14 settembre 2012

Si po rrënohet 'Xhamia mbret' e Delvinës

NGA: FATMIRA NIKOLLI
Si po rrënohet TIRANE 14 Shtator 2012 - 13:56-Kompleksi i Xhermehallës, është në një gropë mes kodrash, 1 km larg Delvinës. Themi kompleks, sepse aty përveç një xhamie, ka patur dhe një medrese me disa klasa si dhe një hamam. Tek kompleksi, përfshihet dhe kroi, që ka shërbyer dhe si abdes`hane, për t`u pastruar para faljes. Ajo që e bën "të parë", nuk është xhamia, por të qenit si kompleks i parë, me shtojcat e mësipërme. Ndërsa në majë të një prej kodrave rrethuese, në krah të Kalasë së Delvinës, ndodhen rrënojat e një xhamie, e cila renditet në kategorinë e "xhamive mbret", që gjithsej janë tre të tilla në Shqipëri. Ajo ka qenë xhami garnizoni. Tani, si kompleksi i Xhermehallës e si "xhami mbret" afër Kalasë, janë katandisur vetëm në mure, që prej kohës së Komunizmit, pa u trajtuar ndonjëherë si vlere monumentale. Vetëm vitet e fundit është shkruar për to, ndërkohë që prej pushtetit lokal në Delvinë ka patur një interesim (pak flu), për ta rivitalizuar në funksion të interesit turistik. "Nga ana tjetër, alarmant është rrënimi i një tjetër vepre monumentale, që edhe ka deri diku një shfrytëzim gjysmak nga besimtarët, ku një numër i vogël mblidhet të premteve për faljen e xhumasë", thotë Ermir Hoxha banor i zonës dhe gazetar. Kjo është Xhamia e Gjin Aleksit, ose ndryshe e fshatit Rusan, 3 km larg Delvinës. Kjo xhami ka qenë kishë dhe flitet se drejtuesi i saj, Gjini, (prift ndoshta a kushedi se çfarë!), u konvertua në musliman, e më pas dhe kisha u bë xhami. Rrënimi i kësaj xhamie është i atillë, që ka dëmtuar rëndë ornamenistikën e brendshme, së bashku me mbishkrimet kuranore. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, ka bërë disa investime, por të pamjaftueshme, aq sa për të evituar dëmtimin e saj prej agjentëve atmosferikë.
Kompleksi
Një ndër xhamitë e para të ndërtuara në Shqipëri, xhamia-mbret e Xhermehallës në Delvinë, është drejt rrënimit. Kompleksi islamik i vitit 1682, i vetmi për nga arkitektura në territorin shqiptar, është monument kulture i kategorisë së parë, por ndërhyrjet restauruese të kryera vite më parë nuk mund të garantojnë aktualisht strukturën e saj. Kompleksi nis me Çesmën e Llutroit, një monument i ndërtuar me harqe guri dhe një sistem kompleks kanalizimesh që furnizonin me ujë hamamin, medresenë dhe xhaminë.

Objekti e shembi çatinë e tij rreth viteve '70 dhe bashkë me çatinë agjentët atmosferikë zhdukën gradualisht dekorin dhe ornamentet e mureve. Në Xhermehallë mungojnë vizitorët. Arsyet së pari lidhen me mungesën totale të promocionit për këtë trashëgimi dhe së dyti, rruga drejt monumentit është pothuajse e shkatërruar. "Presim restaurimin nga Universiteti i Venecias, pasi restaurimi do të sjellë më shumë turistë, të cilëve ne do t'u ofrojmë sa më shumë shërbime", ka thënë për mediat Dhurim Alinani, kryetar i Bashkisë së Delvinës. Specialistët mendojnë se në të gjithë rrethin e Delvinës janë më shumë se 15 monumente që rrezikojnë degradimin dhe humbjen e vlerave autentike prej pamundësisë për restaurim, konservim, mirëmbajtje dhe promocionit për t'i kthyer në objekte të vizitueshme turistike.

(d.b/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate