NGA AFRIM KRASNIQI - 26 MARS 2013 02:50
Në prag të fushatës së re elektorale qeveria ka shpallur zyrtarisht turizmin si prioritet kryesor dhe burim themelor për të ardhurat e ekonomisë dhe punësimin e mbi 160 mijë personave. Premtimi nuk
është pjesë e ndonjë dokumenti të shkruar dhe as programi electoral, por siç ndodh rëndom, pjesë e retorikës politike të ditës. Shqipëria ka ministri turizmi, ka agjensi kombëtare, ka spote televizive në mediat ndërkombëtare, ka të pakten tre kabinete qeveritare që mbajnë shtyllë programore investimet dhe të ardhurat turistike. Pozita gjeografike, dhuratat e natyrës, bashkëjetesa midis bregdetit dhe
pjesës malore, etj, krijojnë shanse reale për një turizëm cilësor, elitar dhe fitimprurës.
Gjithsesi, si në çdo fushë tjetër, edhe në çështjet e turizmit ka një diferencë të madhe midis asaj që
premtohet dhe asaj që realizohet. Nuk ka nevojë per analiza statistikore dhe as projekte monitoriese për të nxjerrë në pah këtë kontrast, dhe bashkë me të, fiktivitetin e premtimit për Shqipëri turistike dhe 160 mijë vende të reja pune. Mjafton detajet e një dite normale dhe të dhënat me të cilat perballen një e treta e shtetasve shqiptarë çdo ditë ose javë.
Pikërisht në orët kur kryeministri drekonte me disa axhensi turistike dhe fliste për sukseset historike në
fushën e turizmit, unë isha duke udhëtuar nga Lezha në Vlorë. I pari, qyteti i kalasë ku ndodhet edhe
simboli i Besëlidhjes dhe varri i Skënderbeut, i dyti qyteti me i madh turistik bregdetar në vend. Në Lezhë është ditë fati, pasi nuk ka rreshje shiu, nga ato që gjithnjë e më shpesh përmbysin gjithë qytetin. Sapo del nga qyteti dhe nisesh drejt Tiranës të duket se po kalon ndonje test të sporteve ekstreme; rrugë që ndryshojne çdo 23 km, diku të prishura, diku në ndërtim, diku autostradë, diku me një kalim dhe diku me disa korsi, diku me zhavorr dhe diku me asfalt.
Simboli i absurdit të kësaj rruge është pika e takimit të Rrugës së Kombit me autostraden me Tiranën. Një rreth betonash pa lidhje, plot gropa dhe pamundësi lëvizjeje, e krijuar në mënyrë të tillë për të pamundësuar kalimin normal, dhe për t’u kujtuar qytetarëve se "insfrastruktura moderne" bashkëjeton me modele mesjetare komunikimi. Siç janë bagëtitë që shfaqen hera herës, siç janë kanalet e thella që devijojnë kalimin e makinave nga një rrugë në tjetrën, siç janë shitësit ambulantë në rrugë apo ata që vrapojnë për të kaluar mbi ndarëset e rrugës. Rruga nuk ka mbrojtëse të jashtme, nuk ka tabela që lajmërojnë punime, apo devijim, shkurtim rruge, apo ndryshim të gjendjes së saj, madje as rregulla për ndryshim e kufizim shpejtësie.
Pasi kalon pjesën më të madhe të rrugës përballesh me një mbikalim jashtë çdo standardi rrugor dhe
komunikues në Fushë Krujë, rrugë e prishur, stacion furgonash mbi urë, kamionë të mëdhenj që lëvizin
jashtë çdo orari të lejuar si dhe mungesë e plotë të tabelave orientuese. Ata që duan të vijnë në Tiranë u bë kohë që devijojnë në drejtim të Rinasit, ata që nuk e dinë këtë, ndeshen me aventura të reja në gjithë pjesën e mbetur, sidomos në kryeqendren politike të qeverisë, në Kamëz. Aty nuk ka rrugë as rregulla, tabela dhe as policë qarkullimi, por nuk mungojnë pankarta të mëdha me foton dhe emrin e kryeministrit krah një personi që duhet të jetë kryebashkiaku i rradhës.
Në rrugën tjetër problemet rishfaqen sapo arrin në Vorë, ku ka rrëshqitje të rrugës dhe në rast shiu,përmbytje të saj. Deri në Durrës harrohen problemet, por kalimtari në drejtim të jugut është i detyruar të kalojë nëpër qytet, jo nga unaza e jashtme, e cila i ngjan më shumë një rruge lufte në Bosnjë sesa një rruge nacionale në portin më të madh detar në vend. Shansi më i mirë është të përshkruash 45 km për 2030 minuta dhe pa dëmtim të makinës. Në Golem kalimtarët bien në qetësi, sidomos në periudhen joturistike.
Por sapo kalon atë, nis aventura e Kavajës, e njëjtë si e Lezhës, rrugë të papërfunduara, pa tabela, në faza të ndryshme punimi, plot gropa dhe kanale bllokuese dhe kudo, si në cdo rruge kombëtare në mbarë vendin, kanale të reja të krijuara nga ndërhyrjet e një biznesi afër qeverisë për shtrimin e rrjetit kabllor.
Rruga e Kavajës nis me 100 km dhe në pak km përfundon me shpejtësi 2030
km për shkak të gjendjes së rrugës. Aventura e Kavajës duket se mbyllet në ndarjen e Rrogozhinës, me kusht që të marrësh drejtimin e Lushnjes, jo të Elbasanit ku gjendja e rrugës kombëtare në 57
km e parë është katastrofike. Në pjesën lushnjare të rrugës ka vetëm një defekt thelbësor, dy rrethrrotullime pa paralajmerim, pa tabela dhe burim i rregullt aksidentesh, sidomos natën.
Pas Lushnjes vjen rruga e re, me disa kryqëzime anësore pa mbrojtje dhe paralajmërim, të hapura për
fshatrat përreth. Kulmi është kryqëzimi i Ardenicës, i vetmi vend në botë ku një autostradë vihet në
funksion të një lokali anësor, ku çdo automjet detyrohet të kalojë nga ky lokal para se të vijojë rrugën e tij. Deri në hyrje të Fierit duket se investimi është seriz, por atëherë kur turistët marrin frymë ndeshen me një situatë të jashtëzakonshme rruge nga Fieri deri ne Seman. Janë pak km, por që bëhen për gati 3040 min për shkak të mungesës të çdo cilësie dhe standardi për një rrugë nacionale. Nuk shihet asnjë punëtor, askush nuk ndërhyn, ndërkohë që rruga prishet çdo ditë e më shumë, siç kalimtarët paguajnë demtime ne mjete e kohë gjithnjë e më shumë. Dhe është e vetmja rrugë që të çon në Vlorën turistike, në Rivierën shqiptare!
Pasi kalon Semanin kushdo ndjen një çlirim të madh, i cili zgjat deri në hyrje të qytetit të Vlorës, aty do të duhej të kishte kushte optimale, por ku realisht mungon gjithçka që mund të konsiderohet rrugë e një qyteti turistik. I tillë është bulevardi kryesor, e tillë, e papërfunduar, pa tabela, pa sistem dhe pa dalje funksionaleështë edhe rruga e quajtur Transballkanike, e cila u inagurua të paktën 5 herën në katër fushatat e fundit elektorale. Sheshi i qytetit të Pavaresisë është bllokuar si kudo në vendin e shqiponjave, për një hotel shumëkatësh që herë ndërtohet e herë prishet për t’u rindërtuar i ri. E njëjta dukuri përsëritet edhe në sheshet e tjera dytësore të qytetit, tek xhamia apo tek pallati i sportit, tek universiteti e së fundi edhe tek fundi i bulevardit,aty ku do të duhej frymëmarrje më e madhe për qytetin, pikërisht aty ka nisur një projekt i ri betonues. Një simbol që paralajmëron se çfarë të pret në gjithë gjatësinë e bregut të detit deri në Radhimë, beton, beton, beton pa kursim, pa projekt, pa stanard, pa rrugë, gjelbërim, pa rrjet komunikimi.
Kush dëshiron të shkojë në Kalanë e Kaninës, simbol për një qytet të vjetër, pendohet në km e parë, kur rruga skandaloze të paralajmëron për kostot e mëdha.
Mjafton ky internar turistik, i cili sipas qeverisë ka sjellë 4,5 milion turistë për të kuptuar sesa fiktive janë shifrat dhe se cila është ndjesia e turistëve dhe oferta reale e udhëtimit dhe pushimeve të tyre. Qyteti dhe rruga që priti 1 milion shqiptarë me 28 nëntor nuk ngjason në asgjë me një paketë turistike, apo krenarie kombëtare. Ngjan me një model zhvillimi në kohë lufte, ose pas saj, në një situatë gati pa shtet ku secili bën çfarë dëshiron dhe ku biznesi me lidhje pushteti mund të ndërtojë dhe të bëjë çfarë të dojë me hapësirat dhe pronat publike. Dhe bëhet fjalë për një nga qytetet më të mira, i pakrahasueshëm me qytetin beton të Sarandës, ultësirën e përmbytur rregullisht në plazhet e Shkodrës apo plazhin jashtë standardeve shëndetësore të Durrësit.
Përgjatë një dite udhëtim nuk u pa asnjë punëtor apo manikeri që punon, edhe pse të gjitha segmentet e përmendura kanë tejkaluar afatet ligjore të kontratës për riparimin ose ndërtimin e tyre. Kur pyet për këtë paradoks ka vetëm një përgjigje: nuk ka fond, shumica e punimeve janë bërë me buxhetin privat të firmave dhe shpresa e vetme mbetet "asfalti elektoral"një shtresë e hollë që hidhet gjatë muajit elektoral në shkëmbim të votave dhe zhduket me shiun e parë!
Nga ana tjetër ata që janë më optimistë, sidomos kryeministri, ministrat apo rrethet e tyre politike, të cilët udhëtojnë me helikopter, makina zyrtare apo mjete detare, e kanë të gatshme përgjigjen: kemi bërë mijëra km rrugë. Edhe po të jetë e vërtetë çdo cm rruge duhet, edhe tuneli për Elbasan duhet,edhe rruga e Kombit duhet, por ajo që duhet më shumë është një projekt kombëtar zhvillimi që çon paranë publike aty ku ka objektiva madhorë, që harmonizon prioritetet kombëtare me kapacitete për financime. Gjë që mungon dhe askush nuk ka ndërmend ta bëjë. Ajo çfarë politika ka ofruar janë legalizimet periodike të ndërtimeve pa leje në zona bregdetare, jo si banesa mbijetese, por si biznese fitimprurese; përdorimi i fondeve publike si buxhete preferenciale për biznese afër pushtetit, apo projekte të vogla të lidhura me to; konsensusi i midis palëve politike për të ndarë mes tyre leje ndërtimi në zona turistike, apo mashtrimi periodik në çdo fushatë, apo përvjetor për investime e prioritete turistike, punësimi apo zhvillimi në interes madhor kombëtar.
Mjafton të kujtojmë se vetëm në pjesën e munguar që lidh Fierin me Vlorën janë dhënë milirada lekë nga buxheti i shtetit, apo kredi të huaja, parlamenti ka ndërhyrë për të dyfishuar faturën, politika përfshirë kryeministrin e ka përuruar këtë rrugë 6 herë në 5 vitet e fundit, për të kuptuar se nuk janë gabime, as harresa, as pengesa burokratike, as probleme teknike, por janë veprime korruptive, abuzuese, me sfond politik dhe elektoral, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Prokuroria hesht, siç hesht KKRT për pallatin luksoz mbi ujin e ftohtë, siç heshtin organet mbikqyrëse për standardet e dukshme të munguara të rrugëve kombëtare, ku përveç miliona eurove kanë humbur jetën edhe dhjetëra qytetarë.
Dhe më e trishtueshme është fakti se banorët e këtyre zonave, të keqpërdorur nga politika, vijojnë të
keqpërdoren, të mos reagojnë, të mos kërkojnë shërbimet për të cilat kanë paguar dy ose shumëfish. Ka humbur sensi i reagimit civil, i ndjesisë për interesat publike, i bashkësisë, i llogaridhënies, ndërkohë që pjesa aktive e qytetarëve vijon të shtrëngojë rradhët militante për fushatën e rradhës, ku përsëri do të premtohet rruga imagjinare, përsëri do të gjendet ndonjë i huaj që në shkëmbim të ca eurove do të thur për sistemin rrugor shqiptar "më të mirë se "Norvegjia", përsëri do të flitet për turizmin e punësimin,do të priten shirita të rinj dhe përsëri askush nuk do të ketë një plan konkret, real dhe profesional për zgjidhjen e këtij skandali të madh me prioritetet, nevojat dhe pritshmëritë publike. Një lojë demode, virtuale, pa sens dhe pa produkt, siç është vetë politika shqiptare e tranzicionit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja .com (print) 26.03.2013
Redaskia Onlone
(b.m/shqiptarja.com)
Nessun commento:
Posta un commento