Intervistë me znj.
Armada Molla, presidente e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në
Shqipëri
07/07/2012
Përshëndetje znj. Armada. Si fillim le të prezantohemi.
Ju jeni në krye të Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor, cili është
misioni juaj? Kush janë anëtarët që formësojnë Shoqatën tuaj?
Shoqata për Zhvillimin e
Turizmit Kulturor - ADCT është themeluar në vitin 2009 si një organizatë
profesionale e fokusuar në zhvillimin e turizmit kulturor dhe turizmit në
përgjithësi, përmes promovimit dhe ruajtjes së trashëgiminë Kulturore dhe
Natyrore.
Anëtarët e saj janë
personalitete të fushave të Trashëgimisë Kulturore, Arkeologjisë, Muzeologjisë,
Turizmit, Medias etj. Bazuar në këtë sfond akademiko-kulturor, në
profesionalizmin dhe ekspertizën e tyre dhe të drejtuesve të saj, ADCT synon që
zhvillimi i turizmit në Shqipëri të arrijë standardet e kohës duke respektuar
interesat e vizitorëve.
Ndërkohë që vizioni i ADCT-së
është i qartë: promovimi i potencialeve turistike dhe kulturore shqiptare për të
krijuar një imazh tërheqës dhe një identitet të fortë të Shqipërisë, misioni i saj
konsiston në rritjen e ndjeshmërisë së shoqërisë kundrejt vlerave të
trashëgimisë kulturore përmes edukimit, komunikimit ndërkulturor për një
zhvillim të qëndrueshëm të Turizmit në vend.
Promovimi i turizmit, dihet që në Shqipëri ka ende shumë
për të bërë për të qenë afër standardeve evropiane, si arrihet kjo?
Në fakt, eksperienca evropiane
dhe jo vetëm pohon se shumë vende e kanë turizmin si një nga industritë më të rëndësishme
dhe e zhvillojnë atë bazuar në pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, por
me një përkujdesje të veçantë që kjo pasuri t’u ngelet brezave edhe në të
ardhmen.
Ndërkohë, Shqipëria ndodhet akoma
në një fazë, ku vlerat kulturore dhe natyrore prezantohen shumë spontanisht, ku
strategjitë e hartuara si dhe planet e rralla të menaxhimit të qendrave
historike apo të siteve arkeologjike dhe natyrore, përballen me mungesën e
kapaciteteve lokale për t’i përthithur dhe aplikuar ato.
Por, nëse do t’i referohemi
termit Turizëm Kulturor, i cili nënkupton
lëvizjet e njerëzve të motivuar nga qëllime kulturore të tilla si: vizita në objekte
dhe monumente arkeologjike dhe historike, udhëtime studimi, pjesëmarrje në
festivale, shfaqje artistike apo ngjarje kulturore, udhëtime për të njohur
traditën, jetën dhe identitetin e një populli, vizita në institucionet e
kulteve fetare, etj. gjykojmë që Turizmi Kulturor në Shqipëri akoma nuk është
konturuar si i tillë.
Si arrihet kjo? Në fakt, tendenca për ta përthithur dhe përdorur këtë eksperiencë ndërkombëtare
nga institucionet publike dhe vetë Tour Operatorët Shqiptarë është evidente, sfida
qëndron në faktin se si ta përshtatim atë me kushtet dhe mundësitë reale të Shqipërisë.
Një gjë është e qartë: është momenti i duhur për të përfituar nga këto
eksperienca dhe duhet të bashkëpunojmë seriozisht për të krijuar një produkt që
përqaset me këto standarde.
Megjithëse produkti turistik
shqiptar i ofruar nga Agjencitë Turistike të specializuara për Incoming
(ofrimin e shërbimit për turistët e huaj), rreket të jetë sa më interesant dhe
atraktiv, në shumicën e rasteve ai ngelet klasik dhe nga viti në vit vjen i
njëjtë pa ndonjë ndryshim thelbësor. Kjo sepse, siç e përmenda më sipër, nuk ka
plane të mirëfillta të menaxhimit apo një kalendar konkret të ngjarjeve
kulturore që e gjallërojnë jetën e këtyre qendrave, prezantimi paraprak i të
cilit tek Tour Operatorët do t’i ndihmonte në gërshetimin e tureve me këto
aktivitete që pa dyshim rrisin numrin e vizitorëve.
Në muajin qershor ju organizuat një aktivitet në Orikum.
Çfarë ofroi dhe çfarë solli ky organizim në drejtim të zhvillimit të turizmit?
Projekti “Orikumi - Qendra e
Diversitetit Turistik”, ishte
iniciativa e parë e ADCT-së për të celebruar në një formë ndryshe në 2 qershor, çeljen e sezonit turistik dhe
prezantimin e aseteve turistike - kulturore të kësaj qendre, përmes një sërë
aktivitetesh që tërheqin kështu vëmendjen e publikut.
Orikumi si qendër turistike
ofron për vizitorët një bregdet të magjishëm me arkeologji të pasur nënujore,
ofron një sit arkeologjik rrënojat antike të të cilit janë dëshmi dhe rekorde
të historisë së famshme të këtij qyteti shekullor, ka folklor të pasur dhe
ofron një kuzhinë të pasur dhe ushqim të shijshëm, ndërkohë që temperamenti i
veçantë i vendasve është intrigues për vizitorët. A nuk janë këto elementët e
dëshiruar për çdo qendër turistike?
E gjithë kjo panoramë iu
prezantua të ftuarve dhe publikut në aktivitetin
njëditor, i cili përfshinte: Ceremoninë zyrtare të Hapjes së Sezonit Turistik
nga Bashkia e Orikumit me një program të zgjeruar muzikor dhe argëtues, Organizimin
e panairit të Agro-Turizmit organizuar nga Bashkia Orikum dhe Ministria e
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Vizitë në qendrën antike të
Orikumit dhe më pas një prezantim profesional të përgatitur nga Prof. Dr.
Neritan Ceka, Një shfaqje teatrale në rrënojat e qytetit antik të Orikumit, Drekën
tradicionale përgatitur mjeshtërisht nga Klubi i Shefave të Kuzhinës Shqiptare,
Shëtitje me varka përgjatë Gadishullit të Karaburunit e ofruar nga Aksion
Service.
Por unë dua të ndalem pikërisht
në disa nga aspektet më përfaqësuese të këtij aktiviteti:
Isopolifonia. E lashtë sa
vetë historia e këtij vendi, Isopolifonia Shqiptare tashmë “Kryevepër e
trashëgimisë gojore të njerëzimit” dhe e mbrojtur nga UNESCO ishte pa dyshim
një pjesë emocionuese e këtij eventi. Kënduar me shumë shpirt nga Treshja e
Dukatit kjo performancë rijetësoi muret e qytetit antik duke na ftuar të
gjithëve ta ruajmë dhe të krenohemi me vlerat e saj.
Shfaqja Teatrale. Një shfaqje teatrale në një format krejt ndryshe, u realizua në teatrin
antik të Orikumit nga grupi “Aion Teatër”. Përmes vargjeve dhe interpretimin e
vetë regjisorit Marsel Lesko, shoqëruar nga pianisti Robert Bisha dhe performancës
trupore të balerinës dhe aktores Magda Saba, shfaqja përcolli një emocion të
thellë te të ftuarit.
Dreka Tradicionale. Me një përkushtim të admirueshëm duke respektuar çdo detaj të kuzhinës
tradicionale të zonës, të ftuarit tanë shijuan në një mjedis natyror dhe
familjar pjatat e përgatitura me shumë dashuri dhe profesionalizëm nga Klubi i
Shefave të Kuzhinës Shqiptare.
Udhëtimi me varka përgjatë Gadishullit të Karaburunit mrekulloi të ftuarit me pamjet magjepsëse
të bregdetit shqiptar, duke shënuar kështu dhe mbylljen e këtij aktiviteti
turistiko-kulturor në qytetin e Orikumit.
Ne jemi të bindur që ky
aktivitet i larmishëm, mundësoi prezantimin e burimeve turistike të qytetit të
Orikumit, orientoi autoritet lokale se si duhet ta promovojnë qendrën e tyre
turistike në tërësi si një destinacion, dhe natyrisht do t’i orientojë Tour
Operatorët të ndërtojnë paketa turistike më të pasura në program.
Pjesëmarrja e turistëve të huaj, ka qenë aktiv në këtë
aktivitet? Si bashkëpunoni me ta, për t’i afruar ndaj turizmit vendas?
Natyrisht që qëllimi kryesor i
këtij aktiviteti ishte prezantimi i këtyre vlerave te vizitorët e huaj. Kështu
ADCT kishte të ftuar jo vetëm përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, Vlorë
etj., të cilët pa dyshim janë të prirur t’i prezantojnë dhe pasqyrojnë këto
vlera turistike tek institucionet publike dhe private të turizmit në vendin e
tyre, por edhe grupe turistësh dhe gazetarësh të huaj, që atë ditë kishin Vlorën
si destinacion.
Projekti juaj më i afërt?
Përgjatë muajit gusht dhe shtator
2012 të tjera aktivitete do të zhvillohen në Lezhë, Durrës dhe Shkodër ku tashmë
është i sigurt dhe numri i vizitorëve edhe nga Rajoni.
ADCT e mbështetur nga MTKRS,
Bashkia Shkodër, Teatri Migjeni dhe shumë institucione publike dhe private të
kulturës dhe të turizmit në vend, do të organizojë aktivitetin kulturor - turistik
“Kalaja e Rozafës - një skenë ku përjetësohen vlerat”.
Unik në llojin e vet, ky
aktivitet ka tërhequr vëmendjen e personaliteteve të jetës politike, sociale
dhe diplomatike ne vend, të cilat e kanë parë dhe vlerësuar këtë projekt si
skena që do të shpalos dhe lartësojë atë vlerë njerëzore që historia i ka atribuuar
gjithmonë femrës - sakrificën shpirtërore dhe fizike për t’i dhënë jetë jetës.
Në këtë kontekst, organizatorët
e këtij projekti po krijojnë mundësi marketimi tek Tour Operatorët shqiptarë
dhe fqinjë, në mënyrë që audienca të përfshijë vizitorë të huaj dhe vendas.
Së fundi, dua të theksoj edhe
një herë se megjithëse Shqipëria citohet si një destinacion ende i pazbuluar
dhe kanalet botërore mediatike prezantojnë publikime, foto apo spote
publicitare për turizmin në Shqipëri, për ne konturimi i një destinacioni
turistik me të gjithë elementët e duhur ngelet akoma një sfidë.
Ju falënderoj për intervistën.http://www.infokult.al/events.php?id=559
Adresa: , Tirane
Nessun commento:
Posta un commento