12 settembre 2012

Driloni e Tushemishti në ngjyrat e vjeshtës, Por edhe Lyhndas e Lini, Pojska… të bukur në këtë sezon vitit

Nga Flora Xhemani
Pogradeci është një qytet liqenor i cili si pak qytete të tjerë, të dhuron nga një pamje të ndryshme e të bukur në çdo stinë të vitit. Kur u ulëm të shkruanim për këtë qytet, nuk mund të linim jashtë vëmendjes faktin që është një qytet që lakmohet shumë nga moshat e mëdha për qetësinë e jashtëzakonshme që të fal, përpos bukurisë natyrore. Kjo na bëri që ta rekomandojmë këtë qytet në periudhën e vjeshtës, që e bën edhe më tërheqës e joshës, kur mendon për burimin e Drilonit të zhytur nën gjethet e kuqërremta apo për verandat e futura në liqen, të restoranteve të shumtë që ju presin përgjatë bregut, para se të hysh në qytet.
Të flasësh për Pogradecin, duket sikur janë thënë të gjitha e, në fakt janë thënë shumë. Por t’i kujtosh pushuesit se një nga gjërat  e bukura që mund të bëjnë në këtë periudhë, është të marrin rrugën për në juglindje, të ndalojnë në Drilon, jo thjesht për një Koran a Belushkë, por edhe për të marrë një varkë, me apo pa shoqërues, e të bëjnë një shëtitje të ngeshme nëpër burim, e cila është kura më e mirë e stresit për çdokënd që kërkon të largohet sadopak nga e përditshmja.
Banorët janë aq miqësorë saqë shpesh mund të ndihesh në siklet nga gjithë ato fjalë të mira e gjeste mikpritjeje, që nuk mbeten thjesht në kornizën e mirësjelljes për shkak të profesionit.

Lyhndas – Liqeni i Dritës
Është shumë mbresëlënëse pamja që të shfaqet, kur makina lë të përpjetën e Qafthanës dhe i drejtohet qytetit teposhtë nga lindja. Romakët e kanë quajtur Liqeni i dritës. Një syprinë plot shkëlqim, herë blu e thellë, herë e çelët e herë e hirtë, aq sa shkrihet me horizontin e maleve të Maqedonisë, shtrihet e pamatë para syve e fillon e të shoqëron për rreth 20 km në të majtë, derisa mbërrijmë në qytet, ku bregu vazhdon të të shoqërojë b
ashkë me shëtitoren e famshme të mbushur në çdo stinë me lule, që i kanë dhënë edhe emrin “Qyteti i luleve”. Është e habishtshme sesi lulet janë kaq dominuese jo vetëm nëpër parqet publike por edhe ne çdo qoshe rruge e ballkon apo oborr shtëpie.
Plazhet e Pogradecit
 
Ato fillojnë që në kilometrat e parë që shihen nga lart, aty ku duket sikur në pëllëmbë të dorës tuaj shtrihet Lini, një nga fshatrat më të njohur të zonës. Lini përveçse është një fshat shumë i bukur e i pari që mirëpret vizitorët, është edhe një qendër e rëndësishme e kulturës së lashtë. Ju mund të vizitoni Mozaikun e famshëm  që i përket shekullit  IV-V, kohës së sundimit të Perandorit Romak me origjine ilire Justinianit. Mozaiku i Linit ndodhet në tokë dhe ka disa figura si zogj, peshq e zbukurime të tjera të punuara shumë bukur. Në pjesën e pasme të gadishullit është ndërtuar edhe një resort turistik krejt i ri, Neli Resort, që ofron mundësi shumë të mira për pushime të gjata në Pogradec.

Një distancë e gjatë kilometrike, shtrihet në zonën e Pojskës, që është zona që ju shoqëron deri në hyrje të qytetit. Përgjatë kësaj distance, në të djathtë, do të mund të shquani edhe një nga komplekset më modernë të qytetit, që mban edhe një emër të veçantë, me të cilin romakët thërrisnin dikur liqenin. Ky kompleks është Lyhnidas.Plazhi i qytetit shtrihet që në hyrje të shtëpive të para, përgjatë shëtitores së mbushur me gjelbërim, e deri në Tushemisht. Për të ndihmuar sa më shumë në frekuentimin e plazhit nga familjarët, është hedhur rërë, në bregun ekzistues me guriçka.Plazhi i Tushemishtit është edhe zona më e frekuentuar, pasi aty ndodhen edhe një pjesë e madhe e hoteleve dhe restoranteve, e kohët e fundit ka filluar të lulëzojë edhe jeta e natës me disko-pubet që ofrojnë argëtim për të rinjtë.
 
Tushemishti, aty ku peshku kapet me dorë
Kush ka qenë në Tushemisht, vështirë se ka harruar të kthejë në kompleksin Rritja e Peshkut, ku në një basen aq të bukur mund të soditen e të admirohen Korani i famshëm, peshq të tjerë e zogj të ndryshëm që ju bëjnë shoqëri, bashkë me mjelmat, që mirëpresin duart e vogla të fëmijëve që u hedhin për të ngrënë.

Kuzhina pogradecare
Pothuajse në të gjitha lokalet e Pogradecit, do të mund të shijoni Koranin, mbretin e liqenit, të gatuar në shumë mënyra, Koran në zgarë, në furrë, kombinuar me garnitura, madje edhe Koran me arra. Kuzhina e vendit është e famshme edhe për sallatërat e ndryshme, gatimet tradicionale të zonës, si dhe verën e buteve prej druri.


Akomodimi
Hotelet në Pogradec janë të standarteve shumë të mira, dhe me çmime që nuk i kalojnë 50-60 euro në maksimumin e tyre, por që zakonisht variojnë në 3000-4000 leke për një dhomë në natë. Ju mund edhe të zgjidhni alternativën e marrjes së dhomave me qera, të cilat rrotullohen rreth një çmimi prej 25000-30000 lekë për dhomë, për një periudhë 10-ditore. Hotelet më të rekomandueshme për pushime me kushte komode e shërbime të shumta do të ishin Kompleksi Lyhnidas, Neli resort, Hotel 1 Maji, Hotel Perla, Hotel Royal, Hotel Sirena, etj.
Pogradeci ndodhet rreth 150 km nga Tirana, nëpër një itinerar që kalon nëpër Tiranë-Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafthanë-Pogradec. Infrastruktura është mjaft e mirë, madje kohët e fundit po zgjerohen edhe rrugët hyrëse për në qytet. Në fakt Pogradeci është një qytet që vizitohet nga shumë turistë, të cilët nuk e vizitojnë thjesht për qëllime pushimi, por edhe për të njohur kulturën e tij. Qyteti ka shumë se ç’t’u ofrojë vizitorëve kulturorë, që nga arkiva e pasur e Lasgushit dhe Kutelit, e deri tek varret e lashta te Selcës, që tregojnë origjinën dhe kulturën e tij të hershme. Kush ka dëshirë të njohë më mirë Pogradecin dhe pamjet e papërsëritshme që ai ofron në çdo stinë, mjafton të bëjë një vizitë në studion e fotografit Ardi Fezollari, për të admiruar jo vetëm qytetin por edhe çdo detaj jete e kulture që është fiksuar në përvojën e gjatë të viteve dhe është nderuar edhe me çmime brenda e jashtë vendit.
Nëse shkoni në Pogradec, kur të largoheni prej tij do ta kuptoni se keni bërë miq të rinj…

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate