02 agosto 2012

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës mirëpret artistët për 3 ditë

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës mirëpret artistët për 3 ditëTEPELENE 02 Gusht 2012 - 14:12- Festivali Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor “Art Kontakt” sivjet do të mbahet në Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo në datat 10-12 Gusht 2012. “Art Kontakt festival” është një format unikal për skenën artistike shqiptare, në formë dhe përmbajtje. Është një kombinim i artit vizual avangard dhe performing live me muzikën eksperimentale. Në të ftohen artistë vizualë të konsoliduar dhe të rinj, artistë që luajnë tendencat e muzikës eksperimentale elektronike duke krijuar një hibrid të zhanreve artistike.
Në këtë edicion 2012 do të ftohen edhe studentë të fushës së arkitekturës që do të japin ide e vizione për një rikonceptim të zonave ish-ushtarake si ajo e Porto Palermos, të cilat mund të shndërrohen në zona arti dhe prurje kulturash ndërkombëtare.
Pas realizimit të suksesshëm të edicionit të parë të Festivalit “Art Kontakt” në Porto Palermo-Himarë, 2007, si dhe dëshirës dhe kërkesës së publikut sidomos atij rinor për ta përsëritur, Qendra “Art Kontakt” realizon edicionin e dytë të këtij festivali. Edhe ky edicion do të jetë një realitet i gjallë artistik ku do të marrin pjesë artistë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit. Do të përdoren gjuhë dhe teknika inovative të artit të sotëm. Edicioni 2012 synon të hulumtojë impresionet, përjetimet, perspektivat dhe ndjesitë që arti po trajton në këtë moment historik, si rrjedhojë e krizës globale. Festivali do të trajtojë temat mbi qendrën dhe periferinë, do merret me interpretimin e transformimeve urbane, me angazhimin social dhe shndërrimin estetik si dhe zhvillimin e sistemit të artit?

Simpoziumet që do të realizohen kanë të bëjnë me gjendjen e artit në kushtet e krizës globale. Në ambientet e brendshme të kështjellës së Porto Palermos do të zhvillohet ekspozita me titull: “Kriza sistemi - ndryshime”. Mediumet që do të përdoren: Piktura, fotografia, video, instalacionet, performancat. Festivali organizohet nga Qendra “Art Kontakt” me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Këshillit të Qarkut Vlorë dhe me kontributin Institutit Italian të Kulturës, Konsullatës Italiane Vlorë, Ambasadës së Sllovenisë, Institutit të Kërkimeve Urbane dhe në bashkëpunim me Promenade Gallery, (Vlore-Albania); The Office Contemporary Art Space Affair, (Torino-Italy); Marco Polo system (Venice-Italy); Citizens Association Omen Theatre (Belgrad-Serbi); Electronic Music Tirana, (Tirane-Albania); Personal Cinema collective,(Athens-Greece); Propagando Company.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate