19 marzo 2013

Ja se cfare ndodhi te dielen ne Citi Park-Tirane ..... zhurm-zhurm shum adrenalin

më 17.03.2013 | 14:48
  • Makinat Go-kart bëjnë pjesë në kategorinë e makinave të Formula 1, por janë më të vogla dhe nuk kanë shpejtësi aq të madhe
  • Sot në orën 11.00 nis aktiviteti, i ftuar motoristi finlandez Matti Natrin dhe çunat e “Harley Davidson Group” 

-Genci e ka bërë gati motorin e tij, po ashtu edhe dhjetëra të pasionuar që sot i japin gaz dhe nisin garën e parë për këtë vit. Bëhet fjalë për një aktivitet të MotoCross që këtë të diel në orën 11.00 starton duke mbledhur të gjithë qejflinjtë pas këtij mjeti. Ne kemi takuar një nga organizatorët e këtij aktiviteti. Genci Nazifi është ai që po i jep dorën e fundit përgatitjeve. Ai tregon se aktivitete të tilla kanë filluar t’i organizojnë në mënyrë periodike që përpara dy viteve në pistën e MotoCross-it. Kjo pistë ndodhet në fshatin Surrel, në komunën e Dajtit. Këtë herë, që është gara e parë për këtë vit, numri i garuesve që do të marrin pjesë nuk do të jetë më shumë se 20 motoristë. Mosha e tyre është e larmishme. Varion nga 18 e deri në 40 vjeç. I ftuari i nderit me këtë rast është një mik i këtyre garave. Ai do të jetë pjesëmarrës në këtë garë dhe ka ardhur enkas për këtë aktivitet nga Finlanda. Emri i tij është Matti Natrin. “Ai është 56 vjeç dhe vazhdon të garojë jo vetëm në garat tona, por edhe në garat që zhvillohen në vendin ku jeton ai. Madje edhe në një tjetër specifikë, në gara me akull”, tregon Genci. 
Vështirësitë 
Ka disa gjëra të bukura që të japin kënaqësi kur janë të vështirë për t’u kryer. Edhe ky aktivitet këtë gjë ka. Është i vështirë, por adrenalina që të fal është e papaguar. “Ato “peripeci” që do të kaloj garuesi, i japin atij kënaqësi”, shprehet Genci në shpjegimin e tij për detajet e aktivitetit të ditës së sotme. Motorët garues janë të kategorive të ndryshme. Po ashtu edhe gara është e ndarë sipas kategorive të motorëve pjesëmarrës. Kategoria e parë është fillon nga 125 kubik dy kohësh deri në 250 kubik. Kategoria tjetër është 250 deri në 520 kubik, katër kohësh. Dhe mjetet garuese janë të llojit MotoCross. Janë motorë enkas për gara. Ata do të kalojnë në terrene të vështira me hedhje, me baltë, me gurë... Genci tregon se, në garat e SuperMotos, këto motorë modifikohen për gara me asfalt, duke filluar që nga gomat, frenat, amortizatorët. Por motoristët tanë nuk kanë garuar vetëm brenda për brenda Shqipërisë. Ata kanë përjetuar adrenalinë edhe në një tokë tjetër siç është, Kosova dhe Maqedonia. Një nga ata është Denis Kallaku i cili ka marrë pjesë në garat në Kosovë dhe ka përfaqësuar denjësisht “Moto- Cross Tirana”. Ndërsa Petrit Gjergji ishte emri që na përfaqësoi në garat e kampionatit për Europën Lindore 2012 në Maqedoni 
Rrugët 
Genci i konsideron rrugët e Shqipërisë shumë të vështirë për të udhëtuar me motor. Kjo për një arsye të vetme, pasi për të ka shumë drejtues mjetesh të papërgjegjshëm. Kjo të rrezikon jetën herë pas here. Por këtu nuk lë pa theksuar edhe faktin që po ashtu ka edhe motorist të papërgjegjshëm që i japin motorit pa atë që është më kryesorja, skafandër. Për këtë arsye, ai kërkon ndërgjegjësim dhe mirëkuptim nga drejtuesit e makinave. “Ky për ne është pasion, pasion që nëse ne nuk e ushtrojmë, vdes”, shprehet ai. “Organizimi i garave këtë qëllim ka, ti mbledhë të gjithë bashkë, për të ndarë mes tyre, pasionin për shpejtësinë, dhe adrenalinën që të fal vetëm mjeti i motorit”, vazhdo Genci në përpjekje për të na shpjeguar pasionin që i ka mbledhur aty. Vetë Genci është një prej tyre. Jeta e tij nuk mund të konceptohet pa motorin dhe pa makinat katër herë katër. Udhëtimin më të gjatë që ka ndërmarr ndonjëherë është ai Shqipëri-Itali-Slloveni-Kroaci- Mal i Zi – Shqipëri. Një rrugë e gjatë e përshkruar mbi një mjet me dy rrota, por ai sot e kujton si një nga më të bukurit që ka bërë ndonjëherë. Ka kaluar katër shtete. Premton që ky nuk do të jetë udhëtimi i fundit i këtyre përmasave. Harta e tij do të zgjerohet me udhëtime të tjera edhe më të gjata. 
Sfida 
Dhe fituesi është... ai që ecën më ngadalë 
Dëshira e madhe që kanë për këtë sport do t’i bashkojë të gjithë sot, brenda një piste 900 metra të gjatë, në afërsi të Kasharit, prapa City Park. Kjo garë është për të afruar sa më shumë të apasionuarit pas motorëve, të cilët adrenalinën e tyre që kanë për këtë lloj mjeti ta shprehin në gara të sigurta dhe jo në rrugë, ku rreziku është i lartë. “Moto- Cross Tirana”, apelon që dashurinë për motorin mos ta shfaqin në rrugët e qytetit, por në pista të caktuara. Duhet ecur gjithmonë brenda rregullave dhe të mos harrohet asnjëherë skafandra mbrojtëse për të gjithë ata që drejtojnë një motor. Të ftuarit specialë të kësaj gare janë “Harley Davidson Group” me garën e tyre në “Easy Rider”. Dhe e veçanta e kësaj gare është se këtë herë fitues do të shpallet ai që ecën më ngadalë me motorin e tij dhe që nuk i prekin këmbët në tokë. 
Një fundjavë si në Formula 1  

Luela Myftari 
-Është e diel. Një nga alternativat më të mira që kryeqytetasit kanë filluar të zgjedhin janë edhe xhirot me makina Go-Karti. Njëlloj si të gjitha makinat e tjera edhe këto kanë katër rrota. Shumica e tyre janë njëvendëshe dhe përdoren për gara të vogla. Për të gjithë ata që kanë frikë ta ngasin një makinë Go-Karti vetëm sepse mendojnë se një xhiro e tillë është e rrezikshme, në Tiranë mund të gjenden edhe makina dyvendëshe. Ndodhet në periferi të Tiranës, në një vend të veçuar në mënyrë që zhurmat e këtyre makinave të mos shqetësojnë askënd. Është ajo zhurmë që të jep në xhiron tënde një lloj adrenaline që nuk e gjen në çfarëdolloj makine tjetër. Është, në një farë mënyre, një lloj sporti, ku nuk skalit vetëm mendjen për t’u treguar të kujdesshëm ndaj kthesave të shumta në një pistë rreth 600 metra, por edhe trupin. Kohët e fundit këtë aktivitet në Tiranë kanë filluar ta aplikojnë jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët e tyre. “Shumë prindër të cilët i kanë provuar vetë këto lloj minigarash, kanë sjellë edhe fëmijët e tyre”, kështu na thotë Armand Zaçe, administratori i kartodromit të vetëm që ndodhet në Shqipëri. Ai na tregon se me fëmijët duhet të tregohesh shumë i kujdesshëm. Atyre duhet t’u shpjegosh me detaje çdo kthesë. Ai ka vendosur që këtë muaj të nisë një kurs për fëmijët që nuk duan të strëvisin vetëm gishtat në Play Station duke bërë gara, por të skalisin gjithë trupin në këto minigara në pista të vërteta dhe me makina të vërteta. Ka edhe fëmijë 8-vjeçarë që tregojnë interes për këto xhiro. Ata madje dëshirojnë që edhe për ta të organizohet një garë, një konkurs në të cilin edhe ata mund të marrin kupa, njëlloj si të rriturit. Ai na tregon se për herë të parë ka dëgjuar të flitet për Go-Kart në vitin 1996 dhe jo në Shqipëri, por jashtë saj. Ai ka dy vjet që administron një kartodrom. Zotëron rreth njëzet makina, por ka ndër mend të sjellë edhe të tjera në Shqipëri. Pistën e garimit e ka projektuar një arkitekt italian. Edhe trajektoren e kësaj piste, ai e ka menduar. Makinat nuk i ka marrë të gjitha njëherësh, por të gjitha i ka sjellë nga Italia. Në përgjithësi, xhirot shkojnë 10 minuta. Pas këtyre dhjetë minutave çdokush mund ta ndiejë veten disi të lodhur. Në Tiranë mund të gjesh rreth 20 makina. “Jo të gjitha janë për të rritur dhe jo të gjitha kanë të njëjtën shpejtësi maksimale”, thotë Mandi, duke na shpjeguar më pas se ka makina njëvendëshe dhe dyvendëshe, për të rritur dhe për të vegjël, me një motor dhe me dy. Na tregon se rregullat janë të njëjta për gjithkënd. Askush nuk mund të hyjë në makinë pa pasur kokoren, dorezat dhe kostumin sportiv. “Aty nuk mund të vish me shapka, dhe as me fustan”, tregon ai dhe qesh, duke sjellë ndër mend se ka pasur edhe të tilla raste. Mund të jenë të rrezikshme? Po, por Armandi nuk lejon askënd që të presë biletën pa lexuar rregulloren. Dhe ndërkohë që dikush është duke vendosur kokoren dhe dorezat ai kujdeset që të të bëjë gjithnjë pyetje. Dëshiron të sigurohet për shëndetin e çdokujt dhe për të mirën e makinave të tij. “Nuk mund të vish për të bërë xhiro dhe t’ia nxjerrësh mllefin e mbledhur gjatë ditës, makinës. Edhe vetë do të tronditesh, edhe makinës sime nuk do t’i bësh mirë”. Kështu i thotë Mandi, shumicës së atyre që kanë shkuar aty për t’u treguar trima. Asgjë nuk ndryshon në fakt, e shumta do të përplaseni tek gomat që ndodhen nëpër pistë. Të duket sikur je duke ngarë një nga ato makinat që sheh tek Formula 1. Në fakt, këto makina i përkasin së njëjtës kategori sportive, asaj të Formula 1. Çdokush që ka qenë dhe është pilot i makinave të shpejta tek Formula 1, ka qenë i detyruar t’i marrë mësimet e para në disiplinën Go-Kart. Adrenalina vjen kryesisht nga të qenit shumë pranë me tokën. Makina transmeton një lloj dridhjeje që mund ta gjesh vetëm në garat e Rrally-t. Edhe zhurma që këto makina bëjnë në pistë kur frenojmë apo kur shkelin pedalin e gazit janë tërheqëse, aq tërheqëse sa pas dhjetë minutash, je i bindur se do të kthehesh sërish për të bërë xhiro me makinat Go-Kart.  
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=18865&kat=104 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate