16 marzo 2013

CNN na "terheq veshin" kritikon sloganin për turizmin, Bumçi e ndryshon

TIRANE-16 Mars 2013 - 09:43
NGA: FATMIRA NIKOLLI
Disa ditë pasi kanali televiziv prestigjioz amerikan CNN e cilësoi si një ndër sloganet më të këqija për turizmin 'Albania, A New Mediterranean Love', Ministria e Turizmit dhe e Kulturës e 'ndryshon' atë. Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit që u mbajt në Berlin, Shqipëria u prezantua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, nën logon: "Albania, Europe's Last Secret" (Shqipëria, Sekreti i Fundit i Europës). Delegacioni shqiptar në këtë event, drejtohej nga ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i shoqëruar prej drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Brikena Arapaj. 

Askush nga MTKRS-ja, nuk ka reaguar pas kritikës serioze që CNN i bën fushatës publicitare të Shqipërisë në prag të sezonit turistik. E megjithatë, duket se ajo e ka bërë efektin. Prezantimi i vendit tonë me një logo të "re", në një panair të rëndësishëm si ai i Berlinit, ku marrin pjesë 188 vende të botës dhe 10086 ekspozues, nuk është pak. Mbi të gjitha, sipas njoftimit për mediat të vetë zyrës së shtypit të MTKRS-së, delegacioni ynë ka marrë pjesë në një takim me temë: "Kuptimi mbi standardin dhe cilësitë menaxhuese në sektorin e turizmit të Europës Juglindore, në fokus Shqipëria". 

Por çfarë është në fakt, logoja "Albania, Europe's Last Secret"? As më shumë e as më pak, se pjesë e strategjisë për turizmin në vitin 2003, kohë në të cilën qeveria ishte e opozitës së sotme, pra e Partisë Socialiste. Atëkohë, strategjia qe realizuar në bashkëpunim me agjencinë gjermane GTZ (German Agency for Technical Cooperation). Në faqen e parë të kësaj strategjie, ku bëhet prezantimi i saj, dy janë fjalitë që bien në sy: "Albania - Europe's last secret!" dhe "Albania - Yours to discover!". 

Strategjia atëbotë, parashihej që të mbulonte një periudhë afatgjatë, deri në vitin 2012, në mënyrë që të arriheshin rezultate konkrete. Në fakt, pritej që vitin e kaluar objektivat makro-ekonomikë që do të ishin realizuar në sektorin e turizmit të ishin: krijim i vendeve të reja të punës dhe sigurim të ardhurash; të arrihej zhvillim ekonomik dhe social në të gjithë vendin; të përmirësoheshin kushtet e jetesës në Shqipëri; të krijohej një imazh pozitiv i vendit në rang ndërkombëtar si një destinacion turistik dhe të zhvillohej një turizëm i qëndrueshëm dhe në paqe me ambientin... Sot, 10 vite më vonë, jemi në të njëjtën pikë, kemi sërish të njëjtët objektiva. 

Përveç strategjisë në fjalë, me një klikim të thjeshtë në Google me të, mund të shohësh faqe e artikuj pa fund me këtë titull. 

Kritika e CNN 
Ditë më parë, CNN bëri një klasifikim, në të cilin renditi disa nga sloganet më të këqija të fushatave publicitare turistike në të gjithë botën. 'Albania - A New Mediterranean Love'/ 'Shqipëria - një dashuri e re mesdhetare' i ka paraqitur publikut nëpërmjet tre spoteve, të transmetuara ndër të tjera edhe në CNN, imazhe dhe filmime të përzgjedhura nga i gjithë vendi. Sipas redaktorëve të CNN, Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Europës, ende nuk është pjesë e listave e dëshirave të vendeve që duhen vizituar. CNN sugjeronte, duke qenë se vendi ka qenë i izoluar thuajse në të gjithë pjesën e dytë të shekullit të 20-të, se mund të kishte një slogan tjetër, "Shqipëria, akoma nuk e dini ku jemi?" Pjesë e këtij klasifikimi janë edhe vende si Australia, Kolumbia, Sllovenia, Kanadaja, Makau dhe Greqia. 
Panairi
i Berlinit
 
Zhvillimi i sektorit të turizmit dhe gjithçka ofron Shqipëria, ishin kryefjalë e prezantimit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin të Gjermanisë. Sipas njoftimit të vetë MTKRS-së, interesi i vizitorëve ishte tepër i madh, ndërsa takimet, vendosja e kontakteve, shkëmbimi i ideve mbi zhvillimin e sektorit të turizmit, marrja e informacioneve mbi ofertat turistike të Shqipërisë, ishin të përhershme gjatë gjithë ditëve të këtij panairi. Stenda e Shqipërisë u vizitua nga një prej anëtarëve të qeverisë gjermane, Z. Dirk Niebel, ministër i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit. Në takimin që zhvilloi me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Brikena Arapaj, u fol për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, mbi interesimin e operatoreve gjermanë për vendin tonë, si dhe një sërë elementësh të tjerë për sa i takon pjesëmarrjes së Shqipërisë në Panairin e Turizmit në Berlin. Ministri Bumçi, deklaroi se që pas vitit 2000, kur vendi ishte më i hapur ndaj Europës, operatorët e huaj turistikë nisën të tregojnë interes për Shqipërinë. Ai evidentoi tri mënyra se si shqiptarët ia arritën kësaj. E para, sipas zotit ministër, janë burimet njerëzore, ku mbi 1.5 milionë shqiptarë, të emigruar kryesisht në Greqi dhe Itali e të punësuar në sektorin e shërbimeve, sollën në Shqipëri eksperiencën e fituar në këto vende, duke hapur biznese në këtë sektor. 

Spoti i shumëpërfolur
 
Për çfarë mbahet mend spoti "A new Mediterranean love"? Ndonëse akuzat kanë qenë të hershme, KLSH-ja ka konstatuar vjet, se qeveria ka abuzuar me fondet publike në prodhimin e spotit publicitar ku promovohej imazhi turistik i Shqipërisë në 2009-ën, kur ministër ishte Ylli Pango, dhe i transmetuar në rrjetet prestigjioze ndërkombëtare televizive. Në një raport auditimi të KLSH-së u konstatuan abuzime dhe shkelje flagrante, jo vetëm në prodhimin e spotit të shumëpërfolur atëherë dhe të transmetuar në "Euronews". KLSH-ja konstaton gjithashtu se nuk është respektuar as kontrata e nënshkruar, për transmetimin e spotit me kohëzgjatje 30 sekonda nga ana e "Euronews". KLSH-ja përllogarit se vlera totale për spotet e patransmetuara llogaritet në 36,250 euro ose 4,456,937 lekë, vlerë kjo e përvetësuar nga Kontraktuesi, e cila përbën dëm ekonomik. Ndërkohë që, fondi i akorduar për prodhimin e spotit është 180 mijë euro.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate