16 agosto 2014

Kalaja e Durrësit në restaurim, brenda muajit monumenti merr tjetër pamje

Kalaja e Durrësit në restaurim, brenda muajit monumenti merr tjetër pamje
Kalaja e Durrësit, muret rrethuese po i nënshtrohen një projekti restaurues, i cili po realizohet si një bashkëpunim i DRKK, Durrës me Bashkinë e Durrësit, i financuar me fonde të IPA-Adriatic.  Rëndësia e këtyre mureve të Kalasë së Durrësit është themelore për qytetin, pasi ato janë të vjetra sa vetë qyteti i Durrësit. Pamjen e tyre më madhështore, muret rrethuese të Durrësit e morën gjatë antikitetit të vonë, në periudhën e Perandorit të Bizantit, Anastas (491 -518), i cili ishte me origjinë nga Durrësi. Gjendja aktuale e mureve të kalasë, me gjithë punën intensive mirëmbajtëse të DRKK, Durrës, gjatë muajve të fundit, është mjaft problematike, për shkak të vegjetacionit të dendur. Drejtori i DRKK, Durrës, Ledion Lako, bën të ditur se projekti që po zbatohet do t’u rikthejë shumë shpejt mureve të Kalasë së Durrësit paraqitjen e denjë për banorët dhe vizitorët e shumtë. Sipas tij projekti që po zbatohet për restaurimin arrin një buxhet rreth 23 mijë euro, dhe përfshin konsolidimin, fugatimin dhe pastrimin e vegjetacionit. “Puna ka nisur prej disa ditësh në muret e Kalasë së Durrësit. Firma që po kryen punimet është e licencuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.  Punimet përfshijnë konsolidiminim, fugatim dhe pastrimin e vegjetacionit që kishte vite që nuk ishte bërë. Në vijim të këtyre punimeve nga Torra deri te amfiteatri antik me një gjatësi 300 metra, puna do të vijojë që kjo pjesë të jetë me ndriçim. Në punime janë dhe specialistët e DRKK dhe  inxhinierë. Një restaurim i tillë në muret e kalasë nuk ishte bërë prej vitesh, nëse ka pasur më parë ka qenë jo në këto përmasa”, pohon drejtori Lako, i cili shton se çdo gjë po ndërmerret në këtë projekt ka kaluar dhe në këshillin shkencor të IMK dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. “Ky projekt është i financuar me fondet e IPA-Adriatic dhe është parashikuar që do të përfundojë brenda një muaji. Ky projekt është hartuar nga IMK dhe ka kaluar në këshillin shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës më pas është miratuar dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Në punime veç të tjerave janë parashikuar ndërhyrje e fortë e murit të kullës B dhe kulla F, që është e vizitueshme. Pastrimi i vegjetacionit si tek kulla F, kullat anzhuine, kishte vite që nuk ishte bërë, madje nga pemët nuk lejohej të shihej monumenti dhe me këto ndërhyrje kjo nuk do të jetë më. Me pastrimin e vegjetacionit në kulla monumenti do të shihet”, shtoi më tej Ledion Lako, drejtori i DRKK, Durrës.   
 
 Kalaja e Durrësit
 
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në Kështjellën e sipërme kishin selinë e tyre Duka i Durrësit dhe më vonë, kur qyteti qeverisej nga feudalë shqiptarë (1368-1392), aty kishin vendqëndrimin e tyre Karl dhe Gjergj Topia. Akropoli kishte dy porta që e lidhnin me Kalanë e poshtme në lartësinë 59 metra. Kjo kala ka, sipas studimeve, dy periudha ndërtimi, duke marrë formën e një katrori me gjatësi brirësh rreth 500 metra. Muret janë të rrethuara me kulla të rrumbullakta, katërkëndëshe dhe tetëkëndëshe dhe në mes të mureve janë porta të ndryshme. Shumë e përmendur është “Porta e kalorësit”, porta me hark të thyer pranë amfiteatrit, ku ishte ngritur dhe një monument i madh prej bronzi i Perandorit Adrian. Kalaja e Durrësit ka qenë shumë e fortë. Në kohën e perandorit Anastas, Kalaja e Durrësit ishte rrethuar me tri radhë muresh të fortë. Studiuesit mendojnë se rrethi i tretë i këtyre mureve janë rrënojat e Porto Romanos, pranë të cilave ishte gjithashtu një kantier i vogël ku ndërtoheshin anije të ndryshme. Përveç Portës së Kalorësit në Kështjellën e Durrësit kanë qenë e përmendur dhe “Porta e madhe”, “Porta e Detit” etj, që quheshin ndryshe dhe “muze në natyrë”. Në muret e tyre kishte të montuara shumë monumente antike, gjurmë të të cilave shihen akoma edhe sot. Aktualisht muret mesjetare me lartësi afro 15 metra si dhe tre hyrje e disa kulla fortifikuese ruhen në afro një të tretën e gjatësisë fillestare të kështjellës së qytetit. Nga Julia Vrapi
- See more at: http://www.sot.com.al/kultura/kalaja-e-durr%C3%ABsit-n%C3%AB-restaurim-brenda-muajit-monumenti-merr-tjet%C3%ABr-pamje#sthash.Br4WuZOc.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate