07 marzo 2013

Ardian Isufi: Një memorial për izolimin komunist, me Lubonjën

TIRANE-06 Mars 2013 - 14:01
Nga: FATMIRA NIKOLLI
Një bunker, një pjesë e Murit të Berlinit dhe shtyllat e Spaçit do jenë në hyrje të ish-Bllokut. Ato i takojnë një memoriali të veçantë të persekutimit komunist që po zë vend në të hyrë të zonës së "ndaluar" nën komunizëm. Ideatorë e realizues të këtij projekti janë Fatos Lubonja e Ardian Isufi. 

Ata kanë bashkuar në një instalacion tri objekte të ngarkuara me simbolika lokale dhe universale. "Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tria objektet janë autentike dhe vijnë në formë 'artifakt', çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe", - shpjegon Isufi. Sipas tij, ndërhyrja artistike do të realizohet në një hapësirë urbane historike (site specifik) në hyrje të Bllokut; pra pikërisht në vendin ku bunkeri është instaluar qysh në kohën e diktaturës, do të ndërtohet memoriali, si një metaforë e "arkeologjisë" së vuajtjes dhe dhimbjes. "Muri i Berlinit është një copë e murit, dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit. Ndërkaq, shtyllat e galerisë janë marrë nga miniera e kampit famëkeq të Spaçit", - sqaron Isufi. 

Simbolika 
Muri i Berlinit: i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, luftën e ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij, shembjen më në fund të tij", - sqaron Isufi, duke cituar në fakt projekt-idenë e hershme. 

Ndërsa bunkeri, vjen me një simbolikë veçanërisht shqiptare, që evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t'i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. 

"Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish-të burgosurit", - shton Isufi. Këto shtylla synojnë të evokojnë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të Popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anekënd. 

Synimi 
Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë - rruga apo trotuari - instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tri objektet. "Vizitori a turisti mund të hyjë brenda bunkerit dhe të rrugëtojë nën dhe nëpër shtyllat e galerisë së Spaçit, duke u kthyer me imagjinatë në atë kohë për të evokuar kohën e diktaturës komuniste, me mungesën e lirisë, vuajtjen, izolimin, persekutimin që e ka karakterizuar". 

Në të majtë të instalacionit po ngrihen shtyllat e galerisë, të marra nga miniera e kampit famëkeq të Spaçit. Muri i Berlinit, dhuratë e Bashkisë së Berlinit bërë Bashkisë së Tiranës, do të vendoset në krahun e djathtë të memorialit. Ky memorial pritet të jetë gati në mes të muajit mars.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate