27 maggio 2014

Vlorë: Takim në Prefekturë për mbarëvajtjen e sezonit turistik

Nga takimi i zhvilluar sot ne Prefekturen e Vlores Foto Harilla KoçiVlorë, 27 maj/ATSH-Harilla Koçi/.- Masat për sezonin turistik 2014 kanë mbledhur sot në një takim në Prefekturën e Vlorës drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, që kanë në juridiksion zonat bregdetare dhe disa prej drejtuesve të institucioneve të rëndësisë së veçantë, si policinë dhe portin detar.
Takimi është thirrur nga prefektja e Qarkut Vlorë, Etjona Hoxha, pas disa takimeve që ajo ka zhvilluar paraprakisht me drejtuesit e njësive vendore. Në qendër të këtij takimi ka qenë njohja e drejtuesve të njësive vendore me urdhrin e kryeministrit për masat që duhet të merren, në mënyrë që sezoni turistik të jetë sa më i mbarë.
Prefektja e Qarkut ka bërë të ditur detyrat për çdo njësi vendore dhe institucion. Ajo u ka kërkuar përfaqësuesve të institucioneve marrjen e masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, për eleminimin e trafikut të rënduar, furnizimin e rregullt me energji elektrike, me ujë të pijshëm si dhe shërbim të përshtashëm për pushuesit dhe turistët. “Është e domosdoshme që pritshmëria për një fluks në rritje të turistëve në bregdetin e Vlorës, të justifikohet me të gjithsa standardet në shërbime, me qëllim që Vlora të mbaj titullin e “Mbretëreshës së turizmit” në Shqipëri”, theksoi Hoxha.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, tha se “është e vërtetë që ka ende punë për të bërë dhe gabime për t’u korrigjuar, por, po punohet në shumë drejtime”. Sipas Gjikës, në Bashkinë e Vlorës është krijuar një grup pune për menaxhimin dhe strukturimin e plazheve, ndërkohë që ka filluar puna për largimin e objekteve pa leje në shetitoren e bregdetit, të rindërtuara pas prishjes nga INUK-u. Ndërkohë, ai e vuri theksin dhe kërkoi një bashkëpunim më të madh të institucioneve, për një politikë të drejtë çmimesh. Gjika, gjithashtu ka premtuar se shumë shpejt do të hapet qarkullimi në Sheshin e Flamurit, ku po kryhen punime mirëmbajtjeje.
Ndërkohë, përfaqësuesit e policisë trajtuan një sërë problematikash me të cilat po përballen, me vështirësitë e infrastrukturës së rënduar rrugore, si brenda ashtu dhe jashtë qytetit. “Disa rrugë kryesore janë mjaftë të dëmtuara dhe do të shkaktojnë probleme në qarkullimin e automjeteve si dhe do të shkatojnë pasoja në trafik”, theksoi përfaqësuesi i policisë rrugore, duke përmendur segmentet nga “Rrapi” tek ish-Kampi i Punëtorëve dhe më pas deri te “Kalaja”, e cila është totalisht e pakalueshme për automjetet.  Rruga, nga hyrja e qytetit deri te spitali është totalisht e amortizuar; rruga në hyrje të qytetit të Vlorës, një pjesë e saj e amortizuar. Për këtë arsye u kërkua ndërhyrje urgjente në riparimin e këtyre segmenteve rrugore, për shkak të problemeve që mund të krijojnë me gjendjen e tyre aktuale. Ndërkohë, u trajtua me shqetësim gjendja në rrugën që përshkon Qafën e Llogorasë, ku ka dëmtime masive në disa pika që mund të shkaktojnë edhe ngjarje të pakëndshme.
Ndërsa drejtori i Portit të Vlorës, Xhevahir Çeloaliaj, ka deklaruar se “në bashkëpunim me policinë dhe doganën janë marrë të gjitha masat për përballimin e fluksit të pritshëm të emigrantëve dhe turistëve gjatë sezonit turistik”. Ai kërkoi riparimin e një prej segmenteve rrugore që lidhin qytetin me portin si dhe funksionimin me kapacitet të plotë të të gjitha mundësive të komunikimit të mjediseve portuale me qytetin. /a.ke/http://www.ata.gov.al/vlore-takim-ne-prefekture-per-mbarevajtjen-e-sezonit-turistik-118141.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate