14 marzo 2013

Sfidat e turizmit në Shqipëri ne ITB berlin 2013, Intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi


Në Berlin këtë javë është hapur Panairi i Turizmit 2013, ITB. Në mesin e 10.000 ekspozuesve nga 188 vendet të botës, është edhe Shqipëria. Intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.
Aldo Bumçi, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë
Aldo Bumçi, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë

DW: Zoti Bumçi, rreth 70 vjet më pare nje turist gjerman arriti ne konkluzionin se Shqipëria ka një të ardhme turistike? (Durch Albaniens Schluchten - botuar në vitin 1939). Duke pasur parasysh gjithë këtë periudhë kohore, a është tani sa duhet të jetë Shqipëria një vend turistik?

A.Bumçi: Absolutisht jo. Sepse që nga koha që turisti gjerman shkroi këtë deklaratë deri sot ka qenë në mes periudha e komunizmit gati 50 vjeçare dhe e bëri të pamundur zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Vendi po ashtu nuk arriti të ecte as me hapin e vendeve përreth, sepse kur ato vende zhvilloheshin në këtë drejtim, ne ishim të izoluar në bunkerin tonë. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria nuk është në atë stad zhvillimi që duhet të ishte. Por nga ana tjetër ky konstatim nuk na lejon që të shohim nga afër zhvillimet e bëra në këto vite, sepse ka një pritshmëri si në vendet përreth të cilat kanë tjetër histori zhvillimi në vendet e tyre.

DW: Por a duhet ta vizitojë një i huaj Shqipërinë sot dhe pse?

A.Bumçi: Një i huaj ka dy arsye për ta vizituar Shqipërinë. E para kurioziteti i destinacionit që nuk e njeh ende këtë vend i cili është në mes të Europës dhe jo në ishujt e Paqësorit apo në Afrikë, pra në vende që duhet të paguajë shumë shtrenjët për të shkuar atje. Sot në Tiranë je për një orë nga Vjena dhe për një orë e 20 minuta nga Mynihu. Një turist gjerman do të vinte tek ne për të zbuluar pikërisht sekretin e fundit të Europës sepse nuk ka vend në Europë, aq më pak vende me bregdet, që të jenë ende të panjohura si Shqipëria. Pra një destinacion i paeksploruar. Kjo është pra arsyeja e parë, tërheqja. E dyta është çfarë ofron Shqipëria. Ajo ofron një produkt të veçantë jo sepse ne nuk kemi karakteristika të njëjta me vendet fqinjë, por ato vijnë në një vend me intensitet që nuk e kanë vendet fqinje. Kemi bregdetin, malet dhe trashëgiminë kulturore të cilat vijnë në hapësira gjegografike shumë të vogla.

DW: Por si mund të arrihet kjo, thjesht vetëm nga kurioziteti? Të gjitha këto që ka Shqipëria një i huaj nuk i di. Shpesh dëgjojmë që vendit tonë i mungojnë prospektet apo mundësi të tjera për t'ja ofruar qytetarëve të huaj, veçanërisht atyre europianë që ata të bëhen kureshtarë për këtë vend. A është punuar në këtë drejtim zoti ministër?
 
Promovim jo sa duhet
Jala -bregdet në jug të ShqipërisëJala -bregdet në jug të Shqipërisë

A.Bumçi: Për këtë në kemi bërë një promovim, por jo promovim "agresiv“. Kjo për dy arsye. Arsyeja kryesore është që vendi nuk ka qenë gati. Nëse ne do të fillonim këtë ta bënim fuqishëm para shtatë- tetë viteve më parë, kur ne erdhëm në qeverisje mendoj se vendi nuk do t'mund ta përballonte një fluks të madh turistik dhe kjo do të ishte negative për vendin tonë. Ne deri në 2007 kemi pasur ndërprerje të konsiderueshme të energjisë elektrike, mungesë të një infrastrukture bazë, të rrugëve të furnizimit me ujë të pijshëm, etjer. Pra një vend që i mungon infrastruktura bazë nuk është i gatshëm që të presë turistë siç është sot ku ka një bum zhvillimi në drejtim të hotelerisë dhe të shërbimeve të tjera për turistët. Pra gjykuam që produkti të bëhej gati dhe për këtë kemi investuar sikur ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Janë ndërtuar akset e rrugëve kryesore dhe ato rurale, rrugët ku janë zonat arkeologjike, kështjellat apo parqet e shumta arkeologjike.
Çështjet e njohjes së problemeve të Sqipërisë kanë qenë shumë të thella. Një vend që deri vonë ishte i panjohur ose me paragjykimet e një vendi që eksportonte kriminalitet, një vend që tregohej me gisht si vend trafikimi. Ne e hoqëm Shqipërinë nga harta e skafeve dhe e bëmë vendin anëtar në NATO që do të thotë shumë për një të huaj. Sepse të jesh vend anëtar i NATO-s do të thotë se kemi të bëjmë me imazhin e një vendi që bën pjesë në një aleancë të sigurtë, pra një vend i maturuar dhe që mori liberalizimin e vizave. Rol luan edhe fakti qe tani kemi një rritje të madhe të investimeve në Shqipëri dhe të gjitha këto kanë sjellë në përmirësimin e imazhit të vendit që ndihmon edhe turizmin.

DW: Cilat janë disa nga problemet me të cilat përballet turizmi aktualisht dhe a ka konkretisht projekte për përmirësimin e këtyre problemeve? Në panairin aktual në Berlin si u vlerësua stenda e Shqipërisë, ishte në nivelin e duhur për të përballuar me konkurencën e madhe dhe a kishte interes, veçanërisht nga gjermanët?

Bum i numrit të vizitorëve
Turistët në Shqipëri të interesuar për vendet historiko-kulturore, ApolloniaTuristët në Shqipëri të interesuar për vendet historiko-kulturore, Apollonia

A.Bumçi: Mendoj se është koha që ne të fillojmë fushatën e promovimit të turizmit të Shqipërisë dhe gradualisht do të kërkojme fondet e duhura për të arritur që kjo fushë të ketë frutet e saj. Pavioni i Shqipërisë nga vëzhgueist e huaj dhe nga operatorë të ndryshëm është vlerësuar më mirë se në vitet e mëparshme, pra kemi një përmirësim ndërsa përshtypjet e vetë operatorëve shqiptarë që janë pjesë e Panairit në Berlin ishin se ka një interes në rritje nga operatorët dhe agjencitë turistike gjermane në krahasim me një vit më parë. Kjo është shumë e rëndësishme. Rritja e interesit nga të huajt për turizmin në Shqipëri nga viti në vit është shumë e madhe edhe në krahasim me Greqinë apo Kroacinë, kuptohet jo në vlera absolute sepse Kroacia ka 11-12 milionë turistë në vit, por si rritje vjetore e ka 4 deri në 5 për qind. Ne në vitin 2012 kemi pasur 26 për qind vizitorë më shumë se në 2011. Kemi pasur 18,6 për qind vizitorë më shumë në 2011 se sa në 2010. Pra rritja është marramendëse. Kuptohet është rritje kryesisht nga rajoni por edhe nga vendet e Europës. Pra ka rreth 70 mijë vizitorë me pashaportë gjermane që sigurisht në mesin e tyre ka edhe shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë gjermane. Por ka një rritje të ndjeshme të qytetarëve zvicerianë, francezë, britanikë, amerikanë e të tjerë që vijnë vizitojnë Shqipërinë. Kjo ka ndodhur pa promovim agresiv dhe kjo është shumë e rëndësishme.

DW: A po punohet me vendet fqinjë edhe për shkëmbim turistësh apo projekte të tjera të përbashkëta?

A.Bumçi: Sigurisht që po punohet në disa drejtime. Mbi të gjitha për dy arsye. E para sepse vendet fqinje janë destinacione të njohura dhe ne përfitojmë nëpërmjet paketave të përbashkëta. Turistët vijnë nga Korfuzi dhe mund të qëndrojnë një ditë ose një natë e më pas vendosin të qëndrojnë më shumë. Kjo vlen edhe për ata që vijnë nga Mali i Zi. E dyta sepse për shumë vende Ballkani perëndimor është një destinacion turistik dhe paketat duke qene mikse bëhen më tërheqëse sepse nga vija e largët, nga Amerika kur vjen në Ballkan nuk dëshiron të qëndrosh në një vend dhjetë ditë, por dëshiron të shohësh edhe Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë. Pra të qëndrosh nëpër këto vende është shumë më tërhqëse. Për këtë arsye po zhvillohen paketa turistike të përbashkëta që janë duke u shtuar dhe përmirësuar. Këtu do veçoja si shumë pozitive për zonën e Alpeve të veriut në Shqipëri projektin „Majat e Ballkanit“ që është në bashkëpunim me GTZ-n gjermane. Ky projekt është përzgjedhur nga Këshilli botëror i turizmit dhe udhëtimeve për dhënien e çmimit „Turizmi i së nesërmes“ që ndahet në prill. Ne jemi në listën e tre vendeve kryesore për këtë çmim dhe shpresojmë të përzgjidhemi, të jemi fituesit. Por edhe në vendin e dytë apo të tretë po të jemi është për ne një vlerësim i madh. Kjo do të ishte e rëndësishme edhe për Kosovën dhe Malin e zi si vende në kufi.

DW: Zoti ministër, sa merret parasysh edhe mbrojtja ekologjike e mjedisit, kur bëhet fjalë për ndërtimet, veçanërisht në qytetet apo vendet turistike?
 
Ambjent ekologjik
Pamje nga veriu i Shqipërisë në kufi me Malin e ZiPamje nga veriu i Shqipërisë në kufi me Malin e Zi

A.Bumçi: Ne kemi ardhur duke e përmirësuar këtë pikë që është pa dyshim një nga kriteret tona bazë në fushën e turizmit. Sigurisht që dëmtimet më të mëdha në fushën e mjedisit ndodhën në kohën e komunizmit me industrinë e rëndë në atë kohë që shkatërroi zona të tëra të Shqipërisë dhe me hapjen e tokave të reja me shkatërrimin e pyjeve. Tani kjo industri pothuajse nuk ekziston fare në këto përmasa dhe kemi një rikthim të pyjeve për shkak edhe të lëvizjes së popullsisë nga vendet malore dhe për shkak se pyjet janë të reja dhe ka një prezencë të madhe të shtetit atje. Kemi investuar në tregtimin e ujrave të zeza që është shumë e rëndësishme. Sot liqeni i Pogradecit është një liqen i një cilësie të njëjtë siç është në anën maqedonase. E njëta gjë po bëhet edhe përgjatë gjithë bregdetit nga Velipoja në Ksamil. Qytetet tona janë në fazën e rilindjes, të përmirësimit. Qytetet kryesore kanë ndryshuar shumë në aspektin e arkitekturës dhe të mjediseve. Ne si ministri në bashkëpunim me Bashkimin Europian kemi zbatuar shtatë projekte në zonat historike dhe në qytetet kryesore si të Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Himarës, Krujës, Tiranës e tjerë. Kemi një zbukurim të qyteteve shqiptare.
Elementi tjetër është që nëse nuk ka shumë parqe branda qytetit mendoj që nuk është një problem për tu ekzagjeruar sepse ne kemi qytete të vogla dhe në pak minuta udhëtim me makinë del jashtë qytetit dhe je në zona vërtet të gjelbëruara kodrinore e malore, ku mund të shijosh natyrën. Pra nëse nuk kemi parqe brënda në qytet siç ka këtu në Gjermani, ka pak më larg në periferi të qyteteve. Gjithashtu shumë atraktiv turizmin në Shqipëri e bëjnë edhe vendet apo monumentet historike kulturore siç janë muzeumi i Skëndërbeut dhe pazari tipik në Krujë, kalaja e Shkodrës ajo e Lezhës, kishat e shumta dhe kjo vlen edhe për destinacionin tjetër në jug Sarandë - Gjirokastër ku është Butrinti. Pra në Shqipëri bëhen pushime të gjalla dhe aktive.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika-Kelmendi http://www.dw.de/sfidat-e-turizmit-n%C3%AB-shqip%C3%ABri/a-16660952

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate