Kjo gjë u bë e pamundur dhe ky mozaik nuk u kthye më Apoloni. Nga restauratori i njohur, Frederik Stamati, mësojmë se restaurimin e parë ai e ka pasur që në vitin 1959. Disa arkeologë dhe restaurues të MHK-së kanë qenë të mendimit se kjo vepër do të kishte më shumë vlerë “e ekspozuar në habitatin e vet”, aty ku u zbulua në Apoloni, por për restauratorin Stamati shqetësimi më emergjent është ruajtja e tij dhe kushtet në të cilat do të ekspozohet. Ai argumenton se mbrojtja më e mirë në rast ekspozimi është mbyllja me xham, ndërkohë që na njeh edhe me shkaqet pse nuk duhet të rrijë realisht Mozaiku i Apolonisë i zbuluar në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar.
Zoti Stamati, mësojmë se Mozaiku i Apolonisë i restauruar disa herë do të zbulohet që të shihet nga vizitorët me rastin e aktiviteteve që do të zhvillohen për vizitën e Papës në Tiranë. Si ka mbetur ky mozaik në oborr të muzeut. A është i mbrojtur në këto kushte?
-Ju pyesni për çështjen e mozaikut të marrë nga Apolonia dhe të ekspozuar në Oborrin e Muzeut Kombëtar. Në ato vite unë kam qenë i angazhuar dhe mund të them disa kuriozitete të tjera për Muzeun Historik. Aty kanë qenë edhe disa armë të Luftës së Dytë Botërore dhe ato janë hequr. Kur muzeu ishte në përfundim e sipër, mendohej edhe që të ekspozoheshin disa skulptura origjinale nga sitet arkeologjike të Shqipërisë. Duke parë objektet e ekspozuara në Tiranë në atë kohë unë shpreha mendimin tim që skulpturat origjinale të mos ekspozoheshin në oborrin e Muzeut Historik. Çështja e ndotjes ishte problem sepse kishte në atmosferë shumë aciditet, squfur dhe azot dhe ato i dëmtonin skulpturat.
Edhe në Durrës në atë kohë ishte një shembull i tillë që vinte ndotja nga fabrika e cigareve. Në Tiranë nuk ishte e asaj shkalle, por ishte në një shkallë më të lartë se ambiente e tjera, sepse pluhurat e shumtë i mblidhte rruga. Gjithçka binte në oborr do të ndërvepronte tek skulpturat origjinale që ishin aty jashtë. Kështu menduam që të bëheshin kopje, mirëpo koha e shkurtër nuk e bëri të mundur realizimin e kopjeve. Edhe sot vihet re kjo ndotje që nuk mund të vihen skulptura ose vepra origjinale, sepse aty më mëngjes gjendet i grumbulluar shumë pluhur që e lajnë me zorrën e ujit gjatë ditës. Ndërsa Mozaiku i Apolonisë u ekspozua jashtë. Për mua probleme qe edhe vendosja e tij aty, sepse ai mozaik ka teserat, të cilat do t’i nënshtroheshin kësaj lloj prishjeje dhe ndikimit të mjedisit e të ndërhyrësve atmosferikë. Por grupi i punës vendosi të ekspozohej dhe herë-herë rrinte i mbuluar që të mos kishte dëmtime.
Por, edhe katër-pesë vjet më parë është ngritur çështja e dëmtimit të këtij mozaiku, ku ka pasur debate për vendosjen e tij?
-E mira është të ruhet në tokën e vete. Por ka raste kur atje ku zbulohet mund të mos jetë e vizitueshme dhe nëse e vendosim në një vend të vizitueshëm, në parim këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Por në rastin konkret nëse diskutojmë që ky mozaik të ishte atje apo të rrinte aty, është tjetër gjë. Me këtë mozaik edhe në oborrin e Muzeut ka pasur problem të lëvizjes së nivelit dhe shkëputjes së teserave dhe herë pas here në hyrje për të rivendosur këta gurë mozaiku të shkëputur nga vendi është ndërhyrë shpesh. Herën e fundit edhe para dy vjetëve. Është shtruar dikur në grupin e restaurimit çështja që kjo vepër meqë ishte në Apoloni të jetë në Apoloni, por këto janë vendime që merren nga komisione për këtë çështje.
Tani ka një çështje tjetër, sit a ruajmë gjatë ekspozimit. Unë mendoj se aty ka një ndotje të madhe, qoftë nga rënia e pluhurave qoftë nga kalimi i makinave në rrugën përtej oborrit të muzeut dhe ndotësit janë veprues negativë në elementë dhe ngjyrat e këtij mozaiku. Dhe këto do t’i vuaj mozaiku, siç i shohim të reflektohen ndotësit çdo mëngjes në oborrin e muzeut. Çdo të bësh?! Do të rrish me zorrë uji në dorë siç bëhet me plakat e oborrit dhe t’i lash. Kjo është absurde. Nuk i bën mirë, të kalosh përditë fshesën. Çështjen nëse duhet kthyer në Apoloni nuk mund ta diskutoj unë. Ky vendim duhet marr nga një grup specialistësh.
Unë si restaurator do të thosha këtë: se në qoftë se ai mozaik do të qëndrojë aty, nisur edhe nga problemet që ka pasur në vazhdimësi gjatë 30-vjetëve që qëndron aty në oborrin e muzeut duhet menduar si të mbrohet. Plus mendo se me këtë aktivitet do të ketë shumë lëvizje. Në oborr gjithashtu bëhen shpesh aktivitete. Pra unë mendoj që të jetë i mbuluar me xham nga të gjitha anët, me qëllim që të mos futet ndotja. Një mbulesë me xham e mbyllur edhe nga anët, që të mos futet pluhuri, do ta bënte këtë një mënyrë të ekspozimit dhe do ishte plotësisht i vizitueshëm dhe i mbrojtur,. Për mua kjo do ishte zgjidhja për ekspozim, pasi të hapet mbulesa, pasi të shihet gjendja e teserave, nëse kanë lëvizur Pas kësaj mbulesa e xhamit do të ndalonte të mos futej ndotja atmosferike dhe ndotja që vjen nga lëvizjet dhe bimët në oborr.
Po restaurimi është përfunduar?
Me restaurimin ka punuar Sotir Kosta bashkë me grupin IMK-së që e kanë përgatitur për ta ekspozuar. Më pas janë bërë disa lëvizje nga restuaratorët kohë pas kohe për të ruajtur gjendjen origjinale, kur është parë që është dëmtuar. Por për mua çështja e mbulimit me xham duhet të zgjidhet.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Gusht 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/mozaiku-i-apolonise-cfare-ndodh-pas-ekspozimit-ne-muze-235620.html#sthash.8s9uSUI7.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento