08 marzo 2013

Ilirët e antikitetit të vonë, një jetë e varfër, me pak art dhe shumë verë

download (4)
Neritan Ceka - 02/03/2013
Neritan Ceka tregon përmes shpjegimit të gjetjeve arkeologjike se si dukeshin qytetet e Ilirisë në atë periudhë kur mendohet të kenë “lindur”arbërit. Shenjat e një jete të varfër, me pak art, por me shumë verë dhe luftëra
Vijon nga numri i kaluar
…Buthrotum është qendra tjetër kryesore e studiuar sistematikisht në drejtim të antikitetit të vonë në dy dhjetëvjeçarët e fundit në sajë të një ekipi anglo-shqiptar të drejtuar nga prof. Richard Hodges, Kosta Lako dhe Ylli Cerova. Rezultati më i rëndësishëm ishte zbulimi i plotë i një domus, një pallati ndoshta peshkopal të shek. V-VI, periudhë kur Buthrotum u bë një qendër peshkopate. Ka qenë një ndërtim monumental në përkim me madhështinë e baptisterit dhe bazilikës së njëkohshme. Një ndërtim që trashëgon nga antikiteti formën e zhvillimit rreth një oborri qendror, trikonkën për vendosjen e shtretërve të gostive dhe mozaikët e çuditshëm me maska teatrale, në një kohë që teatri ishte ndaluar publikisht. Ishte njëkohësisht një ndërtim në kontrast të plotë me banesat e mjera të grupuara rreth kishave, njëlloj si në Bylis, që i jepnin Buthrotum pamjen e një fshati të rrethuar me mure. Edhe Buthrotum mungon në listën e Prokopit të Cezaresë, pavarësisht se në kohën e tij u ndërtua një mur rrethues që dyfishoi sipërfaqen e mbrojtur në krahasim me periudhën antike. Por, ashtu si në Bylis, ai rrethonte më shumë kopshte se sa shtëpi dhe shërbente për të krijuar një hapësirë strehimi në raste sulmesh barbare. Një kështjellë në Çukën e Ajtojt, mbi rrënojat e një qyteti antik të prasaibëve, mbronte rrugën që e lidhte Buthrotum me Nikopolis, qendër e provincës Epirus Vetus. Tre bazilika janë zbuluar në këtë distancë, si një referim i vendbanimeve fshatare që u zhvilluan rreth Buthrotum.
Bazilika e 40 Shenjtorëve e gërmuar në vitet e fundit, na ka dhënë modelin e një manastiri që lidhet më shumë me mesjetën se me antikitetin. Ai ka qenë ndërtuar gjithashtu në kohën e Justinianit në një model ende unik për trevën. Gërmimet kanë evidentuar një rrjet galerish në kryptën e tij, si dhe një numër të madh ambientesh ndihmëse me karakter ekonomik përreth. Edhe këtu repertorit të kufizuar të enëve vendëse të tryezës dhe kuzhinës i përgjigjet një numër i madh amforash për transportin e verës me origjinë nga Azia e Vogël, Italia e Jugut, Afrika e Veriut etj., si dhe seri të pasura të sigillatave të vona romake të tipit A, B dhe C nga Afrika e Veriut, apo të tilla nga Mesdheu Lindor, një raport mjaft i ngjashëm më atë të verifikuar në gërmimet e Buthrotum, apo Onchesmus.
Ky manastir i vetmuar ishte vetëm një kilometër larg Onchesmus të rrethuar me mure në kohën e Justinianit, por që mungon gjithashtu në listën e Prokopit. Një bazilikë e shek. VI e ngritur mbi një sinagogë të shek. IV-V është dëshmia e instalimit triumfal të kishës në këtë qendër që zëvendësoi në këtë periudhë Foiniken, pothuaj të braktisur dhe pa mure rrethuese. Onchesmus është nga qendrat më të hershme peshkopale, e përmendur si e tillë në vitin 414.
Dyrrahu, qendra e Epirus Nova, mbetet ende një hiatus në mundësinë e rindërtimit të realitetit historik të antikitetit të vonë. Dëshmitë arkeologjike, siç janë muret rrethuese të periudhës së Anastasit, i ashtuquajturi macellum i periudhës së Justinianit, por edhe kapitelet dhe kollonat e jashtëzakonshme prej graniti të Sinait, apo mermeri të Prokonezit (ishull në detin Maramara), të gjetura rastësisht gjatë punimeve të ndryshme në qytet, dëshmojnë për të vetmin qytet të mirëfilltë bizantin në territorin e Shqipërisë. I mbuluar në mënyrë agresive nga betoni i dy dekadave të fundit, Dyrrahu përfaqëson mundësitë e humbura për të sqaruar disa nga problemet më të rëndësishme që lidhen me periudhën e antikitetit të vonë dhe fillimet e mesjetës, pra me vetë problemin e formimit të popullit shqiptar.
Shkodra, kryeqyteti i provincës bizantine Prevalis, mbetet gjithashtu pak i studiuar. Gërmimet e dekadave të fundit të bëra nga Gëzim Hoxha dhe Bashkim Lahi kanë treguar se qyteti bizantin shtrihej në trekëndëshin midis lumenjve Buna dhe Drin, i mbrojtur nga mure rrethuese dhe nga kështjella antike e Rozafës që e zotëronte atë. Një ekip shqiptar- polak i ka rifilluar ato në një mënyrë  shpresëdhënëse , por ende nuk është zbuluar qendra monumentale që do të dëshmonte për një kryeqendër të mirëfilltë province. Asnjë mbishkrim, asnjë vepër arti, vetëm seria e zakonshme e amforave me origjinë veri- afrikane të shoqëruara me sigillatat A -D të së njëjtës origjinë. Ka shumë mundësi që brenda mureve të zhvillohej një pamje e ngjashme me Bylisin, apo Buthrotum.
Reflektimi i tretë është rënia e ndjeshme e kualitetit të jetës në të gjitha tipet e qendrave të banuara të antikitetit të vonë, në krahasim me antikitetin helenistik, apo atë romak. Kjo vihet re në radhë të parë në banesat pothuaj të mjerueshme, të ndërtuara keq me materiale të marra nga ndërtesat antike dha pa as një kusht komoditeti, apo higjiene. Janë përgjithësisht njëkatëshe me një apo dy kthina, me dysheme prej trualli balte. Inventari i tyre është i thjeshtë, me pak forma qeramike, kryesisht kuzhine, që dëshmojnë një tryezë të varfër. Mungojnë pothuaj plotësisht objektet artistike dhe ato të kultit dhe mungesa e simboleve kristiane është pjesë e kësaj indiference të përgjithshme ndaj së bukurës. Madje edhe në një qendër të tillë si Dyrrahu kemi vetëm pak dëshmi të skulpturës, ndonëse me një kualitet mjaft të lartë dhe datim të pasigurtë. Vetëm interesi për verën bën një përjashtim në këtë amulli të jetës dhe një numër i madh tipash amforash me prejardhje shpesh të largët dëshmon se rrugët detare shfrytëzoheshin kryesisht për këtë qëllim. Gërmimet në katedralen e Bylisit, në bazilikën e Tiranës dhe në një vilë të shek.III-IV në afërsi të Buthrotum kanë zbuluar instalime të mirëfillta për një prodhim të konsiderueshëm vere.
Duket qartë se ekonomia po shkonte drejt autarkisë dhe monedhat janë relativisht të rralla dhe dendësohen në periudha të veprimtarive luftarake, siç ishte koha e Konstantinit të Madh, e Valentinianit I dhe që nga Justini te Justiniani I. Nuk është i rastit fakti se një pjesë e mirë e tyre janë gjetur në kështjella të vogla me karakter ushtarak.
Një diferencim i thellë midis qendrave të banuara është gjithashtu një shenjë e qartë e ndryshimit të kualitetit të jetës. Dyrrahu qëndron më lart se Shkodra, Bylisi, apo Butrinti, po aq sa këto të fundit nga kështjellat rreth tyre. K gjithashtu një dallim të madh midis qendrave të fasadës detare me ato të thellësisë, ku pothuaj mungojnë plotësisht amforat dhe sigillatat e importuara.
Reflektimi i katërt është mbi natyrën e popullsisë së provincave që mbulonin territorin e Shqipërisë së sotme. Sulmet e mëdha gote dhe sllave të shek. IVVI m. Kr. përfundonin gjithmonë me grabitje, shkatërrime, marrje skllevërish dhe tërheqje në vendet nga ishin nisur të turmave barbare. Nuk ka pasur një vendosje masive të tyre deri në shek. VII m.Kr. dhe kjo dëshmohet nga mungesa e plotë e vendbanimeve dhe nekropoleve që bartin kulturën e tyre materiale. Kjo do të thotë se kishte mbetur  po ajo popullsi që përmendet gjatë periudhave klasike, helenistike dhe perandorake të hershme, me një simbiozë të ilirëve vendës, me kolonistët helenë dhe romakë?  Të dhënat arkeologjike japin dëshmi të tërthorta dhe është vënë në dukje një qëndresë etnike e ilirëve që shprehet tek vazhdimi i ruajtjes së emrave tipikë, apo të veshjes karakteristike deri në shek. IV. Por gjatë antikitetit të vonë nuk mund të dallojmë lehtas trajta lokale, apo mbijetesa elementësh të lashtë në uniformitetin e kulturës së varfër materiale që karakterizon këtë periudhë. Megjithëse në territorin e Shqipërisë janë vënë re gjurmë të kulturave të tjera që janë futur së bashku me popullsitë që dynden aty gjatë shek. IV-VI, ato nuk e ndryshuan natyrën e përgjithshme të kulturës romake provinciale që karakterizon atë periudhë. Gotët kanë lënë kryesisht gjurmë shkatërrimi gjatë dyndjes së vitit 378  në një serë kështjellash, si dhe në qeramikën e kështjellës së Symizës pranë Korçës. Në Dyrrah nuk është gjetur asnjë objekt got i kësaj periudhe, ndonëse kemi të dhëna historike për vendosjen e tyre atje që para pushtimit nga Teodoriku i Madh. Kjo vlen edhe për dy dyndjet sllave të shek VI, të cilat kanë lënë gjurmë të qarta shkatërrimi në të gjithë territorin. Pasojat e tyre janë evidentuar qartë në Bylis, ku katedralja ka qenë shkatërruar në dyndjen e vitit 548 dhe djegur përfundimisht në atë të vitit 578. Dyrrahu duket se i kishte qëndruar i papushtuar gjatë këtyre dyndjeve dhe përfaqësonte të vetmen qendër të paprekur të  autoritetit bizantin gjatë gjithë shekujve që pasuan, deri në rindërtimin e tij përmes sistemit të temave në shek. IX. Sidoqoftë nga letërkëmbimet papale duket se gjendja ishte stabilizuar rreth fundit të shek. VI dhe më 595, 597 dhe 599 ndodheshin në vendet e tyre peshkopët e Dyrrahut, Shkodrës,  Lisit, Justiniana Primës, si dhe të disa qendrave të Epirus Vetus.
Ndërkohë kishin mbaruar edhe dyndjet dhe kjo pjesë e perandorisë mbeti jashtë vëmendjes së historianëve të kohës. Arkeologjia është përpjekur ta plotësojë këtë dark age përmes të dhënave të gërmimeve. Një kulturë e zhvilluar drejtpërdrejt nga fondi i antikitetit të vonë është dëshmuar në prapatokën e Dyrrahut gjatë shek VII-XI, e quajtur Kultura e Komanit nga gjetjet e para të saj në nekropolin e një kështjelle që kontrollonte rrugën natyrore nëpër luginën e Drinit. Një facies më e plotë e saj është dëshmuar edhe në edhe në një nekropol të zbuluar brenda Dyrrahut, si dhe në kështjellat e  Krujës dhe të Lezhës, fare pranë tij. Karakteri i krishterë i tyre është tepër i shprehur në simbolet tipike. Ngarkese e tepruar me zbukurime e inventarëve të grave dëshmon për një popullsi fshatare, po aq sa prezenca e sëpatave prej hekuri, si armë tipike të epokës, lidhet me karakterin luftarak të kësaj popullsie. Nga ana tjetër, objekte të pakta të kulturës sllave janë gjetur në nekropole ende të paeksploruara sistematikisht në zonat e thella malore, pikërisht atje ku ruhet deri sot një toponimi tipike sllave. Unë e kam shpjeguar këtë prezencë me vendosjen e komuniteteve sllave në mënyrë paqësore në zonat e shpopulluara të Ballkanit perëndimor gjatë sundimit të perandorit Heraklius (610-641) dhe kam konstatuar se midis morisë së toponimisë sllave mungojnë tërësisht emrat e krishterë, duke përfshirë edhe ato të kishave. Kemi kështu fillimin e një simbioze, siç e ka shpjeguar Milan Šuflaj, që do të vazhdonte gjatë gjithë mesjetës, duke dhënë rezultate të ndryshme, në mbijetesën e popullsisë ilire në formatin e asaj arbërore, apo në asimilimin e saj nga sllavët. Në këtë kuptim antikiteti i vonë kishte përgatitur fillimet e këtij procesi, që u ngadalësua gjatë mesjetës së hershme nga ambienti i pafavorshëm i ekonomisë së mbyllur natyrore, por u përshpejtua nga efekti komunitar i kristianizmit. Nuk ka dyshim që vazhdimësia e organizimit kishtar, më tepër se ajo e pushtetit politik bizantin, ka qenë katalizator i këtij procesi, së bashku me efektin e komunikimit  shoqëror, gjuhësor dhe familjar që krijonin komunitetet krishtere.
Për shkak të një periodizimi tradicional antikiteti i vonë mbyllet që me shek. VI, por në pikëpamjen arkeologjike ai vazhdon deri në shek. IX, kur fillon një periudhë me facies të ndryshme kulturore, të krijuar nga qytetet e mbijetuara, në radhë të parë Dyrrahu. Vetëm se ato nuk ishin një vazhdim i natyrshëm i qyteteve antike, pavarësisht se zhvilloheshin në truallin e tyre. Për nga forma urbane, mënyra e prodhimit, marrëdhëniet me territorin dhe pushtetin qendror, ato përbënin një fillim të ri, në kushtet e një epoke të re.
Somario
Shekulli III p. Kr. ka qenë një periudhë barazie midis popujve të Perandorisë Romake, kur me ediktin e Karakallës të viti 212 p. Kr. iu dha e drejta e qytetarisë romake të gjithë qytetarëve të perandorisë. Prof. Skënder Anamali pati evidentuar një ringjallje të emrave, veshjeve dhe perëndive të lashta në këtë periudhë, që e pat karakterizuar si “Rilindja Ilire”. Në fakt shekujt IV-VI, nuk ishin as të lumtur dhe as të qetë. Përkundrazi, valë të paprera dyndjesh gote dhe, më pas sllave, sollën kaos dhe shkretime.
Megjithatë, arkeologët kanë shënuar edhe reagimin e popullsisë vendëse, përmes rishfaqjes së armëve në inventarin e varreve dhe të ngritjes së një numri të madh fortifikimesh për mbrojtjen nga këto dyndje. Në secilën prej tyre, si dhe në territoret fshatare janë vërtetuar prezencat e kishave paleokristiane, Është vërtetuar, gjithashtu, se qendrat e kryesore ushtarake dhe administrative, si Dyrrahu, Scodra, Bylisi, Butrinti, etj, ishin bërë njëkohësisht qendra të selive peshkopate. Kjo ishte shenjë e rrolit drejtues që mori kisha në shpëtimin shpirtëror dhe fizik të popullsisë vendëse ndaj kërcënimit shfarosës që vinte nga dyndjet e barbarëve paganë.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate