12 agosto 2014

Shqipëria pjesë e Parqeve Dinarike, perspektiva turistike dhe ekonomike

Parku kombetar i Prespes
Parku kombetar i Prespes
TIRANË, 12 Gusht/ATSH, Nini Mano/- Parqet natyrore kombëtare mund të kthehen në një rrugë të efektshme për të krijuar të ardhura të mira ekonomike nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, përveçse kthehen dhe në element të fortë integrimi për vendet e Ballkanit. Këtë e synon nisma “Parqet e Harkut Dinarik” e Fondit Botëror për Jetën e Egër, WWF, me financimin e Ministrisë së Jashtme Suedeze dhe fondacionit MAVA, që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Slloveninë, duke arritur në krijimin e një platforme për zonat e mbrojtura.
Me mjaft rëndësi mbetet fakti që po zhvillohet për herë të parë vlerësimi i përfitimeve për këto zona.
Menaxheri i projektit për Shqipërinë, Abdullah Diku, tregon se “Projekti i Parkut Dinarik”, gjeografikisht i njohur kohë më parë, ku çdo vend ka problematikat e ndryshme, është shumë interesant, pasi mbulon tematika të ndryshme në secilin prej tyre dhe është e nevojshme të këtë një rrjet aktiv për këmbimin e përvojave më të mira dhe mbrojtjen e parqeve në secilin vend. Ndonëse Harku Dinarik si gjeografi përfshin zonat e lumit Drin, në Shqipëri përfshihen gjithë zonat pyjore, me qëllim, krijimin e një rrjeti të parqeve natyrore të mbrojtura. Shqipëria ka marrë angazhimet më të mëdha në këtë projekt për zonat e mbrojtura, megjithatë ka problematikat e saj, sepse jemi ende me administrimin më shumë jonormal të zonave të mbrojtura. Në 10 vitet e fundit, sipërfaqja e zonave të mbrojtura është trefishuar, çka është tregues i mirë. Por në kuadër të angazhimeve që kemi ndaj BE, ku standardi kërkon që 20% e vendit duhet të jetë zonë e mbrojtur, ka shumë punë për të bërë, sepse kemi sot 16% të territorit zona të mbrojtura dhe këto janë disbalanca”.
Pamje nga bregdetiShqipëria ka 15 parqe kombëtare: Thethi, Valbona, Vermoshi, liqeni i Prespës, i shpallur edhe zonë Ramsar, Bredhi i Drenovës, park shumë interesant edhe për traditat, mali i Tomorit me rreth 24 mijë hektarë pyje dhe vend pelegrinazhi masiv; Parku Detar Karaburun-Sazan, i pari i këtij lloji tek ne si zonë e mbrojtur detare, me shumë arkeologji ujore të pazbuluara ende; Llogaraja dhe Butrinti, që mbeten elita e parqeve tona për arkeologjinë, Divjaka, Dajti, Qafë Shtama, Lura, Shebeniku.
Standardet e BE-së, detyrat e shtëpisë për Shqipërinë
Ndërsa standardi europian parashikon që çdo vend të ketë 20% sipërfaqe zona të mbrojtura, në Shqipëri, edhe pse 10 vitet e fundit kjo sipërfaqe është trefishuar, 15 parqet kombëtare mbulojnë vetëm 16% të territorit me 460 mijë hektarë, ose 4600 kilometra katrorë.
Në rajon, modelet më të mira vijnë nga Sllovenia dhe Kroacia, ku parqet kombëtare janë pararoja e zhvillimit natyror me shumë pyje dhe ishuj, të njohur në botë, me fluks të madh për turistët, ku përfitimet ekonomike kanë zhvilluar zonat e banuara. Ndryshe nga rajoni, Shqipëria nuk ka ende një studim mbi peshën që ka turizmi malor nga zonat e mbrojtura në ekonominë lokale dhe të vendit dhe as statistika.
“Në Shqipëri, ne synojmë që të zhvillojmë katër çështje kryesore që lidhen me rritjen e zhvillimit të turizmit në parqet kombëtare: kujdesin ndaj ndryshimeve klimatike, çështje e madhe globale, që përfshin dhe zonat e mbrojtura; integrimi i vendit në BE, që kërkon plotësimin e standardeve për parqet natyrore; vlerësimi nga përfitimet ekonomike prej tyre, tregues i futur nga WWF, që bën bashkë gjithë aktorët në zonat e mbrojtura. Kjo metodologji që po zbaton nisma për Parqet Dinarike me përfitimet reale, u jep dorë vendimmarrësve për zonat e mbrojtura në aspektet ligjore, mbrojtëse, promovuese, etj”, shpjegon Diku.
Zhvillimi i sektorit të natyrës ecën paralelisht me ekonominë e vendit dhe modelet vijnë nga Sllovenia, që mbetet pararojë dhe model i mirë dhe Kroacia, ku parqet kombëtare janë kthyer në pararojën e zhvillimit natyror, me shumë pyje e ishuj, që me kujdes janë një atraksion i madh për turistët. Diku shton se, në Shqipëri mungon qoftë dhe një studim mbi peshën, që ka turizmi malor nga zonat e mbrojtura në ekonominë lokale dhe të vendit dhe nuk ka as statistika.
“Vendet fqinje kanë statistika, zonat e mbrojtura funksionojnë si ndërmarrje më vete, me buxhet vjetor, ku dhe të ardhurat nga vizitorët përkthehen në paketa zhvillimi. Tek ne organizimi i zonave të mbrojtura nuk mund të jetë më eksperimentale, as zona me menaxhime të pangjashme me të tjerat, ku nuk dihet cili është përgjegjësi, menaxhuesi, kontrolluesi për aktivitetet e paligjshme, për vizitorët, etj. Nëse këto nuk rishikohen, Shqipëria rrezikon të ketë zona të mbrojtura”, thotë Diku.
Park KombetarParqet natyrore, pika të forta të zhvillimit të qëndrueshëm turistik
Projekti për Harkun e Parqeve Dinarike për Shqipërinë po punon të përfshijë Parkun e Valbonës në rrjetin e parqeve më të famshme në Europë, me synim, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm elitar natyror, ku përfitimet lidhen edhe me rritjen e të ardhurave për banorët përmes nxitjes së bizneseve. “Shqiptarët duhet të zbulojnë bukuritë e vendit, para se të shikojnë vendet e tjera”, shprehet Diku.
Projekti për Parqet Dinarike përfundon sivjet dhe Shqipëria ka sot broshurën e parqeve natyrore, website në dy gjuhë në funksion të vizitorëve, fletëpalosjet për çdo park. “WWF po negocion për të siguruar financime të tjera për zhvillimin e zonave, ku Shqipëria ka shumë nevoja”, shpjegon ecurinë Abdullah Diku.
Sipas tij, asnjë zonë nuk mbrohet pa pjesën integrale të banorëve, që i kanë menaxhuar ndër shekuj dhe sot duhen inkurajuar edhe si pjesë e traditave kulturore. “Zhvillimi i zonave synon traditën dhe jo modernitetin e ku pa harxhuar, banorët përfshihen dhe fitojnë nga menaxhimi i parqeve duke arritur një zhvillim të qëndrueshëm. Ne po zbatojmë pikërisht një metodologji, që përfshin numër të madh banorësh si bletërritës, biznese turistike, blegtorë, fermerë, artizanë për të kryer analizën e përfitimeve. Banorët e kanë kuptuar se mirëqenia e tyre bazohet në zhvillimin e zonave të mbrojtura, ndaj janë mjaft të angazhuar. Ata e kanë kuptuar tashmë se jo prerja e pyjeve, por mbrojtja e tyre u rrit të ardhurat nëpërmjet organizimit të turizmit. Dhe sot modele pozitive ne kemi Parkun e Valbonës, një ndër parqet që ka ecur më shpejt në drejtim të infrastrukturës, me ujë e drita 24 orë, në Theth ku nëse rruga do jetë më e mirë, do të ketë fluks më të madh, në Sazan, Divjakë, Prespë. Rëndësi ka që po punohet me parqet dhe ka tendencë pozitive që të zhvillohet ky lloj turizmi shumë më tepër nga sot”.
Media, partner i rëndësishëm i promovimit të turizmit natyror
Odeta Stavri, Drejtore PR e Projektit për Parqet Dinarike, vlerëson rolin e medias në promovimin e natyrës: “sot, media ka më shumë pozitivitet, ka ekipe gazetarësh që nisen të promovojnë turizmin. Është kuptuar se kolona e natyrës përbën thelbin e konkurrencës me vendet fqinjë si Greqia, apo Italia, që kanë shumë avantazhe të tjera. Kjo lloj nxitje është kuptuar nga mediat, që po punojnë t’a forcojnë këtë komponent. Por ende gjithçka mbetet sezonale, se përqendrohen vetëm në verë, kurse duhet parë dhe dimri në këto zona, se Lura është shumë e bukur, në malin e Tomorit mund të bësh ski, pra ka shumë shumë potenciale për median në të ardhmen. Ideja e Projektit për Parqet Dinarike ndryshon nga të tjerët, pasi prek gjithë elementet e natyrës, mbrojtjen e pyjeve, kulturën e banorëve, turizmin, si komponentë, që nxisin zhvillimin. Është koha që dhe media mund të futet në studime më të thelluara për parqet me kafshët e rralla, ku veshjet, kultura krejt të veçanta e dallojnë Shqipërinë në raport me vendet e tjera”.
Parku kombetar Shebenik JabllaniceDiku gjykon se politikat e ministrive të Turizmit dhe Mjedisit duhet të bëjnë më shumë për promovimin e parqeve kombëtare, vlerat me gjithçka kanë traditat, veshjet, kultura. “Duhen paketa të plota, një mënyrë e integruar e komponentëve mjaft e kërkuar nga turistët, ku rol kryesor kanë banorët në zonat e mbrojtura, mikpritja e të cilëve është vlerë e pashkruar gjëkundi, por tërheqëse për çdo turist. Sot kemi dy shembuj të mirë, Komuna Margegaj në Valbonë, që hap çdo vit në maj sezonin turistik dhe organizon aktivitete si “Ora e poezisë”, “Sofra dardane”, aq të rëndësishme në tërheqjen e turistëve. Shembull shumë i mirë është Orikumi, që punon mirë për promovimin e Parqeve Kombëtare të Llogarasë dhe Karaburunit dhe këto elemente zhvillojnë zonat e mbrojtura”, përfundon Diku./m.m/http://www.ata.gov.al/shqiperia-pjese-e-parqeve-dinarike-perspektiva-turistike-dhe-ekonomike-153531.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate