12 settembre 2012

Në Alpet shqiptare,Nikaj Mërturi, mes madhështisë dhe bukurisë së maleve veriore

Nga shqip.al
Udhëtimi ynë ndalet në një tjetër vend turistik që ia vlen të vizitohet jo vetëm nga turistët. Nikaj-Mërturi, i pozicionuar në anën veriperëndimore të Luginës së Drinit, fshihet midis bjeshkëve të larta, ku ndërthuren kontraste të papara Aty përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia. Përveç vlerave të pafundme kulturore e njerëzore, Nikaj Mërturi është dhe shumë interesant për të zhvilluar turizmin, alpinizmin dhe sporte të tjera malore Nikaj-Mërturi bën pjesë në rajonin verilindor dhe zë gjithë pjesën perëndimore të rrethit Tropojë, në anën veriperëndimore të luginës së Drinit, duke u kufizuar në lindje me komunën e Bujanit dhe të Fierzës dhe në perëndim me komunat e Shalës, Shoshit, Temalit, të rrethit të Shkodrës
Për Nikaj-Mërturin kishim dëgjuar fare pak, si pjesë përbërëse e Alpeve Shqiptare dhe aq. Por të shkruanim për këtë zonë në rubrikën e turizmit morëm shtysë nga z. Xherri Kola, origjinar nga kjo zonë,  i cili na kontaktoi duke na propozuar për të shkruar për këtë zonë të Dukagjinit, po aq e bukur sa Thethi e Valbona, por shumë më pak e njohur. E si ndodh gjithmonë janë të huajt që jetojnë Shqipëri si dhe turistët, ata që i vizitojnë dhe i njohin më shumë këto vende mahnitëse për nga bukuria, se sa ne shqiptarët të lindur dhe rritur këtu.


Ku ndodhet Nikaj-Mërturi?
Nikaj-Mërturi bën pjesë në rajonin verilindor dhe zë gjithë pjesën perëndimore të rrethit Tropojë, në anën veriperëndimore të luginës së Drinit, duke u kufizuar në lindje përmes Majës së Korës dhe Qafës së Kolçit me komunën e Bujanit dhe të Fierzës dhe në perëndim përmes Qafës së Ndërmanjës dhe Qafës së Agrit me komunat e Shalës, Shoshit, Temalit, të rrethit të Shkodrës. Qendra e Komunës është në fshatin Lekbibaj, e cila është 27 km nga qyteti i B.Curiit dhe 12 km nga Fierza. Popullsia e Nikaj-Mërturit është rreth 2700 banorë të vendosur në rreth 200 km2, kryesisht në vendbanime të rralla e rurale. Fshatrat e Nikaj-Mërturit janë të shpërndarë në të gjithë zonën, afër liqenit, lumenjve dhe disa edhe afër bjeshkëve, si Vrana, Curraj, Qereshi, dhe Mulaj, ato janë vendosur në çdo vend ku ka qenë e mundur të ndërtohet një shtëpi dhe të ketë edhe një copë tokë,  si në maja kodrash, livadhe por disa kulla janë ndërtuar edhe në shkëmbinj, kthyer me kurriz nga humnera për arsye mbrojtjeje nga sulmet e pushtuesve dhe gjakmarja.
Si shkohet në Nikaj-Mërturi?
Në Nikaj-Mërturi shkohet përmes liqenit të Komanit me anije dhe ndalohet në satcionin që quhet Kodër Markaj, rreth 10 Km pa shkuar në Fierzë. Përmes rrugës nacionale që kalon nga Qafa e Malit, duke u kthyer majtas në Fierzë, dhe vazhduar sipas rrjedhës së Drinit. Rruga nacionale që vjen nga Fierza, te Ura e Mërturit, ndahet në dy degëzime, njëra që vazhdon për në Lekbibaj, ku është edhe qendra e Komunës, pastaj vazhdon për në fshatin Bushat ku ndahet për në Salcë dhe në Lugun e Ndërmanjës. Tjetra vazhdon bregut të lumit për në Shëngjergj, kalon afër Btoshës dhe vazhdon nëpër rrugën shekullore të Pultit të Vjetër, për në Qafën e Kolçit e lidhet me Malësinë e Gjakovës.
Çfarë ofron kjo zonë e Alpeve?
I ndodhur midis bjeshkëve dhe majave të larta është një zonë shumë e veçantë, ku shfaqen dhe ndërthuren kontraste të papara; aty përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësite e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peisazhit, e kaluara e lavdishme dhe e sotmja e diskutueshme më shumë anë të të njëjtit realitet.
Zona përshkohet tej për tej nga dy lumenj që burojnë nga bjeshkët e larta më ujë të pijshëm që nga burimi e deri në bashkimin e tyre me Drinin. Nuk ka fshat që nuk i ka nga dy, tre e më shume kroje me ujë të pijshëm, që për nga pastërtia pa dyshim që do të konkurronin çdo ujë në botë, pasi secili prej tyre zanafillën e ka nga bjeshkët e larta, ku bora e re pushon mbi borën e vjetër. Pjesa më e madhe e zonës është me pyje e kullota, pasi toka bujqësore e përdorur për mbjellje është e vogël, por është interesant fakti që shumica e saj ndodhet nën vade.
Ajri dhe peizazhi janë nga më të paimagjinueshmet që njeriu ka parë, me monumente natyrore të shumta e të rralla. Pyjet me gështenja krijojnë kurora të mrekullueshme rreth e rreth fshatrave, sidomos në zonën e Lekbibajve por edhe në Markaj, Tetaj etj, frutet e të cilave janë aq të ëmbla sa konkurrojnë në çdo treg. Arra dhe lajthija përbëjnë një tjetër pasuri që natyra ia ka falë Nikaj-Mërturit, sidomos lajthia, e cila vende-vende formon edhe pyje të tëra, si p.sh në fshatin Qeresh, ku e gjithë kurora e këtij fshati deri në Qafën e Qereshit dhe përreth saj, është e formuar nga pyje lajthijash, të cilat në vjeshtë mblidhen jo me kokrra por me grushta. Trofta e lumenjve të Nikaj-Merturit, mjalti si dhe prodhimet blegtorale, të gjitha organike, janë shumë cilësore.

Atraksionet turistike: Natyra dhe tradita e veriut
Nikaj-Mërturi është një vend shumë interesant për të zhvilluar turizmin, alpinizmin dhe sporte të tjera malore, por problem kryesor është infrastruktura rurale.
Rikonstruktimi i rrugës ekzistuese nga Fierza në qendër të komunës e në vazhdim për në lugun e Ndërmanjës e në Vrane, si dhe ndërtimi i jo më shumë se nëntë kilometrave rrugë për në Curraj Epër do të bënte kthimin e Nikaj-Mërturit në një nga vendet më të bukura të turizmit malor në Shqipëri e më gjerë.
Do të përmendnim vetëm disa emra vendesh si: perlën e Alpeve Shqiptare Curraj Epër, Qereshin, Kuçin, pastaj Boshin, Alshinën, Kakinë, Zallin e Ortegut, Shpellën e Kakverrit, T’thermen, Fanxhe e Rruk i Nikajve, Listrami i Btoshës, Vorri i Fratit, Shtegu i Dashit, Piku i Currajve, Çuku i Llapushtrës mbi Rajë, Shtreziqeja e  Brisës, Logu i Gurrës e bjeshkët e Salcës, Okoli i Palçit etj etj. Po tamlin me borë që nuk ka akullore në botë që ja shkon, boronicat, mjedrrat, drethëzat, dardhat gjokmeme, hardallitë, flinë, mazën e zieme, fërligun, mishin e tharë në tra mbi oxhak (posterme), bacrungat e gështenjave etj, etj.
Përveç bukurive natyrore dhe ushqimeve karakteristike të zonës, turistët do të ulen këmbëkryq me trashëgiminë kulturore të krahinës së Nikaj-Mërturit si në asnjë vend tjetër. Do të ishte i padiskutueshëm interesi i turistëve të huaj, që krahas bukurive përrallore të kësaj zone, të njiheshin me folklorin e pasur, këngët dhe veglat muzikore, veshjet e larmishme, dasmat dhe ritet e zakonet mortore, të cilat dëshmojnë për një zonë jashtëzakonisht të pasur me etnokulturë të veçantë dhe të bukur.
Malësori e ka dashur dhe vlerësuar jetën, e ka ëndërruar të ardhmen, dhe për këtë arsye, ai kurrë nuk e ka humbur shpresën, për të arritur të mirën, të bukurën, dhe atë që është më me shumë vlerë në jetë, prandaj edhe këngët e krjuesve nikajmërturas nisnin me fjalët  “O mori e mira…”.
Në të njëjtën kohë, ai ka qenë fanatik për ruajtjen e vlerave morale, shpirtërore dhe njerëzore në familjen e tij, në fis, në krahinë dhe më gjerë.
Ëndrrat dhe dëshirat që shpreheshin përmes këngëve ishin thirrje të brendshme të ndjenjave për atë që donte ose dëshironte që ta kishte, duke i thurur vargje e këngë plot pasion.
Shpirti i malësorit don këngë,  don valle, don melodi dhe instrumentin popullor, prandaj ai e krijon vetë edhe këngën edhe melodinë edhe instrumentin, sepse malësorit i këndon zemra, i këndon shpirti.

Aty janë krijuar dhe kënduar brez pas brezi këngët majakrahut, këngët me lahutë, këngët kreshnike, këngët e dasmave, këngët e djepit, këngët e kapuçave dhe putirat, vallet dhe lojra popullore.
Janë krijuar, treguar dhe trashëguar fjalë të urta (të lanune pleqni) gjëagjëzat, përrallat, tregimet, legjendat për dragojtë, për kulshedrat, për zanat e malit (shtojzovallet), për shtrigat, për sykeqin etj.
Këngët dhe vallet janë krijuar, pasuruar, e kënduar, duke u shoqëruar me lahutë, çifteli, fyell, gjethe, tepsi, pipëz e vegla të tjera të cilat janë punuar vetë nga dora e mjeshtërve popullorë nikajmërturas. Tashmë është bërë traditë dhe organizohet çdo vit në qendër të komunës, festivali “Fest në Nikaj-Mërturi”, ku shpalosen bukur të gjitha sa thamë më sipër nga banorët e zonës.

Qendra Mjedisore “Alpe”
U takuam me Ndoc Mulajn, presidentin e Qendrës Mjedisore “Alpe”, e cila ishte një nismë pikërisht për të nxitur zhvillimin e zonave të Alpeve, e kryesisht të krahinës së Nikaj-Mërturit. Ndocit iu bë shumë qejfi që ne kishim ardhur të interesoheshim e të shkruanim për krahinën e tij, për zhvillimin e të cilës a i ka kohë që po punon seriozisht, duke hapur si fillim një website për Nikaj-Mërturin, e më pas duke ndikuar fort në çeljen e fondeve të ndryshme e donacioneve për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të zonës.
Kur i thamë të na fliste pak për vendin e tij, ai na shikoi një copë herë në heshtje, e pastaj na tha ngadalë: “Nëse e vizitoni vetëm njëherë, do ta harroni Valbonën”. E pastaj zuri të na tregonte gjerë e gjatë e me pasion për vendin e tij, për zanat e për orët, për Eposin e Kreshnikëve, për Omerin e Ajkunën, për kullat e ngujimit që ende qëndronin në këmbë e që mëkat që nuk ishin shpallur monumente kulture, për grykat e për shpellat, për ujin e kulluar të krojeve, për trëndafilat e egër e të mrekullueshëm që në pranverë mbushnin luginat, për vajzat e bukura nikajmërturase, që i kishin duart e arta, për bukën erëmirë, për mullisin që ende i shërbente banorëve me mullirin e tij të vjetër me shumë dashuri, për majat e larta ku fluturonin shqiponjat, madje na tregoi edhe për Franc Nopçën, që kishte vizituar Nikaj-Mërturin diku rreth viteve 1900, dhe si deputet i Parlamentit Austriak, i kishte propozuar që ta shpallnin monument kulture nën mbrojtje ndërkombëtare, për bukuritë e rralla e për njerëzit e mrekullueshëm.
Aq shumë na pëlqeu rrëfimi i tij, saqë preferuam që në vend të përvojës tonë, t’ju përcillnim pikërisht këtë rrëfim, të cilin e kemi pajisur edhe me informacionet e nevojshme për ju që do ta merrni këtë udhë. Herë-herë, kemi lënë edhe fjalë në dialektin e zonës, ashtu siç i shqiptoi Ndoci, për të përcjellë sa më shumë ngjyrim emocional, e për të pasqyruar sa më mirë natyrën e kësaj zone të mrekullueshme.

Çfarë ofrohet për vizitorët dhe turistët?

Turistët që shkojnë në Nikaj-Mërturi po shtohen dita ditës, por mbi 90% e tyre janë të huaj. Atje, malësori të mirëpret me ato çfarë ka mundësi duke shtuar gjithmonë diçka për mikun si mazen, fërligun etj.
Deri tani nuk ka patur ndonjë organizim për t’i pritur ata në formën e biznesit dhe do të jetë shumë e vështirë për ta kthyer mikpritjen në biznes por këtë gjë do ta bëjnë djemtë e tyre, të cilët prej vitesh janë të shpërndarë nëpër botë dhe kanë parë e mësuar se si zhvillohet turizmi në vendet malore. Ka patur disa ekspedita turistike, duke filluar që nga viti 1993, e deri te më e fundit verën që kaloi, nga Italia, Sllovenia etj, të interesuar për eksplorimin e shpellave. Kanë arritur të hyjnë deri në 1.5 Km në shpellën “Bira e Zezë” në fshatin Qeresh dhe jane mahnitur me madhështinë dhe bukurinë e asaj shpelle. Shpella vazhdon edhe më tej dhe sipas tyre shpërndahet në katër drejtime të ndryshme.
Sot për sot, si pasojë e infrastrukturës së vështirë që ka zona e Nikaj-Mërturit, sektori i turizmit nuk është i zhvilluar pothuajse fare. Kjo ka bërë që kjo zonë sot të jetë e virgjër, pra gjithçka natyrale, pa betonizime. Duke patur parasysh potencialet e shumta turistike që ka zona, turizmi do të jetë në të ardhmen një nga mundësitë më të mira për zhvillimin e kësaj krahine.
Në b
ashkëpunim me komunën, me shoqatat dhe qendrat mjedisore, do të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme në mënyrë që zhvillimi i turizmit në këtë zonë të bëhet në mënyrë të tillë duke ruajtur origjinalitetin e shtëpive alpine, kullave, qoftë rikonstruktimin e atyre të vjetra apo ndërtimin e atyre të reja, në shërbim të turizmit dhe jo ndërtimin e hoteleve, apo moteleve, pavarësisht nga fuqia ekonomike e investitorëve, pra larg betonimit të kësaj treve.
 
Të praktikosh Alpinizmin
Ky reliev ofron kushte shumë të mira për zhvillimin e alpinizmit amator dhe sidomos atij profesionist, pasi e gjithë zona rrethohet nga maja mbi 2000 metra dhe me rrëpira fantastike. Vendet më të përshtatshme për alpinizëm janë: vargmali Ershel- Ndërmanjë- Kakije, Qafa e Kolcit, Shkami i Rajës dhe përreth Kores së Mërturit,  majat e larta nga Toplana e deri në Palc etj.
Është me shumë rëndësi të përcaktohen edhe lëvizjet e alpinistëve në këto vende dhe është duke u përgatitur guida e posaçme së bashku me hartën e zonës dhe do shpërndahet nëpër agjencitë turistike e sidomos në qendër të Komunës, në mënyrë që t’u jepen turistëve në dorë përpara se ata të nisen për në faqet e maleve.

Si është natyra në Nikaj-Mërturi?
Në fillim të viteve 1900, dy ekspedita turistike bëri në Curraj të Epërm, arkeologu, etnografi, gjeologu, shkencëtari e dashamiresi i Shqipërisë e i shqiptarëve Franc Nopçe dhe i mrekulluar nga bukuria e këtij fshati nga kultura dhe mikritja e banorëve të tij të pashembullt me asnjë vend tjetër i propozon Parlamentit austriak për ta shpallur këtë fshat Monument Kulturë
Relievi i veshur me shumë lloje bimësh barishtore, shkurre dhe drurë pyjorë, që shpërndajnë një aromë shumë të këndshme dhe bukuri shumë të veçantë, që krijojnë një panoramë të mahnitshme natyrore. Kësaj bukurie i shtohet edhe puna e  gjallë e njerëzve që me mundim dhe djersën e tyre, duke i zbukuruar me pemë të ndryshme frutore apo rrush, të cilat u japin gjallëri këtyre fshatrave. Reshjet në  zonën e Nikaj-Mërturit janë të shpërndara kryesisht në të gjithë vitin dhe paraqiten pa shumë ndryshime nga viti në vit. Pyjet dhe kullotat shtojnë bukurinë e peizazheve dhe përbëjnë një nga pasuritë kryesore të kësaj treve.
Kullotat e shumta të ulëta dhe ato bjeshkatore me boronica e mjedrra, larmia e bimësisë dhe e kafshëve që rriten në pyje, bëjnë të mundur që të krijohet fizionomia e kësaj zone, me një të ardhme të padiskutueshme turistike.
Klima e Nikaj-Mërturit është një nga më të mirat për shëndetin e njerëzve, nga më të përshtatshmet për zhvillimin e gjësë së gjallë, ofron kushte shumë të mira për të jetuar në harmoni me natyrën pak të ashpër por tërheqëse dhe bujare, gjë që i jep fizionominë e vet kësaj zone.
Curraj i Epër, vizitoni kullat tradicionale
Një luginë në mes malesh rrethuar me maja të larta, në formën e një amfiteatri të qëndisur nga natyra, në mes të fshatit është një fushë e madhe e rrethuar me shpate në mes të së cilës kalon lumi me ujëbore. Në mes të fushës, pra në qendër të fshatit ndodhet një kodrinë mbi të cilën është e ndërtuar kisha e Currajve. Në të dyja shpatet anësore janë të ndërtuara kulla guri me nga dy e tre kate. Një objekt shumë i rëndësishëm në Curraj Epër është “Kulla e Ngujimit” ose siç u quajt më vonë “Kulla e Thepit”, sepse është e ndërtuar mbi një thep përballë urës, në mes të fshatit. Bjeshkët e Currajve, atje ku edhe buron lumi, janë përrallore, përshkrimin e të cilave e kemi dëgjuar vetëm në përrallat me Orë e Zana. Duhet të kemi parasysh që Currajt e Epër kanë qenë djep i krijimeve të epikës legjendare dhe duhet të mendojmë se ka qenë pikërisht bukuria e këtyre bjeshkëve zanafilla e këtyre legjendave.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate