TIRANË, 6 Tetor / ATSH / – Parku Kombëtar Zall-Gjocaj shtrihet në trevën e Matit brenda territorit të Bashkisë Mat të qarkut Dibër.
Parku Kombëtar Zall Gjoçaj është shpallur ParkKombëtar në vitin 1996.Dallohet për një biodiversitet me vlerë ndërkombëtare, larmi habitatesh, llojësh bimore e shtazore dhe pjesë të pyjeve natyrore, livadhe, përrenj etj.
Në park takohen halorë ndër më të pasurit e vendit tonë. Grumbuj pyjorë të përbërë nga ahu, arneni, rrobulli, bredhi, hartina, pisha e zezë etj.
Në territorin e parkut rriten mjaft bimë të rralla e të kërcënuara, bimë endemike e subendemike që deri diku mbeten të kërcënuara.
Fauna e parkut është tipike e zonave malore. Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu, ujku, rrëqebulli, dhia e egër, kaprolli, derri iegër, etj. Ndër shpendët veçohet shqiponja, gjeli dhe pula e egër, skifterët etj.
Parku Kombëtar i Zall Gjocaj është zonë e rëndësishme bimore, që paraqet pasuri të veçanta botanike dhe mban një ansambël të madh të specieve të rralla të kërcënuara endemike me një vegjetacion të një vlere të lartë botanike.
Është klasifikuar si zonë e rëndësishme bimore sipas kriterit B, që ka për qëllim konservimin e zonave me një pasuri të lartë botanike, e rëndësishme për biodiversitetin e bimëve dhe organizmave që popullojnë atë. Përveç vlerave shkencore, parku njëherazi ka vlera të mëdha estetike, peizazhore, turistike të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
Pasuritë natyrore dhe biologjike, bukuritë e peizazhit afrojnë potenciale të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit malor, turizmit të aventurës etj, si burim shumë i rëndësishëm të ardhurash për parkun dhe banorët vendas, të cilët, si burim kryesor të ardhurash, kanë vetëm blegtorinë.
Së shpejti, me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ky parkdhe krejt zona do të futen fuqishëm në axhendën turistike shqiptare. Infrastruktura rrugore e dëmtuar e ka lënë këtë zonë disi jashtë itinerareve turistike të vendit./m.m/https://www.ata.gov.al/parku-kombetar-zall-gjocaj-atraksioni-turistik-i-matit/