19 maggio 2014

Kryqi që i dha emrin fshatit “Labova e Kriqit”, sot qendër turistike

KryqiTIRANE, 19 Maj /ATSH. N.Lena / -Një legjendë dhe një histori e rrëfyer ndan në mes realitetin e Kishës Shqipëtare më enigmatike, Kisha e “Labovës së Kriqit”. Një nga kishat më të vjetra dhe më misteriozja për shkak të kryqit të saj të famshëm. Thonë që i ka fillesat  në kohën e Templarëve, të përbetuarit për shpëtimin e relikeve të Jezu Krishtit pas kryqëzimit të tij. Dhe kryqi është i bërë nga druri i kryqëzimit.
Por si erdhi ai në Shqipëri  dhe në Labovë?!
Dihen rrugët që ndoqën ata duke u nisur nga veriu i Evropës drejt Jeruzalemit. Njëra prej rrugëve tokësore kalonte  përmes Shqipërisë dhe dilte në portet e Greqisë së Jugut,e pastaj vozisnin drejt Jeruzalemit. Po kjo ishte dhe rruga e kthimit. Këtu zë fill edhe legjenda e Kryqit të famshëm.
Rruga e sotme drejt jugut dhe kufirit me Greqinë është mbishtresëzim i rrugës së vjetër Romake. Një rrugë që kalon pranë Gjirokastrës dhe Labovës. Sot për të shkuar atje, pasi kalon Gjirokastrën, kthehesh majtas te rruga që shkon në Suhë dhe vazhdohet në këtë rrugë që nuk është e keqe deri në një kthesë djathtas në drejtim të lartësive të kodrave.
Rruga ka degëzim përsëri, por të dyja degët të çojnë në majë të një kodre; pak kilometra më tej është Labova e Kryqit. I gjithë udhëtimi merr rreth 40 minuta nga Gjirokastra. Kisha e Labovës së Kryqit është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë që besohej se ishte pjesë e kryqit të vërtetë të Krishtit. Ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qëndrore, me navën dhe aislet e ndërtuara në mënyrë që të krijojnë figurën e kryqit. Hyrja kryesore në kishë është përmes një narteksi të mëvonshëm. Ka të paktën 9 nivele të dallueshme afreskesh të pikturuara në sipërfaqen e mureve të brendshme. Kisha, siç shihet sot, është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të dhe kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse një themel fillestar mund të shkojë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527-565 Pk.Ky datim e bënë atë të veçantë dhe misterioz,ku vizitorët drejt saj nuk reshtin në asnjë stinë të vitit.k2
Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga vjedhja e kryqit të rrallë, banorët vijojnë të apelojnë për gjetjen e tij. Disa raste grabitjesh janë shënuar prej vitit 1990 e deri tani në njërin prej objekteve më të rrallë të kultit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin, megjithatë për ata që janë rritur me frymën e kryqit, vjedhja e tij mbetet padyshim më e rënda.
Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Studiues vendas dhe të huaj pranojnë se Kisha e Shën Mërisë është një objekt i periudhës Paleokristiane. Për periudhën e ndërtimit të saj supozohen disa kohë të ndryshme të dhëna nga studiues të ndryshëm.
Një datim është ai që shpjegon se kjo kishë është ngritur me shpenzime perandorake në periudhën e Justinianit të madh. Një hipotezë e ngritur mbron idenë se ajo mund të jetë ndërtuar në vitin 527-565. Viti 1554 është i gdhendur edhe mbi portën e vjetër të kishës, por mendohet se ky vit i përket kohës së rindërtimit të saj mbi themelet e vjetra. Njihet gjithashtu si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën.
K3Ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, në rrethin e Gjirokastrës, i vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, pranë prerjes tektonike të Grykës së Seckës, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës. Nga periudha bizantine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe si vendbanim i hershëm ka edhe një kala të vjetër, që vendasit e quajnë sot Paleokastër.
Rindërtim pas rindërtimi objekti është zgjeruar, por gjithmonë ka ruajtur themelet dhe muret e fillimit. Duket që kohë pas kohe ndërhyrjet restauruese kanë synuar ruajtjen me fanatizëm të mureve me të vjetra, ndërsa brenda afro 9 shtresave të suvave të mureve koha ka konservuar dhjetra afreske të pikturuara në periudha të ndryshme të historisë njerëzore.
Ikonostasi me vlera të rralla ka rënë disa herë pre e grabitësve gjatë dy dekadave të fundit. Pas vjedhjes së kryqit të artë, në vitin 1998 u shënua grabitja e dytë dhe 15 ikona të çmuara u morën, por pas pak ditësh ato u braktisën brenda një thesi pranë fshatit. Rasti i tretë i grabitjes ishte në muajin shtator të vitit 2007, kur 20 ikona u vodhën nga ikonostasi. Për banorët, të gjitha rastet e grabitjes më shumë se dëme vlerësohen si fyerje ndaj kishës dhe komunitetit që e ka mbajtur prej shekujsh.  Po sipas banorëve, të gjitha ikonat e vjedhura kanë një vlerë shumë të madhe, pasi janë shumë të lashta gati 6 shekullore.
Deri në fundin e viteve 1980 në kishë gjendej i fshehur mirë nga besimtarët një kryq tërësisht i florinjtë, brenda veshjes së artë të të cilit, thuhej se ndodhej një copë dru nga kryqi në të cilin u kryqëzua Jezu Krishti në Jeruzalem. Për shekuj me radhë kryqi mbahej në një vend të fshehtë brenda mureve, i parashikuar qysh nga projektuesi dhe ndërtuar me shumë mjeshtëri e fantazi, brenda një kamareje të veshur me dru dhe disa radhëve me libra të shenjtë.K4
I kaluar brez pas brezi për shumë shekuj, kryqi që i dha emrin fshatit dhe i nderuar për shekuj me radhë nga banorët, me rënien e regjimit komunist u vodh dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve private nga banorët apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit.
Dihet që fshati quhet “Labovë e Kryqit”, për arsyen se mbante këtë kryq prej shekujsh, i cili fatkeqësisht nuk është më dhe ka humbur pa lënë gjurmë.
Mbi bazamentin e Kryqit të Labovës, të tërheq vëmendjen një element dekorativ në formë kapiteli (nyja që lidh bazamentin me Kryqin), ku figurohen katër desh të punuar me mjeshtëri. Kokat e dashit të vendosura në katër pikat kardinale paraqesin altarin e sakrificës (motiv i përdorur nga hebrejtë, si dhe në periudhën paleokristiane), duke simbolizuar fuqinë e gjithëpushtetshme të Perëndisë.
Ndërsa zemra e figuruar në pjesën e sipërme të motivit me kokën e dashit, thekson në të njëjtën kohë se kryqi i vendosur mbi këtë suport është dhe Kryqi i Zemrës së Shenjtë. Këto elemente simbolikë dhe dekorativë i japin Kryqit të Labovës një vlerë mjaft të madhe kuptimore, e cila përkon me përmbajtjen e tij, si relikuar i Drurit të Shenjtë ku u kryqëzua vetë Krishti.
KKKSot, vendndodhja e Kryqit të Labovës nuk dihet. Ai përkujtohet me respekt të veçantë në Kishën e Shën Mërisë në Labovë. Ditën e festës së saj më 8 shtator, ku mblidhen tërë banorët e saj brenda dhe jashtë vendit, një nderim të veçantë zë përkujtimi i Kryqit të Shenjtë që u lidh përjetësisht me emrin e vendbanimit të tyre, Labovës. Me sa duket, historia e këtij vendi fshihet, por nuk humbet.
Aktualisht, kisha 1500-vjeçare e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit ka nevojë për ndërhyrje restauruese. Pamvarësisht mirëmbajtjes së saj që le për të dëshiruar,vizitorët e shumtë të saj nuk mungojnë.Tashmë që ditët u ngrohën dhe shirat reshtën,drejt “Labovës së Kriqit” ka shumë turistë dhe kuriuoz të vendit dhe të huaj që kërkojnë të dinë më shumë rreth kësaj historie-legjendë./a.g/http://www.ata.gov.al/kryqi-qe-i-dha-emrin-fshatit-labova-e-kriqit-sot-qender-turistike-112535.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate