21 marzo 2013

Pikat Arkeologjike ne shqiperi per te vizituar kete pranvere-vere 2013


Territori i Shqipërisë, si pasojë e pozicionit të favorshëm në pellgun e Mesdheut, i cili njihet si një prej djepeve më të rëndësishëm të civilizimit botëror, ruan në brendësi të tij një numër të konsiderueshëm të pikave arkeologjike të cilat janë dëshmi e këtij qytetërimi . Këto pika janë të shtrira nga veriu në jug dhe përbëjnë destinacionet më të rëndësishme turistike.
Butrinti: Ndër më të rëndësishmet janë rrënojat e këtij qyteti antik, i cili ndodhet nën mbrojtjen ndërkombëtare të UNESCO-s. Butrinti gjendet në skajin jugor të liqenit të Butrintit ( në antikitet i njohur me emërtimin Pelodes) në një distancë prej 18 km larg nga qyteti i Sarandës. Ai është një prej pikave më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë. Butrinti ishte një qytet i lashtë në Epir që përmendet që në shek.VII B.C, si një qendër e fortifikuar. Sipas Apollodorit emri BUTHROTON vjen nga greqishtja “ bous – dem”. Ndërsa sipas Dionisit të Halicarnassusit, formimi i Butrintit lidhet me kalimin këtu te princit Trojan Enea, i cili gjatë rrugës për në tempullin e Dodones sakrifikoi një dem që do të thotë (Buthrotos). Poeti Virgjil në poemën e tij “Eneida” në librin e 3-të jep përshkrimin e vizitës së Eneas në Butrint. Kulmin e tij Butrinti e arriti në shek 4 B.C. Ne vitin 228 u kthye ne koloni Romake, ndërsa një shekull më vonë u bë pjesë e provincës së Ilirisë. Në shekullin e 6 A.D. u shndërrua në një qendër Peshkopale.
Krahas statusit të UNESCOS që prej vitit 2000 Butrinti është shpallur gjithashtu Park Kombëtar.
Objektet kryesore për t’u vizituar në Butrint janë Tempulli i Aeskulapiusit
(Perëndia e shëndetit) shek II A.D., teatri me 1 500 vende (shek III B.C), pagëzorja e cila është një monument paloeokristian dhe për nga madhësia është e dyta pas asaj të Shën Sofisë në Stamboll, nymfeu, banjat, bazilika, porta e Luanit, porta e liqenit, kulla Veneciane, kalaja e Ali Pashait etj. Një seri objektesh gjenden në Muzeun e Butrintit.
Perla e zbulimeve arkeologjike të Butrintit është busti i njohur si “Koka e Deas” 50 cm i lartë. Ky bust i vendosur mbi një shtatore femre i përket shek. IV B.C. Ajo u zbulua nga arkeologu Italian Ugolini në vitin 1938. Fillimisht ai e identifikoi në hyjneshën e qytetit me emrin Dea. Më pas e identifikoi me kokën e Apollonit. Ky bust sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Përveç vlerave arkeologjike dhe arkitekturore, Butrinti shquhet për ekosistemin e tij të shkëlqyer. Ai është i pozicionuar në mes të një xhungle të vërtetë subtropikale me gjelbërim të përhershëm, ku bien në sy dafinat, drurët e lartë dhe lianat.
Apollonia: është një prej pikave më të rëndësishme arkelologjike të Shqipërisë. Ajo është përmendur nga Ciceroni “...si një qytet i madh dhe hijerëndë”. Apollonia ndodhet 11 km në perëndim të qytetit të Fierit. Qyteti antik u themelua në fund të shekullit VII nga kolonistë të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra. Në shek V–VI B.C. qyteti arriti kulmin e lulëzimit kur preu edhe monedhat e veta.
Në shekullin e I B.C. perandori Romak August ka studiuar filozofi në Apolloni. Qyteti kishte një mur prej 5 km që rrethonte një sipërfaqe prej 140 hektarë. Ndër objektet më interesante për vizitorin e sotëm janë ‘Muri madhështor i Agonoteteve” ( Këshilli i qytetit) shek II B.C., Odeoni i shek .II B.C me kapacitet 400 spektatorë, Shëtitorja (stoa) e mbuluar me gjatësi 77 metra, rrjeti i kanaleve etj. Për t’u përmendur është gjetja e kokës së Zeusit (shek. V B.C.) dhe koka e Artemisit (shek IV B.C.)
Durrësi i lashtë: Qyteti i Durrësit është një prej qyteteve më të lashtë të Shqipërisë. Ai është themeluar në vitin 627 nga kolonistë të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra mbi trojet e fisit ilir të Taulantëve. Fillimisht qyteti quhej Epidamn dhe më pas Dyrrah (sipas mitologjisë i nipi i Epidamnit). Më pas Durrësi u kthye në seli të mbretërve Taulantë, në fillim të Glaukut dhe më pas e bijve të tij Monunit dhe Mytilit. Në vitin 229 B.C. Durrësi pushtohet nga Roma. Gjatë sundimit romak në Durrës u ndërtuan amfiteatri, ujësjellësi etj. Durrësi i lashtë kishte akropolin e tij të vendosur në lartësinë 98 metra mbi nivelin e detit si dhe kushtetutën e tij.
Monumeti më i rëndësishëm është Amfiteatri i Durrësit i cili për nga madhësia është i dyti në Ballkan. Ai u ndërtua në shek II A.D. në periudhën e perandorit romak Hadrian. Amfiteatri ka një kapacitet prej 15 -20 mijë spektatorësh dhe ngjan për nga stili i ndërtimit me monumentet e Pompeit dhe kapuas në Itali. Ne shek e X në galeritë e tij u ndërtua një “Kapele” e cila shquhet për mozaikët e rrallë muror.
Forumi bizantin, i cili është një kompleks i gjerë ndërtimesh që i përket shek V–VI A.D. Ai është i zbukuruar me kolona mermeri dhe në qendër gjendet një pus.
Termat . I përkasin shek II.A.D., janë zbuluar në vendin ku sot gjendet teatri “ Aleksander Moisiu”.
Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” . U zbulua në vitin 1616. Ky mozaik i përket shek IV B.C. dhe është një prej më të bukurve në Shqipëri i punuar me gurë zalli. Tashmë ai ndodhet i ekspozuar në muzeun Historik Kombëtar.
Kalaja e Durrësit. Është fortifikuar gjatë shek V-VI në periudhën e Perandorit Anastas. Gjatësia e mureve ishte 3,5 km. Sot ruhen 500 metra nga muri i kalasë.
Finiqi: Ndodhet përgjate rrugës automobilistike Sarandë–Qafë Muzinë. Fashti i sotëm gjendet në një distancë prej vetëm 8 km larg nga deti Jon. Ai u themelua në shek III–II B.C. në territorin e Kaonisë. Ai ishte një qytet mjaft i madh dhe njëkohësisht kryeqyteti i Kaonisë. Finiqi është përmendur nga Polibi, Straboni dhe Ptolemeu . Për herë të parë është përmendur nga Polibi në lidhje me luftën iliro–etole të vitit 230 B.C. kur qyteti u pushtua nga Skerdilaidi, komandanti i trupave të mbretëreshës ilire Teuta, akt i cili e shkëputi nga ndikimi Etol dhe e bashkëngjiti me Ilirinë. Qyteti ka patur një sipërfaqe prej 40 hektarë dhe rrethohej me mure të gjatë 3 km. Janë zbuluar pjesërisht teatri i qytetit dhe një faltore. Aty gjendet dhe një bazilike e shek VI.
Orikumi: Ndodhet në jug të gjirit të Vlorës . Ai ishte një qytet antik në trojet e fisit ilir të Amantëve që u formua nga njerëz të ardhur nga ishulli grek i Eubeas që në shek. V B.C. Orikumi i lashtë ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftrat midis Çezarit dhe Pompeut.
Në shek e III B.C. ai preu monedhat me emrin e vet. Në vitin 214 u pushtua nga flota e Aleksandrit të Madh. Monumenti më i rëndësishëm i zbuluar është teatri i shek. I B.C., me një kapacitet prej 500 spektatorësh. Objekte të tjera janë shkallët shkëmbore me gjerësi 2,5 metra si dhe pusi i ujit 20 metra i thellë. Në periudhën bizantine Orikumi u njoh me emrin Jeriko. Ky emërtim mendohet se ka lidhje me bashkësinë çifute që gjendej në gjirin e Vlorës. Krahas rrënojave arkeologjike aty gjendet edhe kisha e Marmiroit e shek. XII.
Amantia: Është kryeqendra e fisit ilir të Amantëve. Rrënojat e saj gjenden në fshatin Plloçe në luginën e lumit të Vlorës. Amantia u themelua në shek. V B.C. Qyteti antik kishte akropolin e vet, tempullin e Afërditës etj. Në ditët e sotme është zbuluar stadiumi i Amantias i cili ka një pistë me gjatësi 60 metra dhe me gjerësi 12,5 metra. Nga njëra anë stadiumi ka 17 shkallë ndërsa nga ana tjetër 8 shkallë. Ndër zbulimet interesante të Amantias është një reliev me Hyjninë e Pjellorisë I shek III B.C., i cili është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Varret monumentale të Selcës së Poshtme, ndodhen në një distancë prej 40 km larg nga qyteti i Pogradecit. Ato datojnë 400 vjet para krishtit. Selca ka qenë një qytet ilir i fisit të Desartëve, i themeluar në shekullin VI B.C. Mendohet se këtu ka qenë “Pelioni“ i lashtë dhe residenca e Mbretit ilir Klit. Kulmin e lulëzimit Selca e arriti në shek. IV dhe III B.C, kur u ndërtuan edhe muret rrethuese me sip. 3 hektarë. Pika arkeologjike gjendet në lartësinë 1040 metra mbi nivelin e detit. Aty janë zbuluar 5 varre monumentale, 4 nga të cilat janë të gdhendura si tunele. Varret kanë stil Jonik, janë varre të rralla në ballkan dhe ngjajnë me monumente te ngjashme të zbuluara në jugun e Italisë. Në këto varre janë zbuluar karfica, punime ari, filigrami etj
Albanopoli ( Zgërdheshi) , ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Fushë-Krujë - Krujë pranë fshatit Halil. Në vitin 1871, albanologu i shquar austriak Han ,vizitoi kalanë ilire të Zgërdheshit dhe hodhi idenë se ky ishte ALBANOPOLI antik, kryeqendra e fisit të Albanëve, prej të cilit ka marrë emrin edhe Albania. Qyteti antik i ngritur në kodër zinte një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Muret e fuqishme me gjatësi 1.400 metra e mbronin atë nga të gjitha anët. Sot ruhet një pjesë muri prej 90 metrash i gjatë. Në këtë vendbanim akropoli zë 1/3 e sipërfaqes. Nga terrakotat e zbuluara në Zgërdhesh vlen të përmendet një shtatore e vogël mermeri e perëndeshës Artemis. Qyteti antik ka lulëzuar për 3-4 shekuj deri sa u braktis në shek. II A.D.
Bylisi. Është një prej pikave arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë. Ishte kryeqendra e fisit ilir të Bylineve i themeluar në shek. e IV B.C.. Ai gjendet pranë fshatit të Hekalit në Mallakastër në një distancë 4 km larg nga rruga nacionale Ballsh–Tepelen. Rrënojat antike gjenden në një kodër. Në fillim qyteti antik ka pasur emrin “Bulis” në ngjarjet e vitit 49 -48 B.C., kur qyteti iu dorëzua Çezarit. Ndërkaq Plini në gjysmën e parë të shek I A.D. e cilesonte Bylisin si një koloni romake. Gjatë shek. II dhe III B.C qyteti preu monedhat e veta. Rrënojat e sotme përbëhen nga muret, teatri, bazilika etj.
Nikaia .Ndodhet në fshatin Klos të Mallakastrës në një distancë 1 km larg nga Bylisi. Qyteti antik i përket shekullit të V B.C. si nje qender e fortifikuar. Ai ka qene i rrethuar me mure qe mbulonin nje siperfaqe prej 18 hektarë.
Në lindje të qytetit antik është zbuluar portiku me sipërfaqe 300 m2 si dhe teatri në kapacitet 800 – 1 000 spektatorë.
Antigonea. Pikë arkologjike në rrethin e Gjirokastrës në krahinën e Lunxhërisë pranë fshatit Sraqinisht. Ka qenë një qytet i Kaonisë në Epir. Mendohet se është ndertuar nga mbreti Pirro i Epirit për nder të gruas së tij me emrin Antigonea. Themelimi i qytetit i përket shek. II B.C. Ndër objektet më interesante të zbuluara në Antigonë janë sfinksi i Antigonesë, i cili gjendet i ekspozuar në hyrjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë si dhe një figurë bronzi 30 cm e lartë e identifikuar në Poseidonin, hyjnin e detit. Rrënojat e sotme përbëhen nga blloqe gurë, kolona antike etj.
Theatri i Sofratikës. Ndodhet në luginen e Drinos në rrethin e Gjirokastrës afër fshatit me të njëjtin emër. Këtu ka qenë një qytet i periudhës romake i quajtur Adrianapoli , shek. II A.D. Teatri në fjalë është zbuluar në vitin 1984. Ai ka një kapacitet prej 4 000 vendesh me 27 shkallë.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate