16 agosto 2014

Muzeu Arkeologjik i Durrësit pret te hap dyert në shtator/2014

Publikuar më 14.08.2014 | 11:59

 
Valeria Dedaj 
Në muajin shtator, në qytetin e Durrësit hapet Muzeu Arkeologjik. Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Durrës, Ledion Lako gjatë një interviste për “Shekulli”-n tregon për punën që janë duke bërë specialistët në këtë Muze. Objektet e Muzeut, prej 3 vjetësh kanë qenë të mbyllura, për aktualisht janë duke u rikosnturkuar dhe gjendja e tyre është e mirë. “Restaurimi është një proces që fillon që nga gërmimi, përzgjedhja e deri te shndërrimi i tij në eksponent. Si pasojë e një pune të vazhdueshme ndër vite, objektet e muzeut i janë nënshtruar ndërhyrjeve konservuese të herëpashershme. Dy ndërhyrje potenciale për konservimin dhe integrimin e objekteve janë bërë në vitin 2001, në prag të hapjes së parë të Muzeut, dhe kjo e fundit, me rastin e rikonstruksionit të Muzeut”, tregon Ledion Lako. Ndër të tjera Lako thotë se: “Qëllimi i këtij objekti është që të angazhojë publikun e gjerë, të interesuarit për historinë dhe kulturën, studiuesit dhe vizitorët e huaj në njohjen interaktive, ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese të së kaluarës antike të Durrësit, si dhe të promovojë trashëgiminë tonë kulturore, duke luajtur një rol aktiv në edukimin e komunitetit”.
Zoti Lako, keni rreth 6 muaj që jeni drejtor në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, përpos sektorëve që keni në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Krujë... 
Nga muaji mars deri më tani jam duke drejtuar Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës, ku pas një ristrukturimi që i është bërë administrimit të trashëgimisë kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, është institucioni përgjegjës për administrimin e trashëgimisë materiale dhe jomateriale të një territori mjaft të zgjeruar. Në Durrës është menduar të jetë qendra e kësaj Drejtorie, për shkak të pasurisë së trashëgimisë që ka ky qytet, ndërsa kemi sektorë edhe në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Krujë.
Ndalim pak te Muzeu Arkeologjik në Durrës. Në çfarë gjendje e gjetët ?
Muzeun Arkeologjik e gjeta me probleme të mbartura. Si ambienti i jashtëm, i cili kishte nevojë për drenazhimin dhe sistemimin e ujërave të shiut që rrjedhin nga kodra, gjithashtu mungonte ndriçimi dhe uji në Muze për shkak të mospagesave të faturave. Përsa i përket ambientit të brendshëm, gjeta objektet e gurit të qelqit dhe qeramikës të mbuluara nga pluhuri për shkak ristrukturimi të ambientit të brendshëm të nisur që nga viti 2011.
Çfarë masash ka marrë stafi juaj për ndryshimin e gjendjes ku ndodhej muzeu prej 3 vjetësh?
Për shkak se Muzeu Arkeologjik ka qenë i mbyllur për 3 vjet, si pasojë e rikonstruksionit, na u desh që menjëherë të merrnim masa për të realizuar procesin e pastrimit të objekteve dhe një trajtim minimal konservues të tyre, por edhe për ta bërë të mundur hapjen sa më të shpejtë të Muzeut për vizitorët dhe turistët. Për këtë qëllim është ngritur një grup   pune nga Drejtoria Rajonale në Durrës në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku specialistët po punojnë intensivisht që nga fillimi i muajt prill, në mënyrë që t’i sjellim objektet në gjendje të përshtatshme për ekspozim. Gjithashtu është lidhur ndriçimi dhe uji dhe janë bërë pastrime të ambientit rreth Muzeut. Po punohet dhe për kartelizimin e plotë të çdo objekti. Një proces i ndërlikuar dhe delikat ka qenë zhvendosja e objekteve brenda muzeut, veçanërisht e atyre me përmasë dhe peshë të madhe, por tashmë është përfunduar me sukses. 
Si ishte gjendja e objekteve të trashëgimisë kulturore? 
Objektet e Muzeut duke qëndruar të mbyllura për një kohë të gjatë prej 3 vjetësh, kanë patur nevojë të pastrohen në radhë të parë nga pluhurat dhe pasojat e rikonstruksionit. Për shkak të ndërhyrjes nga ana e specialistëve të DRKKsë Durrës dhe IMK-së që janë nga më të mirët, gjendja e objekteve është e mirë. 
Sipas specialistëve, sa vjet ka pa vënë dorë askush në to? 
Restaurimi është një proces që fillon   që nga gërmimi, përzgjedhja e deri te shndërrimi i tij në eksponent. Si pasojë e një pune të vazhdueshme ndër vite, objektet e muzeut i janë nënshtruar ndërhyrjeve konservuese të herëpashershme. Dy ndërhyrje potenciale për konservimin dhe integrimin e objekteve janë bërë në vitin 2001, në prag të hapjes së parë të Muzeut, dhe kjo e fundit, me rastin e rikonstruksionit të Muzeut. 
A ka konkretisht objekte që i janë nënshtruar restaurimit? 
Një pjesë e objekteve të Muzeut, është dërguar në Laboratorin e Restaurimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe mbi to janë kryer ndërhyrje të mirëfillta konservuese, gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e objekteve janë pastruar dhe konservuar në ambientet e Muzeut. 
Në total janë rreth 3200 artefakte. Sa prej tyre i keni gjetur drejt degradimit?
Po, janë 3204 artefakte dhe nuk ka asnjë prej tyre në gjendje degradimi total. 
Kush është duke i udhëhequr këto punime? 
Punimet i drejton Drejtoria Rajonale në Durrës; specialistët tanë po punojnë në një bashkëpunim të ngushtë me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Ky objekt është ndërtuar në vitin 1982, por si është rikonceptuar nga specialistët kësaj here, çfarë do të ndryshojë, dhe çfarë do të jetë sikurse më parë? 
Objekti është ndërtuar në vitin 1982, por ka filluar të funksionojë si Muze Arkeologjik në vitin 2002. Në hapjen e re të Muzeut nuk ka ndonjë rikonceptim për sa i përket muzealizimit të fondit antik, krahasuar me atë të vitit 2002. Pra, vendosja dhe ekspozimi i objekteve do të jetë thuajse njësoj si më parë. Ajo që do të ndryshojë nën drejtimin tonë lidhet me një menaxhim bashkëkohor të këtij Muzeu dhe ofrimin e një shërbimi të orientuar drejt audiencës. Që në momentin e hapjes Muzeu do të fillojë punën me një vizion të ri, me një program pune dhe aktivitetesh që do t’i shërbejnë një audience të gjerë dhe të larmishme. Nga një ekspozitë e heshtur objektesh, ky Muze do të shndërrohet në një atraksion   të rëndësishëm arkeologjik dhe kulturor, qendër edukuese dhe promovuese e trashëgimisë sonë kulturore, pra një institucion kulturor bashkëkohor. 
Muzeu Arkeologjik i Durrësit vlerësohet si një ndër më të pasurit në rajon për sa u përket objekteve arkeologjike, por prej katër vjetësh vazhdon të jetë i mbyllur për turistët. Kur mendoni se mund të jetë gati për publikun? 
Ne jemi duke punuar intensivisht çdo ditë për të bërë të mundur që Muzeu të hapet brenda shtatorit. Hapja e muzeut është prioritet i Ministrisë së Kulturës dhe institucionit që unë drejtoj. 
Dhe së fundmi, cila është vijueshmëria e këtij Muzeu? 
Një Muze që do të përmbushë me sukses misionin e tij: Të angazhojë publikun e gjerë, të interesuarit për historinë dhe kulturën, studiuesit dhe vizitorët e huaj në njohjen interaktive, ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese të së kaluarës antike të Durrësit, si dhe të promovojë trashëgiminë tonë kulturore, duke luajtur një rol aktiv në edukimin e komunitetit.    
Historia e Muzeut Arkeologjik në Durrës   
Projektimi i Muzeut filloi në vitin 1982 nga arkitektët Klement Kolaneci dhe Ihsan Prushi, nën sugjerimin e Akademisë së Shkencave dhe Institutit Arkelogjik. Punimet fillojnë në vitin 1984. Deri në vitin 1995 punimet ndërpriten vazhdimisht, për mungesë fondesh. Sipërfaqja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, 2200 metër katrorë (po kaq është dhe Muzeu Historik Kombëtar), vetëm pas ndërhyrjes së arkitektëve të mëvonshëm, për zgjerimin dhe rikonstruksionin e interierit, krijimi i zyrave administrative, laboratorit të restaurimit, zyrës së vizionimit dhe sistemit të ruajtjes së Muzeut.
Muret e brendshëm janë konstruktuar me karton xhez, pasi pengojnë lagështirën dhe janë praktikë në rast zgjerimi të ambienteve. Arkitekti që vazhdoi dhe përfundoi projektin e ambienteve të brendshëm të Muzeut është Reshat Gega. Numri i objekteve për ekspozim, rreth 3000. I përkasin periudhës helene, romake e bizantine. Fondi i investimit deri në momentin e përurimit, kap shifrën e 90 milionë lekë të vjetra. Dy katet e sipërm faza e dytë e projektit përfunduan në vitin 2003. http://shekulli.com.al/web/p.php?id=53355&kat=94

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate