08 marzo 2013

Berati e Gjirokastra, pasuri në rrezik? UNESCO vendos në qershor

TIRANE - 8 Mars 2013
 Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës janë bërë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, por tani Komiteti i Trashëgimisë Botërore është tejet i shqetësuar për numrin e madh të ndërtimeve pa leje që aktualisht po e ndryshojnë tepër fytyrën e qyteteve dhe vlerat e tyre të mbrojtura. Është sajti "argophilia.com", që në një artikull të botuar më 5 mars, në gjuhën angleze shkruan se Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë të arkitekturës tipike osmane, që datojnë që nga shekulli i 13-të. 

Komiteti i ka dërguar Ministrisë Shqiptare të Turizmit e Kulturës një letër, ku i liston të gjitha masat që duhen marrë para takimit të UNESCO-s në qershorin e këtij viti, kur Komiteti Botëror i Trashëgimisë të diskutojë nëse Gjirokastra dhe Berati do të jenë në listën e zezë të Trashëgimive Botërore në Rrezik. Shqipëria e ka tashmë sajtin arkeologjik të Butrintit në këtë listë, për shkak se sajti tregon dëmtime të mëdha, që vijnë nga menaxhimi i dobët dhe ruajtja e tillë. Për Beratin e Gjirokastrën, zhgënjimi më i madh ka të bëjë me mungesën e kontrollit të qeverisë sa u takon ndërtimeve pa leje që po ua zënë frymën qyteteve. Vihet një theks i veçantë në Gjirokastër, ku vetëm së fundmi mund të numërohen më shumë se 270 ndërtime të paligjshme. 

Në letrën për Ministrinë e Turizmit në Shqipëri, Komiteti i Trashëgimisë Botërore shpreh gjithashtu shqetësim se nuk është bërë asnjë progres për të prezantuar një program të ndërhyrjeve arkeologjike, në rast të implementimit të restaurimeve të mëdha, e po ashtu mungon një plan kundra një zjarri të mundshëm. Komiteti i ka kërkuar Qeverisë shqiptare të bëjë një plan-veprimi urgjent, në mënyrë që të zgjidhë problemet e fundit dhe të parandalojë dhunimet e ardhshme të këtyre sajteve. 

Për më tepër, Komiteti i ka kërkuar shtetit shqiptar që të kujdese më shumë në për kalanë e Beratit dhe të gjitha ato që do të bëjë, do t'i duhet t'i paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për këshillim. Shqipërisë i është kërkuar të përmbledhë para Qendrës së Trashëgimisë Botërore deri në 1 shkurt 2013, një progres-raport mbi implementimin, raport që do të ekzaminohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në datat 16-27 qershor 2013, në sesionin e 37-të. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate