TIRANE 13 Maj/ATSH/- Punonjësit e Shërbimit Pyjor aftësohen të bashkëpunojnë me mediat lokale dhe komunitetin në shërbim të zonave të mbrojtura. Projekti WWF- Parqet Dinarike organizoi trajnimin e dytë të stafit të Shërbimit Pyjor me 23 specialistë dhe menaxherë nga 17 zona të mbrojtura të Shqipërisë. Kësaj here, në fokus të programit të trajnimit ishin vendosur përgatitja e materialeve promovuese për secilin park si dhe bashkëpunimi i efektshëm me median lokale në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë së zonave të mbrojtura.
Trajnimi që u zhvillua në Tiranë, ishte një modul praktik i ndërtimit të dialogut me Median dhe konceptimit të një fletepalosje apo broshure informuese për turistët ose komunitetin. Ekspertët e WWF Mesdhe u prezantuan specialistëve te Shërbimit Pyjor metodat e grumbullimit të materialeve, teknikat e percjelljes së mesazhit në mbrojtje të parqeve dhe mënyrat më të efektshme të informimit publik në bashkëpunim me median lokale. Në përfundim të këtyre dy moduleve të trajnimit, menaxherët shqiptarë të zonave të mbrojtura janë në gjendje të organizojnë takime me median, të pergatisin një fletëpalosje me informacionin bazë apo udhëheqin grupe vizitorësh duke zbuluar për ta, pasuritë natyrore dhe trashëgiminë e çmuar që parku i tyre mban.
Një nga pjesëmarrësit në trajnim, Pjeter Toni që punon për menaxhimin e rezervatit Kune-Vain-Tale në zonën e Lezhës theksoi se ky lloj trajnimi praktik në komunikim është shumë i vlefshëm për stafin që ka një profil te veçante, si inxhinierë pyjesh apo biologë. “Ata e shohin tani parkun nga një këndvështrim tjetër dhe kështu do të kenë rezultate më të mira në punën e përditshme me komunitetin, vizitorët apo median”, tha Toni.
Muaji qershor 2014 sjell një axhendë të ngarkuar për Parqet Dinarike të Shqipërisë. Përpos një konference në nivel kombëtar, ky muaj do te sjellë publikimin e një broshure përmbledhëse mbi destinacionionet turistike në 15 parqet kombëtare të Shqipërisë në gjuhët shqipe dhe angleze, si dhe prezantimin e materialeve informuese për secilin park kombëtar. WWF Parqet Dinarike është një projekt i angazhuar me ruajtjen dhe promovimin e një rrjeti rajonal prej 80 parqesh kombëtare që zbatohet në Shqipëri nga WWF Mesdhe dhe INCA, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri. WWF është një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së natyrës me rreth 5 milionë mbështetës dhe një rrjet aktiv në 100 vende. Misioni i saj është të parandalojë degradimin e mjedisit dhe të ndërtojë një të ardhme në të cilën njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën, duke ruajtur diversitetin biologjik dhe përdorur burimet natyrore në mënyrë të qendrueshme/a.gjonaj/ ./a.g/http://www.ata.gov.al/15-parqe-kombetare-te-shqiperise-nisin-pergatitjet-e-materialeve-promovuese-108548.html
Nessun commento:
Posta un commento