-Modeli që do të orientojë zhvillimin e industrisë së turizmit-
TIRANE, 13 Maj/ATSH/- Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po ndjek një proçes të gjerë takimesh të grupit të punës, diskutime me institucionet e varësisë dhe ministritë e linjës, për Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit 2014 – 2020.
Diskutimet kanë tërhequr mendimet dhe opinionet e përfaqësuesve të grupeve të ndryshme të interesit, duke siguruar që kjo strategji të jetë gjithëpërfshirëse dhe me objektiva realë e largpamës. Të gjitha konsultimet publike po kryhen me mbështetjen teknike të GIZ.
Pas takimeve në Berat dhe Vlorë, grupi teknik i punës zhvilloi sot takimin e radhës në Lezhë, me fokus kryesor turizmin rural. I pranishëm në këtë takim zv. Ministri Alfred Dalipi vlerësoi se dokumenti I Strategjisë është shumë i rëndësishëm pasi shërben si orientim për Industrinë e turizmit dhe investitorët.
E parë nga hartuesit si një platformë pune për pushtetin qëndror dhe atë vendor, strategjia do të shoqërohet nga paketa ligjore, Ligji i Turizmit që harmonizon punën e Qeverisë në fushën e turizmit.
Draftin e Strategjisë e prezantoi Drejtoresha e Pergjithshme e Turizmit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Sonia Popa e cila nënvizoi risitë që sjell kjo strategji. Sipas saj, strategjia është model i plotë menaxhimi i destinacioneve turistike dhe korniza që garanton cilësinë e produktit.
Parimet bazë të strategjisë përfshijnë zhvillimin e qëndrueshëm, orientimin drejt tregut, ku destinacioni turistik konsiderohet si bërthama e zhvillimit. Takimi përmbyllës me grupet e interest do të zhvillohet në Tiranë./a.gjonaj/./a.g/http://www.ata.gov.al/prezantohet-ne-lezhe-strategjia-e-zhvillimit-te-turizmit-2014-2020-108731.html
Nessun commento:
Posta un commento