Written by Flora Xhemani
on Monday, 03 September 2012.
Ndër
përvojat më të bukura por edhe më të frikshme përgjatë viteve ndërkohë
që realizonim njohjen e Shqipërisë, ka qenë ajo e zbulimit të Rivierës
shqiptare. Njëqindepesedhjetë kilometra rivierë e mrekullueshme dhe e
rrezikshme, ku për të parë cilindo plazh të mahnitshëm, duheshin çarë
akoma kilometra, i vetmi vend ku më në fund e ndjeje parajsën në
pëllëmbë të dorës, ishte qyteti i vogël i Himarës. Himara është një vend
i çuditshëm e vazhdimisht i aftë të bëhet qendër bisedë për shumë
arsye, ku nuk dihet nëse duhet ta quash një qytet të vogël apo një
krahinë të madhe, një vend të afërt apo të largët (është buzë rrugës, po
aq sa buzë detit), një qytet grek apo shqiptar, mollë sherri e
vazhdueshme e politikës por edhe e njerëzve, vend me emër të bukur
femëror, e ngjashme me Helenën dhe e aftë të shkaktojë luftëra.
Rruga
nacionale Vlorë-Sarandë përbën aksin kryesor të komunikit i cili
përshkon gjithë krahinën e Himarës. Porti i Himarës përbën portën
kryesore që lidh Himarën me ishullin e Korfuzit dhe që andej me gjithe
Evropën. (gjatë muajve të veres, çdo të mërkurë e të shtunë ka lidhje të
rregullt me hidroboat me Sarandën dhe Korfuzin). Agjenci të ndryshme
turistike në kryeqytet ofrojnë udhëtime të organizuara për në Himarë. Në
të gjithë vijën bregdetare të Rivierës e nëpër fshatrat turistikë të
zonës, mund të shijoni ushqimet e freskëta, frutat e stinës e po të doni
edhe kuzhinën popullore që gatuajnë restorantet e tavernat, apo mund
t’u kërkoni kuzhinë shtëpie amvisave të shtëpisë ku jeni strehuar.
Himara do t’ju befasojë këndshëm me bukuritë e saj arkitektonike e
kulturore të cilën do ta hasni në të gjitha fshatrat e monumentet e
ndërtimet historike, kulturore e fetare por dhe në banesat 2-3 katëshe
të ndërtuara me gurë të skalituur me shumë merak e mundim nga dora e
mjeshtërve himariotë. Mjafton të përmendet se shumë nga shtëpitë e
familjeve të mëdha të Dhërmiut janë ndërtuar me gurë të skalitur që
është sjellë nga gurorja romane Gramata që ndodhet në brigjet e
Karaburunit, për të kuptuar dëshirën e merakun e himariotëve për të
ndërtuar shtëpitë tyre të cilat kanë elemente ndërtimi që i bëjnë ato
të ngjasin me kullat e gurit të ndërtuara në Mani të Peloponezit siç
janë frëngjitë. Në disa ndërtime përreth kalasë së Himarës, në fshatin e
vjetër të Qeparoit e Kudhësit, gjejmë elemente të arkitekturës
veneciane (në banesa më të hershme) të huazuara nga ishulli i Korfuzit,
siç janë dritaret e larta, suvatimi i banesës nga jashtë dhe ndërtimi me
dy ose më shumë kate si në Dhërmi, Gjilek e Palasë. Nuk janë vetëm
monumentet e ngritura nga dora punëtore e himariotit që i japin asaj
vlera të pashtershme por dhe natyra ka qenë bujare me të duke krijuar
monumente natyrore (disa prej tyre të shpallura e të mbrojtura si të
tilla nga shteti), Delta e Kserrollakut në Dhraleo, Shpella e Piratëve
në Dhërmi, Bokërimat e Vunoit, Kanioni i Gjipesë, pylli i Shën Kollit në
Pilur, etj. Për të gjithë ju që ende nuk keni qenë në këtë vend të
bukur, që ende nuk keni kaluar bri Kimerës së hijshme e që nuk e keni
provuar freskinë e ujrave të saj, bëjeni një udhëtim në Jugun e
Shqipërisë dhe ndalesën e fundit lëreni për në Himarë, ku mikpritja dhe
bukuria e natyrës nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ashtu sic nuk kanë
dallim kombësitë, në sheshin e vogël të qytetit, që në verë ofron
gjithcka, aragostat e shijshme të Piazzës, shtypin ndërkombëtar,
bicikletat me qera, banderolat “Welcome to Himara”, shëtitjet e orëve të
vona në bulevardin e ri buzë detit, madje edhe koncertet verore të
DJ-ve të famshëm që rëndom i gjen verës nëpër plazhet shqiptare. Himara
është e Bukura e (Mes)Dheut, që nuk mund të mos e admironi teksa hidhni
hidhni sytë nëpër ujrat e kaltra të Rivierës Shqiptare.
http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/destinacione/item/himara-e-bukura-e-mesdheut
http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/destinacione/item/himara-e-bukura-e-mesdheut
Nessun commento:
Posta un commento