Në
stinën e veçantë të pranverës mund të njihemi jo vetëm me kënaqësitë që
na vijnë pas një dimri të gjatë por me pjesë të veçanta të natyrës që
duket sikur zbulohen vetëm në këtë kohë. Një prej tyre mund të ishte
Gryka e Këlcyrës, e thënë ndryshe edhe si parajsa e njëmijë e një
burimeve. Është një nga vendet më piktoreske shqiptare e pasur me
ujëvara, burime, parqe e sidomos gjallëri natyrale. Itinerari ynë kësaj
radhe është pikërisht në disa prej këtyre pjesëve, që vijnë të
eksploruara në detajet e tyre.
Vargmali Trebeshinë – Dhëmbël – Nemërçkë

Ku do të ndalemi jo thjesht për t’u freskuar, kemi zgjedhur Grykën e Këlcyrës, ose ndryshe, parajsën e njëmijë e një burimeve, që zbresin nga malet e Trebeshinës e derdhen në Vjosë.
Gryka e Këlcyrës ndodhet në rrethin e Përmetit dhe në të ndodhet një nga burimet ujore më të bukura të Shqipërisë, Burimi i Ujit të Zi, i cili ndonëse jo shumë i përmendur siç mund të thoshim për pika të tjera ujore të natyrës shqiptare, është një vend i mrekullueshëm që vlen të vizitohet.
Këlcyra është një qytet që shtrihet përgjatë maleve Trebeshinë dhe Nemërçkë dhe laget nga lumi Vjosës dhe Dishnicës. Udha për në Këlcyrë, mund të merret edhe pasi shkëputeni nga rruga Tepelenë-Gjirokastër dhe lë në të djathtë rrënojat e qytetit të lashtë të Antigonesë. Madhështore dhe hijerëndë Gryka e Këlcyrës çan mes honesh të thepisura dhe mbërrin në pikën më të lartë të pllajës që shtrihet mes Malit të Trebeshinës e Nemërçkës në qytetin e Këlcyrës, që është i vendosur në të djathtë të Vjosës, aty ku lumi i Dishnicës së bashku me degët e veta nis bashkërrjedhjen me Vjosën.
Ujëvara në pikën turistike

Ky vend i mrekullueshëm ujor quhet Burimi i Ujit të Zi, dhe është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro-hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë.
Ujëvarat e vogla që zbresin nga mali e kanë marrë emrin Uji i Zi sepse pellgjet që krijojnë para se të derdhen në Vjosë, marrin një ngjyrë të errët, të thellë. Uji përveçse është i pastër Kristal, ka edhe vlera të jashtëzakonshme kuruese dhe të dobishme për organizmin. Uji është i pijshëm dhe përdoret nga të gjithë lokalet që kanë mbushur zonën e rrepeve dhe që ofrojnë shërbime të shumta për pushuesit.
Ne u ndalëm tek njëri prej restoranteve të shumtë që ngrihen mes burimeve të ujit dhe aty na priti Besniku, i cili i kishte vënë restorantit të tij pikërisht emrin e luginës.
“Këtu vijnë shumë vizitorë, si në dimër ashtu edhe në verë”, na tha ai teksa na uronte mirëseardhjen. Vijnë fillimisht për të parë burimet, pastaj ulen të pinë një ujë të ftohtë e më pas ndiejnë dëshirën edhe të porositin ndonjë gjë për të ngrënë. Siç duket natyra u hap oreksin”.
Në momentin që ne bisedonim, pamë ca djem me vegla muzikore që po hynin në restorant.
“Bëni edhe muzikë live gjatë ditës?”, e pyes Besnikun kur pashë se njëri nga djemtë po montonte mikrofonat”.
Jo jo, ne nuk bëjmë muzikë live, por sot kemi një dasmë. Njerëzit vijnë këtu të bëjnë dasma dhe nuk janë vetëm të zonës por edhe nga zona të tjera. Arsyeja është se duan të bëjnë foto jashtë në natyrë se u dalin të bukura. Pa diskutim që edhe kuzhina jonë u pëlqen. Ne rrisim qengja shumë të mirë, rakia është e pastër, e Përmetit dhe e Këlcyrës. Ne jemi të famshëm për verën dhe rakinë që prodhojmë. Vreshtat tona janë me nam. Kështu që, pse të mos vijnë? Gjithçka është e mirë dhe natyrale”.
Ashtu ishte vërtet. Salla ishte e ngrohtë e mikpritëse, ushqimet ishin shumë të shijshme, njerëzit të qeshur e të butë. Vërtet çlodhëse.
“Ne kemi ndërtuar edhe hotelin kohët e fundit”, vijoi të na tregonte Besniku. Për të huajt kryesisht sepse ata duan të pushojnë më shumë se një ditë. Kanë qejf të bredhin këtej maleve. Bëjnë piknikë, ekspedita. Kemi krijuar kushte shumë të mira, komoditet. Ata e vlerësojnë shumë. Kur është fjala për fjetje, duan që gjithçka të jetë e përkryer, e pastër e sofistikuar. Çdo gjë në vendin e vet. Kurse tek ushqimi nuk duan salltanete. Nuk përdorin thikë e pirun kur hanë mish qengji apo gatime të tjera të zonës. U shijon më shumë thjesht”.
Ai tha se kishte shumë dëshirë që të bënte një broshurë për këtë zonë dhe ta shpërndante në Tiranë, ose t’u jepte diçka me vete njerëzve që vinin këtu. Ata gjithmonë kërkonin të merrnin një informacion me vete për t’ua përcjellë miqve.
I premtuam që do ta ndihmonim ne për t’ia dërguar broshurën edhe nëpër agjenci të ndryshme turistike dhe në zyrën e informacionit turistik në kryeqytet, që edhe nëse turistëve nuk u binte rruga këtej, të dinin diçka për Grykën e Këlcyrës.
Ne pamë me kënaqësi se aty po ngriheshin edhe hotele të tjerë dhe shpresuam se kur ta vizitonim sërish këtë vend të bukur, ai do të ishte kthyer në një pikë turistike të mirëfilltë, me të gjitha shërbimet e pse jo edhe me guida njerëzore turistike, që të na shoqëronin edhe më përtej, lart në thellësitë e maleve, ku natyra do të na ofronte gjëra edhe më të bukura.
Parku kombëtar Hotovë-Dangëlli

Banjat Termike të Bënjës

Në banjat e Bënjës mund të gjesh vizitorë nga e gjithë Shqipëria, që vijnë për t’u kuruar. Megjithatë ka edhe shumë të tjerë që e vizitojnë edhe thjesht për të marrë rreze dielli. Uji përherë i ngrohtë është si një magnet që të fton të kalosh orë të tëra pa ndier dëshirë të largohesh as edhe një minutë.
Nessun commento:
Posta un commento