16 marzo 2013

Qeveria, "OK" ndërtimeve në kalanë e Ndroqit Nën emërimin "Për shpalljen e zonës arkeologjike 'A' dhe 'B' të Kalasë së Ndroqit

TIRANE -14 Mars 2013 - 09:40
Nga: FATMIRA NIKOLLI
 Një vendim i Këshillit të Ministrave, që mban datën 13 shkurt 2013, u hap rrugë ndërtimeve në kalanë e Ndroqit në Tiranë. Nën emërimin "Për shpalljen e zonës arkeologjike 'A' dhe 'B' të Kalasë së Ndroqit, komuna Ndroq, dhe miratimin e rregullores së administrimit", VKM-ja përcakton si dhe ku mund të ndërtohet, përfshirë edhe penalizimet për thyerje të rregullores. 
VKM 
Sipas vendimit të botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, në zonën arkeologjike "A" të Kalasë së Ndroqit, komuna Ndroq lejohet: Restaurimi, konservimi dhe rijetëzimi i monumenteve dhe rrënojave arkeologjike, kryerja e sonda-zheve dhe gërmimeve arkeologjike, me synim studimin e plotë të zonës, mbi bazën e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve; Përmirësimi i rrjetit të infrastrukturës, mbi bazën e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve e po ashtu vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal) me lartësi maksimale 3 m, të cilat duhen realizuar larg mureve, duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe për çdo rast duhet të përcaktojë saktësisht qëllimin, kohëzgjatjen, vendndodhjen e strukturës brenda zonës, si dhe planprojektin e saj. 
Sa u takon, ndërhyrjeve në zonën arkeologjike "B" të Kalasë së Ndroqit, VKM-ja përcakton se lejohen ndërtimet e reja, pas miratimit me shkrim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve të kërkesave të subjekteve të interesuara, kjo pas kryerjes paraprake nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik të vëzhgimit intensiv e sondazheve arkeologjike. Sipas VKM-së, në rastet kur gjatë zbatimit të projektit ndërtimor zbulohen gjetje të rëndësisë së veçantë, projekti duhet të rishikohet. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miraton ndryshimet në projekt, duke marrë në konsideratë konservimin, ruajtjen, si dhe bërjen e tyre të vizitueshme. Vetëm pas miratimit të ndryshimeve lejohet vazhdimi i punimeve. Vendimi i qeverisë parashikon që ndërtimet e reja nuk duhet të kalojnë lartësinë 8 m nga niveli 0, në mënyrë që të ruhet peizazhi kulturor. 
Për ndërhyrjet pa leje brenda zonës arkeologjike "B", Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Tiranë, pezullon menjëherë veprimtarinë e subjektit dhe njofton Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në rast se subjekti nuk pezullon veprimet brenda 24 orëve, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Tiranë, i drejtohet menjëherë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për pezullimin e ndërtimit deri në prishjen e tij. 
Rijetëzimi dhe ndërtimi 
Kur për herë të parë para më shumë se dy vitesh, "GSH" publikoi lajmin e ndërtimeve nëpër kala, në kuadër të të ashtuquajturit rijetëzim në bashkëpunim me privatët, një debat i madh u bë në opinionin publik. Specialistë të fushës, njohës të monumenteve e pritën këtë si fillimin e shkatërrimit të trashëgimisë. Qe e para kalaja e Lezhës, që u përfol si vendi ku ky projekt do të zinte fill. Ka qenë Lorenc Bejko i pari që doli kundër, në artikullin e datës 8 mars 2011, që mund të lexohet në këtë adresë http://www. balkanweb. com/ gazetav5 /artikull. php? id = 94764. Më pas, mendimet kundra do të ishin njëri pas tjetrit dhe debati do të shkonte deri në Komisionin e Medias, ku anëtarë të Forumit të Trashëgimisë kërkuan të dëgjoheshin mendimet e tyre për këtë çështje. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi u duk se pat hequr dorë nga ky projekt, por vendimi i qeverisë na thotë krejt të kundërtën. Më shumë se sa një rregullore e ndarje zonash, ai legjitimon të ndërtuarit ndanë kalasë, pranë mureve, edhe pse nuk e përcakton nëse do ndërtohet brenda apo jashtë tyre dhe në çfarë hapësire, psh. 50 m katrorë apo 100 syresh? Zërat e shoqërisë civile, qoftë edhe të opozitës, meqë jemi mësuar t'i shohim kundërshtarët e ideve, si kundërshtarë politikë, kanë rënë në vesh të shurdhër. Debati i kalasë së Lezhës do të zgjaste pafund, pasi atje projekti parashikonte ngritje kafenesh, baresh, motelesh, po në Ndroq çdo të bëhet? Le t'ia lëmë kohës për të mësuar. Në nuk mundëm ta shpëtonim, sepse ndërkohë që i hidhnim sytë nga Lezha, nën hundën tonë, e humbëm Ndroqin.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate