
Në kuadër të këtij protokolli, policia Shqiptare dhe ajo Malazeze, do të bashkëpunojnë dhe organizojnë shërbime të përbashkëta të punonjësve të policisë së rendit dhe të policisë kriminale në territorin e Malit të Zi, për t’i ofruar një shërbim sa më cilësor, sa i përket rendit e sigurisë, qytetarëve shqiptarë, që do të kalojnë pushimet në Malin e Zi dhe anasjelltas.
Është viti i tretë që policitë e të dy vendeve bashkëpunojnë me ekipe të përbashkëta të policisë në interes të garantimit të një shërbimi policor sa më efikas dhe me standarde për qytetarët e të dy vendeve në kuadër të sezonit turistik veror. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i një rëndësie të veçantë në drejtim të konsolidimit të iniciativave operacionale dypalëshe sa i përket sigurisë publike, si dhe i shërben forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit policor ndërmjet të dy vendeve.
Ndërkohë gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të policive Shqiptare dhe Malazeze, dhe delegacioneve që i shoqëronin, u evidentuan gjithashtu fushat në interes të bashkëpunimit të policive të të dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta që do të ndërmerren për të parandaluar e goditur fenomenet kriminale, në mënyrë të veçantë sa i përket krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, trafikut të armëve, kontrabandimit të personave etj., duke përcaktuar dhe modalitet e bashkëpunimit në këtë kuadër.

Në qendër të takimit ishte dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në nivel ekspertësh, si dhe shkëmbimi në kohë reale i informacionit mes palëve.Po ashtu një vëmendje e veçantë iu kushtua dhe masave të përbashkëta për krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë të veçantë gjatë sezonit turistik veror, ku evidentohet një fluks në rritje i qytetarëve që lëvizin përmes këtyre pikave.
Në përfundim të takimit Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi ndanë të njëjtin mendim se forcimi i bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve është faktor i rëndësishëm për një luftë sa më efikase ndaj fenomeneve kriminale dhe i shërben më së miri interesave të qytetarëve./a.gegvataj/http://www.ata.gov.al/sezoni-turistik-marreveshje-bashkepunimi-mes-policise-shqiptare-dhe-malit-te-zi-120127.html
Nessun commento:
Posta un commento