24 settembre 2012

Nisin punimet për asfaltimin e segmentit rrugor Dragobi-Valbonë

Nisin punimet për asfaltimin e segmentit rrugor Dragobi-ValbonëTIRANË 23 Shtator 2012 - 20:40- Segmenti Dragobi-Valbonë që të çon në një prej destinacionet me potencialin më të madh të turizmit malor në Shqipëri, sikurse është Valbona, ka filluar të asfaltohet në të gjithë gjatësinë e tij.

Faza e fundit e asfaltimit të kësaj rruge në të 23 kilometrat e saj, nga segmenti Margegaj-Dragobi me gjatësi 12.5 km dhe Dragobi-Valbonë me gjatësi 10.6 km do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj që synojnë ecjen në peisazhe alpine sikurse është Valbona, një ndër perlat e turizmit malor shqiptar.

Punimet për asfaltimin e kësaj rruge i inspektoi ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi i cili në një prononcim për mediat tha se, "ky është një ndër objektet më të bukura të infrastrukturës që ndërtohet sot në vend, sepse të çon në një nga zonat më të bukura të vendit, me potenciale të mëdha të turizmit malor, sikurse është Valbona".

"Sezonin e kaluar ne nisëm rrugën dhe bëmë të mundur që për këtë sezon rruga të ishte e tëra e hapur në trasen e vet, duke bërë që të kontribuojë në rritjen e turizmit. Janë 28 mijë turistë që vetëm gjatë sezonit veror të fundit kanë vizituar Valbonën dhe bukuritë e saj, me një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar", tha Olldashi.

Kjo rrugë do të jetë me dy kalime, me shtresa të asflatuara me gjerësi 6 m, me bankina nga njëra anë dhe kunete betoni nga ana tjetër, duke mundësuar në këtë mënyrë një udhëtim komod drejt këtij destinacioni të mrekullueshëm të turizmit malor shqiptar.
(BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate