Nga Flora Xhemani
Në stinën e veçantë të pranverës mund të njihemi jo vetëm me kënaqësitë që na vijnë pas një dimri të gjatë por me pjesë të veçanta të natyrës që duket sikur zbulohen vetëm në këtë kohë. Një prej tyre mund të ishte Gryka e Këlcyrës, e thënë ndryshe edhe si parajsa e njëmijë e një burimeve. Është një nga vendet më piktoreske shqiptare e pasur me ujëvara, burime, parqe e sidomos gjallëri natyrale. Itinerari ynë kësaj radhe është pikërisht në disa prej këtyre pjesëve, që vijnë të eksploruara në detajet e tyre
Për të kuptuar më mirë bukuritë e njërës prej pikave natyrore më tërheqëse të Shqipërisë, është mirë që udhëtimin ta nisni nga juglindja e Shqipërisë, në itinerarin vazhdues Korçë-Leskovik-Përmet-Tepelenë, ashtu siç vepruam edhe ne. Arsyeja e thjeshtë është sepse përgjatë të gjithë udhëtimit në drejtimin jug-veri, ju shoqëron rrjedha e smeraldtë e Vjosës dhe vargmalet më të bukura shqiptare, trioja Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë.
Pa dyshim ne do t’iu tregojmë pak nga gjithçka por aty ku do të ndalemi jo thjesht për t’u freskuar, kemi zgjedhur Grykën e Këlcyrës, ose ndryshe, parajsën e njëmijë e një burimeve, që zbresin nga malet e Trebeshinës e derdhen në Vjosë.
Gryka e Këlcyrës ndodhet në rrethin e Përmetit dhe në të ndodhet një nga burimet ujore më të bukura të Shqipërisë, Burimi i Ujit të Zi, i cili ndonëse jo shumë i përmendur siç mund të thoshim për pika të tjera ujore të natyrës shqiptare, është një vend i mrekullueshëm që vlen të vizitohet.
Këlcyra është një qytet që shtrihet përgjatë maleve Trebeshinë dhe Nemërçkë dhe laget nga lumi Vjosës dhe Dishnicës. Udha për në Këlcyrë, mund të merret edhe pasi shkëputeni nga rruga Tepelenë-Gjirokastër dhe lë në të djathtë rrënojat e qytetit të lashtë të Antigonesë. Madhështore dhe hijerëndë Gryka e Këlcyrës çan mes honesh të thepisura dhe mbërrin në pikën më të lartë të pllajës që shtrihet mes Malit të Trebeshinës e Nemërçkës në qytetin e Këlcyrës, që është i vendosur në të djathtë të Vjosës, aty ku lumi i Dishnicës së bashku me degët e veta nis bashkërrjedhjen me Vjosën.
Ujëvara në pikën turistike
Në çdo stinë panorama që iu dhuron kjo zonë është e mrekullueshme. Ne preferuam ta vizitojmë atë në vjeshtë, kur natyra luan me një spektakël të vërtetë ngjyrash, duke filluar që nga maja e bardhë e Trebeshinës që
kishte mirëpritur borën e parë, për të vazhduar me të murrmen e shkurrnajës, me të gjelbrën e përhershme të bredhave e pishave, me të verdhën e rrepave shekullore, e për të mbaruar me të bruztën e ujit të Vjosës, ku derdhen burimet e panumërta.
Ky vend i mrekullueshëm ujor quhet Burimi i Ujit të Zi, dhe është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro-hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë.
Ujëvarat e vogla që zbresin nga mali e kanë marrë emrin Uji i Zi sepse pellgjet që krijojnë para se të derdhen në Vjosë, marrin një ngjyrë të errët, të thellë. Uji përveçse është i pastër Kristal, ka edhe vlera të jashtëzakonshme kuruese dhe të dobishme për organizmin. Uji është i pijshëm dhe përdoret nga të gjithë lokalet që kanë mbushur zonën e rrepeve dhe që ofrojnë shërbime të shumta për pushuesit.
Ne u ndalëm tek njëri prej restoranteve të shumtë që ngrihen mes burimeve të ujit dhe aty na priti Besniku, i cili i kishte vënë restorantit të tij pikërisht emrin e luginës.
“Këtu vijnë shumë vizitorë, si në dimër ashtu edhe në verë”, na tha ai teksa na uronte mirëseardhjen. Vijnë fillimisht për të parë burimet, pastaj ulen të pinë një ujë të ftohtë e më pas ndiejnë dëshirën edhe të porositin ndonjë gjë për të ngrënë. Siç duket natyra u hap oreksin”.
Në momentin që ne bisedonim, pamë ca djem me vegla muzikore që po hynin në restorant.
“Bëni edhe muzikë live gjatë ditës?”, e pyes Besnikun kur pashë se njëri nga djemtë po montonte mikrofonat”.
Jo jo, ne nuk bëjmë muzikë live, por sot kemi një dasmë. Njerëzit vijnë këtu të bëjnë dasma dhe nuk janë vetëm të zonës por edhe nga zona të tjera. Arsyeja është se duan të bëjnë foto jashtë në natyrë se u dalin të bukura. Pa diskutim që edhe kuzhina jonë u pëlqen. Ne rrisim qengja shumë të mirë, rakia është e pastër, e Përmetit dhe e Këlcyrës. Ne jemi të famshëm për verën dhe rakinë që prodhojmë. Vreshtat tona janë me nam. Kështu që, pse të mos vijnë? Gjithçka është e mirë dhe natyrale”.
Ashtu ishte vërtet. Salla ishte e ngrohtë e mikpritëse, ushqimet ishin shumë të shijshme, njerëzit të qeshur e të butë. Vërtet çlodhëse.
“Ne kemi ndërtuar edhe hotelin kohët e fundit”, vijoi të na tregonte Besniku. Për të huajt kryesisht sepse ata duan të pushojnë më shumë se një ditë. Kanë qejf të bredhin këtej maleve. Bëjnë piknikë, ekspedita. Kemi krijuar kushte shumë të mira, komoditet. Ata e vlerësojnë shumë. Kur është fjala për fjetje, duan që gjithçka të jetë e përkryer, e pastër e sofistikuar. Çdo gjë në vendin e vet. Kurse tek ushqimi nuk duan salltanete. Nuk përdorin thikë e pirun kur hanë mish qengji apo gatime të tjera të zonës. U shijon më shumë thjesht”.
Ai tha se kishte shumë dëshirë që të bënte një broshurë për këtë zonë dhe ta shpërndante në Tiranë, ose t’u jepte diçka me vete njerëzve që vinin këtu. Ata gjithmonë kërkonin të merrnin një informacion me vete për t’ua përcjellë miqve.
I premtuam që do ta ndihmonim ne për t’ia dërguar broshurën edhe nëpër agjenci të ndryshme turistike dhe në zyrën e informacionit turistik në kryeqytet, që edhe nëse turistëve nuk u binte rruga këtej, të dinin diçka për Grykën e Këlcyrës.
Ne pamë me kënaqësi se aty po ngriheshin edhe hotele të tjerë dhe shpresuam se kur ta vizitonim sërish këtë vend të bukur, ai do të ishte kthyer në një pikë turistike të mirëfilltë, me të gjitha shërbimet e pse jo edhe me guida njerëzore turis
tike, që të na shoqëronin edhe më përtej, lart në thellësitë e maleve, ku natyra do të na ofronte gjëra edhe më të bukura.
Ju sugjerojmë:
Nëse do të vendosni ta vizitoni këtë zonë turistike, ka edhe mjaft pika të tjera që mund të zgjojnë interesin tuaj.
Parku kombëtar Hotovë-Dangëlli
Ky park konsiderohet si kurora e gjelbër, që tërheq menjëherë syrin e vizitorëve. Kushtet klimatike janë të favorshme në zhvillimin e florës dhe faunës. Bimët fillojnë 900 m mbi nivelin e detit me shkurre Mesdhetare, përherë të gjelbra, dhe dushqe gjetherënës memanaferra të kuqe, dëllinje dhe barëra të llojeve të ndryshme që i rrethojnë. Pyjet vazhdojnë më pas me bredhin karakteristik të përzier me panjë, që shkojnë deri 1300 m mbi nivelin e detit. Këto bimë shpërndahen në shirita vertikalë për të formuar një peizazh të mrekullueshëm. Bota shtazore është shumë tërheqëse për shkak të shumëllojshmërisë së specieve, që nga ariu i murrmë, ujku, dhelpra, dreri dhe derri i egër për të vazhduar me shpendë të ndryshëm.
Për shkak të kësaj natyre piktoreske, klimës së shëndetshme, ajrit të pastër, ujit të ftohtë që gurgullon aty prej mijëra vjetësh tashmë dhe vendndodhjes pranë zonave urbane, interesi për këtë park sa vjen dhe rritet. Nuk mungojnë sportistët dhe vizitorët për përmirësimin e shëndetit në çdo stinë të vitit. Turizmi malor, ekskursionet dhe kampingjet nuk i mungojnë kurrë këtij parku, jo vetëm nga banorët e Përmetit, por nga gjithë Ballkani e Europa. Në vitin 1996 u themelua si park kombëtar.
Vargmali Trebeshinë – Dhëmbël – Nemërçkë
Ky varg malor përbën fare mirë një qendër për turizëm alpinist. Ekskursionet dhe piknikët janë të panumërta në stinën e verës. Megjithatë, gjatë dimrit, kur bora mbulon majat e malit, një udhëtim i vogël, shëtitje apo çfarëdo qoftë, është vërtet një përvojë që nuk duhet lënë pa u jetuar.
Banjat Termike të Bënjës
Një nga burimet e vendit tonë nga dalin ujëra sulfurore subtermale. Ndodhet rreth tetë kilometra larg nga qendra e qytetit Përmetit. Që në hyrje të zonës dallohet qartë Ura e Katiut, e ndërtuar që në kohet e hershme që është edhe sot në gjendje shumë të mirë. Aty fillojnë grupe burimesh, nga të cilat janë formuar më pas liqene të vogla me ujë, të madhësive të ndryshme. Secili liqen shërben për kurimin e një problemi specifik, për shembull aknet dhe sëmundje të tjera të lëkurës, reumatizma dhe sëmundje të kockave, stomaku etj. Një nga aspektet më të veçanta është ekzistenca e pellgu me baltë shëruese, për të cilën të moshuarit shprehen se është një çelës për ta pasur lëkurën gjithmonë të freskët e të re. Në të vërtetë ajo është vërtetuar nga mjekësia që ka një efekt rinues mbi lëkurën.
Në banjat e Bënjës mund të gjesh vizitorë nga e gjithë Shqipëria, që vijnë për t’u kuruar. Megjithatë ka edhe shumë të tjerë që e vizitojnë edhe thjesht për të marrë rreze dielli. Uji përherë i ngrohtë është si një magnet që të fton të kalosh orë të tëra pa ndier dëshirë të largohesh as edhe një minutë.
Nessun commento:
Posta un commento