09 agosto 2014

Ardhja e Papa Franceskut ven ne levizje Tiranen, Rikonstruksion Muzeut Historik Kombëtar, mozaiku nuk preket


Rikonstruksion Muzeut Historik Kombëtar, mozaiku nuk preket09 Gusht 2014 - 13:13
TIRANE- Vendim i Këshillit të Ministrave akordoi shifrën 44 milionë e 729 mijë lekë për rikonstruksionin e Muzeut Historik Kombëtar. Dje, siç shihet edhe nga fotografitë, puna ka filluar. Ndërsa ndërhyrja bëhet me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator, Ministria e Kulturës ka konfirmuar zyrtarisht për “GSH” se gjatë rikonstruksionit, nuk parashikohet ndërhyrje në mozaikun e muzeut. Ky i fundit, më shumë se një vit më parë u dëmtua rëndë (për shkak të motit të keq). Pllakëzat e tij ranë në rrugë, duke krijuar hapësira boshe të dukshme në mozaik, praktikisht duke e dëmtuar atë. Ndonëse problemet e rënda janë konstatuar prej vitesh nga specialistët duke vënë në dijeni për dëmtimin tërësor edhe Ministrinë e Kulturës, masa konkrete për të, nuk janë marrë ende. As këtë herë, duket se fondet për të nuk ia kanë dalë të mblidhen dhe pse çdo muaj që kalon e bën më të rëndë gjendjen e tij duke zvogëluar njëherazi edhe mundësitë e përmirësimit të tij.
Ndërhyrja Me rastin e vizitës së Papës, ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar parashikon rikonstruksionin e tarracës së objektit (e nevojshme), pastrimin e mureve, ndërrimin e pllakave, ndërhyrjen në zonën e Atriumit (zëvendësim pllakash), që është oborri i pasmë i Muzeut Historik, ku gjendet edhe një pishinë, do të bëhet izolimi i mureve anësorë dhe mundet që të zëvendësohen edhe disa prej xhamave. Mbetet e paqartë dhe e pakonfirmuar nëse Papa do ta vizitojë muzeun, ndonëse ditë më parë, institucioni është vizituar nga klerikë të lartë të Kishës Katolike.
Mozaiku
Në një studim të realizuar në vitin 2010, doli në pah fakti se dëmtimet që ka pësuar gjatë viteve janë të pakthyeshme, çka do të thotë se jetëgjatësia e ka nisur prej kohësh numërimin mbrapsht. Pas fazës së identifikimit të dëmtimeve në strukturën e mozaikut, pasoi një fazë tjetër, gjatë së cilës specialistë shqiptarë e të huaj bënë një tjetër verifikim mbi jetëgjatësinë e kësaj vepre. Të gjithë ishin në një mendje, se jetëgjatësia e tij varion në dhjetë deri në 30 vite. Arsyet pse kjo vepër u shkatërrua janë të shumta, por duket se kryesorja e ka zanafillën qysh 30 vjet më parë. Duket se ai është bërë keq që në gjenezë. Sipas raportit të dalë nga ky studimi i vitit 2010, rezulton se një nga problematikat e shumta shqetësuese - e cila mendohet të jetë dhe nga më kryesoret - ka të bëjë me degradimin në një shkallë të konsiderueshme të materialit përbërës dhe lidhës, i cili për shkak të presioneve mekanike në vetë strukturën përbërëse, faktorëve ambientale, si dhe ndryshimeve të shpeshta termike, ka arritur një shkallë të lartë degradimi. Një tjetër problematikë ka të bëjë me korrozionin në shumë vende të pakthyeshëm të zgarës metalike të hekurit, duke e bërë gati të padobishëm trajtimin e tij në mënyrë kimike. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është realizuar në vitin 1981 nga një grup artistësh shqiptarë: Vilson Kilica, Josif Dobroniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate