27 maggio 2014

Strategjia, si do mbrohet trashëgimia kulturore

Nga: FATMIRA NIKOLLI  
27 Maj 2014 - 14:58
Strategjia, si do mbrohet trashëgimia kulturoreTIRANE - Si do të mbrohet trashëgimia kulturore e Shqipërisë?! A mundet të ngrihet në këmbë një sistem i gjunjëzuar vit pas viti? Në mungesë të një shkopi magjik a të një thesi të pafund parash, e krahas tyre, me një prani modeste të njerëzve dashamirës a mirëbërës në trashëgimi (po kaq i vogël është vlerësimi e kujdesi i popullsisë për ato që shumëkush i etiketon si ngrehina të vjetra e të pavlera, 'që nuk janë tonat, po të shtetit'), gjithë ç'mbetet për t'u bërë është përkushtimi i shtetit, për aq sa mund t'ia dalë. Dhe, mund t'ia dalë njëfarësoj, me ligje të rrepta, e mbi to - me zbatueshmërinë e tyre, me respektimin e kartave ndërkombëtare, me vënien në jetë të kulturës së ndëshkueshmërisë, pasi për fat të keq deri më tani, të gjithë këta hapa kanë çaluar ku më shumë e ku më pak, madje herë-herë dëmtuesit kur kanë qenë me poste janë promovuar më lart (kinse se janë sulmuar politikisht - togfjalësh që ka lustruar sa e sa krime në trashëgimi), e kur ka qenë njerëz të thjeshtë, nuk janë dënuar (për ironi) as aq sa dënohet një hajdut pulash (për këtë mjafton të shohësh raportet vjetore të Policisë së Shtetit).
Ministria aktuale e Kulturës, duket se ka vendosur të marrë frerët në dorë sa i takon kësaj fushe. Ajo bën thirrje për një erë të re (për të cilën do t'i duhet të përpiqet fort vetë), duke qenë e vetëdijshme për problematikat: heqja dorë nga kujdesi i ditëpërditshëm mbi monumentin e pushtuar nga vegjetacioni; mungesa e marrëdhënieve me pushtetin lokal (shpesh marrëdhënie klanore, në mos armiqësore); dëmet e jashtëzakonshme që janë bërë me ndërtimet pa kriter, me vandalizmat në qendrat historike, me ndërhyrjet masakruese në monumente, me braktisjen e banesave tradicionale pa kthyer kokën pas, me rendjen pas fitimit të ditës dhe korrupsionin e strukturave vendimmarrëse e lejedhënëse (mbase rastet duhen hetuar nga prokuroria, për të dhënë mesazhin se i erdhi fundi valles në tym); niveli profesional i administratorëve lokalë të trashëgimisë në kuotat më të ulëta. Por, sikundër shprehet ajo, "sado i pasur të jetë një shtet, nuk mund të përballojë i VETËM monumentet me restaurime të cilat në çdo rast rëndojnë shumë buxhetin, dhe aq më e rëndë bëhet kjo kosto për një vend si Shqipëria, e cila listën e prioriteteve dhe të emergjencave nuk e ka të vogël". Pra problem si ngaherë mbetet paraja.
Strategjia
Në një njoftim për mediat, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur dje, strategjinë e saj për trashëgiminë, pasi ka nisur më herët një seri inspektimesh në terren, përpos të tjerash, për të parë edhe mangësitë e rregulloreve të qendrave historike e të parqeve. "Ishte kjo njohje me terrenin, njerëzit dhe problemet, që dha bazën për fillimin e reformës në Trashëgimi", thuhet në njoftim. Po ç'hapa do ndërmarrë? Janë nisma të ndërmarra më herët në mënyrë sporadike (risi janë "Miqtë e monumentit" dhe "Edukimi përmes kulturës") dhe disi të paorganizuar. Mbase, si pjesë e një të tëre dhe me shtysën e duhur këtë herë marrin jetë dhe japin fryte. Rikthimi i të ashtuquajturve kujdestarë (nëse mund t'i quajmë të tillë në rastin konkret), është një pikë kthese e nevojshme siç kanë dëshmuar rastet.
Strategjia ndahet në 9 pika: 1. Shtrirja e rrjetit të administratorëve lokalë të DRKK-ve në sa më shumë pika të territorit për ta mbuluar sa më mirë atë; 2. Rekrutimi i personelit me konkurs mbi bazën e profilizimeve të reja profesionale; 3. Përmirësimi i kapaciteteve përmes trajnimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm të personelit të DRKK-ve në fushën e administrimit të Trashëgimisë; 4. Vendosja e komunikimit intensiv midis DRKK-ve dhe institucioneve të specializuara të Ministrisë së Kulturës (IMK, ASHA, QKIPK, QKVF) për një koordinim sa më të mirë profesional; 5. Ndërtimi dhe ruajtja e marrëdhënieve me pushtetin lokal, komuna e bashki, pa të cilët është e pamundur të ruhet e të mbrohet trashëgimia kulturore; 6. Bashkëpunim intensiv me shoqatat dhe biznesin lokal, për të mbështetur një pasuri nga e cila përfitojnë të gjithë; 7. Bashkëpunim dhe lobim me të gjithë donatorët aktualë dhe potencialë për të ngritur fonde, si për mirëmbajtje, restaurim, por edhe për jetëzim, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm; 8. Për një reformë në trashëgimi duhet bërë reforma ligjore, punë që ka filluar tashmë që prej disa muajsh nga Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ekspertë të fushës; dhe 9. Sensibilizim, ndërgjegjësim dhe edukim i popullsisë me dashurinë për trashëgiminë kulturore, me kujdesin e përditshëm për monumentin dhe vlerën.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/strategjia-si-do-mbrohet-trashegimia-kulturore-191728.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate