26 agosto 2014

Vlorë: Tetë kështjella të vizitueshme, vlera për turizmin

kalaja e KaninesVlorë, 26 gusht/ATSH-Harilla Koçi/.- Tetë kështjella që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit në rajonin e Vlorës. Specialistë të monumenteve të kulturës thonë për ATSH-në se “mirëmenaxhimi i tyre krijon të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në krijimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj”. Sipas tyre, ndër kështjellat më të spikatura është ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skëndërbeu ndaj pushtuesve turq.
keshtjella e Porto Palermos, Himare, Vlore (1)Foto HKrahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra. Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. “Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e huseve”, sqaron specialisti Novruz Bajrami.
keshtjella e Porto Palermos, Himare, Vlore (5)Foto HPak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX, nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1.6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
keshtjella e Porto Palermos, Himare, Vlore (4)Foto HKalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s.  E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë. Një kështjellë e hershme është dhe ajo e Kukumit në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s. Historianët evidentojnë dhe gjurmët e kalasë së Kropishtit, të cilat janë zbuluar në vendin e quajtur Llutroi. Mendohet se ky objekt është ndërtuar në periudhën romake. Muret e saj me gjerësi deri në 1.2 metra janë të ngritura me gurë me përmasa 24x2x5 cm dhe kalaja ka formën e drejtkëndëshit me përmasa 250 me 180 metra.
keshtjella e Porto Palermos, Himare, Vlore (3)Foto HMes objekteve me vlerë të kësaj kategorie përfshihet edhe kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve. /a.ke/http://www.ata.gov.al/vlore-tete-keshtjella-te-vizitueshme-vlera-per-turizmin-158450.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate