e Premte, 8 Gusht, 2014 | 19:41 pm
Një kthim pas në kohë, atëherë kur plazhi ishte vendi ideal jo vetëm për të pushuar, por edhe për të demonstruar trupat e bukur dhe modën e fundit. Pse jo edhe për të krijuar miqësi të reja me shqiptarë e të huaj. Jemi fokusuar
kryesisht në Durrës, që ishte edhe plazhi më i frekuentuar në vitet ’60’ 70, e sidomos në zonën e “Breshkës”, godinës së famshme, që u bë qendra e argëtimit të asaj kohe. Që nga argëtimi në pistat e
vallëzimit, orkestrat me nam, takimet dhe dashuritë me turistët e shteteve “mike”, paradat e modës, gjetja e rrobave të banjës, frekuentuesit VIP të plazhit, deri te rrënimi i “Breshkës” në vitet ’90.
PISTA TEK BRESHKA
Edhe pista ka qenë shumë e rëndësishme
për kohën. Pikërisht përballë Breshkës, ndërtimi i saj u realizua në dy faza. Fillimisht ajo ishte prej dërrase, pastaj u ndërtua prej betoni. Të
zije një tavolinë gjatë drekës apo darkës
ishte e pamundur nga fluksi. Shërbehej birra, pjata me meze, ndërsa në darkë funksiononte një orkestër, madje edhe vallëzohej. Deri në vitet ’60, zona e bregut ruhej apo kontrollohej nga i famshmi kapter Hasani. Për të pabindurit, ai kishte një
dhomë izolimi në krahun e djathtë të “Breshkës”, ku i mbante një natë ata që thyenin rregullat, në veçanti djemtë vallëzues me vajzat e huaja. Vite më pas, mbajtja e rendit dhe qetësisë ishte me e organizuar.
ORKESTRAT, MUZIKË E ARGËTIM DERI NË MESNATË
Kanë qenë ato që kanë argëtuar me vite breza plazhistësh gjatë muajve të verës. Ishin dy, njëra e vendosur te pista e “Breshkës” apo Hekurudhës dhe tjetra te pista e Hotel Adriatikut. Të dyja kishin në përbërje instrumentistë kalibri, si për shembull ajo e “Adriatikut” me S. Tufën në kontrabas, H. Carën në bateri, S. Kalemi saks, Gj. Simoni piano, V. Rijbini klarinetë dhe R. Dedja në fizarmonikë apo të famshmin Bebek Koçin. Ajo e pistës së “Breshkës”, me emrin “Djemtë durrsakë” përbëhej nga G. Cara, P. Myshketa, I. Xhumri, K. Driza. Fillimisht ekzekutonin repertorin e Modunjos, Pol Ankës, Luis
Armstrong, Elvis Presley, me këngët e famshme “Petit Fleur”, “Volare”, “Azzurro”, “Tequila”, “Marina”, “Speedey Gonzales”. Luanin pjesë nga muzika e lehtë gjermane, çeke, polake, italiane, franceze dhe ato të pakta shqiptare. Muzika e vallëzimit fillonte në orën 20:00 dhe arrinte kulmin në mesin e natës, pastaj nuk lejohej. Në ato vite në këto dy pista kanë vallëzuar shqiptarë e të
huaj pa kufi. Grupet e turistëve ishin prezentë dhe, bashkë me ata shqiptarë, argëtoheshin nën tingujt e orkestrave. Pas vitit 1964, për të evituar “shthurjen”, orkestrantëve të dy pistave iu komunikuan që do të luanin një program të kontrolluar. Në ato vite ishte edhe pista e “Ilirisë”, por aty nuk u lejua orkestra
dhe vallëzimi, pasi muzika e lartë përbënte shqetësim për udhëheqësit.
MIQËSITË ME GRUPET GJERMANOLINDORE
Deri në fundvitet ‘60, periudha e plazhit ka qenë një kohë e artë. Të rinj e të reja
nga vendet demokratike, kryesisht nga Gjermania Lindore, vinin për pushime
në Durrës. Madje duke ngritur kampingun me çadra në afërsi të “Breshkës”. Për
dy muaj, ardhja e tyre ishte intensive dhe ishin të shumtë në numër. Për
komunikimin me ta filloi të mësohej gjermanishtja dhe shprehjet “Wie geht’s”,
“Alles Gute”, dëgjoheshin sistematikisht çdo moment të ditës. Pastaj, mbrëmjet dëfryese ishin ato më të spikaturat. Vallëzohej në lokalet e plazhit, nga ku
fillonin edhe shkëmbimet e para, pastaj dashuritë midis djemve shqiptarë dhe
vajzave gjermane, lidhje që edhe pas largimit të tyre vazhdonte me
letërkëmbimet dhe me premtimin për t’u takuar sërish. Por, më intensiv ky fluks
ishte rreth viteve ’70, kur turistët ishin edhe nga vende të tjera europiane. Të
sistemuar në Hotel Adriatik, pjesa më e madhe e tyre ishte nën kontrollin e
Sigurimit të Shtetit, që i ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e tyre. Çdo tentativë
për të komunikuar me vajzat e huaja bëhej fshehurazi. Fillimisht ndonjë batutë
në anglisht apo italisht në rërë, pastaj kur futeshin në det shfrytëzohej
thellësia, për t’iu shmangur ndjekjes me dylbi nga një dhomë e hotelit. Ndryshe
në darkë, takimi me to mund të bëhej më lehtë. Pas disa vitesh, numri i tyre
filloi të reduktohej, edhe ata pak që vinin ishin të izoluar, të kontrolluar dhe
qëndronin para “Adriatikut” në një zonë të kufizuar vetëm për të huajt.
RADIOT NË SINKRON
Nuk kishte shumë në qarkullim, pasi ato me transistorë sapo kishin dalë. Me
kalimin e viteve, ato u shtuan dhe ishin të pranishme si një pjesë e
rëndësishme e argëtimit në plazh. Ndiqej muzika italiane, emisionet “Hit
Parade” të Lelio Luttazzit çdo të hënë e të premte në drekë, apo “Un disco per
l’estate”, kur radiot në mënyre automatike ishin në të njëjtën frekuencë gjatë
gjithë gjatësisë së plazhit. Dëgjoheshin me ëndje Çelentano, Morandi, Albano,
Reitano, Ranieri, Little Tonny, Don Backy, apo kënga e famshme “Ho scritto
t’amo sulla sabia”. Por edhe muzikë shqiptare, këngëtarët Vaçe Zela, Rita
Vako, Nikolin Gjergji, Qemal Kërtusha etj.
NDESHJET NË RËRË DHE TOPI ME FUTBOLLISTË
Ndeshjet e futbollit te “Breshka” kanë qenë spektakolare. Rivaliteti, shfaqej jo
vetëm në dashuri e veshje, por edhe në futboll. Në bregun e detit, ora 10:00
paradite e 5:00 pasdite zhvilloheshin dy ndeshje, me nga katër apo pesë lojtarë
midis tiranasve dhe durrsakëve. Interesimi ishte i madh, madje të pranishmit
rrethonin vendin ku luhej në një zonë jo më shumë se 20 metra gjatësi. Nuk
kishte rregulla fikse, as arbitër, me porta të improvizuara, me pikë referimi një
shkop mbi rërë, ku gjithçka vendosej nga vetë lojtarët. Madje edhe ndonjë polic
që ishte ngarkuar të ruante rendin në breg, kryesisht moslejimi i lojës me top
në rërë, qëndronte pasiv, pasi një gjë e tillë ishte bërë traditë dhe vështirë ta
ndaloje. Në shumë raste ato nuk përfundonin, pasi për një gol apo rast të
diskutueshëm shpërthente grindja dhe loja ndërpritej. Pati periudha që në to
luanin edhe futbollistë me emër. Por, më i veçantë ishte topi që përdorej.
Sidomos në kohën pas “Europianit ‘68″, ku Italia u shpall kampione, u
prodhuan dhe u hodhën në treg topa plazhi me fytyrat e lojtarëve italianë, të
cilët erdhën edhe në Durrës. Kurioziteti për ta parë nga afër topin ishte shumë i
madh dhe shumë njerëz qëndronin pas portave për ta pritur kur ai dilte jashtë
loje.
BLLOKU, ZONA E NDALUAR
Ka qenë një pjesë me gjatësi rreth 1 km që kufizohej me zonën “Iliria” dhe
Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Mbreti Zog kërkoi ta bënte një
zonë të veçantë e të preferuar, pasi krahas pjesës me rërë dhe det, ajo
karakterizohej nga një brez me pisha dhe plepa që krijonin një mjedis shumë të
bukur si “Banjat Mbretërore”. Por, pas lufte ajo u shtetëzua plotësisht, u kufizua
duke u rrethuar dhe mbrojtur me ushtarë dhe mori emrin “Zona e Bllokut”. Ajo
ishte disahektarëshe, ku askush nuk mund të afrohej dhe futja brenda saj ishte
e ndaluar ose e autorizuar. Deri në vitin 1990 aty veronin udhëheqës të lartë të
partisë bashkë me familjet e tyre.
KINEMAJA VERORE DHE CIRKU
Pak ishin format argëtuese për popullsinë plazhiste: Kinemaja verore dhe
cirku. Kinematë verore preferoheshin më së shumti gjatë muajve të verës. Në
Tiranë ishin disa, si ajo verore “Republika”, “17 Nëntori” apo “Partizani”. Në
plazh ajo ishte vendosur matanë rrugës, ngjitur me postën. Oraret ishin 19:0021:
00, 21:0023:
00. Kur filmi ishte i bukur dhe kishte kërkesa, duhej të lije
plazhin për të garantuar një biletë, pasi shitja e tyre bëhej paradite dhe kishte
radhë të gjatë. Një biletë kushtonte 20 lekë për 7 radhët e para dhe 15 lekë për
ato më pas. Në treg të zi, deri pak çaste para se filmi të fillonte, çmimi
dyfishohej. Ndonëse kinemaja rrethohej me një mur deri në dy metra lartësi,
ata që nuk gjenin bileta mund ta ndiqnin filmin edhe nga rruga, pasi ekrani i
madh ishte lart dhe të jepte mundësinë që ta shihje një pjesë të tij, në veçanti
kur binte errësira. Ndër filmat e kohës ishin ata italianë, “Më fal”, “Mbroje
dashurinë time”, “Burri me pantallona të shkurtra”, “Dëgjomi këngën time”,
“Mëshirë për atë që rrëzohet” me aktorët Antonela Lualdi, Amedeo Naxarri, Raf
Valone, ose “Pamje nga Ura” me Zhan Sarel, filmi hungarez “Lelaja dhe
Gabori” etj. Sapo kishte filluar shfaqja e filmave kinezë, por më të ndjekur ishin
ato me Steve Revees. Filmat të gjithë bardhezi ishin të kontrolluar dhe më parë
shfaqeshin në Tiranë, pastaj shpërndaheshin në qytetet të tjera. Por edhe trupa
e cirkut të Tiranës, në çdo fillim sezoni veror transferohej në Durrës te
“Breshka”, ngrinin çadrën e madhe dhe për tre muaj, artistë, humoristë ishin
banorë sistematikë të plazhit. Çdo mbrëmje kishte shfaqje për fëmijët, ndërsa
ditën grupi i madh i aktorëve, bashkë më familjet e tyre, shfrytëzonin detin.
Jetonin në çadra të vogla, ku flinin dhe gatuanin. Por edhe kafshët e cirkut
ishin personazhe ditorë të plazhit. Kjo vetëm në Durrës, pasi trupa nuk lëvizte
në asnjë plazh tjetër.
VIPAT, SPORTISTËT DHE FËMIJËT E BLLOKUT
Sportistët ishin VIPat e plazhit. Të gjithë mbanin sytë nga ata, sepse vishnin rroba të veçanta, që i sillnin nga jashtë, çka i bënte menjëherë të dallueshëm
nga të tjerët. Në fillim të korrikut aty derdheshin klubet, në veçanti “17
Nëntori”, kryesisht futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, që për 15 ditë
sistemoheshin në kabina, duke u trajtuar në restorantet e zonës, kryesisht te
“Breshka”, me kuponë në dorë. Nuk mungonin edhe ata durrsakë, ndërsa më
pak ata të “Partizanit” e “Dinamos”, pasi sportistët e tyre qëndronin në
Konvaleshencë, ndërtesa që ishin afër Plepave dhe, për të ardhur te “Breshka”,
u duhej të kalonin në këmbë zonën e “Bllokut”, nga ana e rrugës
automobilistike. Por, dëshirë për të qenë te “Breshka”, në xhiron e famshme,
kishin pa dyshim edhe djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë të “Bllokut”. Edhe pse
të “izoluar” në atë zonë, ku jetonin me familjet e tyre, ata ndienin mungesën e
një argëtimi në grup, që i shtynte të kalonin atë gardh të vogël ndarës tek
“Iliria”, dhe me hapa të shpejtë të nxitonin për te “Breshka”. Nuk mungonin as
në mbrëmje te pista. Natyrisht jo të gjithë, por më guximtarët.
RIVALITETI
Për nga afërsia, durrsakët ishin të parët, që hapnin sezonin e plazhit, por
sillnin edhe modën, falë edhe një dyqani me komision në Durrës, ku gjeje
veshje të sekuestruara të marinarëve. Pra, në një farë mënyre ishin “zotër” të
plazhit. Sidomos gjatë kësaj periudhe, parada kishte protagonistët e saj
sistematikë e shumë të njohur. Gara kush noton më mirë, ai që bën distancën
“TeutaIlira” me not në orët e para të mëngjesit, apo imitimi i divave të
Hollivudit, në veçanti i Steve Revees, u kthyen në mani për plazhistët. Një
mashkull me trup të bukur preferohej nga vajzat dhe ishte objekt i diskutimeve
ditore. Vajzat ishin më të rezervuara, të paktën deri në fillim të viteve ‘60, pasi
më vonë edhe ky raport ndryshoi. Sidoqoftë gjithçka në dy muaj, korrikgusht,
pasi më vonë si me thikë plazhi boshatisej dhe dukej një shkretëtirë e vërtetë.
Shtatori sillte tjetër atmosferë, fillonin shkollat, universitetet, të gjithë i
riktheheshin punës së përditshme, duke lënë pas një sezon veror me shumë
kujtime, në pritje të tjetrit.
“BRESHKA”, ÇFARË FUNDI
Për fundin që pati nuk i ngjau kafshës fisnike për jetëgjatësi, por edhe për atë
që shumë qytetërime e perandori e kanë konsideruar të shenjtë e të
paprekshme. Lavdia vazhdoi deri në fillim të viteve ‘70, kur pati edhe kulmin,
më pas ajo filloi të zbehej. Shumë pasione e ndaluan, u kufizuan, e bashkë me
to vetë ndërtesa filloi të humbiste interesimin, restoranti e pista përballë pësuan
rrënimin dhe askush nuk u kujdes më për të. Ndryshimet agresive pas viteve ‘90
e sulmuan edhe “Breshkën”, e cila nuk mundi t’i rezistojë ashpërisë njerëzore,
duke humbur në thellësinë e detit pa lënë asnjë gjurmë. Për çfarë shërbeu, për
kënaqësinë, vlerën, nostalgjinë, për gjithçka që mbarti në vite, nuk e meritonte
kurrsesi një fund të tillë.
Moda në plazh, rrobat e banjës dhe syzet nga jashtë
Por plazhi ishte edhe një vend ku demonstrohej moda e fundit. Jemi në vitet ‘60‘
70, kur efektet dhe ndikimet televizive për një jetesë ndryshe, dëshira për
diçka tjetër, në veçanti i rinisë, është në kulm. Në ata tre muaj, shqetësimi më i
madh ishte sigurimi i rrobave të banjës. Shumë pak kishte të ardhura nga
jashtë shtetit, pjesa tjetër qepeshin këtu. Si modele përdoreshin ato të ardhura,
pastaj gjendej copa dhe rrobaqepësi. Ky i fundit duhej profesionist dhe ata pak
të tillë njiheshin me gishta nga qejflinjtë, pasi një qepje e bukur kompletonte
strukturën fizike të djalit apo vajzës. Sidoqoftë, një palë rroba banje të ardhura
pa dyshim kishin tjetër preferencë, që edhe në këtë rast durrsakët, marinarët,
apo ato me prindër italianë ishin të parët që i demonstronin. Por edhe syzet e
diellit ishin të rëndësishme për një paraqitje tipike plazhiste. Sigurisht ato të
ardhurat bënin diferencën. Kishte raste kur një palë rroba banje apo një palë
syze merreshin borxh për një ditë apo një xhiro për të kaluar te “Breshka”.
Plazhet më popullore në Shqipëri, si u bë “Breshka” simbol
Kohët ndryshojnë, gjithçka i nënshtrohet sofistikimit, por në fund të fundit thelbi është po ai. Stina e verës e në veçanti plazhi është vendi ideal për të treguar se sa kile ke rënë në peshë, se sa i/e tonifikuar dhe palestruar je, se sa palë rroba banje ke blerë dhe sa të shtrenjta i ke… por kjo
nuk është modë e fundit. Kështu ka qenë gjithnjë, që kur plazhi fitoi
popullaritet në Shqipëri. Që kur frekuentohej nga familja mbretërore e
Zogollëve, e më tej në vitet e diktaturës, ku dëshira për argëtim dhe njohje të
reja e tejkalonte varfërinë dhe mungesën e infrastrukturës. Për gjithë brezat e
rinj, por edhe për nostalgjikët, vjen një speciale mbi marrëdhënien e
shqiptarëve me plazhin. Cilat kanë qenë plazhet e preferuara dhe si i bënin
shqiptarët pushimet para dhe pas viteve ‘40? Cili ishte njeriu që ideoi ndërtesën
dykatëshe në plazhin e Durrësit me emrin “Breshka”, e famshme për historitë e
dashurive të mëdha shqiptare? Nga “Banjat Mbretërore”, treni veror, turistët e
huaj, barkat me qira, ndeshjet, xhirot e famshme, moda, kinemaja verore,
kabinat, radha për ujin e pijshëm, deri te mbrëmjet dëfryese te pista e
“Hekurudhës”.
PLAZHI I DURRËSIT,FILLIMET
Në fillim të shekullit ‘20, zona e plazhit ka
qenë tokë bujqësore, madje rruga DurrësKavajë, pjesa Ura e Dajlanit–Plepa ishte me kalldrëm dhe
shërbente si vijë ndarëse e pjesës së plazhit dhe tokës bujqësore. Rreth viteve
’30, Mbreti Zog dhe Oborri Mbretëror ngarkoi Bashkinë e Durrësit me një grup
ndara në 300 parcela, me sipërfaqe 400500
m2 secila. Bashkia e Durrësit ua
shiste tregtarëve, që sipas planit urbanistik duhet të ndërtonin ndërtesa deri në
2 kate dhe të larguara detyrimisht 80 metra nga vija e ujit, me kushtin që
gjysmës së sipërfaqes t’i jepej përparësi gjelbërimit. Kjo zonë u quajt “Banjat e
Durrësit” dhe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore ishin ndërtuar rreth 80
vila, vlera e të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari. Në këtë periudhë
vetë Mbreti e familja e tij ishin admirues të detit, por edhe pronarët e vilave të
ndërtuara, tregtarët, si dhe familjet e mëdha e të njohura nga Tirana ishin
frekuentues të rregullt të plazhit, madje fotot e kohës e konfirmojnë këtë fakt.
Pas luftës, të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan e fillimisht u përdorën si shtëpi
pushimi për punëtorët, ndërsa më pas një pjesë e tyre u kthyen në vila pritjeje
për udhëheqësit e partive të huaja marksiste–leniniste dhe si shtëpi pushimi
për drejtues të lartë partie.
CILI ISHTE REXHEP BRESHKA
Një pjesë e rëndësishme, sidomos në aspektin nostalgjik për plazhin e
Durrësit, mbetet ndërtesa te Hekurudha, me emrin “Breshka”. Por, cili ishte ai
që e ndërtoi vilën dykatëshe më të famshme të plazheve shqiptare? Ndonëse
njihet si Rexhep Breshka, pak e dinë se emri i vërtetë i njeriut projektues është
Rexhep Çakrri. Dokumentet zyrtare të Gjendjes Civile të asaj periudhe
saktësojnë se i lindur në Durrës, në vitin 1989, ai është i dyti nga pesë fëmijët e
familjes së Hysejn Çakrrit të përbërë nga katër vëllezër e një motër. Ndonëse me
traditë në tregtinë e vogël, kryesisht të lëkurëve, copave dhe materialeve të
ndërtimit, Rexhep Çakrri figuron me profesion hotelier. Njeri i thjeshtë dhe shumë punëtor, me një vizion admirues për kohën, shumë shpejt do të nuhasë
se tregtia e breshkave me italianët do të ishte fitimprurëse. Nuk kishte gabuar,
madje prej tyre mori famë, u pasurua, investoi deri në ndërtimin e stabilimentit
të famshëm.
IDEJA PËR NDËRTIMIN E HOTELIT
Aktiviteti i tij i parë bamirës ka qenë ndërtimi i një zone përballë Hotel Vollgës në Durrës, për t’u
dhënë mundësinë qytetarëve durrsakë të bënin banjo plazhi. Ai e kufizoi zonën duke e
ndarë me dërrasa në dy pjesë, veç për burra e gra. Por, me ardhjen e një reparti
ushtarak italian në Durrës, që shërbeu edhe për miqësinë e vëllezërve Çakrri me
disa prej tyre, lind bashkëpunimi tregtar, por në veçanti ai i ndërtimit në zonën
e plazhit. Pasi morën me qira një truall toke rreth 500 m2, pak kohë më vonë
vëllezërit Çakrri, të detyruar nga Bashkia, e blenë atë. Bashkë me një italian,
rreth vitit 1932 ndërtuan një urë me dërrasa që futej disa metra në det, që do t’i
shërbente për transport tregtar me mjete të vogla lundruese, nga porti deri te kjo
zonë (Hekurudha), duke evituar rrugën automobilistike. Pastaj ideuan
ndërtimin e një ndërtese dykatëshe përballë kësaj ure, me funksion të dyfishtë:
Restorant kati i parë dhe hotel i dyti. Njëkohësisht, edhe ndërtimin e disa
kabinave të vogla prej dërrase në dy krahët e hotelit për veshjezhveshje
ditore të plazhistëve. Ndërtimi iu besua arkitektëve shqiptarë të kohës, ndërsa për
administrim, vëllezërit Çakrri si dhe ortaku italian ia besuan Rexhepit, pasi
ishin të angazhuar me të tjera punë. Hoteli nuk pati emër, por më pas ai filloi të
njihej si hoteli i Rexhepit, pastaj i Rexhepit të Breshkave, dhe përfundimisht
me kalimin e kohës “Hotel Breshka”. Për rrjedhojë, të gjithë familjes iu
tjetërsua mbiemri nga Çakrri në Breshka. Punimet për ndryshim apo investime
të vogla, kryesisht në mirëmbajtje, vazhduan edhe gjatë Luftës dhe kjo
infrastrukturë i qëndroi kohës deri kur shteti vendosi për t’i shtetëzuar. Pas
përfundimit të luftës, të dy ortakët u ndanë për të mos u takuar kurrë më, për
shkak të izolimit, por ajo që ngritën, ndërtesa me emrin “Breshka”, mori famë e
popullaritet, ndonëse ideatorët nuk jetonin më. Pati vetëm një tentativë pas
viteve ‘90, për t’u rilidhur, kur një anije me emrin “Bresha” ndaloi në Portin e
Durrësit dhe familjarët e italianit kërkuan të takohen me ato të Rexhep
Breshkës, pa mundur të realizohet.
TRASHËGIMTARËT
Pas përfundimit të luftës dhe ardhjes në fuqi të pushtetit popullor, ashtu si të
gjithë tregtarëve, edhe Rexhep ÇakrritBreshka iu konfiskua e gjithë pasuria,
ndër to edhe hotelpista, kabinat, që ndërtoi në atë zonë të plazhit. Ai vdiq në
vitin 1949, në moshën 60vjeçare, duke lënë pas vetëm gruan Nadire (19051993)
dhe tre fëmijët, Ramazanin ishboksier i Partizanit, Besnikun dhe
Sedeten (të tre jetojnë), si dhe një pasuri të madhe që u shërbeu brezave ndër
vite, por që familjarët nuk trashëguan asgjë, përveç famës së emrit që la. Edhe
sot familja e shumtë në numër e Çakrrit, në dokumentin apo pasaportat që
kanë, figurojnë zyrtarisht me mbiemrin popullor “Breshka”.
FREKUENTIMI I PLAZHIT
Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin pas viteve ‘50. Deri
në atë kohë i drejtoheshin plazhit të Currilave në veriperëndim të qytetit.
Pikërisht në këto vite, krahas shtetëzimit të vilave të tregtarëve, filluan të
ndërtohen komplekse hotelerie me arkitekturë të dukshme sovjetike, si Hotel
“Adriatik”, “Butrinti”, “Kruja” dhe “Durrësi”, si dhe shtëpitë e pushimit të
punëtorëve, apo të ristrukturohen Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme e
të ndërtohen ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, Kampi i Pionierëve. Jemi në vitet
kur plazhi i Durrësit kthehet në pikën verore më të rëndësishme për
intelektualë, sportistë, artistë, studentë e familjarë, të cilët kursimet e tyre
vjetore synonin t’i shpenzonin gjatë kësaj periudhe në plazhin më të
frekuentuar të vendit. Bregdeti jonian shfrytëzohej shumë pak dhe kishte një
numër të reduktuar pushuesish. Dhërmiu kishte një ndërtesë të vogël, që
shërbente si kamp pushimi, për të cilin jepeshin fleta kampi vetëm nga
Bashkimet Profesionale. Udhëtimi për në atë zonë ishte i vështirë dhe me
kushte minimale për pushuesit. Ndërkohë, frekuentoheshin më pak plazhet e
Shëngjinit, Patokut, Golemit, vlonjatët kishin plazhin e vjetër, ndërsa
sarandjotët atë në qytet. Ksamili nuk njihej si plazh, madje ishte zonë e
ndaluar. Pishinat nuk ekzistonin në ato vite.
SI PLANIFIKOHESHIN PUSHIMET
Leja dyjavore ishte e vetmja kohë pushimi për të gjithë shqiptarët në harkun e
një viti. Pëlqehej periudha korrikgusht, shumë më pak qershori apo shtatori.
Nga ndërmarrja jepeshin autorizime për një sistemim në dhoma me sipërfaqe
të vogla, me një komoditet minimal, me emrin “kabina”, prej dërrase apo tulle.
Por, kishte edhe fleta kampi nga Bashkimet Profesionale, kryesisht për
punonjës të dalluar dhe nga Organizata e Rinisë për të rinjtë revolucionarë. Në
vitet ‘80 u aplikuan edhe çadra për studentë e familjarë, të cilat u vendosën te
“Hekurudha”, në pjesën matanë rrugës, por edhe tek “Iliria”. Më të preferuara
ishin vilat e ndërtuara nga tregtarë, pasanikë gjatë kohës së Zogut, kryesisht në zonën e “Hekurudhës”. Transporti i familjeve për në plazh nga Tirana në
Durrës bëhej me prenotim me mjete tip “Zuk”, me të cilin udhëtonin katër apo
pesë familje. Të gjithë merrnin me vete mbulesa, enë deri te furnela e bidoni i
vajgurit, gjithçka që nevojitej për 15 ditë qëndrimi. Familjarët gatuanin vetë,
madje kishte radhë për ushqime, për vajguri apo për ujë të pijshëm, që merrej
me bidonë plastikë, të cilët vendoseshin në radhë për të pritur të mbusheshin në
një çezmë të vetme. Edhe vajtja për nevoja personale në banjat publike ishte një
tjetër proces aspak komod. Kur zbardhte dita, nga ato kabina të vogla do të
shihje të dilnin njëri pas tjetrit njerëz, apo familjarë të shumtë në numër, çka
tregonte se në një hapësirë të vogël kishin fjetur jo pak persona. Po kështu edhe
në çadra, shpeshherë qëndrimi ishte tejet i populluar.
UDHËTIMI I TIRANASVE: LOKOMOTIVA ME QYMYR
Treni nga Tirana në Durrës ka qenë mjeti i preferuar dhe modern për sezonin
tremujor të plazhit, në veçanti pas ndërtimit të hekurudhës Tiranë–Durrës
1949. Deri në vitin 1974 nisja nga Tirana bëhej nga stacioni i vjetër i trenit, që
ndodhej rreth 500 metra në thellësi të rrugës paralele me stacionin që është
sot. Bileta kushtonte 45 lekë copa, kur ishte me prenotim 70 lekë vajtjeardhje.
Edhe në Durrës stacioni ishte ai i viteve ‘50 (aktualisht ka mbetur ndërtesa në
gjendje të mirë), më pas u ndërtua i ri. Treni i viteve ‘50‘
60 ishte ai me vagonë të vegjël dhe me lokomotivë me qymyr. Në vitin 1954 filloi treni me lokomotivë
nafte, vagonë të gjatë të ardhur nga Çekosllovakia për pasagjerë, ndërsa ai me
qymyr kaloi për mallrat. Nisur nga fluksi i madh, pas viteve ‘60 lindi nevoja që
nga Tirana të nisej një tren tjetër, duke përdorur atë veror. Për shumë vite nisej
vetëm të dielën në orën 6:00 të mëngjesit e kthehej në darkë. Ndalonte vetëm në
Vorë, Sukth e Shkozet. Ishte i preferuar pasi udhëtoje në fresk, ecte me një
shpejtësi 40-50 km, krejtësisht i hapur, si ata të filmave “Cowboy”. Mbeturinat
e qymyrit shpeshherë bënin pis udhëtuesit, prandaj qëndrimi me kurriz nga
lokomotiva ishte më komod. Gjithmonë ishte mbi kapacitetin e tij dhe shumë
udhëtues gjatë gjithë kohës qëndronin në këmbë. Ndërkohë, ai veror DurrësPlazhGolem
funksiononte çdo ditë, çdo një orë. Funksionoi deri në mesvitet
‘60’ 70, pastaj treni veror u hoq nga qarkullimi.
NGA SHKOZETI, DREJT HEKURUDHËS, TË GJITHË NË KËMBË
Ishte një ndër momentet më kulmore të postmbërritjes dhe fillimit të ditës
intensive të plazhit. Sapo treni ndalonte në stacionin e Shkozetit, si një lumë
turma derdhej fillimisht në rrugën e ngushtë e të gjatë 100 metra, që e lidhte
stacionin me rrugën kryesore të plazhit, pastaj kthehej majtas në rrugën e dytë,
përbri asaj automobilistike drejt plazhit. Në vitet e para qendra e ndalesës ishte
vetëm “Hekurudha”, ku përqendrohej pjesa më e madhe e plazhistëve. Pastaj
vijonte zona e quajtur “Iliria”. “Teuta” dhe “Apolonia” ishin dy zonat e reja, që u
ndërtuan vite më vonë, me të cilat fillonte plazhi. Gjatësia nga “Teuta” deri tek
“Iliria” ishte rreth 1.2 km, një largësi që përcaktohej nga shtyllat e ndriçimit me
llamba neoni, të cilat kishin një distancë nga njëratjetra
prej 100 metrash.
Shkëmbi i Kavajës njihej si emër gjeografik, ishte zonë e mbuluar me pisha dhe
as që bëhej fjalë për plazh. Vetëm Golemi, pesë km pas Shkozetit, ku treni
ndalonte, ishte një zonë plazhi, por jo e preferuar, e pazhvilluar dhe me pak
pushues.
TE BRESHKA
“Te Breshka, apo takohemi te Breshka”, ishte shprehja klasike e viteve të
famshme, kur ndërtesa dykatëshe ishte në kulmin e saj për të gjithë, por
kryesisht për durrsakë e tiranas. Një arsye ishte afërsia me stacionin e trenit,
një tjetër se ishte i vetmi restorantbar
në atë kohë në atë zonë. Nga deti me
lehtësi hyje në restorant, apo në bar për një gotë birrë në këmbë apo ulur, aty ku
lejohej me rroba banje. Përballë kishte edhe një pistërestorant ditën e natën
bashkë me një orkestër argëtuese, por edhe një urë e vogël dërrase dhe një
kabinë, ku jepeshin varka me qira. “Breshka” ndodhej edhe afër Hotel
“Adriatikut”, aty ku vinin e qëndronin turistët dhe komunikimi me ta ishte një
tjetër dëshirë për plazhistët. Në fillim, hoteli është përdorur për të huajt. Deri në
vitin 1950 në katin e dytë të saj, në ato 78
dhoma janë sistemuar teknikë e
specialistë rusë të ardhur për hapjen e tunelit të Shkozetit. Kabinat prej dërrase
ditore të ndërtuara nga Rexhep Breshka u ruajtën dhe u përdorën për disa vite,
por të amortizuara u zëvendësuan apo u ribënë me tulla duke i ndryshuar
destinacionin: nga ditore u transformuan në dyjavore për familje. Në krahun
jugor, Hoteli i Breshkës kufizohej nga një byrektore, si dhe Hotel “Adriatiku”,
ndërsa mbrapa me hotelet “Butrinti” e “Kruja”. Në anën veriore, përbri kishte
një pastiçeri me akullore. Me shtetëzimin e ndërtesës, restoranti i kaloi
ndërmarrjes NTUS, ndërsa dhomat në katin e dytë nuk shërbenin më për hotel,
por jepeshin si dhoma plazhi për zyrtarë, njerëz e personalitete të njohura të
kohës.
UVIL ZAJMi
Nessun commento:
Posta un commento