12 settembre 2012

Të udhëtosh në Valbonën e Bukur dhe Mikpritja malësore


Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore.
Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore

Kështu ka magjepsur edhe Catherine Bohn, duke bërë të dashurohet jo vetëm me Alfredin, djalin shqiptar, por sidomos me shkrepat e lëndinat, kthjelltësinë e ujit, freksinë e ajrit dhe mikpritjen e malësorve.
Një udhëtim që ka nisur bukur jetën e amerikanes e jo vetëm

Lugina e Valbonës 
Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura.
Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Të bësh një udhëtim në vjeshtë, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë,
i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.

Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës.
Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës.
Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peisazhin në një spektakël të vërtetë gjyrash -
nuanca të së kuqes – që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit.

Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në lindje të masivit malor të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës. Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, prane digës së hidrocentralit të Fierzës.
Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 km. Valbona ndodhet 25 kme larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës.
Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e paasfaltuar. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushte me shpate të thepisura e Klisyrës.
Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, më kulla guri 100 e 200 vjecare, madje dhe më të vjetra. Në të të rrjedhës së Valbonës ndodhët një ujvarë disa dhjetra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.
Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish. Por deri më tash nuk kishte ndodhur ndonjëherë që vizitorët të mbeteshin përgjithmonë aty. Kjo ndodhi me Catherine Bohn, që erdhi nga Amerika e largët e u “shitua prej zanave”, të këtij vendi të egër.
Zanat e maleve shkundën shkopin e tyre magjik mbi kryet e Alfredit dhe malësori e magjepsi vajzën aq sa ajo nuk donte të shkonte më në Amerikë, por donte të rrinte aty, mes shkrepave e lëndinave ku ai kishte shtëpinë, e jetonte me vëllezërit e nënë Sosen.
Ndonëse thjesht me xhinse e atlete, e jo me veshje tradicionale e kësulë të bardhë mbi kokë, efekti tek Catherine ishte i njëjtë, ajo u dashurua me këtë djalë dhe vendosi të jetonte me të aty mes maleve, duke braktisur përgjithmonë tokën e premtuar.
Të flasësh sot për Valbonën, është e pamundur të mos përfshish në rrëfimet e tua Alfredin dhe Katerinën, të ciltët jo domosdoshmërsht por natyrshëm, janë njerzit e parë që ju presin sapo shkelni në Valbonë, nëse keni ardhur aty për të gjetur mikpritje dhe aventurë.

Pse e lashë New York-un për Valbonën
“Erdha këtu për herë të parë para dy vjetësh – tregon Katerina. Pushimet e mia ishin planifikuar për një javë, e cila u shty në 11 ditë. Kisha dëgjuar shumë dhe isha mahnitur nga ideja e një vendi fare të paprekur, me jetë të egër,
ku nuk kishte as gardhe, as kufij, as dyqane, e as hapësira ku duhet të paguaje (natyrisht) për t’u ulur e për të pushuar.
Kishte vetëm male me maja që nuk kishin fund, lugina të gjelbra dimër e verë, dhe shtëpi ose ferma të vogla ku ti mund të trokisje pa problem ditën dhe natën e ku dikush të priste krahëhapur e nuk të linte jashtë.
Valbona për mua ishte shndërruar në një përrallë fëmijësh, me pyje të thellë ku mund të humbisje nëse ngatërroje shtegun, me gratë e vjetra që thurnin triko, me fëmijë të vegjël çuditërisht gjithmonë sygëzuar e me druvarët që sillnin pyllin në oxhakët e ngrohtë të fermave të vogla.
Të gjitha këto m’i kishin treguar miqtë e mi. Kur erdha në Valbonë, gjeta edhe më shumë se kaq. Madje Valbona kishte edhe një princ, tamam si në përralla. Kisha lexuar në internet për një Alfred, që i priste turistët në Fierzë ose në Valbonë, dhe i merrte me vete, që t’i shëtiste nëpër bjeshkë.
Mendova: sigurisht ky do jetë ndonjë gjysh me një varg nipërish e mbesash që e kalojnë numrin e dhëmbëve që ka në gojë, e me ta, lëviz nëpër male, për të shoqëruar turistët. Unë u përplasa me të në tragetin e Fierzës dhe kur në vend të gjyshit pashë një djalosh të bukur, fjalët e mia të para, të ngatërruara prej hutimi,  ishin:
“Unë kam ardhur për të ndenjur me ty”. Dhe ai mendueshëm  ma priti: “Natyrisht”.

“Journey to Valbona”
Sot, askush nuk i njeh shtigjet e Valbonës më mirë se ajo. Cath, përshkon dhe përshkruan me dashuri çdo pëllëmbë tokë, çdo shteg të rrahur e të parrahur, çdo luginë e çdo pemë, çdo majë mali e çdo segment të lumit të kristaltë,
duke vënë  në pah çuditshëm një dashuri që tingëllon gati ireale. Nga dashuria dhe pasioni për natyrën e Valbonës, ajo bashkë me Alfredin, themeluan një organizëm që të udhëhiqte njerëzit drejt bukurive të Alpeve, duke e shoqëruar me një faqe në internet,
ku civilizimi dhe njohuritë e saj, u vunë në dispozicion të natyrës dhe njerëzve që vinin ta vizitonin atë. “Journey to Valbona”, e shqipëruar si “Udhëtimi drejt Valbonës” e quajtën shoqatën e tyre  Catherine dhe Alfredi.
Ky i fundit e kishte nisur qysh më parë aktivitetin e pritjes së turistëve, me shtëpinë e tij, bashkë me të vëllezërit. Dhe Catherinen e takoi pikërisht në njërin prej grupeve që shoqëronin nëpër Valbonë.
E pas qëndrimit të Cath, ata e zgjeruan aktivitetin duke hapur hotelin Rilindja. E gjithë familja kontribuon në mbarëvajtjen e një qëndrimi, duke filluar prej strehimit, e deri te udhëtimet në natyrë me guida të stërvitura mirë, që njohin çdo shteg.
Por në vëmendjen e kësaj organizate është e gjithë struktura pritëse e Valbonës, madje e gjithë Alpeve. Nëpërmjet komunikimit me këtë faqe, mund të lidhesh në kontakt me të gjitha shtëpitë pritëse në Valbonë e më përtej. Për të patur një ide të përgjithshme mbi koston e akomodimit,
një natë në një shtëpi pritëse ose hotelin Rilindja, kushton afërsisht 25-30 euro, me të gjitha vaktet e përfshira.


Si shkohet në Valbonë
Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtosh shtatë orë nga Tirana. Pjesa kryesore e udhëtimit, është segmenti Tiranë-Bajram Curri, që përfshin edhe udhëtimin me traget nëpër liqenin e Komanit.
Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit, janë të paharrueshme.
Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit.
Udhëtimi me traget zgjat dy orë e gjysmë dhe kushton 300 lekë të reja, ndërsa udhëtimi nga Tirana në Bajram Curri me furgonat e linjës, kushton 1000 lekë të reja. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës, shkohet me mjete të tipit 4 x 4 por edhe me furgonë të linjës, bileta e të cilëve kushton 150 lekë të vjetra.

Kushtet klimaterike
Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë.
Rreshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për turizëm gjatë verës dhe në dimër gjithashtu. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm,
e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër, mund të lëvizni “me rrathë.

Mikpritja malësore
Është folur shumë për mikpritjen e famshme të malësorëve në të gjitha Alpet shqiptare por në terma të përgjithshëm nuk mund të përfshihesh emocionalisht në ca kode njerëzore që ruhen mrekullisht në këto zona të Shqipërisë.
Në asnjë nga mënyrat e mundshme nuk mund të përshkruhet ndjesia që provohet nga kjo mikpritje. Nëse nuk shkon vetë të dëgjosh se çfarë fjalësh të thotë nana Sose kur të uron mirëseardhjen, nëse nuk shikon vetë se sa e lumtur është Catherine,
me djalin e saj shqiptar, nëse nuk e sheh Alfredin dhe të vëllezërit se me sa dashuri i përgatisin gjërat që do të marrin me vete turistët për shtegtim, se si i përkëdhelin kuajt, se si i shtrojnë vaktet, se sa dashuri hedhin në çdo gram ushqimi që servirin e gatuajnë,
nuk mund të kuptosh asgjë nga kjo mikpritje. Prandaj e vetmja mënyrë për të shijuar është të provosh, e vetmja mënyrë për t’u argëtuar është të guxosh, e vetmja mënyrë për të ndjerë Valbonën e bukur, është të shkosh atje e ta jetosh mikpritjen e saj….

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate