22 agosto 2014

Trashëgimia jo vetëm kujdes nga shteti, Ministria e Kulturës angazhon pushtetin lokal dhe shoqatat

Trashëgimia jo vetëm kujdes nga shteti, Ministria e Kulturës angazhon pushtetin lokal dhe shoqatat
Monumentet e kulturës prej vitesh që ishin të lëna në harresë, u bënë jo pak pre e grabitjeve apo dëmtimeve të ndryshme, dhe këtë fat e patën edhe objektet e kultit. Pranë Ministrisë së Kulturës bëjnë të ditur se për monumentet e kulturës si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, edhe me reformën e zbatuar në trashëgimi, është ngritur një rrjet për mirëmbajtjen, kujdesin dhe ruajtjen e tyre. Edhe pse rastet kur flitet për dëmtime të monumenteve të kulturës në objektet e kultit nuk mungojnë, pranë Ministrisë së Kulturës bëhet e ditur se vetë dikasteri ministror me strukturat që ka nuk mundet dot të ruajë çdo objekt kulti apo monument tjetër kulture. Për këtë kërkohet një bashkëpunim shumë i madh jo vetëm me kishat që i administrojnë këto objekte kulti por dhe me pushtetin lokal, ky i fundit sipas ministrisë prej vitesh nuk ka qenë i angazhuar sa duhet për ruajtjen e monumenteve të kulturës. Jo vetëm dëmtimet natyrore, por dhe në raste të tjera, si ai më i fundit i djegies së kishës së Shën Mërisë, objekt kulti fetar ndërtuar që më 1800, kanë qenë në vëmendje gjatë kësaj kohe. Kjo ka bërë që ruajtja e monumenteve të kulturës nga zjarri, apo dhe nga shkaqe natyrore të jetë kryesore për jetëgjatësinë e tyre. Përballë problemeve të trashëguara në menaxhimin, kujdes dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, Milena Selimi, Këshilltare për Median dhe Komunikimin në MK pohon se është ngritur një rrjet bashkëpunimi me pushtetin lokal, biznese, shoqata, për monumentet e kulturës. “Sigurisht që nuk mundet vetëm shteti ti ruajë monumentet e kulturës, ndaj është ngritur rrejti i bashkëpunimit me shoqata, biznese, pushtetin lokal, që më parë nuk ka ekzistuar një bashkëpunim i tillë. Ju e keni parë dhe punën që kanë bërë gjatë kësaj kohe DRKK. Pas reformës në trashëgiminë kulturore, çdo qendër historike, zonat që kanë monumentet e kulturës janë të mbuluara nga specialistët. Por sigurisht ata që i administrojnë objektet e kultit monumente kulture duhet të jenë më të kujdesshëm. Është e pamundur që ti ruajë dhe mirëmbajë vetëm shteti, ndaj Ministria e Kulturës po punon në disa drejtime, siç janë dhe bashkëpunimet”, pohon mes të tjera Selimi, Këshilltare për Median dhe Komunikimin në Ministrinë e Kulturës.
 
Fonde nga bashkëpunimet
 
Por edhe pse Ministria e Kulturës bën të ditur se ka ndërmarrë një sërë masash, ka angazhuar specialistët në DRKK për të mbuluar terrenin ku ndodhen monumentet e kulturës dhe qendrat historike, sërish problemet janë të shumta. Përballë kësaj situate, bëhet e ditur se rrjeti i bashkëpunimit që Ministria e Kulturës e ka pasur në vëmendje për monumentet e kulturës ka sjellë jo pak përfitime sa i takon dhe fondeve për restaurime të ndryshme. Nga ky bashkëpunim, 35 mijë EURO janë dhënë nga fondacioni “Cariplo” që do të përdoren për restaurimin e shtatë kishave, monumente kulture të njohura në vend. Vëmendje në restaurime gjatë kësaj kohe kanë dhe Ura e Goricës në Berat apo dhe Ura e Belabishtit. Ndërkaq bashkëpunimet po vijojnë dhe me TIKA për restaurimin e disa xhamive, objekte kulti monument kulture. Me shumë rëndësi nga Ministria e Kulturës duket se është parë dhe nisma “Miqtë e Monumenteve”. “Kjo ka qenë një nismë që ka angazhuar 166 shkolla nëntë vjeçare dhe të mesme”, pohon Milena Selimi, këshilltare për median dhe komunikimin në MK. Për Ministrinë e Kulturës administrimi i trashëgimisë kulturore ka nisur të funksionojë si një sistem i organizuar dhe profesional në terren, i udhëhequr vetëm nga ligji dhe vizioni i zhvillimit të qëndrueshëm dhe jo si vullnet egoist individësh në majë të kupolës. Ndërkaq që DRKK vijojnë çdo ditë duke publikuar punën që bëjnë për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, ajo që kërkohet është sensibilizim më i madh për mbrojtjen e tyre. Nga Julia Vrapi
 
Thursday, August 21, 2014 - 13:32
- See more at: http://www.sot.com.al/kultura/trash%C3%ABgimia-jo-vet%C3%ABm-kujdes-nga-shteti-ministria-e-kultur%C3%ABs-angazhon-pushtetin-lokal-dhe#sthash.8NnYzKH3.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate