27 agosto 2014

Miloti, suprizues dhe modest ku dallohen fauna tokësore, fauna e ujrave të ëmbla dhe fauna e egër.

miloti 
Jemi mësuar që fundjavat t’i kalojmë vetëm nëpër destinacionet tashmë të njohura të vendit por harrojmë se ende Shqipëria ka surpriza dhe “qoshka” plot të panjohura.
Udhëtimin e rradhës, suplementi SHIF po e vazhdon drejt veriut të Tiranës dhe sot po zbulojmë Milotin.
Ka një pozicion strategjik që lidh veriun e Shqiperise me kryeqytetin.
Në ndarjen administrative përfshihet nga rrethi i Kurbinit. Miloti merr një rëndësi të madhe edhe për faktin se autostrada Durrës- Prishtinë kalon në periferi të qytetit.
Komuna Milot shtrihet në një sipërfaqe prej 138 km2, ku jetojnë 12.856 banorë.
Kufizohet në veri me Bashkinë e Rubikut, në verilindje me Komunën e Ulëzës, në veriperëndim me Komunën e Zejmenit, në jugperëndim me Komunën e Fushë Kuqes, në jug me Bashkinë Laç në juglindje me komunën e Cudhinit, në jugperëndim me Bashkinë e Mamurrasit.
Komuna është një njësi e pushtetit lokal të rrethit të Kurbinit dhe përfshihet në Qarkun e Lezhës dhe qyteza e Milotit njihet si qendër e Komunës.
Miloti ndodhet 45 km larg kryeqytetit dhe është një nyje lidhëse me të gjithë krahinat e Shqipërisë së Veriut e Verilindjes si kryqëzim i rrugëve kombëtare.
Miloti ndodhet 65 km larg portit të Durrësit, 20 km larg portit të Shëngjinit, 40 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, 20 km larg plazhit të Shëngjinit e 14 km larg plazhit të Patokut.
Komuna Milot ka një shtrirje veri-jug 8 km, lindje– perëndim 17.2 km.
Komuna ka në territorin e saj 12 fshatra që janë, Fushë Milot, Shullaz, Malbardhë, Delbnisht, Selitë, Gallatë, Skuraj, Vinjollë, Relievi dhe Klima Relievi.
Territori i Komunës është i ndryshëm; në pjesën perëndimore ëshë fushor me kuotë të ulët mbi nivelin e detit dhe në pjesën lindore është kodrinor– malor në të gjithë zonën e fshatrave të malësisë në një kuotë deri në 700 metra mbi nivelin e detit në lindje të saj.
Zona përshkohet nga lumi Mat, i cili ka një gjatësi 115 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2 dhe lartësi mesatare 746 m dhe buron në Kaptinën e Martaneshit.
Në fshatin Skuraj, në vendin e quajtur Lime, lumi i Matit bashkohet me lumin e Fanit dhe në një gjatësi prej 16 km duke filluar nga diga e hidrocentralit të Shkopetit përshkon territorin e Komunës.
Në territorin e Komunës mbizotëron klima mesdhetare, ka një siperfaqe prej 138 km2 që ka bregdet, ka fusha pjellore, ka kodrina të ulëta, ka vargmale me lartësi mbi 700 m mbi nivelin e detit, ka pyje të dendur.
Klima mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë e dimër të butë e të freskët është tipike për zonën fushore e kodrinore, ndërsa në zonën malore, kryesisht në fshatrat Selitë, Vinjollë e Gërnac bie dëborë në dimër.
Trashësia mesatare e dëborës shkon mesatarisht deri në 50 cm. Karakteristike për çdo stinë të vitit janë erërat e forta që fryjnë nga verilindja dhe lindja e drejtohen nga korridoret natyrore, shpatet e maleve, që si rezultat i ngritjes së nivelit të shtratit të lumit Mat nga ndërtimi i baseneve të hidrocentraleve, veçanërisht hidrocentrali i Ulzës ku shpejtësia e tyre arrin deri në 100 km/h sidomos në periudhën e dimrit.
Ditët me diell variojnë nga 220-240 dite, ku mesatarisht gjatë vitit ka deri 3000 orë diell. Flora dhe Fauna.
Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zona bimësie si zona e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha).
Duke u nisur sipas vetive të përdorimit në zonë rriten edhe bimët mjeksore e aromatike që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca. Bimët mjekësore që rriten në këtë zonë janë: sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, lulëkuqja, mullaga.  Në zonë rriten edhe bimët spontane foragjere me vlera ushqimore për bagëtinë.
Në bimësinë e livadheve dhe kullotave mbizotërojmë graminoret dhe bishtajoret në gjendje të egër si: tërfili, grami, talla, shpatorja.
Bimët endimike janë bimë që rriten vetvetiu brenda një territori të caktuar të kufizuar dhe rriten në vartësi të relievit e klimës.
Kështu është për t’u përmendur pylli i gështenjave në fshatin Selitë me sipërfaqe prej 75 ha.
Fauna në Komunën e Milotit është zhvilluar në vartësi të mjedisit. Kështu dallohen fauna tokësore, fauna e ujrave të ëmbla dhe fauna e egër.
Pozita e favorshme gjeografike, klima mesdhetare, relievi që varion nga fushor e deri në reliev të thyer malor, dalja e afërt në det (grykëderdhja e lumit Mat) kanë bërë që fauna të jetë e pasur.
Në ujërat e ëmbla te lumit Mat dhe të zallit të Urdhazës rriten peshq si ballëgjëri, krapi, qefulli etj.
Shpendë të gjuetisë janë rosa e pata e egër, thëllënxa, karabullakët, çapkat etj.
Kafshë të egra që rriten në këtë zonë janë dhelpra, lepuri, ujku, ariu dhe derri i egër.
Sipas të dhënave nga studiues të ndryshëm, banorët e zonës janë me prejardhje ilire nga fisi ilir i Taulantëve.
Këto hipoteza mbështeten në studimet që u janë bërë toponimeve të njëjta në kohë të ndryshme, sidomos emrave të fshatrave dhe vërtetohet se ka jetuar në këto troje një popullsi e lashtë që ka shkruar historinë e vet nëpërmjet qëndresës së lavdishme me luftë të armatosur e rezistencë të pathyeshme.
Në periudhën e Mesjetës, Miloti është përfshirë në Principatën e Arbrit që njihet si formacioni i parë shtetëror feudal i shqiptarëve qysh nga fundi i shekullit Xll, me sundimtarët Progoni, në vitet 1190-1199 dhe të bijtë, Gjini që sundoi në vitet 1199-1208, Dhimitri 1208-1216, periudhë që njohu fuqizimin më të madh të kësaj Principate.
Në këtë periudhë në grykëderdhjet e lumenjve u ngritën skela të vogla detare që shërbenin për transportimin e mallrave në rrugë detare brenda vendit dhe me vende të tjera.
Në grykëderdhjen e lumit Mat funksionoi Skela e Shufadasë.
Me krijimin e principatave feudale ne fundin e shekulit XlV, Miloti dhe fshatrat përreth u përfshinë në Principatën e Topiajve dhe dhe më vonë në atë të Kastriotëve.
Qyteti Milot dhe këto fshatra janë historikisht baza e krahinës së Kurbinit që është dalluar si mbështetëse e luftrave të Skënderbeut edhe të luftrave të mëvonshme për liri dhe pavarësi.  Kryengritja e Kurbinit e viteve 1905– 1907 është padyshim fakti më i gjallë historik i rezistencës me armë në dorë të patriotëve kurbinas që e detyruan Qeverinë Osmane të falte taksat mbi gjënë e gjallë, të lejonte Kurbinin të gëzonte të drejtën e të vepronte sipas fenomeve të veta, të shpallte amnisti për të gjitha fajet e kryera nga banorët e zonës, të paguante dëmshpërblimet për dëmet që kishte shkaktuar ushtria turke gjatë ekspeditave ndëshkimore në Kurbin.
Lëvizjet e vazhdueshme të rezistencës, të organizuara nga patriotët bënë që më 28 nëntor 1912 edhe në Milot, ashtu si në Vlorë, në të njëjtën ditë dhe orë, të ngrihej flamuri i pavarësisë nga patrioti dhe përfaqësues të tjerë të Milotit dhe të krahinës.
Në vitet 1916 – 1917 do të nisë funksionin pazari i Milotit si treg rajonal për shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale dhe artizanale. Ky Pazar, në një periudhë shumë të shkurtër kohe, do të bëhej i njohur në të gjithë Shqipërinë. Në këtë periudhë, në vitet 1934 – 1936 është ndërtuar aksi rrugor Delbnisht – Selitë – Mafsheq, 18 km i gjatë, i shtruar me kalldrëm dhe me të gjitha veprat e artit.
Në vitin 1934 mbreti Zog do të financonte ndërtimin e urës mbi lumin Mat, sipas projektit të arkitektëve europianë e të zbatuar nga arkitekti shkodran Gjovalin Gjadri.http://www.gazetatema.net/web/2014/08/26/shqiperia-ime-fantastike-miloti-suprizues-dhe-modest/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate