Qytetërimi helen, romak dhe modernizimi gjerman të trupëzuar në të shkuarën dhe në projektimin e së ardhmes
Pamjet në foto nuk u përkasin godinave të vendeve si Berlini, Roma apo Parisi. Me një pamje madhështore, me domethënie që lind sapo të shfaqen para syve, janë institucionet më të reja të arsimimit në Shqipëri. Institucione që do të rritin garën për më shumë cilësi në arsimim, por dhe në imazhin e kulturës së një vendi.
Në të vërtetë, në disa vjet janë ndërtuar disa universitete private, por pa një koncept të mirëfilltë të përcjelljes së domethënies së traditës dhe së ardhmes. Ashtu siç thotë presidenti i “Albania University”, një koncept që do të përcjellë arsimin cilësor, krenari, përpjekje, kulturë dhe histori.
Berati
Për këdo që ka vizituar Beratin, imazhi i parë që i vjen ndër mend janë shtëpitë e bardha të ndërtuara njëra mbi tjetrën, xhamitë e kishat, që datojnë shekuj më parë. Pamje që tregojnë një qytetërim të lasht, qëndresë në luftë me ushtri të mëdha, kulturë dhe personalitete që kanë jetuar dhe zhvilluar në vite. E vetmja gjë që humbet është mungesa e institucionit të kulturës. Po nëse do të kalosh pak më tutje nga “lagja e lashtë”, do të ndeshesh me godinën madhështore që i jep Beratit peshën e munguar. Një godinë me një strukturë dhe hapësirë që të jep frymëzimin për të dhënë më shumë për shoqërinë dhe për vetë qytetin erëndë. Jo vetëm të rinjtë, por shumë e shumë qytetarë të Beratit apo zonave të tjera kanë populluar godinën e arsimit, duke marrë kulturë dhe duke dhënë po ashtu kulturë. Dhe jo më e shoqëruar vetëm me salla të ftohta të një institucioni shkollor, por me ngrohtësinë që të jep një ambient i konceptuar si i tillë. Nuk janë vetëm leksionet apo kërkimet shkencore ato që do të krijojnë brezat e ardhshëm, por janë pikërisht këto institucione, që do të forcojnë dhe zhvillojnë kulturën dhe arsimin. Godina e Beratit përfshin dy qytetërime të hershme: godina me shtyllat e saj paraqet arkitekturën e Apolonisë së lashtë, ndërsa pjesa e sipërme panteonin romak.
Fieri
Qyteti i ri e kryeqendra e Myzeqesë prej kohësh ka nisur udhën e prodhimit dhe të punës. Po pakkush do të mendonte se do të kthehej në një pikë të rëndësishme të arsimit. Në qendër të saj ka hedhur rrënjët godina 4-6-katëshe. Godinë me kolona të larta, por jo për banim. As për muze të ngrirë, ku do të kujtohet e shkuara, por një muze që do të frymëzojë të ardhmen. Një muze që u jep të rinjve që kanë nisur të popullojnë auditorët në kërkimet e tyre. Frymëzimi nuk do të përfundojë me kolonat gjigante apo me dyert e rënda. Të futesh në hollin qendror, gjithçka të duket si një senat i lashtë romak dhe me një tavan të zbukuruar të Vatikanit. Ndoshta dhe me auditorët e Napolit të lashtë. E kujt do t’i shkonte më shumë një konceptim i tillë se vetë Fierit, kryqëzimit të arsimit, punës dhe luftës? Godina është e konceptuar të përcjellë Akropolin, qytetërimin helenik.
Durrësi
Bregdeti, lashtësia, portet janë treguesit më të fortë të një qyteti të zhvilluar në kohët më të lashta. Një qytet i vjetër, që i mungon pikërisht shprehja e krijimit të mendimit. Ç’universitet do të ishte më i plot për këtë qytet veçse një godinë që do të krijonte idenë e kulturës së lashtë perëndimore, të jetuarit dhe të menduarit, por dhe të drejtuarit e të punuarit si një gjerman i vërtetë? Pikërisht në qendër të tij ka nisur të hedhë rrënjë godina me simbolet bazë të qytetërimit romak dhe atij grek, por i vulosur në kokë të tij me simbolin e Bundestagut gjerman.
Të jetosh
Nuk jam vetëm unë që nis të tentoj të jap një mendim mbi lindjen e këtyre tri shtyllave të arsimit në Shqipëri. Janë shumë e shumë pedagogë e intelektualë, që ndiejnë frymëmarrjen ndryshe që me hedhjen e shkallëve që të çojnë drejt këtyre universiteteve. Çdo hap që ngjit të mbush dhe me më shumë krenari drejt një godine arsimore, por dhe njëkohësisht të fut në një dyzim drithërues. Vërtet, a mjafton ajo çfarë kam për të dhënë? A mos duhet të eci më shumë për të prekur më në thelb atë çfarë transmetojnë këto godina madhështore?
Presidenti i “Albania University” flet mbi projektet
Veliaj: Zgjedhjet? Do të jem me qytetarët e Beratit, me ta e në mes të tyre
Presidenti i “Albania University”, Astrit Veliaj, në një intervistë të dhënë për “Metropol” flet mbi projektin e tij në shërbim të arsimit dhe kulturës. “Shqipëria është një vend me kulturë perëndimore, por që i mungojnë objekte që do të flasin mbi periudha të rëndësishme të vendit”, – shprehet Veliaj, i cili thekson se jo vetëm duhet punuar për një arsimim cilësor, por duhet të jepet kontribut dhe në vlerat arkitekturore.
- Zoti Veliaj, deri tani keni realizuar dy universitete, në godina që janë tërësisht të veçanta, sidomos për këtë kohë, kur vendi është përfshirë nga një valë e madhe ndërtimesh. Pse kjo zgjedhje?
- Në nismën tonë qëllimi është të krijojmë institucione arsimimi cilësore, por dhe të krijojmë dhe të shfaqim vlerat kulturore të vendit. Ne si shqiptarë kemi kulturë perëndimore. Në Shqipëri, për fat të keq, nuk kemi ndërtime të këtij tipi. Shqipëria ka përjetuar periudhën e antikitetit, por janë të pakta monumentet që lidhin shqiptarët me të. Gjithkush, kur vjen në vendin tonë, shikon ose ndërtime të modelit të qytetërimit bizantin, ose ndërtime të tipit otoman. Por fakti është se Shqipëria dhe shqiptarët janë me kulturë perëndimore. Në Shqipëri ka ekzistuar qytetërimi romak, por te ne kjo periudhë e historisë mungon e përjetuar në monumente.
- Dakord, por mund të zgjidhnit të ndërtonit në objekte të gatshme, me kosto më të ulët dhe si zgjidhje më e thjeshtë.
- Po, por ne luftojmë për diferencimin dhe jo për më të thjeshtën. Klasikët kanë lënë vepra të papërsëritshme, që janë në përjetësi. Vepra arkitekturore, në art etj. Kjo është periudha e Da Vinçit, Mikelanxhelos, Moxartit, Bethoven etj.
Pikërisht janë këto shtysa që na kanë bërë t’i sjellim këto modele në Berat, Fier dhe në Durrës.
Berati. si qytet me histori dhe me kontribute mjaft të vyera, por që fatkeqësisht nuk ka simbole evropiane, ndaj me këtë ndërtesë të universitetit tentoj t’i jap një pamje më europiane.
Në këtë ndërtesë çdo detaj ka simbolikën e saj. P.sh., kolonat në Berat simbolizojnë Apoloninë, kupola simbolizon qytetërimin romak. Pra, një ndërthurje mjaft domethënëse.
Në ndërtesën e Fierit kolonat përfaqësojnë Apoloninë, ndërsa kupola simbolizon Akropolin qytetërimin Grek. Nga ana tjetër, në godinën në Durrës do të kemi një ndërthurje të klasikes me elemente të modernes. Këtë radhë do të kemi kupolën me xham, një simbol i Bundestagut Gjerman. Në këtë kuptim, çdokush që do t’i shikojë do të kuptojë që Shqipëria është pjesë e qytetërimit perëndimor, por dhe që Shqipëria është vend që mbështet dhe i zhvillon vlerat
Në Tiranë parashikojmë një ndryshim më të fortë. Një ndërtesë neoklasike e ndërtuar me shtatë kate, e ngjashme me Uoll-Stritin në Nji-Jork. Në qendër të godinës do të ndërtohet kulla e sahatit, e cila do të ketë një lartësi me 32 kate. Ajo do të jetë kulla e dijes dhe simbol i kohës. Pikërisht kjo do të shërbejë si pikë turistike, duke qenë se do të jetë më e larta në Tiranë. Pra, një tjetër simbol evropian, dhe Tirana ka nevojë për të.
- Por këto investime mund t’i kishit drejtuar në sektorë të tjerë, pse pikërisht në ndërtime për universitete apo arsim?
- Nëse do të hedhim një vështrim në mbarë botën, ka një krizë të infrastrukturës së arsimit. Gjithnjë e më shumë po shihet se godinat ekzistuese po përshtaten dhe transformohen në shërbim të arsimit.
Ky është një kontribut në zhvillimin e gjeneratave të reja, me mendësi dhe me standarde europiane. Tashmë në Shqipëri çdokush është krenar për atë se ku e fillon dhe ku e mbaron shkollën.
- Po, por a mjafton të kemi vetëm ndërtime? Shpesh flitet se numri i të diplomuarve është tejet i lartë për tregun?
- Investime në godina domethënëse është një element i projektit tonë. Këto janë vlerë e shtuar për ambicien tonë në një arsim cilësor. Në “Albania University” kanë përfunduar studimet 6 mijë studentë, që kanë marrë diplomën. Na rezulton se 80 për qind e tyre janë të punësuar. Një fakt domethënës ky se janë të kërkuar në treg. Pra, një tregues domethënës për një arsim cilësor. Por këta të arsimuar do të jenë dhe më krenarë që janë diplomuar në këto ambiente, që përcjellin arsim, kulturë dhe histori.
- Katër vjet më parë ju ishit kandidat për deputet në Berat. Do të jeni sërish i angazhuar në një garë politike?
- Nga pikëvështrimi personal, nuk e kam parë asnjëherë politikën si pjesë të realizimit vetjak. Kam zgjedhur rrugën e vështirë të shqiptarit të thjeshtë: atë të konkurrencës së ndershme dhe të punës mes sakrificave. U jam përkushtuar investimeve në sektorin privat dhe kam qëndruar larg përfitimeve politike dhe fondeve publike. Gjatë këtyre 20 vjetve përvojë të suksesshme në themelim, ngritje dhe drejtim institucionesh kam gjetur forcën dhe lirinë për të ndihmuar me sa mundem zhvillimin e vendit dhe sot jam në pikën kulmore të vënies në zbatim të projektit kombëtar: arsim për zhvillimin. Arsim cilësor me kosto të ulët për çdo fëmijë është synimi i punës sime. Në Berat projekti pritet të finalizohet deri në vitin 2020, ndërsa në rang vendi mund të realizohet brenda 2025-s.
Ndonëse jemi në realizim e sipër të projekteve private me dobi publike, kjo nuk na çliron nga përgjegjësitë e tjera publike. Nuk mund të rrish indiferent kur e di se lidershipi politik është baza e prosperitetit. Statusi i njeriut publik të obligon të mendosh për zhvillimin e vendit, të kalosh fazën e egoizmit dhe interesit personal. Nisur nga ky pikëvështrim, unë nuk do t’u shmangem përgjegjësive që kam ndaj Beratit. Do të jem bashkë me beratasit, mes tyre. Do të bëj gjithçka mundem që ata të gjejnë influencën maksimale në plan kombëtar. Përvojën, njohjet që kam ndërtuar gjatë viteve, besimin që njerëzit kanë ndaj meje do t’i shfrytëzoj të mbledh kapitalin e nevojshëm intelektual, fonde publike, private dhe europiane e ti vë bashkë në projekte të reja në dobi të qarkut. Realizimi me sukses i universitetit të Beratit, universitetit të Fierit kanë rritur mbështetjen dhe na kanë dhënë kredenciale për të akumuluar fonde dhe përkrahje politike për projekte edhe më të mëdha. Pa dyshim që ky lidership i ri që lidhet me universitetin dhe emrin tim personal do jetë i pranishëm në jetën e krahinës, do të shkojë i gjithi në dobi të qytetarëve të saj. Me fjalë të tjera, përgjegjësi publike jo për karrierë, por për ideale me dobi të lartë shoqërore.
http://www.gazetametropol.com/kater-universitete-qe-flasin-per-kulturen-perendimore-te-shqiperise/
Nessun commento:
Posta un commento