rikthyer në sektorin hekurudhorë pritet të sjellë, liberalizimin e tregut me anë të licensimeve të operatorëve në transportin hekurudhorë të udhëtarëve, kushte më të mira, shpejtësi më të lartë, siguri për qytetarët dhe një standart të munguar! Transporti hekurudhor është më efiçient, më pak i kushtueshëm, nuk të lë në trafik për orë të tëra e ofron një sërë avantazhesh. Përdorimi i trenit do të ulte qarkullimin e makinave dhe si pasojë, ndotjen e ajrit. Një tjetër avantazh është mundësia e pakët për aksidente, të cilat ndodhin përditë në aksin rrugore shqiptare. Vallë pse nuk përdoret ky lloj transporti, kur në vendet e tjera të botës zë vendin kryesor si për lëvizjen e qytetarëve, ashtu edhe për atë të mallrave? E vetmja përgjigje që unë mund të gjej është dobësimi i infrastrukturës së transportit hekurudhor dhe lënia në harresë nga shteti për më shumë se 22 vite, dhe në mbyllje do dëshironim të ishim optimist duke e mbyllur këtë udhëtim me mesazhin e koleges belge Leen Dewiitte, autore e programeve televizive e cila e ndodhur në Shqipëri për të promovuar shqiptarët dhe Shqipërinë për teleshikuesin belg, ka zgjedhur trenin si vëndin ku takohen njerëz të rinj, shkëmbehen kulturat, eksperiencat por dhe kupton se si është jetë e përditëshme e udhëtarëve.
DREJTORI I TRANSPORTEVE: PO PUNOJME
Gjëndja aktuale është e tillë dhe ne jemi duke punuar çdo ditë që kjo situatë të ndryshojë, ka deklaruar Ismail Dervishi drejtor i transportit të udhëtarëve dhe bizneseve në hekurudhën shqiptare. "Është e nevojshme të organizohet një shërbim i rregullt me cilësi që të tërheqë pasagjerët drejt hekurudhës për të lehtësuar trafikun e rënduar në rrugë. Sistemi hekurudhor në Shqipëri aktualisht i shërben më së shumti industrisë, duke transportuar mallra si çelik, çimento dhe në industrinë e naftës për transportimin me bote drejt rafinerive", ka thënë për Shqiptarja.com drejtori i transportit të udhëtarëve dhe bizneseve, z.Ismail Dervishi.
(Gre/Shqiptarja.com) Nga ARSEN RUSTA
Nessun commento:
Posta un commento