07 marzo 2013

Katër stinët e vitit shndërrohen në mrekulli vetëm në Dardhë të Korçës March 5, 2013


Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit, Niko Balli, në një rrëfim për Dardhën
KORÇË –March 5, 2013
 Po, të katër stinët e vitit shndërrohen në mrekulli vetëm në Dardhë. Për të shkuar deri atje nuk ju duhet shumë kohë. S’ka rëndësi në është pranverë, verë, vjeshtë apo dimër. Rreth 14 kilometra rrugë i përshkon me një lehtësi të çuditshme. Gjatë gjithë rrugës në krahun e majtë të shoqërojnë ujërat e ftohta që zbresin nga pyjet, kurse në anën tjetër thepisjet e kodrave krijojnë një tablo tërheqëse, që të rrëmben me bukurinë e saj të magjishme.
dardha 3Sapo i afrohesh fshatit, befas provon ndjesinë sikur po hyn në kufijtë e një ëndrre të dëshiruar prej kohësh, e cila rezulton të jetë edhe më e nxehtë nga ç’e kishit menduar në fillim.
Ndodh kështu sepse emri i Dardhës së dikurshme, i mbetur në tregime njerëzish të moçëm, të sjellin ndër mend histori e ngjarje nga më mbresëlënëset, veçanërisht serenatat e famshme të dardharëve (të veçanta nga ato të Korçës), ku poshtë dritareve djemtë thurnin ëndrra të arta për vajzat. Këto të fundit, me kostumet e tyre tradicionale popullore, të ardhur nga thellësia e shekujve me ngjyrat kuq e zi, në vallet shpërthyese të tyre shpalosnin bukurinë femërore, që nëpër këngë do të shprehej: “Ja do ta marr, o moj nënë, ja moj do ta vras”.
Por emocionet vijnë edhe nga një ndjesi tjetër, që në subkoshiencën tonë nisin e ngrenë krye si një e panjohur që kërkon të deshifrohet.
Për Dardhën gjen vargje dhe këngë të shumta. Vargjet e Asdrenit të kujtojnë njerëzit e shumtë, vizitorë e të sëmurë, që gjenin shërim në ujërat çudibërëse të këtij fshati.
Lasgushi do të lëmonte vargjet e tij për Dardhën dhe ju me siguri do të kujtoni vargje të tilla si: “Mora shoqëzën për krah/ dhe u nisëm ca nga ca/ sikur na ndillte larg diçka/”. Dhe vërtet, është Dardha ajo që të ndjell me veçantinë e saj, që gjithnjë fsheh të papritura, si një vajzë plot hire. Nuk ka rëndësi në çfarë stine jeni: pranverë, verë, vjeshtë apo dimër, madje dimri është një mrekulli më vete, që nuk harrohet lehtë
Magjitë e Dardhës“Pjesa me e madhe e shtëpive në Dardhë presin vizitorë dhe turistë”, – tregon Niko Balli, kryetari i Shoqatës së Agroturizmit. Në çdo stinë vijnë aty nga Greqia, Amerika, Spanja, Kosova, Italia, Maqedonia dhe vende të tjera të botës. Ka qenë aty edhe ish-ambasadori amerikan Limpreht, ish-ambasadori i BE-së Elio Germano, ish-ambasadori grek Iliopulos, por tashmë nuk ka vit që të mos vijnë në Dardhë ambasadorë, politikanë, shkrimtarë, historianë, artisë e të tjerë.
Veç shtëpive që presin vizitorë dhe turistë, ekziston edhe një hotel mjaft luksoz, ndoshta më i miri në gjithë Ballkanin: hoteli “Dardha”. Këtij hoteli nuk i mungon as sauna dhe as hidromaszahi. Aty mbrëmjet janë të ndriçuara prej llambave, që qëndrojnë si yje në qiellin e fshatit.
Nëse të duhet të bësh një shëtitje, të jepet mundësia të vizitosh tri kisha të rralla e të mirëmbajtura: kishën e Shën Gjergjit, të Shën Pjetrit dhe atë të Shën Thanasit.
Ndërkohë të bën shoqëri një erë e freskët pishash dhe të ftojnë për më tutje në peizazhet e gjelbra në verë dhe të mahnitshme në dimër, kur dëbora nis e bie pas mbarimit të vjeshtës, ndoshta më parë se kudo tjetër në Shqipëri. Imazhi juaj i nderur më së shumti mes imagjinatës do të vazhdojë të marrë formë e të kthehet në realitet. Në atë terren malor, të rrethuar nga pyjet, gjen një fshat të gurtë, shtëpitë të gjitha të mbuluara me plloça guri, të zbritura nga mali përkarshi. Pastaj ndien hapat në rrugët e kalldrëmta, që të çojnë portë më portë, pas të cilave të pret një nënë e dhimbsur, që të fton të hysh brenda. I zoti i shtëpisë të nxjerr rakinë e kumbullës të zierë tri herë. Ndërkohë ndien se po hapen petët e lakrorit të famshëm dardhar, që piqet nën saç si njëherë e një kohë. Aty të gjitha gatesat kanë mbetur të papërsëritshme, siç është i pabesueshëm mishi i qengjit, që ka aromën e trëndelinës së Gramozit. Më tej vjen edhe kënga, ngadalë si një përrallë e moçme e treguar nga gjyshet, që kur përfundon, lutesh të ta tregojnë përsëri. Kryefamiljarët, sikur të duan të mos prishin asgjë nga shkëlqimi i mikpritjes, të ftojnë për gjah. Mund t’i zësh pritë lepurit apo derrit të egër, të gjurmosh një thëllëzë apo të rrish e të vështrosh spektaklin e një ketri, siç mund të kundrosh bukurinë e një sorkadheje, të hidhesh deri në kufijtë e saj me Sinicën, Arrzën apo në fshatin më tej, në atë të Nikolicës.
Vera në Dardhë
Kur vjen vera, gjithçka nis e përvëlon: edhe karrigia, edhe tavolina, edhe zyra, edhe filxhani i kafesë, edhe rruga, edhe pluhuri, edhe makina, edhe uji, edhe… Vetëm freski nuk ka. Befas ndien se ke nevojë të ikësh gjëkund, të arratisesh larg, atje ku ka një puhizë pylli, atje ku sheh një re të bardhë, atje ku rrjedh uji i ftohtë dhe duket sikur shiu do të vijë, atje ku hijen e pemëve e ndien nëpër trup dhe atë çast të duket sikur ke gjetur një planet tjetër.
“Ke 1000 arsye për ta bërë këtë”, – shprehet Niko Balli-
Në raste të tilla a nuk ju kujtohet një poezi e njohur e Asdrenit: “Erdhi vera, zuri vapa./ Ti do prehje qetësi,/ Ç’do punim lëre prapa,/ Mos u lodh e mos djersi”?
“Po ku të shkosh?” – kjo është pyetja.
Përgjigjen sërish na e sjell kryetari i Shoqatës së Agroturizmit, Niko Balli.
“Ejani në Dardhë!- thotë ai. – Ikni nga qytetet, ku vapa të merr frymën, asfalti djeg si zjarr e uji avullon. Vetëm nëse nisesh për në Dardhë, do të fillosh të ndiesh freskinë e malit.” Pastaj kilometër pas kilometri vetëm do të ngjiteni drejt majave të maleve, duke ndier se ajri bëhet më i ftohtë, më i lehtë dhe vjen një çast kur ti kupton se je mbushur krejtësisht me frymë. Aty është gjithçka ndryshe. Pyjet e Suareve (kështu quhen) lëvizin degët e të sjellin ajër aty ku je ulur ti. Vështron barin dhe lulet dhe ato janë të freskëta, njësoj si lulet që nxjerrin kokën nga poshtë dëborës. Rrëketë e përrenjve vijnë nga çdo anë e njomin ajrin me shkumë. Atë çast ndien se gjendesh mes shatërvanëve të vërtetë të natyrës. “Sepse, – shton më tej Niko Balli, – ‘në do jetë e ditëbardhë,/ gjak në rremba e shëndet,/ Merre rrugën shko në Dardhë,/ Ku ndien gaz me të vërtetë’. E sheh, ekzistojnë 1000 arsye?”
Nuk ka zhgënjim“Aty do të kesh rastin të ngjitesh në kodrat e Shën Pjetrit, 1400 metra mbi nivelin e detit, do të kesh mundësinë të njihesh me mrekullinë e gurit të vjeshtës, nuk do të të mungojë asnjëherë ftesa e pyllit që të hysh e të dalësh në brendësi të tij, ku freskinë e gjen si në vjeshtë, – vazhdon të tregojë Niko Balli. – Aty është edhe Shën Gjergji, kisha e mrekullueshme me vlera të rralla. Ikonostasi i saj mbetet i famshëm.”
Dardha njihet që nga vitet 1600. Aty gjithçka është e vjetër, klasike, befasuese. Në këtë fshat të gjithë të presin me dashamirësi, njësoj sikur të kesh qenë miku i tyre i vjetër. Nëse kalon para një porte, të ftojnë të pish një gotë raki kumbulle të zier tri herë apo një gotë verë.
Madje, “gjithë katundi krahëhapur,/ me gëzim si mik të pret,/ tërë dyert janë hapur,/ ti hyn brenda si një mbret”.
Ajri dhe uji i Dardhës kanë vlera kurative. Nëse je anemik, duhet të shkosh të çlodhesh në Dardhë, nëse dikur ke qenë i sëmurë, atëherë një gjenerim të plotë mund ta marrësh vetëm në atje. Mjekët e rekomandojnë edhe për personat limfatikë. Ajri i saj bën mirë për fëmijët dhe të rinjtë.
Dardha vërtet të jep gjak të pastër, të bën më të ri nga ç’je në të vërtetë, sepse “lart ke mal të gjelbëruar,/ lule-shtruar bukuri,/ erë pylli të qëruar,/ në qofsh plak të bën të ri./ Ke burime shkumë argjendi,/ uji i tyre që të ngjall,/ si dhe pamjen e çdo këndi,/ që të mbushin me plot me mall”.
Raki, verë dhe mish me aromë trëndelinë
“Siç ju thashë, – shton më tej Niko Balli, – rakia e saj është ajo e kumbullës e zier tri herë, por nuk mungon as vera. Pastaj të vjen lakrori me dy petë, i pjekur në saç me dru lisi. Mishin e gjen në gatimet më tradicionale, ka aromën e trëndelinës së maleve të Gramozit. Veç kësaj aty mes maleve, pyjeve dhe lartësive mbi 1300 metra gjen edhe peshkun e freskët, të rritur në rezervate me ujëra të pastra si kristali e të ftohta si bora vetë, që zbresin nga majat e maleve. Gjithçka që dëshiron e gjen aty. Nuk është se këto i gjen vetëm në një lokal, sepse aty ka mbi 10 shtëpi pushimi. Sigurisht, njeriut përveçse një çlodhje e mirë i duhet edhe një ushqim i mirë, sepse vetëm atëherë kupton nëse ka pasur një çlodhje të vlefshme dhe nëse shëndeti i tij ka ndryshuar.”
dardha 2Duket se edhe Asdreni e ka shprehur mjaft bukur këtë gjë kur shkruan: “Faqet e verdha, faqet e bardha./ Dhe të dobëtat mushkri,/ prapë të kuqe t’i bën Dardha/ t’ep fuqi dhe lumturi.” E pra, keni 1000 arsye për ta ka kaluar stinën e verës në Dardhë.
Vjeshta në DardhëVjeshta është një mrekulli tjetër e Dardhës. shumë njerëz i kalojnë këtu ditët e vjeshtës. Mjaft prej tyre festojnë edhe 16 gushtin, ditën e Shën Mërisë. Ju ndoshta nuk e besoni, por është një mrekulli e vërtetë. Në ditët e vjeshtës ndodhin gjëra që nuk janë parë ndonjëherë më parë. Të paktën kështu thotë kryetari i Shoqatës së Agroturizmit Niko Balli, njeriu i dashuruar deri në çmenduri pas Dardhës.
“Mrekullitë hyjnore janë të shumta, – thotë ai. – Peshku kërcen mbi sipërfaqen e ujit të rezervateve dhe pasi cirkon në ajër, hidhet drejt e në tigan për t’u tiganisura, pa pasur frikë nga zjarri. Raki rrjedh e bollshme, a thua uji i burimeve të Dardhës kthehet në verë dhe raki. Gotat në tavolinë mbushen vetë nga një dorë e padukshme. Ju mund të shihni vetëm mijëra margaritarë që shkëlqejnë nëpër gotat e kristalta. Ke rastin të shohësh si piqen petullat në plloçë guri dhe si spërkaten me mjaltë, ndërsa saçi i hekurt ngrihet mbi perusti dhe lakrori me dy petë të vjen aty ku je ulur ti, në lokal apo në lëndinë.”
Niko Balli preferon të heshtë përsëri për të vazhduar tregimin e tij me fjalët: “Ditët e vjeshtës janë habi e madhe. Në ato ditë sëndukët e vjetër hapen vetiu, ku gjyshet dhe stërgjyshet kanë vendosur pajat dhe kostumet e tyre. Vajzat dhe nuset vishen me kostume popullore, stoli argjendi dhe floriri të spërkatura me erëza dhe aroma që prodhohen nga shtrydhja e luleve. Të ardhurit mbeten të aksafisur. Dëgjohen këngë: ‘Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri,/ dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,/ dhe zemra zien e bren në gji…”; Si ndrin kështu, moj vashëri!/ Si shkrin kështu, moj trimëri!/ Si plas kështu, moj dashuri!..’. Askush nuk e beson”, – thotë Balli, se si kalojnë ditët e vjeshtës në Dardhë.
Dardha 1Dimri në DardhëEdhe dimri në dardhë mbetet mjaft i veçantë. Çdo javë vijnë deri në 1500 vizitorë dhe turistë. Alpinizmi është një mundësi reale në këtë vend.
Megjithatë, skipista në fshatin më të bukur turistik të qarkut Korçë, siç është Dardha, vijon të mbetet një ëndërr e kahershme e të gjithë dardharëve të sotëm dhe të hershëm, banues në Dardhë ose jo, apo emigrantë të vjetër në SHBA, në Gjermani, në Austri, në Itali, në Greqi dhe gjetkë, por që deri më sot, kur kanë kaluar jo pak, por katër shekuj, sepse Dardha e ka themelimin e saj në vitin 1600, përsëri ëndrra e skipistës vijon të mbetet një ëndërr e parealizuar.
Kjo ëndërr mund të ishte realizuar që në kohën e qeverisjes së mbretit Zog, pasi motra e tij, princesha Maxhide Zogu, i kishte kushtuar gjithë përkujdesjen e saj të sinqertë këtij fshati me një bukuri të rrallë, por që rrethanat politike nuk e lejuan që të vijonte më tej me projektet e saj.
Princeshës Maxhide ZoguMadje një nga deklarimet e princeshës Maxhide Zogu, që ka mbetur e shkruar dhe që njihet nga të gjithë banorët e Dardhës dhe të të gjithë qarkut Korçë është: “Ju çfaq kënaqsinë t’eme për inisjativën e Shoqërisë ‘Shpresa’, e cila po fillon me anë botimesh t’ilustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të mbrendshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë industritë e ndryshme, të cilat influencojnë ardhjen e të huejve në vendin t’onë.”
Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saj sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me rëndësi.
“Jam e sigurtë se inisjativa e juej do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem dhe një sasi e madhe të shqiptarëve, të cilët shkojnë për të veruar ne vendet e hueja, do të mësojnë se në Atdheun t’onë gjinden vise shumë ma të bukura.”
Në fund të këtij shkrimi gjendet firma: Patronesha dhe Kryetarja e Naltë e Turizmit Maxhide Zogu.
Kjo ëndërr e madhe e dardharëve, përveç shoqërisë “Shpresa”, e cili vijon të jetë aktive edhe sot e kësaj dite me kryetarin e saj Niko Balli, është mbështetur fuqimisht që në krye të herës edhe nga shoqëria “Bashkimi”.
Në deklarimin e princeshës Maxhide bie në sy shprehja “kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për bashkitë e ndryshme të Mbretnisë”.
Megjithatë, që nga krijimi i Dardhës e deri më sot kanë kaluar së paku katër shekuj dhe ëndrra e tyre nuk mundi të bëhej realitet.
Elfrida ZefiIsh-prefektja e qarkut të Korçës, sot pedagoge në universitetin “Fan Noli”, prof. dr. Elfrida Zefi, u shndërrua në një realizuese të ëndrrës 400-vjeçare të dardharëve. Ajo ndoqi hap pas hapi projektin e austriakëve të kompanisë “Strabak” për një skipistë të parametrave bashkëkohore, me gjatësi 1400 metra, gjerësi 40 metra dhe me një pjerrësi prej 29 për qind, gjë që e bënte një skipistë të mrekullueshme, të shtrirë mes pyjeve, burimeve, kodrave e kishave, ku gjithçka është e bukur dhe e veçantë.
Elfrida Zefi, e konsideruar si gruaja e hekurt e Korçës, bëri të mundur që për realizimin e projektit të kompanisë “Strabak” të merrte miratimin e KRRT-së së këshillit të qarkut të Korçës, të merrte lejen e ndërtimit nga komuna e Drenovës, në të cilën bën pjesë edhe Dardha, të përgatiste gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, të ndikonte për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës Boboshticë–Dardhë, një kusht ky i vendosur nga kompania “Strabak”, me qëllim që kjo e fundit të kishte mundësi të transportonte pajisjet e teleferikut dhe skipistës.
Për të mbërritur deri në këtë fazë u desh të ngrihej një grup ndërministror, ku do të bënin pjesë 5 ministri – METE, MF, MPPTT, MB, MMPAU – ku gjithsecila do të përballonte efektet financiare nga buxheti i vet. Ajo çka i takonte institucionit të prefektit u realizua me sukses: përfundoi zgjerimi i rrugës dhe asfaltimin e saj, përfundoi studimi i relievit, madje edhe sigurimi i mjeteve të rënda për transportin e pjesëve të teleferikut etj., megjithatë ky projekt sërish do të mbetej në harresë. “Megjithatë, dardharët ende shpresojnë se një ditë në këtë fshat të mrekullueshëm nuk do të mungojë as skipista”, – përfundon rrëfimin e tij kryetari i Shoqatës së Agroturizmit Niko Balli.
Vepror Hasani
http://www.gazetametropol.com/kater-stinet-e-vitit-shnderrohen-ne-mrekulli-vetem-ne-dardhe-te-korces/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate